Kam përshtypjen se sot në Komisionin Parlamentar të Mandateve ka ndodhur një skandal. Falë dy prokurorëve idiotë, në hall, apo të detyruar, nga seanca publike ka dalë fitues Tom Doshi. E gjithë shija që të mbetet pas kqyrjes të vëmendshme të asaj seance, është se ose kemi të bëjmë me një prokurori injorante dhe totalisht e paaftë, ose se kjo prokurori ka vendosur të mbrojë krimin me qëllim.
Pohimi për ekzistencën e një videoje ku dëshmitari kryesor Durim Bami pohon se është detyruar ta ndërrojë dëshminë, sepse e kanë kërcënuar në qeli me vrasjen e fëmijëve, përbën një fakt që duhet sqaruar sa më parë. Ai është shumë më i rëndësishëm edhe se gjoja sekreti hetimor. Eshtë madje edhe më i rëndësishëm sesa sekreti shtetëror. Gjithashtu, fjala e avokatëve të Doshit ku viheshin re shkelje skandaloze të Prokurorisë, e ka bërë shumëkënd të ngrejë pikpyetje të mëdha: Si mund të kërkohet arrestimi i Doshit për kallëzim të rremë, ndërkohë që ai nuk ka bërë kurrë kallëzim dhe Prokuroria e ka filluar këtë cështje me nismën e saj? Si mund të kërkohet arrestimi i tij, nëse nuk ka asnjë provë (sipas avokatëve) se ai e ka kërcënuar Durim Bamin? Si mund të kërkohet arrestimi kur Prokuroria nuk ka zbardhur qëllimin e kësaj sajese, nëse ajo që thotë Doshi është vërtet e tillë?
Dyshime të tjera për këtë ngjarje ka me okë. Fakti se Prokuroria nuk e pyeti as shefin e saj Llalla, as drejtorin e përgjithshëm të policisë Didi duket i cuditshëm. Po ashtu i cuditshëm duket mos impenjimi për të marrë nga autoritetet gjermane kamerat e aeroportit të Hanoverit, ku dyshohet se Spartak Braho ka shkuar për të manipuluar Tonin. Dhe me këtë listë mund të vazhdohej pafund, boll që për të të lexosh fjalën e avokatëve të Doshit, që e fituan betejën publike kundrejt prokurorëve të tredhur që kot gjendeshin në atë sallë.
Me që jemi tek prokurorët gjatë gjithë seancës ata as nuk na thanë dot nëse ekziston videoja e Bamit, as se përse e kërkojnë (motivin) e arrestimit të Doshit dhe asnjë gjë tjetër. Por duke parë këtë ballafaqim natyrshëm lind një pyetje: ce ka shtyrë Prokurorinë në këto parregullsi? Ce ka shtyrë ta mbyllë me shpejtësi hetimin? Ce shtyn as të mos thotë dot se në c fazë është cështja e hetimit për akuzën për vrasje?
Nga të gjitha këto pikpyetje lind një dyshim. Mos ka një përpjekje për të fshehur dicka më të madhe? Mos po i bihet në qafë Tom Doshit? Thënë këtë, nuk kam për qëllim aspak të mbroj Tom Doshin. Ai sipas meje përbën modelin që nuk duhet të ekzistojë në politikë. Qoftë për mënyrën sesi ka hyrë në Parlament, qoftë për mënyrën se si është sjellë me kundërshtarët e Ramës brenda partisë, qoftë për mënyrën se si ka organizuar mitingashët e dhunshëm, qoftë për mënyrën se si ka afruar elementë të tipit Frroku me shokë pranë kësaj shumice, ai duhet të largohet një orë e më parë nga Parlamenti. Por jo në këtë mënyrë dhe me këtë parodi që pamë sot. Sepse jam i bindur se cdo shqiptar që nuk e do steriotipin e Doshit në politikë, do aq më pak që prokurorë të tillë si ata që pamë sot të bëjnë drejtësi. Ata që e duan Doshin jashtë politikës, presin që kjo të bëhet në mënyrë të ligjshme, të drejtë dhe të ndershme. Më shumë se fati i Tomës, atyre u intereson një shtet i drejtë dhe i ndershëm. Një Prokurori që nuk ndikohet në mënyrë jashtëligjore, as nga Rama, as nga Meta dhe as nga “vëllai i tyre i madh” përtej Atlantikut. Përndryshe kufoma e Doshi te lincuar në sy të publikut nuk i vlen askujt. Sepse në këtë rast varri politik i Tomës mund të jetë djepi i shumfishimit të singjashmëve të tij. (lapsi.al)