Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shembulli maqedonas

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Nazarko
Shembulli maqedonas

E pra këto mite nuk janë dhe aq të thjeshta. Ato lidhen me zonat ku në fillim të shekullit të 20-të janë zhvilluar beteja të rëndësishme për identitetin modern maqedonas dhe që sot gjenden në Maqedoninë greke; madje VMRO-ja-Organizata Revolucionare e Brendshme, partia historike, ka lindur në ato territore. Sikur të mos mjaftonte kjo dhe vetë Kryeministri Gruevski vjen prej atyre anëve. Një fakt që e kishte bërë të ditur me shumë kompetencë shtypi grek që kishte gjetur rrënjët e tij diku në një fshat të Maqedonisë greke dhe ku bashkëfshatarët e tij tashmë të helenizuar e konsideronin si tradhtar. Diçka përflitet dhe për Karamanlisin, që vjen nga territore që sot janë pjesë e Maqedonisë sllave, dhe tabloja e rrënjëve të çështjes bëhet më e plotë.

Duke njohur rrënjët e polemikës së sotme, nëse kjo kërkesë për Maqedoninë ka sfond historik, për Greqinë krenare rreth homogjenitetit të saj etnik, ajo mban era provokim historik. Për një vend si Greqia, ku mitet kanë më shumë rëndësi se gjetkë, të hapësh çështje minoritetesh sot është shumë e rëndë! Ndaj zonja Bakojanis denoncoi shpejt te homologët e vet të BE-së kërkesat e ashtuquajtura absurde të Maqedonisë.

Përtej prapavijës historike të përplasjes aktuale Maqedoni-Greqi, që sot për të tretët jashtë tyre duket e paarsyeshme, në kërkesën maqedonase ka një moment thellësisht të arsyeshëm. Është ai për njohjen e pronave të shtetasve maqedonas, dikur shtetas grekë, të cilët janë përzënë me forcë pas Luftës së Dytë Botërore, domethënë gjatë konfliktit civil grek. Këto prona kanë një vlerë që sipas shtypit maqedonas llogariten- me ekzagjerim sigurisht- në rreth 10 miliardë euro. Ato i përkasin një grupi popullsie midis 10 deri në 30 mijë vetëve që lanë Maqedoninë greke dhe u vendosën në ish-Jugosllavi, por dhe në shtete të ndryshme të lindjes komuniste, deri në Australinë e largët.

Çështja e pronave të sllavo-maqedonasve në Greqi ka disa paralele me çështje të tjera pronash në Greqi: me ato të shqiptarëve, por dhe të hebrenjve kryesisht të zonës së Selanikut, pjesë e ndritshme e Maqedonisë osmane të dikurshme. Edhe këtyre u janë grabitur pronat pikërisht në Luftën e Dytë Botërore. Por maqedonasit në kërkesat e tyre kanë bërë shumë më shumë se të tjerët, pa folur për procesin që është duke u provokuar sot në Shkup, kur publikisht flitet vetëm për këtë çështje.

Së pari, maqedonasit nën Jugosllavinë e Titos, një shtet më i respektuar në arenën ndërkombëtare, kanë kataloguar të gjitha këto prona dhe e kanë ndjekur fatin e tyre në mënyrë të pandërprerë. Sot janë hapur kapitujt e atyre pronave me shoqatat e shumta të ish-maqedonasve të Greqisë që jetojnë në republikën e vogël.

Së dyti, maqedonasit e Greqisë, megjithëse më të paktë se çamët e krishterë, nuk i janë nënshtruar procesit të asimilimit në të njëjtën gradë, domethënë helenizimit. Ata kanë krijuar një parti politike, e cila, me gjithë presionin e shtetit grek, ka arritur të marrë disa mijëra vota në votimet e fundit. Kjo prani, e sponsorizuar me siguri nga shteti maqedonas, e ruan gjithnjë të hapur çështjen e minoritetit apo të pronave sllavomaqedonase në Greqi.

Së treti, edhe para kësaj letre të Gruevskit ndaj homologut të vet Karamanlis, maqedonasit kanë bërë shumë më shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes së pasurive maqedonase, apo të kthimit të sllavomaqedonasve në Greqi. Të përzënë me ligjet e luftës civile si ish-komunistë, sllavomaqedonasit kanë kërkuar të përfitojnë nga ligji i kohës së Papandreut që u njohu të drejtën ish-komunistëve të dëbuar gjatë luftës civile të riktheheshin në shtëpitë e tyre si hap i dytë i pajtimit kombëtar në vitet ‘80, por ama nëse kishin kombësi greke. Në Këshillin e Evropës gjendet prej kohësh një projektrezolutë e mbështetur nga deputetë holandezë, belgë etj., që kërkon abrogimin pikërisht të atij neni të ligjit të Papandreut, që përjashton nga rikthimi në trojet e tyre ish-shtetasit grekë me kombësi sllavomaqedonase. Diçka që ka brenda ngjashmëri me fatin e çamëve dhe shqiptarëve të tjerë të përzënë nga Greqia.

Lëvizja maqedonase kah rihapja e këtij kapitulli në marrëdhëniet me Greqinë, menjëherë pas fitimit të zgjedhjeve prej partisë së zotit Gruevski duket një lëvizje që i krijon probleme vendit fqinjë që deri më sot ishte sjellë si tutori i Ballkanit të paintegruar. Bash për këtë arsye, nga rreshtat e pozicionimeve zyrtare greke të të gjithë niveleve u lexua se Greqia do kishte preferuar që letra e Gruevskit të mos bëhej publike.

Janë disa arsye.

Së pari, kjo çështje e relativizon konfliktin për çështjen e emrit nëpërmjet injektimit në debatin global rreth saj, të argumenteve më aktualë sesa të historisë antike. Tapitë e tokave sllave brenda kufirit grek kanë më shumë vlerë sesa tapitë greke mbi Aleksandrin, anipse Perëndimi i ka konsideruar si të ligjshme. Pra, ndërsa Greqia përdor argumente antike në lidhje me pronësinë e emrit Maqedoni, Republika e Maqedonisë përdor argumente pronësish të patundshme që janë grabitur në shekullin XX.

Së dyti, rihapja e kësaj çështjeje tani rrezikon të krijojë një reagim zinxhir në lidhje me pretendimet pronësore të të tjerëve në Greqi, siç janë shqiptarët dhe hebrenjtë. Shqiptarët shtetërisht mund ta kenë ulur vijimisht intensitetin e kërkesave të tyre për shkak të kushtëzimeve me MSA, apo me NATO-n, por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht. Qytetarët shqiptarë që kanë tituj pronësie në Greqi, fitojnë me sjelljen maqedonase një argument më shumë se pse nuk duhet heshtur për pronat e tyre të ligjshme në Greqi, duke i bërë presion shtetit të vet. Por pse jo dhe hebrenjtë, të cilët dinë t‘i kërkojnë mirë borxhet e tyre, me gjithë bllokadën që i është bërë këtij kapitulli nga ana e Greqisë, madje me gjithë insistimin e komisionit amerikan për trashëgiminë hebreje në botë.

Së treti, hapja e këtij kapitulli dobëson presionin grek mbi vendet e rajonit, përfshi Shqipërinë për argumente që lidhen me minoritetin grek, të drejtat e tij etj., etj. Një vend që ka probleme të tilla me të gjithë fqinjët, nuk mund të bëjë vazhdimisht rolin e atij që vetëm kërkon dhe që nuk do të japë asnjëherë.

A është e vetme Maqedonia, ndërsa aktualizon në debatin rajonal tema të tilla? Sepse nëse do të ishte e vetme, do të dukej megalomane e çmendur, siç mendojnë shumë për Kryeministrin Gruevski. Vetëm para pak ditësh shtypi grek botonte të plotë përgjimin e një bisede të një drejtuesi të partisë Ylberi, domethënë të partisë së sllavomaqedonasve të Greqisë me një zyrtar të ambasadës amerikane në Shkup. Është i njohur reagimi i Greqisë zyrtare ndaj një raporti të ambasadorit amerikan në OSBE për minoritetet maqedonase dhe shqiptare dhe keqtrajtimin e tij në Greqi. Pak ditë pas dështimit të vizitës së Presidentit Papulias në Sarandë, ish-numri dy i ambasadës amerikane në Athinë, Kiesling, i sugjeronte Greqisë një sjellje më të arsyeshme ndaj fqinjëve të saj, Shqipërisë dhe Maqedonisë, në lidhje me çamët dhe çështjen e emrit. Kompensime materiale dhe morale simbolike, si kusht për fqinjësi të mirë, sugjeronte John Bradley Kiesling në një artikull botuar në "Athens News". Këto janë vetëm disa elementë që duken dhe që nuk janë të mjaftueshëm për të supozuar se Maqedonia ka tutor amerikan. Por ama nëse është e vërtetë se Maqedonia nuk është vetëm, pra se ajo gëzon njëlloj tutorësie perëndimore, po Shqipëria e sotme?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama