Kryeministri po sfidon gjithçka e të gjithë. Shumëkush ka pritur që në rrethanat e postGërdecit, ngaqë nuk do të dinte e nuk do të mundte t‘u ikte përgjegjësive të keqbërësit të kapur në flagrancë e me presh në duar, ai do të bëhej më në fund një pulë e lagur. Por jo, s‘qënka e thënë. Ai është bërë më prepotent se kurrë, jo vetëm duke injoruar zërat kritikë, por edhe duke akuzuar të gjithë ata që e akuzojnë për këtë aferë kriminalo-korruptive; jo vetëm duke sulmuar institucionet, por edhe duke ndërmarrë një aksion frontal me synimin për t‘i uzurpuar ato (rasti i bllokimit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë e ilustron më së miri këtë gjë); jo vetëm duke bërë të paditurin e duke u përpjekur të përjashtojë përgjegjësitë e veta lidhur me Gërdecin, por edhe duke dalë fare hapur në mbrojtje të vetes e të bandës që e shkaktoi atë tragjedi; jo vetëm duke u përpjekur të zhvendosë vëmendjen nga ploja e Gërdecit (me prerjet butaforike të shiritave, me dërdëllitjet për anëtarësimin në NATO e për centralet nukleare, etj, etj), por edhe duke e quajtur të arkivuar këtë çështje (me gojën e veglave fare-fare qorre që i kanë mbetur në parlament); jo vetëm duke u shtirur sikur nuk e sheh izolimin politik, në të cilin ndodhet, por edhe duke marrë pozat chavez-iane të atij që hesapet i ka me popullin e vet (rravgimi në bazë e takimet e organizuara me shumë pompë); jo vetëm duke përbaltur ata që e "përbaltin", por edhe duke u kapur heroikisht pas një dege të thyer njëherë e mirë, degës së ndershmërisë (he, ç‘është e ç‘vete! Sali Gërdeci njeri i ndershëm!!!); jo vetëm e thjesht duke sfiduar kritikat e paditë që i bëhen nga të gjitha anët, por duke e bërë këtë gjë me një logjikë të çakorduar ("mos paguani rushfete!", "më jepni emrat e zyrtarëve të korruptuar, dhe unë do t‘u vë prangat atyre", "gjyqtarët e prokurorët janë pjesa më e korruptuar e shoqërisë dhe e shtetit", "unë jam njeri që mbaj premtimet" - të gjitha këto janë xhevahire të dala nga goja e tij).
Të duket sikur është kapur aq keq në morsën e Gërdecit sa, për t‘i ikur kësaj morse, s‘e ka për gjë të shtjerë në punë të gjitha mjetet, përfshirë edhe një pacipësi humane të papërfytyrueshme. Gjithë këto kohë kam pyetur veten, se si është e mundur që babai i një vajze super të pasur të ketë kurajon për t‘iu vërsulur atyre që lahen në vaska floriri, por ja që Sali Gërdeci e paska këtë kurajo; kam pyetur veten se si është e mundur që një njeri, familjarët e të cilit janë të nakatosur kokë e këmbë me aferën e pistë e gjëmëzezë të Gërdecit, të ketë kurajon të flasë kundër korrupsionit e të flasë për burgje e për pranga, por ja që Sali Gërdeci e paska këtë kurajo; kam pyetur veten se si është e mundur që një njeri, i cili ka qenë partizani nr. 1 i aksionit të zhveshjes së deputetëve prej imunitetit, ka kurajon të bllokojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të një deputeti të vetëm, por ja që Sali Gërdeci po e bën edhe këtë; kam pyetur veten se a mund të ndodhë që ky kryeministër, i cili bëri çmos të zgjidhte në krye të shtetit një kandidat të vetin, të hyjë një ditë prej ditësh në konflikt edhe me këtë të fundit, dhe nuk vonoi të merrnim përgjigje: po, Sali Gërdeci mund të hyjë në konflikt me këdo që nuk i bindet atij; kam pyetur veten se çfarë do t‘u thotë njerëzve në fushatën e ardhshme elektorale lidhur me premtimet e pambajtura (të cilat janë të panumurta), dhe ja ku jemi në situatën, ku Sali Gërdeci, jo vetëm po bërtet se është "njeri i fjalës së mbajtur", por edhe po bën premtime të tjera përpara se të vijë ora e fushatës elektorale; kam pyetur e po pyes veten, se ç‘dreq zgjedhjesh do të bëjmë pas një viti me këtë kryeministër, dhe përfundimi ku kam arritur është ndjellakeq (shpresoj dhe uroj - por në fakt nuk besoj - që koha të ma përgënjeshtrojë këtë profeci të ligë): Sali Gërdeci nuk do dojë të shkulet nga pushteti, e për rrjedhojë nuk do lërë gjë pa bërë me synimin për të manipuluar procesin e votimit, e për rrjedhojë akoma Shqipëria do të futet në një qorrsokak të ri. Shkurt hesapi, ditët e zeza për shqiptarët nuk kanë të mbaruar; e nuk do të kenë të mbaruar, përsa kohë ne të gjithë do të jemi pengje të atij njeriu, të cilin vetëm Zoti (emri i të cilit nuk figuron në listën e zgjedhësve) dhe zgjedhësit shqiptarë (të cilët nuk kanë fuqinë e Zotit, pasi votat e tyre ka shumë gjasa të numurohen në stilin Mugabe-ian) mund ta largojnë nga politika.
Është vërtet kaq e pashpresë gjendja? Duke përjashtuar zgjidhjet e natyrës divine (ta ketë dëgjuar vallë Zoti ftesën për të ndërhyrë në hallin e shqiptarëve?), ka tre mënyra, nëpërmjet të cilave mund të shmangen - s‘ka gjë se në mënyrë jo optimale - këto ditë të zeza. Rruga e parë është bashkimi i të gjitha energjive e vullneteve opozitare, edhe me synimin për t‘i diktuar maxhorancës ndërtimin e një infrastrukture zgjedhore, e cila të minimizojë në maksimum mundësitë e deformimit të procesit zgjedhor e të manipulimit të rezultatit të zgjedhjeve, edhe me synimin për të krijuar një klimë politike anti-regjim, në të cilën çdo strategji manipulimesh mund të guxojë - e shumta - të ketë si objektiv kopsitjen e një humbjeje me rezultat të ngushtë, por jo shndërrimin e humbjes së thellë në fitore. Personalisht e di, që ky bashkim nuk është as fort i mundshëm në terma praktikë, as fort i këshillueshëm në terma moralë, as fort i dobishëm në terma perspektivë, por në kushtet e një emergjence nacionale (Sali Gërdeci duhet nxjerrë me domosdo në pension), duhet uruar që aktorët e faktorët opozitarë të lënë mënjanë kontrastet në një sfond etiko-moral, politik, ligjor e kushtetues (në këtë drejtim, na vinë zorrët tek goja kur ballafaqohemi me qasjet autoreferenciale të njërit apo tjetrit) dhe pretendimet e sotme rrugaçërore lidhur me ndarjen e pushtetit të nesërm.
Rruga e dytë ka të bëjë me faktorin ndërkombëtar, roli i të cilit vijon të mbetet tejet i rëndësishëm për fatet e demokracisë liberale në Shqipëri. Këtë fakt nuk mund ta deklarojmë me mburrje (ky rol rritet në përpjestim të drejtë me dobësinë e pafuqinë politike, civile e civike të aktorëve lokale), por amá kemi të gjitha arsyet për ta pranuar si një ngushëllim. I kemi diskutuar mes vedi me jo pak autoironi inkursionet furacake të Ambasadorit Amerikan sa tek zyrat e Prokurorisë së Përgjishme, aq edhe tek zyrat e Presidencës së Republikës, por nuk kemi mundur të mos i shohim këto ndërhyrje si providenciale. Është për të ardhur keq sa s‘ka ku të shkojë, por ja që kështu është: qëndrimet e ambasadorit amerikan vlejnë më tepër se sa të gjitha vendimet e të gjitha institucioneve të shtetit putativ të së drejtës në Shqipëri. Duhet të reagojmë me zemërim kundër këtij fakti? As që duhet çuar në mendje një gjë e tillë në këto kohë të kiametit. Madje, duhet të lutemi që ambasadorët e shteteve dhe organizmave ndërkombëtarë të jenë më të pranishëm në mbrojtje të ligjit e në mbrojtje të atyre pak agjentëve lokalë institucionalë që bëjnë çfarë kanë në dorë për t‘iu kundërvënë qasjeve jo ligjore e korruptive të big-whig-ëve tanë me pushtet. Duhet uruar që këtë mbrojtje ta bëjnë me një frymëzim gjenuin, e jo - gjë që natyrshëm ndodh shpesh herë - nën presionin e interesave egoiste të vendeve, qeverive e organizatave që përfaqësojnë.
Rruga e tretë kalon nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila ndodhet përballë një sfide sa të vështirë, aq edhe të rëndësishme për fatet e demokracisë liberale në Shqipëri: të çojnë në sallën e gjyqit përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit, cilëtdo qofshin ata. Në këtë ndërmarrje nuk kanë me vete vetëm ndonjë ambasador, por kanë të gjithë opinionin publik, i cili dëshiron që e vërteta të dalë në shesh, jo thjesht për të parë prangat në duart e njërit apo tjetrit, por për të marrë vesh se nuk mund të tolerohet çdo zullum në këtë Shqipërinë tonë të sunduar nga zullumqarë gjithfarësoji.
Janë bërë tok një seri rrethanash, të cilat kërkojnë nga Prokuroria e Përgjithshme të luajë atë rol, që nuk kanë mundur ta luajnë institucione të tjera deri më tani: të bllokojë yryshin antiligjor e antikushtetues të një atij që, me tamahnë e vet për pushtet e për pasuri, ka marrë peng të gjithë vendin; të luajë atë rol, që nuk kanë mundur ta luajnë zgjedhësit: të detyrojë Sali Gërdecin të ikë nga politika, dhe jo më si një politikan i dështuar e rrezikzi, por si kapo i një familjeje mafioze. Dhe kështu do të bëjë përveç të tjerash që ne shqiptarët të mos jetojmë ato ditët e zeza, të cilat pak më sipër çalltisa - m‘u thaftë goja! - t‘i regjistroj in advance e në mënyrë ndjellakeqe në historinë e trishtë të Shqipërisë. Ne meritojmë të mos jetojmë më ditë të tilla.