Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dergata amerikane nen sponsorizim grek

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 11 vite më parë

Aleksandër Çipa
Dergata amerikane nen sponsorizim grek

Me një zë të mekur politik, por edhe arsye të përdorur si “Gozhdë Nastradini”, kryetari i PBDNJ-së, V.Dule, ka rikthyer në median virtuale shqiptare kauzën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave etnike në Shqipëri. Madje për të qenë korrekt me citimin e tij, flet në shumës për “minoritetet etnike në Shqipëri”. Fjala nuk është thjesht për një përfaqësues të pambështetur politik që prej kohësh e ka humbur mundësinë e të qenët gjithëpërfaqësues i pakicave në Shqipëri, por për një kartë të mbetur në përdorim politik pa kohë mbarimi.

Zoti Dule dhe dy apo tre përfaqësues politikë të pakicës greke në Shqipëri, të mbetur në kontakte të pakta me disa përfaqësues greko-amerikanë në SHBA, po tentojnë të rikthejnë zhurmën e njohur të periudhës 1994-1996. Kjo zhurmë përcillet në mënyra dhe forma të njohura kontaktesh me greko-amerikanë, si dhe me disa të vetëndier grekë himarjotë në qendra të ndryshme të Amerikës. Është një formë e vjetër dhe e shumëpërdorur prej greko-amerikanëve, sidomos në dekadën e parë postkomuniste, deri në vitet 2004-’05.

Ndoshta duhet parë si mënyra klasike e grekëve për të zhurmuar apo kompleksuar e pse jo, edhe ndikuar, mbi politikën e Tiranës për arsye të minoritetit grek në Shqipëri.

Historia e Nikolas Gage në marrëdhëniet me ish-kryeministrin Berisha apo përfaqësues politikë të pakicës greke është atipike.

Në rastin e vizitës së kësaj jave në Shqipëri të një minidelegacioni kongresmenësh amerikanë, interesimi për llogari greke është i deklaruar haptazi. Vizita me sa duket, bazohet në negocimet dhe axhendën paraprake të sugjeruar nga përfaqësues me ndikim të diasporës greko-amerikane. Madje, në këtë kontribut, nuk mungojnë edhe disa përfaqësues të zellshëm himarjotë që vetëndihen grekë dhe që jetojnë nën ombrellën e diasporës greke, në lagjet ku përgjithësisht kanë krijuar koloninë e tyre përgjatë 100 vjetëve të fundit.

Minidelegacioni që do të përfshijë kongresmenët Gus Bilirakis i Floridas, Gregory Meeks i Nju Jorkut dhe Jack Kingston i Xhorxhias, do të vizitojë zonat e minoritetit grek dhe do të diskutojë edhe për shqetësimet e tyre mbi reformën territoriale. Së paku këtë interesim të tyre e sjell paraprakisht në dijeni të publikut shqiptar, kreu i PBDNJ-së, zoti V.Dule.

Dy ditë më parë, përfaqësuesi aktiv i diasporës shqiptare në SHBA, zoti Gary Q. Kokalari, iu drejtua ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij, zotit Aleksandër Arvizu, me një letër në të cilën i sjell në vëmendje titullarit të diplomacisë zyrtare amerikane, se cila duhet të jetë axhenda e çështjeve që meritojnë të artikulohen e përcillen si drejtinformim për kongresmenët e mbërritur nga larg apo që pritet edhe të shoqërohen nën kujdestari jozyrtare greqishtfolësish në turin e tyre nëpër zonën jugore të Shqipërisë.

Ajo që meriton të çmohet në letrën e zotit Kokalari, ka të bëjë me një detyrim të ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri për të evituar një tendencë meskine të diplomacisë dhe qarqeve greke për zgjerim të perimetrit gjeografik të prezencës së minoritetit grek në zonën jugore të vendit. Qartësisht duhet thënë se edhe nëse e vizitojnë Himarën (artikullshkruesi e ka për vendlindje atë), ai komunitet dhe ai territor nuk ka lidhje përkatësie me pakicën greke apo etninë greke në tërësi, ka vetëm një qasje fqinjësie dhe afiniteti shpirtëror. Këtë pohim nuk e kam për greqishtfolësit shoqërues apo të porositur si të tillë, por për përfaqësimin zyrtar të sqarimit dhe të informimit gjatë çasteve pritëse apo nderuese në territorin administrativ të Bashkisë së Himarës. Kjo nevojë lidhet thjesht dhe pastër me thelbin e asaj që u nevojitet atyre për të parë dhe njohur, sikundër edhe për të evituar shmangien e strategjisë së bërë evidente përgjatë dy dekadave të fundit, prej greqishtarëve shqiptarë të Himarës.

Për çështjet e tjera, diplomacia amerikane dhe sidomos dërgatat amerikane në Shqipëri, janë jo vetëm në dijeni, por të informuara pa asnjë ekuivok. Këtë e kanë arritur me kohë, për shkak të receptorëve dhe parimeve mirinformuese që ndjekin institucionalisht përfaqësues të selive diplomatike të tyre, programeve apo edhe projekteve të lëvruara në kohë nga Departamenti i Shtetit në këtë vis të Ballkanit.

Reagimet e pakta, ndër të cilat më e bujshme ajo e zotit Kokalari, në median dhe opinionbërjen shqiptare, meritojnë të pasojnë me një veprim disi më institucional dhe shërbyes prej diplomacisë sonë zyrtare dhe sidomos diasporës shqiptare në SHBA.

Me këtë rast e shoh me vend të sjell në vëmendje të përfaqësuesve të shkëlqyer të diasporës sonë në SHBA se mes komunitetit himarjot dhe në tërësi atij bregas, që jeton në SHBA, gjenden përfaqësues të cilët jo vetëm që kanë një formim dhe informim jashtë ndikimit greko-amerikan, por që dijeninë dhe ndërgjegjen për përkatësinë e tyre shqiptare e kanë më të lartë se shumë të tjerë që shpalosin flamurin nëpër tubime e festime deklarative. Në këtë diasporë, në shtypin dhe sidomos mediat e organizimet e saj, ka dhe duhet të ketë, shumë më tepër vend për përfaqësues himarjotë. Në këtë mënyrë, mundësohet një kontribut vetinformues për Departamentin e Shtetit, për diasporat ballkanase në SHBA dhe për vetë komunitetin shqiptaro-amerikan rreth Himarës dhe aktualitetit të saj. Kontribute të tilla bëjnë të mundur që puna apo shërbestaria grindavece e omonistëve himarjotë në lagje ose bar-restorante greko-amerikanësh në Uashington a Nju Jork të mos shkaktojë grindje apo tensione qeverish në Athinë e Tiranë. Kësi shërbimesh mistrece i lënë zotit Dule apo greqishtfolësve të këqij të Himarës mundësinë e përdorimit demagogjik të ankimtarisë për standarde apo konventa bazë të të drejtave të njeriut që shkelen apo nuk respektohen gjasme në Shqipëri. E bëjnë zhurmën për kësi kartash, duke harruar se atdheu i tyre amë Greqia, nuk përfshihet prej dekadash në pjesët e epërme të listimit në raportet vlerësuese, por gjithherë nga fundi i tyre. Ndërkohë që Shqipëria me kohë zë vend në vende shumë herë lart se pozicioni në të cilin renditet Greqia fqinje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama