U bënë ditë tanimë që flitet (jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në faqet e gazetave online) për vëllain e ministres së Kulturës, të cilit i është dhënë e drejta të vërë në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë vitit të ardhshëm dramën e Peter Vaisse-it, “Vrasja e Jean-Paul Marat-it”. Fillimisht, ky lajm nuk pati ndonjë jehonë kushedi se çfarë. U ndien veç ca zëra, që ngjanin për arsye nga më të ndryshmet (kryesisht politike) të interesuar të bënin zhurmë e të ngrinin pluhur, por duke qenë se këta zëra mbetën të pareplikuar, erdhi puna që u krijua një si ortek. Dhe ja ku jemi në situatën, ku ministrja na qenka vënë me shpatulla pas murit, ngaqë – kështu mund të jepet lajmi në formën e një resume-je – “i paska dhënë hapësirë, mundësi e para vëllait të vet”. Shpesh, teksa nënvizohet kjo gjë, nuk thuhet fare kush është vëllai i ministres. Por edhe kur thuhet, thjesht përmendet emri, dhe menjëherë më pas jepet, apo lihet të nënkuptohet, “i vetmi” atribut i tij në këtë botë: është vëllai i ministres. Dhe fill pas kësaj lëshohet britma: Ky është nepotizëm!
Më duhet të pranoj, se unë nuk jam në gjendje të vlerësoj vendimin që është marrë për të vënë në skenë “Vrasjen e Marat-it”. Këtë të fundit nuk e njoh si vepër. Përveç kësaj, nuk njoh as projektin e Arben Kumbaros, mënyrën pra se si do ta vërë në skenë, aktorët që do të përfshijë në këtë inskenim, etj. Por edhe sikur të njihja sa më sipër, prapëseprapë nuk do të kisha kompetencën për të dhënë një mendim timin. Një mendim timin do ta kisha (siç e kam, ngaqë vetë Kumbaro më ka folur prej vitesh, e në mënyrë të hareshme, për këtë projekt të tijin), por ai mendim nuk do të kish rëndësi. Ka të tjerë që këto punë i njohin më mirë se unë. Ashtu siç ka të tjerë që, ndonëse kanë ekspertizën dhe kompetencën e duhur, vendimet i marrin mbi kritere jo profesionale. E në këtë mes, edhe vendimi për të vënë në skenë “Vrasjen e Marat-it” mund të jetë i kritikueshëm, apo i gabuar. Mirëpo askush nuk ka ecur kësaj ane. Askush pra nuk ka ngritur dyshime mbi projektin. Prandaj, nuk është këtu çështja. Çështja është te “ministrja që ka favorizuar vëllain e vet”.
Po e them qysh në fillim, se kjo, në kundërshtim me atë që duket, është edhe një zhurmë që ka për pasojë, në mos për qëllim, të relativizojë (e jo të denoncojë) qindra gjeste e sjellje të shëmtuara nepotike që janë raportuar në vijimësi, e me shumë të drejtë, prej medias. Është një zhurmë pra që rreket të na thotë nëpërmjet nënkuptimesh, se “është normale kjo gjë, është normale që një njeri me pushtet të vrasë mendjen si t’u japë një dorë të vetëve”. Mirëpo, kjo nuk është hiç normale. Përkundrazi, është një nga gjërat më skandaloze nëse një njeriu me pushtet i punon truri veç si e si të ndihmojë e favorizojë të vetët. Dhe ne nuk duhet të reshtim së denoncuari praktikat nepotike. Mirëpo, rasti “Kumbaro” nuk është ai i duhuri për të ilustruar dukurinë në fjalë. Përkundrazi, janë të gjitha gjasat që rasti “Kumbaro” të jetë një scoop i ngritur mbi asgjënë.
Dhe merret vesh pse. Arben Kumbaro nuk është vëllai i ministres. Arben Kumbaro është Arben Kumbaro, regjisor i njohur i Teatrit tonë. Thënë me fjalë të tjera, është një njeri që ia ka kushtuar teatrit tërë jetën e deritashme (duke përjashtuar një parantezë 3-4-vjeçare si drejtor në Ministrinë e Kulturës, gjë që përbën të vetmen “njollë” në karrierën e tij artistike), ia ka kushtuar jetën këtij profesioni a pasioni që, në një vend si Shqipëria, nuk të jep gjë prej gjëje. Dhe janë fare pak ata që, si ai, kanë pasur çmendurinë të mos i kthejnë shpinën teatrit, kanë pasur çmendurinë të punojnë e të krijojnë veç për një grusht shqiptarësh qibarë e buzëhollë që ende nuk kanë harruar të ngazëllehen përballë një afisheje me mbishkrimin që fillon me fjalët “Së shpejti, në Teatrin Kombëtar do të shfaqet drama/komedia …”. Duhet të jenë njimend shumë të paktë ata shqiptarë që e dinë se ku bie dera e Teatrit. Ndryshe, do ta kishin ditur se kush është Arben Kumbaro, do ta kishin ditur se ai nuk merr frymë në këtë botë si vëllai i ministres, duhej ta kishin ditur se ai është tanimë pjesë e historisë së teatrit shqiptar. Është ai që ka vënë në skenë dramat “Për një fjalë goje” të Nathalie Sarraute-it, “Rrëshajat” e David Edgar-it, “Franku V” i Durrenmatt-it, etj., dhe nuk teprohet po të thuhet se këto inskenime vlejnë më shumë se bëmat e gjysmës së kolegëve të motrës së tij ministre dhe se, pa to, kronika e historia e teatrit shqiptar do të ish, në mos më e varfër, dobare me më pak klas. E prandaj, është një insinuatë e ligë ta interpretosh vendimin për të vënë në skenë “Vrasjen e Marat-it” si një dhuratë që motra ministre ia bën vëllait regjisor. Do të ishte njësoj – po mbetem në lëmin e teatrit – sikur një rol që i jepet Robert Ndrenikës, Yllka Mujos, Ndriçim Xhepës a Timo Fllokos të shpjegohej me rrethana e me lidhje të natyrës joprofesionale.
Kush është i prirur të shohë një qokë te çdo gjest publik, mund ta marrë edhe këtë shkrim për të tillë, ngaqë autorin e këtyre radhëve e lidh një miqësi e vjetër me Arben Kumbaron. Mirëpo, kjo miqësi ekziston edhe (sidomos) për shkak të asaj që ai ka bërë, e ka ditur të bëjë, në teatër. Është një miqësi që ekziston përpara se të merrja vesh se Arben Kumbaro ka një motër, e pa e ditur se një ditë prej ditësh ajo do të bëhej ministre e Republikës. Një ministre e zonja, në fakt, dhe në këtë pikë (teksa jemi duke u marrë me “derivativa” familjare) ma ka qejfi të them se nuk mund të ishte ndryshe motra e Arben Kumbaros.