Kryeministri, Sali Berisha dhe ministri i Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha, u përpoqën dje të theksonin pa qenë nevoja “marrëdhëniet e shkëlqyera mes SHBA dhe Shqipërisë” duke iu referuar dy takimeve të ndryshme, një takimi protokollar të Berishës me presidentin Bush në Pekin dhe takimit të ministrit të Punëve të Jashtme, zoti Lulëzim Basha, me z. Jason Hyland, drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit.
Nga mënyra se si janë sforcuar dy drejtuesit e qeverisë për të theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si një përgjigje përgënjeshtruese për diplomatët amerikanë në Tiranë, kupton në të vërtetë sikletin e tyre të madh në këtë pikë.
Në rastin e zotit Berisha kjo ishte më e matur. I mësuar mirë me praktikat ndërkombëtare, ai preferoi t’i shmangej përdorimit të takimit me Bushin në lidhje me problemet konkrete. Dhe kjo jo se presidenti Bush i ka përmendur ndonjë nga këto probleme. As që bëhet fjalë. Madje, ndoshta këto shqetësime ende nuk kanë mbërritur në veshin e tij. Problemi është se kryeministri Berisha përdor pikërisht të kundërtën, faktin që presidenti Bush nuk është nëpunës i qeverisë amerikane që merret me Shqipërinë dhe nuk mund të hyjë në detaje me problemet që po prodhon demokracia këtu. Në njëfarë mënyre ajo që deshi të thoshte Berisha publikisht ishte se “unë e takova vetë presidentin Bush dhe ai nuk më tha asnjë vërejtje”. E përkthyer shqiptarçe, kjo do të thotë se ambasadori amerikan në Tiranë dhe diplomatë të tjerë paskan folur pa leje kundër tij një javë më parë. I kujdesshëm në përdorimin që i bëri këtij takimi rastësor me presidentin amerikan, e sheqerosi atë dhe me gjestet prej të pari të vendit të presidentit Bush, i cili e kishte prezantuar Berishën si mik të tij me gjithë njerëzit që ishin rrotull, përfshi dhe presidentin Lula.
Por, nëse Berisha arrin të përdorë një takim rastësor, ku vërtet nuk është folur asgjë rreth zhvillimeve në Shqipëri, ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, ka bërë krejt të kundërtën. Ai është takuar me z. Jason Hyland, drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit dhe ndoshta njeriun më të informuar për problemet konkrete të Shqipërisë në këtë fazë. Dhe zoti Hyland nuk është presidenti Bush që të merret dhe me presidentin Lula, dhe me presidentin francez. Ai merret vetëm me Evropën Jugore dhe Qendrore dhe e di mirë se çfarë është duke ndodhur në Shqipëri. Dhe të gjitha ato që kanë thënë diplomatët amerikanë në Tiranë si shqetësime zyrtare të Uashingtonit, ai ia ka thënë dhe zotit Basha. Ia ka thënë me të njëjtën qetësi që diplomatët amerikanë i thanë këto probleme për shtypin shqiptar. Tashmë, problemi është, nëse Basha ia ka përcjellë këto shqetësime shefit të tij në qeveri, apo e ka gënjyer atë, siç e gënjen rëndom për çdo gjë që e pyet, duke i thënë vetëm gjërat që i pëlqejnë atij. Nëse ia ka thënë dhe kanë rënë dakord që të mos i thonë, ky është problem i tyre. Nëse nuk ia ka thënë, atëherë është problem i ministrit të Jashtëm. Problem i Shqipërisë është fakti se diçka është krisur në raportet mes dy vendeve dhe Shqipëria, për të cilën presidenti Bush u investua personalisht për të marrë ftesën për në NATO, po rrezikon anëtarësimin në këtë organizatë. Sado të përpiqesh të kuptosh diçka nga fjalitë kineze të zotit Basha, kur thotë se “e garantoi atë për përkushtimin e plotë të qeverisë dhe institucioneve shqiptare për realizimin e të gjitha standardeve që priten nga një vend anëtar i NATO-s”, e ke të vështirë të kuptosh si qytetar i thjeshtë se për çfarë angazhimesh e ka fjalën. Nëse do të bëjë ato që quhen detyrë shtëpie, duhet të anulojnë projektligjin për prokurorinë, duhet të reflektojnë për presionin ndaj institucioneve, duhet t’u mbushin mendjen atyre se nuk kanë ndërmend të kontrollojnë sistemin e drejtësisë, edhe pse vetë Basha mund të jetë viktimë e saj, se nuk duan ta largojnë OSBE nga Shqipëria etj. Të gjitha këto zoti Basha duhet t’i marrë si zotime publike, që ne të kuptojmë se zyrtari i lartë amerikan ia ka përsëritur qëndrimin e SHBA. Në të kundërtën, do të ishte normale që bashkëbiseduesi i zotit Basha nga Uashingtoni, të ishte po aq i qeshur sa zoti Basha dhe, sa të dilte nga takimi me të, të shkarkonte ambasadorin dhe diplomatët e tjerë amerikanë në Tiranë, se kanë folur pa leje të Uashingtonit kundër qeverisë ‘Berisha’. Kjo, siç shihet, nuk mund të ndodhë. Por, fatkeqësisht, as zoti Basha nuk mund të rrijë dot pa buzëqeshur dhe pa gënjyer, dhe kur të vërtetat e hidhura mund të shërbejnë realisht për të dëshmuar miqësinë dhe sinqeritetin me SHBA, siç ka qejf të thotë ai.