Janis Butaris njihet në opinionin grek, por sidomos atë të Selanikut, si një ndër kryebashkiakët më luajalistë dhe demonstrues i përhershëm i ndjenjës kozmopolite. Ai qeveris qytetin grek në veri të vendit, të njohur ndryshe si “kryeqytet i Ballkanit”, duke u bazuar gjithëherë te ndjenja e respektit dhe nderimit të emigrantëve të huaj. Shquhet për deklaratat e herëpashershme kritike ndaj nacionalizmave dhe racizmit, sikundër evidentohet si një ndër politikanët rajonalë që sfidon me reagimet dhe qëndrimet e veta publike edhe politikanët e forcave kryesore në vend.
Ai e qeveris Selanikun në mandate të njëpasnjëshme. Votat i ka marrë si një i zgjedhur që dominohet prej ndjenjës dhe ndërgjegjes njeridashëse. Ka thyer shumë herë tabutë e deklaratave partiake dhe atyre qeveritare për marrëdhëniet me fqinjët, sikundër guximshëm, shpesh matanë gjeografisë nacionaliste ka adhuruar e respektuar gjeografinë e historinë e secilit popull të rajonit të Ballkanit.
Për publikun shqiptar, ai është i njohur për disa nisma që reflektojnë respektim të kulturës dhe qytetarisë shqiptare. Pak kohë më parë, përuroi në Selanik sheshin “Durrës-Albania”. Ndërsa, po para pak kohësh, në akt reciprociteti u mirëprit në Durrës nga kryebashkiaku Vangjush Dako në përurimin e sheshit “Selaniku”.
Por jo vetëm kaq. Ai njihet si një ndër kryebashkiakët aktualë në Greqi që jo vetëm ka inkurajuar, por edhe ka kontribuuar të mbështesë nismat arsimdashëse të komuniteteve të emigrantëve të huaj në Selanik. Sipas pohimeve dhe deklaratave të emigrantëve shqiptarë në këtë qytet, ai është zëri i parë mbështetës dhe mundësues për aktivitetet, nismat dhe sipërmarrjet e komunitetit të emigrantëve, të cilëve u ka mundësuar hapjen e klasave vullnetare për mësimin e gjuhës shqipe.
Natyrisht kësi detajesh mund të jenë tejet fragmentare dhe të mjafta për të zgjuar skepticizmin e dikujt apo shumëkujt, se kemi të bëjmë thjesht me një sjellje dhe gjeste të një politikani që e njeh vlerën e propagandës me komunitetet e emigrantëve. (!) Mirëpo, detajet dhe sjellja e përditshme qeverisëse dhe politikëbërëse e Janis Butaris në Selanik, formësojnë jo vlerën dhe brendinë e një propagande, por të një rasti kur në metropole kufitare të Ballkanit, ngjallet protagonizmi i dëshiruar dhe aktivizmi i qeverisësve që militojnë realisht për bashkëjetesën dhe respektin reciprok mes popujve, racave, shteteve, kombeve dhe emigrantëve.
Në këtë shembull, zoti Butaris e ka vulosur simpatinë e bashkëqytetarëve të etnisë së vet dhe të etnive të tjera. Perimetri i mbështetjes së tij e ka kapërcyer kufirin shtetëror të Greqisë, sikundër ka tejkaluar dijeninë matanë rretheve të emigrantëve apo grupimeve të gjithëfarllojshme në qytetin me dendësi demografike kryesuese në krejt rajonin.
Ky rast eklipson shumë protagonizma nacionalistësh periferikë, sikundër natyrisht në jo pak raste nuk ia del të mbesë triumfues mbi qëndrime apo sjellje doganierësh apo policësh në pikat kufitare që lidhin shtetin grek me vendet fqinje ballkanike.
Natyrisht në Ballkan mund të ketë shumë raste e shembuj homologë me atë të zotit Butaris. Në Tiranë herë pas here shfaqen kryesues shoqatash apo përfaqësues të shoqërisë civile të cilët duken e ngjajnë si sivëllezër me qytetarin-politikan Janis Butaris në Selanik.
Mirëpo militantizmi dhe aktivizmi europianist i tyre, është i pamjaftë për të mos lejuar kohë pas kohe apo ngjarje pas ngjarjeje, ngritjen e dallgëve të egërsisë nacionaliste apo urrejtjes etnike.
Në ngjarjet e javës së shkuar në Beograd, kur episodet e dhunës para dhe gjatë pjesës së ndeshjes së mundësuar mes përfaqësueseve serbe dhe shqiptare, tronditën opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, munguan zërat dhe ndërhyrësit qetues të tipit dhe llojit të Janis Butaris.
Pse kjo mungesë?! Vallë vërtet në kohën e një epoke të re mes serbëve dhe shqiptarëve nuk është mundësia të kemi apo të evidentohen profile të tilla figurash publike që të mos i hedhin zjarr e flakë stuhisë së fyerjeve apo zemërimeve nacionaliste kundër njëri-tjetrit? Në gjithë zallamahinë e shkaktuar prej dhunës së tifozerisë serbe dhe pasuar prej dronit me flamurin e kompozuar ekzagjerueshëm të shqiptarëve, më shkëlqyes si qetues dhe më inteligjent si reagues, rezultoi të jetë gazetari i “Top Channel”, rezident në Beograd, kolegu Idro Seferi.
Gjatë orëve të fundit në mediat serbe, por më së shumti në hapësirën e rrjeteve sociale dhe atë virtuale në tërësi, opinioni lëvdon e krenohet me qëndrimin dhe inteligjencën e dëshmuar të Idros në emisionin satirik të një kolegu serb tek ekrani i “B92”.
Madje, sipas gjasave, në ditët e ardhme humori dhe reciprociteti gjegjës i moderatorit serb me kolegun Seferi do të kenë vlerën e një inteligjence më të ftohtë e më efektive sesa vetë diplomacia e nxehtë që pasoi mes dy vendeve. Një diplomaci, e cila u egërsua vrulltas dhe që po të huazojmë batutën e një nëpunësi të lartë të diplomacisë shqiptare, u përfshi në fluksin më të madh të notave të protestës drejtuar ministrive të Jashtme të tri vendeve ballkanike, aq sa as dy Koretë nuk kanë shkëmbyer mes njëra-tjetrës, edhe pse gjenden prej vitesh në situatë e gjendje lufte.
Por pa ikur prej modelit dhe profileve të tipit Butaris në Selanik apo gazetarit shqiptar Seferi, në Beograd, le të mbesim te nevoja e ikjes nga baruti që shpërthen sa herë pësohen incidente, te një maturi europianiste që s’e nget apo cenon integrimin. Kësaj sindrome në Ballkan i iket, vetëm nëse reciprociteti dhe respekti marrin vlerën dhe fytyrën e qytetarëve e qeverisësve që çmojnë qenien e tjetrit dhe respektojnë etninë e gjithkujt.
Nga Butaris në Selanik dhe deri tek Idro Seferi në Beograd, mund të gjenden me mijëra dhe qindra mijë të tjerë qytetarë dhe përfaqësues europianistë të viseve ballkanike. Ata shfaqen jo vetëm kur ka tramundana dhe shpërthime prej incidentesh, por në çdo ditë e në çdo episod që s’vihet në fokus të mediave apo të debatit e diskutimeve publike. Por, megjithatë, nuk e bëjnë dot një frymë të përhershme dhe të madhueshme, e cila të mund të ketë forcën e barrierës së zgjimeve të egra e të befta nacionaliste. Promovimi i kësaj fryme ndoshta duhet të bazohet në një strategji tjetër të Brukselit apo integralistëve institucionalë të Perëndimit. Ky mekanizëm dhe investim shumëformësh meriton të përballet me propagandën apo vrullet e egra dasuese që lindin prej ngacmimesh apo incidentesh, që sajohen prej skenarësh, por nuk kanë lidhje me regjinë e shpirtit të domosdoshëm europianist të Ballkanit.