GJEJ PRONA
Një fantazëm e frikshme po vërtitet mbi kokat tona tash sa vjet. Ethja e pronës i ka mbërthyer shqiptarët si kurrë më parë. Burra me celular e pleq me borsalino që vijnë vërdallë me dosje ndën krah e mblidhen grupe-grupe nëpër kafene. Planimetri të stërpalosura, tapi të vjetra, harta të ç‘ngjyrosura dhe tash së fundi, prej disa muajsh, edhe pamje satelitore të marra drejt e nga "Google Earth".
Pardje gjeta në xhamin e makinës një fletë palosje reklamë. "GJEJ PRONA" ishte stampuar në krye të saj me gërma të mëdha sa një filxhan. Besoj se edhe ndonjë prej jush që më lexoni, do ta keni gjetur në xham të makinës këtë fletushkë. Një agjensi që merret me ndjekjen e problemeve të pronave. Egzistojnë kërkuesit e mineraleve, të arit, të perlave, të metaleve, por këtu në tokën e pasur shqiptare, u shpik edhe zanati i kërkuesit të pronave.
Në Arkivin e Shtetit, ku shkoj kohë pas kohe, shoh se salla e leximit është gjithnjë e më plot. I çuditur pyes për këtë dashuri të papritur të shqiptarëve për letrat dhe një grua në moshë, që ka nja 30 e kusur vjet që punon aty, më thotë: "Vetëm ti dhe ai atje (bën me shenjë tek një studiues kosovar i ulur në një qoshe), jeni këtu për punë studimesh. Të gjithë të tjerët, janë për të kërkuar pronat".
Greva, protesta, peticione. "Duam pronat tona", "Ja do vdesim ja do rrojm / pronat tona si lëshojm". Greva urie për punë pronash. Eshtë rast unikal në botë ku bëhet grevë urie për tu bërë i pasur. Eshtë përmbysur sensi themelor i grevës së urisë, që bëhet për një të drejtë egzistenciale të mohuar, por jo për t‘u bërë i pasur!
Në një klub, më afrohet një burrë me pajime ish-pronari (borsalino në kokë dhe dosje në sqetull) dhe më thotë hallin e tij, që ta shkruaj në gazetë. Turfullon: Kam pronat e babës në Durrës, po s‘mi japin. I kam të gjitha tapitë, të vjetrat, të Zogut, të kadastrës, nuk ka mbivedosje, çunat e kan rujt që të mos e zejn çeçenët, dosja ësht e plotë. Po pse s‘i merr atëhere, i them. Eh, ata të Komitetit të Pronave. i shofin letrat. i bin vërdall dhe më thon që s‘na mbushet men‘ja. Aha, ja kthej, e paske fajin vetë. Kur nuk duan të t‘i japin ta thonë troç që s‘të takojn, ndërsa ty të kanë thënë që s‘ju mbushet mëndja, pra duhet edhe një e shtyrë nga ty tani. Ata nuk po të kërkojnë as pará, kështu që nuk duhet të mundohesh e të nxjerrësh gjë nga xhepi. Jepu 10% të atyre që do marrësh dhe ta shofësh se sa shpejt do ju mbushet mëndja. Ai më sheh si guak, aq sa më vjen turp nga vetja.
Komitete që mblidhen dhe marrin vendime, të tjera Komitete të reja që zhvleftësojnë vendimet e Komiteteve të vjetra, Kuvendi bën ligje për ish-pronarët që nuk i zbaton njeri, ministrat nxitojnë heshturazi të fshehin pronat e fundit që ju kanë mbetur nëpër ministrira.
Shqipëria është vendi i vetëm në botë, ku hallet i kanë pronarët dhe jo populli pa prona. Populli është i qetë, pret me durim të vijë ‘97-a tjetër e të marrë ç‘të mundet, ndërsa pronarët po lënë leshtë dhe lekun e fundit, për të marrë prona imagjinare. Baballarë e gjyshër që gdhihen e ngrysen zyrave të noterëve dhe të avokatëve, të Ministrisë së Drejtësisë e Komisionit të Pronave, të Kadastrës, të Arkivit, të Hipotekës, të, të, të ...
Fatura e pronave: 4 miliard USD thanë socialistët, 30 miliard thonë ish-pronarët. Kjo do të thotë që çdo shqiptar u ka borxh atyre 10 mijë Euro. Çmënduri. Unë s‘i kam marrë borxh njeriu, atëhere pse u dashka t‘i jap këto 10 mijë Euro? Do t‘i merrni deri më një, thërret Berisha. Ulen ish-pronarët me mëntë e Berishës, netë të tëra pa gjumë, të llogarisin sa do marrin. Secili të vetat: 2 hektarë në Drizaj, plus pylli në Bërrxull dhe ajo toka te Qylas, bëjnë kaq, herë aq, bëjnë 1 milion e 200 mijë euro. Natyrisht në letër, se në fakt, as edhe një euro sa për nishan.
Të tjerë ish-pronarë pasi i kanë mbyllur hesapet me shtetin e shqiptarëve, kanë zënë rradhën në Strazburg. Pasi harxhuan milionat që kishin me gjyqet e tona, tani po harxhojnë edhe miljonat hipotetike që do të marrin, po të fitojnë gjyqin atje në kryeqytetin e Evropës. Pasuri të tëra të shpenzuara për dokumenta, bileta avioni e fatura hoteli, djem që kanë lënë punën për të ndjekur procedurat frëngçe të Strasburgut.
Sa çuna ke ti, i thotë një nënë malësore ish-pronarit të cilit i ka zënë tokën në Bathore. Një moj zonjë, përgjigjet ish-pronari. Epo s‘ma del dot, se unë kam pesë, do vritemi nji me nji, po katër të tjerët kan me ju qit faret. E kam dëgjuar në shumë variante këtë legjendë urbane që, si të gjitha legjendat urbane, ose niset nga një bazë e vërtetë, ose shpreh një gjendje emocionale kolektive.
Filloi kjo punë duke hapur rregjistrat e sekuestrimeve të viteve ‘46-‘47, pastaj u shkua më thellë tek rregjistrat e Italisë dhe hipotekat e Zogut. Po kishte edhe më. U arrit tek tapitë e shkruara me dorë dhe vulosura me gisht, po prapë nuk mbaroi me kaq. Tashmë gjithandej po përkthehen defterët e Turqisë. Janë disa agjensi avokatore që ofrojnë shërbimin e shkuarjes dhe të kërkimit të dokumentacionit në Stamboll. Në Shqipëri po përgatiten 4 studiues të osmanishtes së vjetër, që do bëjnë para me thasë duke përkthyer kartat e mykura të një gjuhe të vdekur. Eh sikur të paktën njëri syresh të merrej edhe me kartat e historisë që na mungojnë.
S‘ka ditë që në mos njëra tjetra, gazetat sjellin halle ish-pronarësh për të marrë pronat. Pardje, njëra syresh, në një faqe të tërë titullohej "Kalvari i një pronari". Hallet, maskarallëqet, sorrollatjet, gënjeshtrat e pacipa, buzëplasjet, ofertat dhe pazaret e ndyra që përmblidhte ai, qenë të njëjta me ato të qindra e mijëra të tjerëve si ai dhe të shumë të tjerave që ndodhin çdo ditë zyrave të shtetit të sherbesave të shqiptarëve.
Kam shkrojtur, sa unë e di, për punë të pronave dhe s‘e kam këtu hallin sot, a do i marrin, si do i marrin e sa do marrin. Tjetër kund më shkon mëndja. Shqiptarët edhe kësaj rradhe, po përpiqen të gjejnë rrugën e shkurtër. Siç u përpoqën ta gjejnë me turqit kur, për të mos ju shtruar punës, ndërruan edhe fenë. Siç u përpoqën kur menduan se, duke varur për këmbe bejlerët dhe agallarët, do hanin pastaj me lugë floriri. Siç u munduam kur besuam se, duke i puthur këmbët Bejkerit, ky do hapte valixhen dhe do ndante dollarë. Siç besuam se qemë më të mençmit e dheut, që do pasuroheshim duke ja lënë paratë Sudes dhe Gjeneralit, ndërsa vetë do pinim kafe sabah-aksham.
Edhe kësaj rradhe, sërisht shqiptarët janë gati të provojnë gjithçka, t‘i hyjnë cdo aventure, veç të mos i shtrohen punës. Kësaj rradhe, ëndrra e madhe janë "pronat". Do bëhemi pronarë, do marrim pronat, do gjejmë pronat, do shesim pronat, do vjedhim pronat, do rrojmë me pronat. Eshtë një variant i ri i arritjes në komunizëm, por kësaj rradhe nëpërmjet pronave. Them komunizëm, se mendojmë të bëhemi të gjithë të pasur duke ndarë pronat, por harrojmë se pasuria vjen duke prodhuar, jo duke ndarë. Edhe hajdutllëku ka kuptim kur disa vjedhin dhe të tjerët mbeten me gisht në gojë, se po vodhën të gjithë, në fund thjesht atë që do fusim në njërin xhep do na i marrin nga xhepi tjetër.
E provuam edhe këtë. Shpresoj të jetë eksperimenti i fundit, pas së cilit na mbetet vetëm një shteg: PUNA.