Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Robert Papavrami, pedagogu dhe shqiptari i vecante

Shkruar nga: Edi Rama  
Botuar më: 11 vite më parë

Edi Rama
Robert Papavrami, pedagogu dhe shqiptari i vecante

“Babo,

Nuk erdha dot, por të paktën po studioj mirë violinë. Kështu që dhe ti je më i qetë.” Kështu e nis letrën e vet, Tedi Papavrami, në pamundësi për të marrë pjesë në këtë pritje, që unë kam privilegjin të organizoj në nderim të një shqiptari shumë kokëfortë, një pedagogu krejt të veçantë dhe të një babi me fatin pa hesap.

Pse Robert Papavrami o më saktë, Bert Papavrami, është një baba me fatin pa hesap, për këtë, jam i bindur, nuk ka nevojë për shpjegime.  Sot, djali i tij ndodhet në majën botërore, ku vetëm një shqiptar shumë kokëfortë si Berti, mund të guxonte ta parafytyronte të birin qysh në krye të herës kur e mbante në krahë, i kyçur në ferrin e izolimit komunist, ku as ëndrrat dhe jo më realiteti nuk e afronin këtej, botën e përtej.

Në albumin e kujtesës së Liceut Artistik të Tiranës, në kapërcyellin e viteve ’80-të, pantallonat e shkurtra të Tedit, në mes të dimrit dhe motoçikleta vintage, me kosh, e Bertit janë dy dëshmi ekskluzive të një aventure të jashtëzakonshme, që u përgatit fshehtas për vite me radhë. Aq fshehtas u krijuan të gjitha kushtet e asaj aventure për violinë pa orkestër, sa dhe vetë të dy heronjtë, që do të tronditnin Shqipërinë dhe më pas do të magjepsnin botën me komplicitetin e  tyre, ia fshehën sa mundën njëri-tjetrit atë që donin. Tedi donte lirinë e fëmijës pa violinë. Berti donte lirinë për fëmijën me violinë.

Sidoqoftë, sot nuk kremtojmë thjesht gëzimin e pasjes mes nesh të babait të Tedit, pa pedagogjinë e veçantë të të cilit, zor se do të kishim pasur Papavramin e Tretë. Se për kë nuk e njeh këtë dinasti kokëfortësh, Berti është Papavrami i Dytë, – i Pari ishte i famshmi doktor Papavrami, – të cilit hija e pasardhësve i ka hyrë padrejtësisht, në hisen e vet të lavdisë.

Tedi e di mirë këtë punë, duket, përderisa në letrën që ka shkruar këtu për ne, thotë se “një Papavram, njëherazi, mbase mjafton për Shqipërinë.” E bën për të justifikuar mungesën, pse nuk erdhi. “E cila edhe pse mban shumë, nuk është kaq e madhe, ndërkohë që po bëhen tre gjenerata që e ngarkojmë me emrin tonë. E në fund të fundit kjo është dita jote dhe jo dita ime”, – e justifikon dhe më qartë, Tedi, mungesën e tij, sot, këtu. Sepse sot, ne i gëzohemi pranisë së Bert Papavramit si një mundësi për të nderuar jo thjesht babin e Tedit, por pedagogun krejt të veçantë të shumë talenteve shqiptare të violinë, si njeriu që vendosi një gur të rëndë themeli për shkollën shqiptare të violinës.

“Në ditët e sotme, që gjërat harron gjithmonë e më shpejt, edhe në Shqipëri, vend ku ti” – shkruan Tedi – “ke shumë me tepër kujtime e shokë se unë, e kam ndjerë veten në një pozitë disi të çuditshme dhe jo të rehatshme, duke vënë re nevojën për të kujtuar meritën tënde të pakrahasueshme në fushën e violinës dhe të harqeve, në përgjithësi. Pas çdo muzikanti të mirë ka një profesor të mirë dhe nëse muzikanti, kur është me fat, ka zakonisht një profesor të tillë gjatë jetës së tij, ky i fundit mund të prodhojë me dhjetëra muzikantë të mirë. Gjë të cilën e ke bërë vazhdimisht, në Shqipëri dhe në Francë.”

Ka të drejtë Tedi dhe sa mirë që këtë e thotë vetë ai, sot, paçka se babit, me fatin pa hesap, merita e madhe e pedagogut krejt të veçantë i është tkurrur në përmasën e famës të së birit, duke bërë që shumë të tjerë, jo aq në majë, po asesi për t’u hedhur poshtë, nxënës të denjë të Bert Papavramit, të mos ndihmojnë dot, për ta ndarë famën e Bertit nga ajo e Tedit.

“Qe rastësi e çuditshme që qëllova unë të bëhem më i njohuri i nxënësve të tu. Insistoj me fjalën rastësi, sepse përsa i përket punës së shkëlqyer që bërë me mua, ata që kanë punuar me ty në të njëjtën periudhë e dinë që kërkesa, metoda dhe pasioni yt ishin të mira për të gjithë,” – thotë Tedi.

Historia e atit që kemi këtu dhe të birit që mungon është në fakt një subjekt shumë pjellor, jo veç për libra e për filma, unë besoj dhe për psikanalizë. Tedi erdhi në këtë botë, pa mundur të shpëtojë dot një sekondë, nga i ati. Beri po i afrohet të 80-ve pa mundur të çlirohet një sekondë, nga i biri. Nuk e di fare sa flasin me njëri-tjetrin, këta dy Papavramë kokëfortë. Duke i njohur dhe njërin dhe tjetrin, unë nuk do të çuditesha po të merrja vesh se nuk flasim me njëri-tjetrin prej një jete, por askush nuk do më bindte që mund ta gdhinë apo ta ngrysin një ditë të vetme, pa menduar për njëri tjetrin. Simbioza e tyre është unikale, siç është unikale për Shqipërinë aventura e tyre, që nisi me një palë pantallona të shkurtra, dimër-verë dhe me një motoçikletë me kosh, që atëherë ne, në Lice Artistik ku e shikonin, e konsideronim motorin që sillte në shkollë, xhandarin e Tedit. Se këta miqtë folën vetëm për këto anët e mëdha pedagogjike, por është kjo ana tjetër që është një histori e madhe.

Dhe është një aventurë që mishërohet sot, në mijëra e mijëra disqe të shituara kudo nëpër botë dhe që është e gjitha, sëfundmi, e mbledhur në violinën Stradivarius, që Tedi e ka marrë si një ndër të gjallët e privilegjuar, për ta mbajtur atë në sup.

Ajo që masë ndryshon mes Tedit dhe të tjerëve, – thotë Tedi vetë, “është fakti që duke të pasur   njëkohësisht baba, më ka hyrë më herët e më thellë se tek shumë të tjerë pasioni yt për violinën dhe ëndrra e arritjes së diçkaje të përkryer, në këtë fushë kaq magjike. E përtej dijes dhe mjeteve që dite të zhvillosh kaq mirë, për të bërë që të avancojnë studentet e tu, është pasioni yt, kaq komunikativ, i një bukurie të pakapshme, që mbase të karakterizon më shumë se çdo gjë”.

Nuk e di, me siguri Tedi ka shumë më të drejtë se unë, por mua, përtej dhuntisë padyshim të jashtëzakonshme të profesorit dhe gjenialitetit tanimë të provuar botërisht të nxënësit, kjo histori më duket sikur ka qenë e parashkruar në yje, përpara se Bert Papavrami të niste të shihte yjet nga oborri i shtëpisë me portokaj të doktor Papavramit tek Medreseja, duke pyetur veten, kur të gjithë flini gjumë,  “a t’ia mbathim, a të mos t’ia mbathim për në Francë.”

Është një histori që, duke e parë me sytë e të sotmes, në fakt, ngjan si shumë e bukur për të qenë e vërtet. Paçka se tjetër sytë tanë dhe tjetër sytë e Bertit, që pasi e kanë parë të tërën, sekondë për sekondë, për çerek shekulli me radhë, mbase do të donin të kishin parë diçka tjetër. Dhe kjo botë dihet si është shpeshherë. Sa arrin në fund të një rruge plot mundime, nuk mjafton për të mos kthyer kokën me keqardhje, pse nuk i re një rruge krejt tjetër.

Unë e takova përpara pak ditësh, pas kaq shumë vitesh, – çerek shekulli për të qenë i saktë, – Bertin dhe më tha diçka që mu shënua në mend: “Shqipëria është një ferr i gëzueshëm, Franca është një parajsë e trishtueshme”.

“Nuk po zgjatem më, se fjalët në këto raste nuk kanë magjinë e muzikës dhe bëhen shpejt të lodhshme për dëgjuesit. Po i kthehem studimit, ashtu siç ma pati shkruar dikur në një partiturë, këshillë të cilën kam vazhduar ta ndjek, një shprehje kaq shqipe, një muzikë kaq universale. “Tedo, mos u mërzit, qaji hallet me Bahun”, – kështu përfundon letra e Tedit, ndërsa fjalën time unë po e përfundoj, “Berto, mos u mërzit, hallet e Francës qaji me Shqipërinë”.

***

Kryeministri si autoritet ka një medalje të cilën ia dorëzon kryetarëve të shteteve apo kryetarëve të qeverive, sipas protokollit, kur ata trokasin dhe hyjnë në këtë seli.

Unë këtë protokoll kam vendosur ta thyej përsëri, pasi e theva herën e parë për Ermonela Jahon. Sepse besoj që jo vetëm asnjë kryetar shteti apo asnjë Kryeministër nuk do të ndjehej më i vogël, nëse këtë medalje e merr edhe Bert Papavrami, por, ndërkohë, edhe unë vetë, duke i dhënë këtë medalje Bertit, jam i bindur që nderoj këtë godinë, nderoj ketë institucion dhe nderoj autoritetin e Kryeministrit, që për një periudhë kohe kam privilegjin të përfaqësoj.

Ashtu sikundër jam i bindur që në jetë tjetër, në qoftë se nuk do të kishte pasur obsesion se si ta bënte të birin, një violinist botërisht të njohur, por do të ishte marrë me politikë, me siguri që Bert Papavrami do të kishte qenë në vendin tim. Por jo në demokraci, por në një lloj diktature siç vetëm ai di të vendosë.

Për një shqiptar shumë të veçantë, për një pedagog të jashtëzakonshëm, për babain e Tedi Papavramit, por, në fund fare, edhe për një diktator shembullor, unë dëshiroj që t’i dorëzoj këtë medalje, e cila shpreh të gjithë nderimin dhe besoj gjithë dashurinë e të gjithë këtyre njerëzve që janë këtu, por edhe të shumëkujt që s’është këtu sot.

Për ty Bert Papavrami!

Edhe një detaj të fundit. Pasi e bëra këtë fjalë, ia dërgova Tedit për një miratim përfundimtar dhe me tha: “Kjo do të jetë dita e hakmarrjes së profesorit ndaj nxënësve, sepse, fatkeqësisht, një profesori i bie gjithmonë të jete prapa kuintave dhe vetëm nxënësit duartrokiten, por ditën e diel jam i bindur që Berti do të marrë hak për të gjithë ne, sepse do të ketë duartrokitjet më të nxehta, të mbledhura për një jetë të tërë, që i meriton që të gjitha.”

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama