Ngjarjet në lidhje me çështjen Doshi po rrokullisin pas vetes shumë zhvillime, që ngjajnë më së shumti pozitive. S’ka kurrfarë rëndësie nëse personi që e ka vënë në lëvizje këtë grup zhvillimesh, ka qenë i vetëdijshëm apo jo për zinxhirin shkakësor të së keqes që prodhon të mira. Ngjarjet në fjalë kanë nisur kursin e tyre në mënyrë të pavarur nga shkaku fillestar dhe shoqëria po përfiton. Po i marrim me radhë disa prej këtyre zhvillimeve që kanë dhe lidhje mes njëra-tjetrës.
Së pari, duhet përsëritur edhe një herë se teorikisht opozita është brenda të drejtës së vet, lojës së vet që të kërkojë dorëheqjen e kreut të Parlamentit për atë që ka ndodhur. Nëse akuza është e vërtetë, është shumë e rëndë, me gjithë sjelljen e çuditshme dhe korrekte gjithashtu të deputetit të opozitës Mhill Fufi, i shënjuar për t’u vrarë sipas fabulës akuzatore të zotit Doshi. Ai, duke mos ngjarë aq shumë si i kërcënuar, ka qenë njeriu më institucional në gjithë këtë histori dhe sjellja e tij e qetë dhe e matur përgënjeshtron deri diku alarmin e opozitës. Por gjithsesi, në rastin konkret akuza vjen nga brenda shumicës qeverisëse dhe jo prej kundërshtarëve politikë, siç ka qenë tradita e akuzave reciproke të pafundme të palëve për njëra- tjetrën. Ndaj, sipas kësaj dinamike, opozita ka të drejtën të shkallëzojë një sërë aksionesh demokratike për të arritur qëllimin e saj, që do të ishte fitore e madhe politike për momentin: dorëheqja e kryeparlamentarit. Themi kënaqësi momentale pasi, në rast se do ndodhte dorëheqja e Metës, ajo do rriste shumë distancën LSI-PD dhe do të largonte gjithmonë e më shumë mundësinë e një aleance të mundshme elektorale të tyre, pra PD-së me LSI-në, siç është besuar vazhdimisht nga brenda PD-së.
Me një fjalë, kënaqësia momentale e dobësimit të LSI-së do zvogëlonte mundësinë e kërcimit të LSI-së në trenin tjetër, duke përcaktuar rotacionin, që ndër ne besohet akoma se vendoset nga ku shkon LSI-ja e Metës. Mirëpo, në vorbullën e akuzave me karakter penal të formuluara nga foltore politike, ku dihet se kush ka akuzuar pa masë, kërkesave të panumërta për dorëheqje, akuza penale si mjet politik është zhvlerësuar shumë dhe, për pasojë, dorëheqja nuk ka të njëjtën vlerë si do ta kishte nëse akuzat do ishin përdorur me masë. Për më shumë, opozita do duhet të reagojë maturisht, pasi është në garë me kohën: nëse Prokuroria do t’i japë drejtim shpejt hetimit duke arritur në përfundime përmbyllëse të hetimit, atëherë beteja e saj e fokusuar te dorëheqja e Metës do humbte objekt. Ngushëllimi afatgjatë do ishte se opozita do duhej të vazhdonte betejën për dekriminalizimin: në këtë perspektivë, ajo duhet t’i konsiderojë si aleat SHBA-të në këtë luftë, aleat i cili me arrogancën e vet të shëndetshme është përfshirë në betejën për dekriminalizimin me një farë rezultativiteti. Anulimi i të ashtuquajturit takim i Grupit Parlamentar të miqësisë me SHBA-të, për arsye të kësaj arrogance diplomatike të shëndetshme, është dëshmi e vendosmërisë amerikane për të ndikuar rezultativisht në procesin e dekriminalizimit. Është për t’u dyshuar nëse pas kësaj partitë politike të dy krahëve, apo qoftë të njërit krah do vazhdojnë të promovojnë politikanët e shënjuar prej kësaj ambasade. Aq më tepër, protagonizmi i personave të përfolur, apo i atyre që po grumbullojnë qereste për t’u kandiduar në zgjedhjet lokale, do të ridimimensionohet shumë.
Së dyti, për shkak të çështjes Doshi, po jetojmë në kushtet e një respekti formal maksimal për institucionin e hetimit, Prokurorinë.
Me fjalë të tjera, Prokuroria po përjeton momentin e saj të artë të fuqisë, apo dobësisë së saj që ngjan si fuqi. Në fakt, Berisha betohet se është moment dobësie “sepse hetimi është i pashpresë, sa kohë që Meta shkon në Prokurori si zoti kryetar, si numri dy i shtetit”. Krerët e shtetit janë vënë në radhë për t’u dëgjuar prej Prokurorisë, një radhë që ka krijuar presionin e nevojshëm që dhe ish-kryeministri Berisha të shkojë para prokurorëve për herë të parë. Ne nuk dimë presionin me origjinë politike që mund të jetë duke u ushtruar ndaj Prokurorisë, ndaj prokurorëve të veçantë, por ne po shohim se veprimet që po bën Prokuroria ngjajnë të çliruara prej presionit politik. Akuza e ngritur ndaj Bamit është ajo e vrasjes së mbetur në tentativë, diçka që formalisht i jep besueshmëri sjelljes politike të opozitës, megjithëse s’dihet sa kohë do vazhdojë kjo. Po ashtu, masat mbrojtëse ndaj Doshit janë gjithashtu të nxitura prej kësaj akuze të saj. Me vonesë ose jo, të nxitura prej takimit të Kryeministrit me prokurorin e Përgjithshëm pas plasjes së “bombës Doshi” në publik, Prokuroria ka rastin të mbledhë fuqitë e veta dhe të reagojë me dinjitet ndaj politikës së dy krahëve. Ndoshta në mënyrë të pakthyeshme. Është rasti të ndihemi të lumtur për faktin se prokurori i Përgjithshëm, zoti Llalla, është kandidaturë e miratuar prej opozitës së dikurshme, pra pjesët e shtetit kanë formalisht një farë autonomie vendimmarrjeje nga njëra-tjetra, që do t’i lejojë të funksionojnë normalisht.
Dhe këtu mbërritëm te një përfundim i tretë që lidh protestën e pritshme të opozitës me veprimin, me timing-un e Prokurorisë, me pavarësinë e saj. Opozita thotë se do bëjë protestë ta detyrojë Metën që të dorëhiqet, në mënyrë që Prokuroria të hetojë e lirë dhe pa presion. Në këtë një vit e gjysmë qeverisje të së majtës, opozita, që i referohet ish-kryeministrit Berisha, ka treguar një farë respekti ndaj Prokurorisë. Nëse do jemi të arsyeshëm, në kushtet kur prokurori i Përgjithshëm ka ardhur prej opozitës, Berisha që është akuzatori kryesor në 23 vjet (pa bërë lojë fjalësh akuzator-prokuror), ka kritikuar vetëm segmente të Prokurorisë dhe jo të tërën si të kontrolluar politikisht. Po ç’mund të ndodhë nesër nëse përfundimi i Prokurorisë do të tregojë të kundërtën e asaj që opozita pretendon sot? A është mjaftueshëm i logjikshëm argumenti i presionit politik, i cili deri më tani nuk ka qenë i dukshëm? Opozita s’ka folur për presion të padukshëm, për shembull ndaj Prokurorisë. Dhe a mund të flasim me siguri për ndonjë presion si përcaktues i rezultatit të hetimeve?
Për fat të keq, historia edhe përsëritet, madje shumë afër në kohë. Disa vjet më parë kishim ngjarjen e të ashtuquajturës video të zotit Meta, e cila, siç po pretendohet sot nga rrëfimet jozyrtare, ka lidhje me ngjarjen Doshi, madje lidhje shkakësore. Nëse në atë ngjarje Meta u dorëhoq, ashtu si ka bërë në fakt disa herë në jetën e vet politike, a do të thotë kjo se Prokuroria apo gjykatat që vendosën për të, nuk ishin nën presion të fortë dhe të butë nga kryeministri Berisha? A do të thotë se dhe rezultati i hetimit të 21 janarit nuk ishte i cenuar, qoftë dhe pjesërisht nga ndonjë formë presioni? Për shembull, në hetimin për ato ngjarje Prokuroria nuk ftoi as ish-ministrin e Brendshëm, as ish- kryeministrin Berisha, veprim që ngjau si vijë e kuqe që ajo s’duhej ta kalonte. Çfarë ishte atë kohë kundërvënia e pjesëve të shtetit ndaj njëra-tjetrës – Policia që nuk zbatonte urdhrat e Prokurorisë? Çfarë ishin nëse jo presion sulmet verbale të kryeministrit ndaj kryeprokurores, kryetarit të SHISH dhe Presidentit? Tufa me lule të respektit institucional? Parë kështu, a shqetësohet kush për koherencë në sjelljet e veta, kur ngjarjet historike përsëriten kaq afër njëra-tjetrës?