Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

8 Dhjetor 2014: Perroi im i ndergjegjes

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 11 vite më parë

Mustafa Nano
8 Dhjetor 2014: Perroi im i ndergjegjes

Kur afrohet 8 dhjetori, mua më kap një gjendje që është mes “oi-oi-oi”-së dhe “ha-ha-ha”-së, ose thënë ndryshe mes ankthit e gazit, gazit në kuptimin: gallatës; është më saktë edhe ankth, edhe gaz, dhe mos më thoni që nuk është kështu, pasi është mjaft të shihni atë që ndodh në raste të tilla, dua të them se janë të njëjtët personazhe, sidomos ai që e ka privatizuar ngjarjen, d.m.th ai të cilin njerëzit jo trushkulur të këtij vendi e mendojnë ose si një koqe kandari, ose si një psikopat delinkuent, ose si një shkërdhatë të korruptuar, e të vjen çudi se si nuk ua kap kaplloqja, që ai nuk është ose/ose/ose, por është edhe/edhe/edhe, po pastaj janë dhe dhjetëra të tjerë që o në emër të tij, o prej tërbimit ndaj tij, kapen nga dalldia e rrethanës festive, lënë shënime nëpër profilet e tyre në Facebook, përcjellin mesazhe në Twitter, bëjnë shkrime, ndonjëri syresh edhe libër, jepi Preç të lumtë pena, japin intervista, u rikthehen kujtimeve me pasion veterani, ribëjnë historinë, ripërsërisin fakte të njohura, ndonjëherë i trukojnë, nëse nuk i sendërgjojnë, theksojnë me të madhe të vërteta që ata mendojnë se janë theksuar më pak se sa e kanë hak, rikuperojnë fakte të tjera që për një arsye apo për një tjetër kanë humbur rrugës, publikojnë foto të panjohura, dhe në disa sosh pashë këto ditë – hapu dhé të futemi! – Ristanin e Spahiun; dhe hajde e mos ki dyshime, në ke Perëndi, për atë dhjetor që e quajnë të artë a të shenjtë, apo si dreqin e quajnë, por në të vërtetë, jo thjesht për shkak Ristanash e Spahish, s’është hiç i tillë, dhe … ku e kisha fjalën, ah, po,… rikonstruktojnë tërë ngjarjen nga fillimi deri në fund, ribëjnë listën e themeluesve, që i paçim sa malet, shtojnë e heqin prej saj, bëjnë çmos të puthitin data e qëndrime, vlerësojnë e rivlerësojnë personazhe të ndryshme, u japin munxët personazheve të tjerë, japin dëshmi një pas një mbi egërsinë e regjimit totalitar, dhe është pikërisht kjo gjë që veprën e tyre e nxjerr në një dritë më heroike, paçka se ky nuk është medemek qëllimi i tyre, jo, jo, ç’është ajo fjalë, thjesht kështu na paskëshin qenë gjërat, regjimi mizor e gjakatar më një anë dhe ata, që edhe mund të gjenin vdekjen ato ditë më anë tjetër, ja këta mblidhen bashkë për të festuar, organizojnë aktivitete, mbajnë fjalime, shkojnë te Fevziu, që ia pifsha dollinë ia pifsha, e ia qifsha përurimet e librave ia qifsha, që të japin krupë, përurimet jo librat, më shumë se një thithëlopë e gatuar, shkojnë te Fevzoja pra, përkujtojnë Hajdarin, i shkojnë dhe tek hijerorja (sanctuary) e ngritur në Qytetin Studenti, se tamam si hijerore e shohin, por ajo përmendore veç hijerore nuk është, se Hajdari ishte ai që ishte, dhe ne të gjithë e dimë këtë, ashtu siç dimë se Olldashi nuk ishte veç student dhjetori e garip qyteti, sado këngë t’i bëjnë, se në këtë vend dihet se kujt i ngrenë këngë, edhe përmendore, e kjo gjë merret vesh më mirë se kurrë në këtë fillim dhjetori, me këtë përndezje festive e me këto aktivitete të pasosura përkujtimore që ty ta tëhuajëzojnë ngjarjen, ta bëjnë jo tënden, të bëjnë të thuash “po unë ç’lidhje kam me këtë ngjarje e me këta njerëz, të gjallë a të vdekur?”, kuptohet, nëse ka qëlluar të kesh lidhje, nëse nuk ke qenë në krahun tjetër, në krahun e regjimit mizor që, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, do kish shumë qejf në atë dhjetor që ma quajnë të shenjtë në një kohë që është i dhjerë, regjimi komunist pra në atë dhjetor të dhjerë pra (me dy “pra”) do kishte shumë qejf, por nuk kishte më fuqi, të ishte mizor, ngaqë regjimi ishte bash si ata seksopatët e moshuar, që një akt përdhunimi nuk e bëjnë, jo ngaqë nuk ua ka ënda, apo ngaqë nuk ua lejon standardi moral që kanë, por ngaqë nuk kanë takat.

Disa i rikthehen kontributit të atij që ngjarjen e ka vjedhur, i rikthehen me synimin për ta diskredituar, për ta nxjerrë prore në një dritë të keqe, a thua se nuk u mjaftojnë të këqijat që ai ka bërë më pas, i bëjnë një replay të ngadaltë filmit të kujtesës së tyre e të kujtesës kolektive, apo edhe filmave në celuloid, për të kapur të gjitha hijezimet, lapsuset, rrëshqitjet, e në përgjithësi gjestet e tij që aposteriori nuk i rrinë mirë asaj kohe, e pastaj fjalët e mira që vjedhësi i ngjarjes ka thënë në adresë të Ramiz Alisë, asëll-asëll të shokut Ramiz Alia, për të kapur drojën prej komunisti të thekur, por edhe prej mjeku të Hysniut, përballë Lëvizjes së studentëve e përballë atyre që donin të themelonin një parti kundër Hysninjve e kundër Vitove, more vesh Mimi, mora thuaj, për të kapur fjalët “unë dua të jem një mik i mirë i Partisë Demokratike”, ta gëzoni Partinë Demokratike, ose jo, ndërrova mendje, ta gëzojmë Partinë Demokratike, nuk mund të rri jashtë saj, pasi kjo parti duhet shndërruar në një bandë kriminale, dhe pa mua kjo gjë s’do bëhet e mundur, unë jam me ju, kjo parti është e Azemit, mos dëgjoni Shinasi Ramën, që më vërsulet me tërsëllëm, dhe as atë gjatoshin, të birin e Kristaqit, që njëzet e katër vite më pas një farë Erion Veliaj, që sot është 10-11 vjeç, do ta shpallë si frymëzuesin e Lëvizjes së Dhjetorit, të Dhjetorit të dhjerë, kuptohet, hm, hahaha, nuk di pse qesha, në fakt e di, ku e kisha fjalën, ah po, e u ftillova, dhe po them se nuk është vetëm vjedhësi i ngjarjes, që nuk ka lënë gjë pa vjedhur në kohët që e pasuan atë ngjarje, që e kërkon skenën të tërën për vete, skenën ku festohet dhjetori, janë dhe të tjerët, janë dhe ata që me të s’mundën të rrinin, është dhe Shinasiu për shembull, me të cilin mua nuk më ngjit, nuk ia duroj dot atë natyrë rapsodike e qasje autoreferenciale që ka, dhe unë e di, atij nuk është se i ngjit më shumë me mua, por punë e madhe, bythë e plasur, bythë e plasme më saktë, unë prapëseprapë e pranoj që atëbotë ai ishte tip, atëbotë më është dukur më i kthjellëti, dhe këtë e ka treguar jo kur shkumëzonte kundër oqessëkandaritpsikopatitdelinkuenteshkërdhatëssëkorruptuar, me po atë forcë që shkumëzon sot Mero Baze, që pena pushkë iu bëftë, dhe dihet, të shkumëzosh kundër tij vai sul sicuro, apo jo Andrea Stefani, por gjatë takimit me Ramiz Alinë, pikërisht në atë takim kur ai demonstroi se ishte më i kthjellëti, madje i vetmi i kthjellët, gjë që binte më shumë në sy tek shihej mes dy djemve torollakë, u mor vesh më vonë, sidomos më vonë, që ishin torollakë, e jo vetëm torollakë, e kam fjalën për Hajdarin e Imamin që në atë moment nuk kish pse të ishin më shumë se sa kaq për të kuptuar aq sa donin të kuptonin, dmth të kuptonin se ata po bënin histori, madje veç tek kjo e kishin mendjen, që po bënin histori aq pranë Ramiz Alisë, që iu bëftë dita një mijë, e që një mijë nuk iu bë, të ishte ndryshe do ta kishim gjallë, se personazhet që bënin historinë në atë moment mund t’i prodhonte veç ai, Ramizi, dhe ata që me Ramizin nuk donin e nuk kishin të bënin, me historinë duhej t’i lanin hesapet, nëse nuk do të kujtoheshin për të hyrë në histori ca më vonë, si gjatoshi ynë që këtë ambicie e ka shprehur, madje në Beograd, në atë konferencë të shtypit, ku ia bëri rrup-sup Vuçiçit qyqar, zuri të trokasë fort në derën e historisë ding, ding, ding dhe, doni ju, ca janë të sigurt se ajo derë iu hap, hahaha, këtë herë e di shumë mirë pse m’u qesh, m’u qesh vençe, po mbaj brinjët me duar, po thoja pra se Shinasinjtë këtë gjë duhet ta kenë menduar herët, por pa Ramiz Alinë, më saktë duke qenë kundër Ramiz Alisë, dhe të japin përshtypjen qyqarët, sapo e thashë fjalën qyqar, e thashë për Vuçiçin por s’ka gjë, shkon edhe për Shinasinjtë, që të japin përshtypjen se e vuajnë që nuk mundën të hyjnë në histori, pupupu ç’bëhet për pakëz vend në histori këtej nga anët tona, s’ka gjë se kjo historia e vendit tonë nuk është si të tjerat, është thjesht një mejhane e ndyrë ku s’ka mbetur kodosh pa gjetur strehë, e prapëseprapë të gjithë shqiptarët çfarë nuk do jepnin për të hyrë në histori, edhe sumën do ta jepnin, ndonëse janë gati t’i pjekin në hell të gjithë ata që sumën e japin për qejf e jo për histori, dhe ia bën mu që e vuajnë këtë gjë, Shinasinjtë po them, ndryshe nuk ka se si shpjegohet që jetojnë gjatë gjithë vitit veç duke pritur të mbërrijë dhjetori i radhës, në të cilin do t’i intervistojnë, apo do të intervistohen, do të shkruajnë për atë që ka ndodhur në atë dhjetor të madh, të lavdishëm, kur komunizmi theu zverkun, ra, u këput, dha shpirt, dhe e gjitha kjo për inat të studentëve që nuk heqin dorë nga mendimi se komunizmin e rrëzuan ata, e rrëzuan duke vënë kryet e tyre në rrezik, në një kohë që krye s’kishin, e rrëzuan kur regjimi ishte ende i gatshëm, dhe i aftë, të vriste kundërshtarë, futjani pordhës futjani, regjimi kish vdekur, veç pritej dikush që ta kallte në varr, dhe ju të dashur studentë të dhjetorit nuk ishit gjë tjetër veçse pjesëmarrës në një ceremoni varrimi. Të rroni vetë!

Nuk thashë kot “ankth” në krye të herës. Është ankth vërtet kjo punë. Unë dua t’i fshihem, t’i bëj bisht, kësaj tollovie, e këtij harbimi, mirëpo për dreq nuk mund t’i bëj bisht dot, ngaqë është si një murtajë, më keq akoma, si flama e fanatizmit, që është sëmundja më e keqe mbi fytyrë të dheut, dhe unë kam frikë të shfletoj gazetat apo të hap televizorin, ngaqë më fanepsen lajme me dhjetorin 1990, të njëjtat lajme, që jepen pa u lodhur, dhe me shpresën e bindjen se ndjellin interes e vëmendje, mu si trupat e lakuriqtë të Lady Gaga-së, gagaga, e të Rihanna-së, nanana, në skenat e koncerteve të tyre apo në plazhet pa stinë ku gjejnë kohë për t’u shullëhur në diell, apo si trupi edhe më i lakuriqtë i Qerretit tonë, qeqeqe, e qullur në djersë, quququ, mbi qilimin e kuq, qiqiqi, të një mbrëmjeje gala, mu si twerk-u i Miley Syrus-it, dridhmi bythët dridhmi, dhe më vjen të këlthas: mjaft më me dhjetorin, se na plasët.

 

Dua t’u them mjaft edhe atyre që në dhjetor 1990 ishin atje, në shesh, a në takime me Ramiz Alinë, e që më pas panë punët e tyre, nuk u përzjenë në punët e kombit, apo nuk u lanë të përziheshin në këto punë të kombit, për rrjedhojë nuk u ndotën nga balta gattopardo-iane (lexojeni, lexojeni Gattopardo-n e Tommasi di Lampedusa-s, se edhe aty flitet për një “dhjetor”, për një “dhjetor” shumë më të rëndësishëm, dhe ndoshta do të bini dakord me mua se për dhjetorin tonë, që mos u gjendtë dhjetor në këtë botë, e në radhë të parë për protagonistët e atij dhjetori, që kokën hëngshin me sho-shoqin, është folur boll; dhe boll është boll), por dua t’u them “mjaft” dhe vjedhësve të asaj ngjarjeje, në radhë të parë vjedhësve të asaj ngjarjeje, që më pas nuk kanë lënë gjë pa. Fjalia e fundit ju duk e pambyllur? Jo, nuk është e pambyllur.

Është Leopold Bloom-i, ai i James Joyce-it të përrenjve të ndërgjegjes, është Leopold Bloom-i që ju flet, dhe dihet që këtij, në urdhrat e Joyce-it, herë pas here ia jep në kokë të mos i mbyllë frazat, jo për t’i lënë të pambyllura, por me idenë se nuk ka nevojë t’i mbyllësh, dhe Bloom-i është mësuar me varrime, e prandaj nuk i shqitet nga mendja dyshimi, nëse i kalluri në varr ka vdekur vërtet, e nëse nuk do të ishte më mirë, për t’u siguruar, që të sakatohej para se të varrosej, morët vesh ju që ia keni mbushur mendjen vetes se komunizmin e keni kallur në dhé, që pika që s’iu bie që besoni në shajní të tilla, e që më bëni dhe mua të humbas fillin, por jo, e rigjeta, po thoja se janë dhe zullumet e bëra pas atij dhjetori, në radhë të parë ato zullume, arsyeja që janë kapur pas të njëjtit dhjetor, atij dhjetori të leshit, kur – kjo është një moto gattopardo-iane, gjithashtu – ndryshoi gjithçka në mënyrë që gjërat të mbeteshin siç ishin. Dhe ashtu mbetën. Apo jo? Urra!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama