Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ne pritje te ndryshimit te pamundur

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Ne pritje te ndryshimit te pamundur

Po shtroj një pyetje, e cila mund të duket e çuditshme dhe e ndërkryer, por në fakt - duke patur parasysh ku dua të dal - nuk është dhe aq: Ç‘do të ndodhte sikur fati apo rasti të hidhte si me hobé në Shqipëri politikanë të llojit Barack Obama, John McCain, David Cameron, Gordon Brown, Angela Merkel, Nikolas Sarkozy, Walter Veltroni, etj? Do të kishin ata fuqi të sillnin mes nesh një frymë të re, ta reformonin politikën shqiptare, e tok me të (për aq sa është e mundur) edhe shoqërinë shqiptare? Apo do të kapitullonin menjëherë, duke marrë vendimin për ta braktisur politikën njëherë e mirë? Apo mjedisi ynë politik do t‘i hidhte tej fët e fët si mish të huaj, pa u dhënë atyre mundësinë të largoheshin të lemerisur? Apo - nëse nuk do të ishin të aftë t‘ia prishinin ambicjes për t‘u marrë me politikë - nuk do të kishin rrugë tjetër, veçse të shqiptarizoheshin e të bëheshin njësh me mentalitetet e me kulturën politike të këtushme?

Nëse doni, këtë pyetje mund ta shtrojmë në një formë më të prekshme e më të qartë: Si i bëhet me ata shqiptarë, të cilët edhe kanë ambicjen e pasionin e fortë politik, edhe janë të prerjes së atyre politikanëve, që përmenda pak më sipër (nuk duhet të kemi pikën e dyshimit që shqiptarë të tillë ka)? Epo, në këtë rast përgjigja është gjithashtu e qartë: shqiptarë të tillë nuk do të guxonin të kyçeshin në politikë; e nëse për një arsye apo për një tjetër, do të merrnin vendimin e madh për të nisur një karriere të njimendtë politike, do të bënin prapakthehu në harkun e një kohe të shkurtër; e nëse do të këmbëngulnin për t‘mos u kthyer më prapa, jo vetëm që do ta gjenin veten të ndotur, por sipas të gjitha gjasave edhe s‘do ta çanin kokën për këtë ndotje, edhe do t‘iu pëlqente "qari" që del nga kjo ndotje.

Dhe këtë nuk e sjell fakti, që ata do të jenë nën hyqmin e të tjerëve, e rrjedhimisht pa fuqinë e pa autoritetin për të ndikuar me vizionin e me shembullin e tyre. Edhe sikur një numur rrethanash tekanjoze të bënin të mundur që ndonjëri syresh të ngjitej papritur e papandehur mú në majë fare (fjala vjen, në krye të njërës prej dy partive të rëndësishme, apo në krye të shtetit, apo në krye të egzekutivit, apo në krye të ndonjë institucioni tjetër të këtyre niveleve), gjërat nuk do të thjeshtoheshin kushedi se çfarë në të mirë të një fryme e qasjeje të re politike. Nëse në këtë rast, x-i "fatlum" do të provonte të imponohej me idetë, konceptet e me vizionin e vet, ai do të ballafaqohej me keqkuptimin, moskuptimin, mërinë, zemërimin e tërbimin e gjithë të tjerëve, të cilët për këtë shkak do të mobilizoheshin për ta rrëzuar nga froni. Dhe kështu do të shkurajohej shpejt e shpejt. Edhe sikur të ndodhte që të mungonte ky mobilizim reaksionarësh, ai do të dështonte në zgjedhjet politike; do të dështonte, pasi oferta elektorale më e mirë e më sexy për shqiptarët është ajo që nënkupton mentalitetet kanunore, tribale, patriarkale, nepotike, klienteliste, mujshare, jo legale, Dhe kjo është një arsye tjetër për t‘u shkurajuar.

Ja, më thoni: a do të mund t‘i bënte për vete zemrat e zgjedhësve shqiptarë një njeri që premton se me të fituar zgjedhjet, nuk do të prekë administratën publike apo se do ta rindërtojë këtë administratë me një logjikë të pastër meritokratike, një njeri që deklaron zëplotë se një votë e hedhur për të e një kontribut prej aktivisti politik në favor të partisë së tij nuk do t‘i japë askujt të drejtën për të pritur e për të kërkuar në këmbim vende pune për vete e për të vetët apo favore që bjenë ndesh me ligjin apo me frymën e ndërtimit të një demokracie liberale funksionale, një njeri që ka guximin të deklarojë se "kushdo që nxitet e motivohet prej simpatisë për mua e për partinë time të vjedhë e të manipulojë procesin e rezultatin e votimit, është një delinkuent e një palaço, për të cilin, jo vetëm që s‘kam nevojë, por provoj edhe ndot", e kështu me radhë? Unë jam i sigurtë, se një njeri i tillë mund të fitojë çdo gjë në këtë botë, por jo votat e shqiptarëve. Nuk mund t‘i fitojë këto vota me këtë logjikë e me këtë frymë, pasi janë pikërisht kjo logjikë e kjo frymë që u prish atyre (dmth, neve) rendin në shpirt e në mendje, është pikërisht kjo qasje që bie ndesh me gjithë ethosin e tyre (dmth, tonin) të prishur kolektiv, të karakterizuar nga moto e kredo të shpëlara të llojit "kush nuk bën për vete e për të vetët, nuk mund të bëjë për të tjerët", "yti mishin ta ha, por kockat t‘i ruan", "më mirë një mik se sa një çiflig", "paraja e hedh ujin përpjetë", "dy duar për një kokë janë", "këtë punë e di ai i madhi", "ligji është si llastik, medemek e zgjat sa të duash", "nëse bie zjarri larg bythës sime, jam rehat që ç‘ke me të", "vetë e kërkoi që u krruajt me qeverinë, tani le ta vuajë", "le të vjedhin sa të duan qeveritarët, por të paktën të bëjnë edhe ndonjë vepër a ndonjë punë", "është i zoti, ka bërë miliona e nuk ndihet", etj, etj.

Me sa më sipër dua të them, se nuk është e vërtetë, që reformat e mëdha pengohen nga të paudhët e politikës sonë. Në një farë mënyrë, ne jemi të gjithë të paudhë, pasi dimë të pjellim, mbështesim e zgjedhim veç të paudhë për të na drejtuar, pasi dimë të magjepsemi gjithmonë e më shumë pas këtyre të paudhëve, të cilët nuk kanë limite në paudhësitë e tyre, pasi tek sjellja e tek qasja e këtyre të paudhëve bën vaki që shohim të projektuar vuajtjen personale për paudhësitë tona të munguara, jo për shkak të skrupujve e kodeve moralë, por për shkak të pamundësisë për t‘i bërë, pasi këta të paudhë janë në kuptimin më besnik "ne", dhe "ne" jemi në kuptimin më besnik "ata".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama