Në përpjekje për të pjekur debatin*
Botuar tek gazeta Shqip
www.adrinurellari.com
Këtë shkrim po shkruaj për t’i dhënë përgjigje komenteve të shkruajtura nga Maklen Misha në shkrimin e djeshëm “Përgjigje për një kundërshtim të papjekur” si dhe për të sqaruar më në hollësi disa çështje të ngritura në shkrimin tim të fundit që me sa duket meritojnë të zbërthehen më tepër për t’u bërë të qarta. Sqarimi i parë ka të bëjë me faktin që shkrimi im nuk ka qenë akademik por publicistik, përndryshe do të kishte referenca dhe citime bibliografike të cilat Misha nuk mund t’i pretendojë të përmblidhen në një kolonë gazete. Lidhur me kundër-argumentin e Mishës për taksat më kujtohet një proverb kinez që thotë se nëse dikush të tregon me gisht hënën, i mençuri vështron nga hëna ndërsa të tjerët shohin gishtin. Rastin e taksave dhe John Lockut nuk e mora mot a mot, por e mora si ilustrim empirik historik për të thënë që pagimi i taksave ka shërbyer si motivi, justifikimi fillestar për të pretenduar te drejtën për të marrë pjesë në vendim-marrje. Debatet e Lokut i përkasin një kohe kur e drejta e votës ishte larg të qenurit universale. Kuptohet që sot kanë të drejtë vote te rinj që ende nuk janë kontribues e kështu me radhe të tjerë që mbase edhe marrin subvencione nga shteti. Për sqarim këtë ilustrim e kam përdorur për të dëshmuar lidhjen midis rezidencës, kontributit ndaj vendit në përgjithësi dhe votës.
Por ideja e informacionit nuk nënkupton thjeshtë haberet televizive të ardhura prej së largu, por përjetimet, vëzhgimet dhe përvojat personale. Pra unë kam pasur gjithnjë frikë për ndonjë individ që vjen njëherë në dekadë vetëm për dy ditë ne Tiran nga kurbeti e i magjepsur nga sorollatja ne Skytower dhe Tajvan dhe fillon e himnizon Ramën. Ose ndonjë tjetër kurbetçi që do ti bjerë rruga mot rastësisht për të kaluar në autostradën Durrës Morinë e kjo përvojë t’i mjaftojë të marrë vendimin kë do zgjedhë. Ose ndonjë emigrant zemërplasur nga Amerika që do te votojë për një qeveri që nuk jep asnjë shërbim publik elementar siç duhet vetëm se kjo ka një retorikë patriotike shterpë. Është krejt ndryshe te jetosh dita ditës në Shqipëri, duke kërkuar pronat që s\'të janë kthyer, duke thithur pluhurin, hasur trafikun, ikur dritat, duke u larë me sapllakë mes të natës se helbete s’ka ujë atëherë, duke u endur pafund sporteleve të administratës e gjykatave etj etj.
Gjithashtu një tjetër gabim bëhet në premisë të argumentimit lidhur me idenë e propagandës së garuesve politikë. Fushata apo marketingu politik në periudhën para zgjedhjeve nuk është vendimtare për zgjedhjen politike, ajo ka një ndikim te pjesshëm dhe shpesh periferik tek të lëkundurit. Sjellja elektorale ndikohet kryesisht nga performanca, efikasiteti, suksesi apo dështimi ne qeverisje dhe opozite, platformat apo qëndrimet e mbajtura ne periudhën mes zgjedhjeve , gjate rutinës se përditshme, sa janë mbajtur premtimet etj. Njerëzit vendosin lidhur me jetën e tyre , si ka ndryshuar dhe nëse është përmirësuar apo jo, janë me te pasur apo me te varfër. Gjera që një emigrant i larguar prej shume kohesh njëherë e mirë nga Shqipëria zor se mund ti marre ne konsiderate e vështirë se mund t’i kuptojë vetëm duke parë Top Channel me digitalb, TVSH-në në satelit apo duke lundruar nëpër blogje online.
Unë i njoh propozimet e G99 dhe besoj se janë të mangëta sepse ndershmëria dhe legjitimiteti i procesit zgjedhor nuk varet vetëm nga regjistri civil dhe listat e sakta të votuesve por edhe nga faktorë të tjerë që vështirë se mund të garantohen. Procesi i votimit nënkupton gjithashtu futjen e individit në dhomën e fshehtë pa të tjerë vërdallë, praninë e vëzhguesve të partive të ndryshme dhe të pavarur, ndalimin e mjeteve promovuese të kandidatëve apo partive të ndryshme në afërsi të qendrës së votimit etj etj. Pra procedura që garantojnë fshehtësi të votës dhe transparencë të procesit që i përmban kodi elektoral shqiptar por që është e pamundur që të garantohen në një territor ku shteti ynë dhe Kushtetuta jonë nuk ka juridiksion. Legjislacioni shqiptar për shembull lejon divorcin, por dy emigrantë shqiptarë që jetojnë në Maltë ta zëmë e kanë të vështirë të divorcohen aty se legjislacioni vendas nuk e lejon, e duhet të kthehen në Shqipëri që të gëzojnë këtë liri.
Lidhur me shërbimin postar special një problem i madh është padyshim çështja e konceptit të votës së fshehtë. Kështu në rastin e Kosovës votuesve emigrant iu kërkohej që të dërgonin fletën e votimit në një zarf sekret i cili duhej future në një zarf akoma më të madh bashkë me fletën e regjistrimit ku përshkruhej identiteti i individit që votonte duke bërë të mundur komprometimin e fshehtësisë së zgjedhjes së bërë nga personi në fjalë. Probleme dhe kontestime për vota të ardhura nga emigrantët ndodhin edhe në vende të zhvilluara si Mbretëria e Bashkuar apo Shtetet e Bashkuara e jo më në një vend si Shqipëria ku votat janë abuzuar, përdhosur e manipuluar sistematikisht. Kështu për shembull në Shtetet e Bashkuara gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 plasi një debat i madh me akuza shumë të rënda në Florida lidhur me standardet e ndryshme që u përdorën për të përcaktuar vlefshmërinë e votave të ardhura me postë që së largu (më pak se 600 vota të Bushit përkundrejt Al Gore ndryshuan fatin e zgjedhjeve në nivel kombëtar). Këto gjera ndodhin në vende me demokraci të konsoliduar dhe me një besim publik të çimentuar ndaj procesit zgjedhor. Ç’mund të thuhet për legjitimitetin e votës se emigrantit në një vend si yni ku e vetmja garanci për një farë rezultati përfundimtar të pranueshëm të zgjedhjeve, nuk është forca e ligjit, rigoroziteti i administratës apo kultura politike, por prania e një lloj ekuilibri të të “fortëve të armatosur” nga të dy palët që iu vërtiten si roje qendrave (që shpesh prishet e rezulton në të vrarë) si dhe përfshirja deri në çdo qelizë të procesit të faktorit ndërkombëtar.
Megjithatë Z. Misha bën një diversion të rëndësishëm nga thelbi i problemeve parimore që ishin shkruajtur në shkrimin tim dhe që ka të bëj me pyetje si:. A duhet të jepet vota për të gjithë emigrantët pa dallim apo duhen përdorur disa dallime si për shembull mbajtja e shtetësisë, mbajtja e një banese në vendlindje, qëllimi për tu kthyer më vonë, një periudhë kohe kufi gjatë së cilës individi është larg vendit etj? Kufizime këto që me disa përjashtime sporadike gjenden në një formë apo në një tjetër në pothuaj të gjitha shtetet që kanë dispozita ligjore që mundësojnë votat e emigrantëve. Sa është e drejtë dhe e përgjegjshme që një emigrant shqiptar që ka marrë shtetësinë e Zelandës së Re dhe jeton aty, në antipodin gjeografik të Shqipërisë, të vendosë se kush qeveris në Shqipëri ndërkohë që nuk pëson ose shijon në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e votës së tij? Sa është e ndershme që kostot e larta të administrimit për ata që kanë vendosur të ikin në mënyrë vullnetare nga vendlindja të mbulohen nga ata që kanë vendosur të qëndrojnë e të jenë të lidhur për të mirë e për të keq me Shqipërinë? Sa e ndershme është për shqiptarët që banojnë në Shqipëri që qeverisjen e tyre ta vendosin ata që jetojnë jashtë e s"kanë ndërmend të kthehen? E të tjera pyetje etike të tilla që janë mjegulluar nga toni patetik i propozimit të G99.
Këtu vijon përgjigja ime ndaj gjykimit të Mishës lidhur me komentet e mia për G99. Këtu ka dy çështje që duhen sqaruar e që nuk kanë të bëjnë me personalizim të çështjes pasi në këtë rast unë e garantoj Mishën se kam marrëdhënie personale shumë të mira si me Erionin ashtu edhe me shumë njerëz të tjerë brenda G99. Për sa i përket Erit dhe personave të tjerë të përfshirë dikur me Mjaftin e tani me G99, ata nuk mund ta përdorin të kaluarën e tyre si t’ju konvenojë për të pretenduar merita në të mirë të Shqipërisë por pa mbajtur përgjegjësi nëse njerëzit kapen pas së kaluarës së tyre. Komenti im nuk ka qenë paragjykim por gjykim, kam thënë tekstualisht “vjen pikërisht nga ata që kanë dëshmuar mjeshtëri” dhe vërtetë besoj bashkë me shumë të tjerë se kanë qenë ustallarë të marketingut dhe përdorimit të medias gjatë së kaluarës. Së dyti G99 nuk mund të veprojë si një shoqatë joqeveritare e papërgjegjshme tanimë që bëhet fjalë për një aktor politik që do garojë për zgjedhje. Padyshim që do i nënshtrohet shqyrtimit, analizës dhe kritikës lidhur me motivet, pretekstet, nëntekstet dhe kontekstet që kanë çuar tek ky propozim i kësaj force të re politike. Sikurse njerëzit gjykojnë motivet që kanë shtyrë Partinë Demokratike në pushtet kur mban me më shumë orë me dritë bastionet e veriut dhe Partinë Socialiste që dikur përqendronte investimet në bastionet e Toskërisë dhe Labërisë, Misha duhet të pranojë që njerëzit do të përpiqen të zbulojnë edhe motivet e G99. Në rastin konkret unë mendoj se vota e emigrantëve i jep një përparësi të krahasuar G99-ës e cila duke qenë e re nuk ka elektorat të sajin përpiqet të eksplorojë ato segmente të shoqërisë që ende nuk janë shfrytëzuar tamam sikurse janë emigrantët, dinë të përdorin më së miri mediat si ura kryesore informuese mes emigrantëve dhe Shqipërisë, është e forcë e përbërë kryesisht nga të rinj që kanë studiuar e janë rritur në perëndim e për rrjedhojë kanë më shumë lidhje dhe janë më mirë të aftë të veprojnë në një terren ndërkombëtar sesa në terrenin e ashpër shqiptar ku për të mobilizuar njerëzit ka hedhur rrënjë edhe klientelizmi, patronazhi politik etj. Së fundmi emigrantët tanë të shumtë kanë lidhje dhe ndikim tek të familjarët dhe rrethi i tyre shoqëror në Shqipëri e duke ia përkëdhelur sedrën atyre me premtime e retorikë romantike por që konkretisht vështirë se mund të realizohet, padyshim që mbillet një imazh i mirë dhe vilet më shumë përkrahje politike. Dhe kjo teknikë fushatimi është më se legjitime për një forcë politike, Misha s’ka pse të revoltohet.
Këtu qëndron luksi im që duke mos përfaqësuar interesat e asnjë partie, por vetëm të opinioneve dhe bindjeve të mia, ia lejoj vetes që të flas politikisht jokorrekt, madje edhe me riskun që ia prish qejfin shumë miqve të mi emigrantë që do prisnin mbase me shumë konsideratë nga unë.
* Replike ndaj artikullit : http://www.g99.org/index2.php?pg=details&id=65&nid
i cili ka qene replike e artikullit : http://www.adrinurellari.com/?p=90