Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pirostia e pushtetit asimetrik

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 17 vite më parë

Aleksandër Çipa
Pirostia e pushtetit asimetrik

Pushteti mes Presidentit, Parlamentit dhe Kryeministrit ka marrë formën e pirostisë, dy brinjë barabartë. Votimi kundër dekreteve të Presidentit për pesë kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë e rikonfirmoi imazhin metaforik aktual të këtij pozicionimi pushtetesh. Në këtë mënyrë është shpallur diferenca mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi, sikundër është konfirmuar rishtazi bindshmëria e shumicës ndaj vullnetit të Kryeministrit.

Vullnetet politike të zotit Topi dhe zotit Berisha kanë dhënë një provë përplasjeje, sikundër kjo përplasje duhet parë në kontekst të një koniunkture të re marrëdhëniesh mes pushteteve që shumica në qeverisje ka krijuar që nga prilli i këtij viti e më tej. Kur shprehemi për një koniunkturë të re marrëdhëniesh, nisemi nga fakti që aktualisht në marrëdhëniet e krerëve më sipërorë të shtetit, çështja e përkatësisë politike duket se është inekzistente. Në pamje të parë, ata duket se nuk e kanë fare në konsideratë të vërtetën biografike se i përkasin së njëjtës parti dhe se erdhën në krye të shtetit si mandatmbajtës të së njëjtës forcë politike. Natyrisht kjo diferencë, pra ky antagonizëm i sotëm i tyre, nuk mund të merret as si përplasje që buron nga pavarësia dhe ndërgjegjja e pavarësimit të institucioneve që drejtojnë. Marrëdhënia e tyre e sotme buron nga disa rrethana të reja dhe nga qëllime sa nominale aq edhe të lidhura me qendrën e re të ekuilibrit mes pushteteve. Shprehemi qendrën e re të ekuilibrit, ndonëse më mirë do të ishte të shpreheshim për sistemin e ri të peshave mes pushteteve, të cilin e ka sendërtuar me vullnetin dhe forcën e tij protagoniste Kryeministri Berisha.

Prej prillit të këtij viti, kur u shpall dhe u shumëpërfol i ashtuquajturi pakt PS-PD, pra Berisha-Rama, në marrëdhëniet politike mes pushteteve dhe sidomos institucioneve më të sipërme të hierarkisë kushtetuese, nisën përplasje dhe probleme.

Amendimet e Kushtetutës dhanë si produkt të parë përballjen e zotit Topi me kryeparlamentaren Topalli. Fill pas kësaj u evidentua diferenca e qëndrimeve mes të thënave të zotit Berisha dhe atyre të zotit Topi. Qelqi ishte thyer dhe sipas të gjitha gjasave mbetet ende i krisur. Rrëzimi i dekreteve presidenciale për anëtarët e Gjykatës së Lartë e bëri krisjen edhe më të thekshme. Përkundër dekreteve të rrëzuara, kryeparlamentarja Topalli doli me një lloj prepotence paralajmëruese në publik dhe i kërkoi dje Presidentit, së pari, negociata dhe konsultime me shumicën dhe faktorët e tjerë politikë, për pesë anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë. Kryesuesja e legjislativit refuzoi me po aq prepotencë të japë shpjegime për pasojat që sjell në jetën institucionale të Gjykatës së Lartë vonesa antikushtetuese e votimit të anëtarëve.

Sidoqoftë, qëllimi është tërësisht i shpallur. Presidenti duhet bindur dhe duhet vënë në shërbim të vullnetit të shumicës qeverisëse. Ky është akt i prerë, i cili, sipas mentalitetit të shumicës, është "bir i përkatshëm i PD-së". Kjo është parathënë që me mësymjen e fundit amenduese të Kushtetutës, si dhe me pohimet paraprake për mundësinë e parjes së ligjit që rregullon funksionet e Presidentit të Republikës. Sipas këtyre gjasave dhe objeksioneve të shumicës, vlera bindëse e Presidentit ndaj vullnetit politik të saj, duhet shtuar dhe jo të pakësohet.

Pas asaj që ndodhi dy net më parë në Parlament, në imazhin e publikut, duket se Presidenti gjendet në një valë goditjeje dhe para një sprove të fuqishme. Ky aspekt i ngjarjes parlamentare, evidentohet edhe më tepër, kur konstatohet se opozita mbetet infantile në reagimin e saj për të parandaluar, apo edhe për të shkurtuar efektin dhe koston institucionale që sjell në këtë hallkë sipërore të gjyqësorit, precedenti i rrëzimit njëherësh të pesë kandidatëve për anëtarë gjykate.

Politika edhe kësaj here ka prodhuar një rast, duke mos marrë në konsideratë koston reale institucionale që shkakton ai. Kjo kosto mbi jetën e përditshme institucionale dhe kushtetuese të Gjykatës së Lartë, bashkëshoqëron negativisht edhe koston politike që shkaktohet në marrëdhënien mes Presidentit, Parlamentit dhe për rrjedhojë edhe Kryeministrit të vendit. Kjo "pirosti" me brinjë të lëvizura sipas koniunkturës dhe sistemit të lëvizshëm të interesave ditore të protagonistëve, nuk mund t‘i shërbejë efikasitetit të shtetit institucional, nuk mund të ruajë integritetin ligjor të tyre dhe nuk mund të garantojë mëvetësi kushtetuese të shtetarëve në të gjitha nivelet.

Bashkimi i votave në mënyrë të tillë dhe për kësi qëllimesh, në të vërtetë e rrezikon më tepër shumicën qeverisëse dhe sidomos pushtetpasësin e regjur, Kryeministrin Berisha. Kjo luftë politike, që merr imazhin e skenës votuese në Parlament, duket se forcon qeverisjen, por rrezikon më së shumti vetë Kryeministrin. Beteja të tilla, që shumëfishojnë premisat për përplasje të reja institucionale dhe cenojnë parimitetin kushtetues, sjellin menjëherë prishjen e ekuilibrave kushtetuese, madhojnë arbitrarisht një pushtet në kurriz të të tjerëve dhe bëhen shkas për ta arenizuar politikën në kurriz të qeverisjes dhe të shtetdrejtimit.

Kur një shumicë parlamentare përdor votën në emër të vullnetit kryeministror, atëherë ajo ka kaluar një provë të thjeshtë përdorimi, ka krisur dhe tradhtuar disa besime të tjera për ndryshim, ka prishur "pirostinë" mbajtëse të shtetit, garanton vetëm shtetin spontan dhe asimetrinë ndërinstitucionale.



Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama