Deklarata e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i është shpërndarë mediave shqiptare në datë 22 gusht 2008, është një nga rastet e rralla në historinë pas-komuniste të Shqipërisë, kur amerikanët që gjenden në pozita të dobëta ndërkombëtare, mundohen të lobizojnë një publik të papërfillshëm dhe shpesh te injoruar siç është ai shqiptar. Çfarë të bën përshtypje në deklaratën për media të ambasadës amerikane në Tiranë, është se në shkrimin e tyre, amerikanët, ndërhyrjen ushtarake ruse në Gjeorgji e krahasojnë më ndërhyrjen e Bashkimit Sovjetik në Çekosllovakinë e vitit 1968 dhe Rusinë e demonizojnë sikur të jetë vendi më i rrezikshëm i planetit që kërcënon paqen dhe stabilitetin në botë.
Krahasimet e Rusisë me Bashkimit Sovjetik dhe Gjeorgjisë me Çekosllovakinë, në këto ditët e fundit i kanë bërë pa rreshtur si presidenti gjeorgjian, Mikheil Saakashvilli, si sekretarja e shtetit amerikan, Kondoleza Rice aq edhe zyrtarë të tjerë amerikanë. Çfarë të bën për të qeshur dhe për të qarë në të gjithë këtë cirkus shtirjesh dhe shpifjesh është se si presidenti Saakashvilli, si sekretarja Rice, por edhe ambasada amerikane në Tiranë janë personat e fundit në këtë botë që mund të akuzojnë Rusinë, duke quajtur ndërhyrjen e saj në Gjeorgji “agresion”, dhe të krahasojnë Rusinë me Bashkimit Sovjetik. Arsyet që si z. Saakashvilli dhe si amerikanët nuk kanë fytyrë që të flasin kundër Rusisë, janë të shumta. Duke nisur që me z. Saakashvilli, për ata që ndjekin me vëmendje politikën amerikane në Gjeorgjinë e këtyre viteve të fundit e dinë fare mirë që Saakashvilli është një minidiktator i veshur me kostum amerikan, i cili erdhi në pushtet në Gjeorgji nëpërmjet të ashtuquajturit “revolucion të trëndafiltë”, një grushti shteti të sponsorizuar nga CIA dhe fondacioni Soros. Presidenti Saakashvilli është një njeri i diskredituar në Gjeorgji, një diktator modern i tipit Daniel Ortega, i cili për të mbajtur pushtetin e tij ka përdorur gjithëfarësoj taktikash, të cilat variojnë që nga shkelja e të drejtave të njeriut, te grushti i shtetit, përdorimi i CIA-s për të shtypur opozitën dhe deri te vrasjet për të eleminuar dhe frikësuar oponentët politikë. Skandali më i madh publik që regjimi Saakashvilli u përball këto kohët e fundit është ai i 25 tetorit 2007, kur ministri i mbrojtjes së Gjeorgjisë, Irakli Okruashvili akuzoi botërisht superiorin e tij, presidentin Saakashvili si nxitës dhe planifikues të vrasjes së filantropistit gjeorgjian dhe kandidatit për president të Gjeorgjisë, Badri Patarkatsishvili. Por edhe pse Saakashvilli u akuzua nga ministri i tij brendshëm për nxitës vrasjesh, edhe pse opozita gjeorgjiane ka bërë një seri protestash kundër manipulimit të votimeve nga presidenti Saakashvilli, presidenti i dashur i amerikanëve që flet me fjalorin e një misionari protestant ka arritur që të shtypë të gjithë zërat ndryshe në republikën e tij, ndërsa komunitetit ndërkombëtar (apo më saktë perëndimor) ai i është rrëfyer nga mbështetësit e tij amerikanë, sikur të jetë meleq dhe jo një dreq.
Krimet që presidenti filoamerikan ka bërë në Gjeorgji në këto vitet e fundit kanë qenë llahtaritëse. Këto krime kulminuan në 12 shkurt 2008, kur, siç ish-ministri i brendshëm gjeorgjian, Okruashvili kishte paralajmëruar, kulminuan me vrasjen e filantropistit gjeorgjian, Badri Patarkatsishvili i cili u gjet i vrarë në Britaninë e Madhe, ku ishte strehuar për ti shpëtuar hakmarrjes së Saakashvillit. Badri Patarkatsishvili ishte personi më i rrezikshëm për presidentin Saakashvilli. Ai kontrollonte sektorë të rëndësishëm të biznesit dhe medias në Gjeorgji nëpërmjet të cilave kërcënonte seriozisht jo vetëm pushtetin e Saakashvillit por edhe aventurat amerikane për të kthyer Gjeorgjinë në një shtet kamikaz kundër Rusisë. Por edhe pse ish-ministri i brendshëm gjeorgjian, Okruashvili tregoi qartë disa muaj më parë mbi vrasjen e Badriut, deri më sot askush në mediat perëndimore nuk ka guxuar të tregojë se kush qëndronte pas vrasjes së kandidatit për president të Gjeorgjisë.
Edhe pse në vitet e fundit president Saakashvilli e ka mbytur Gjeorgjinë në një lumë korrupsioni, manipulimi votash, vrasjesh, aventurash politike dhe varfërie, ai ka vazhduar të sundojë Gjeorgjinë i pashqetësuar, pasi amerikanët i kanë dhënë mbrojtje ushtarake “heroit të tyre të lirisë dhe demokracisë në Kaukaz.” Arsyet pse amerikanët kanë mbështetur një mini-diktator si Saakashvilli në Gjeorgjinë kaukaziane lidhen me rëndësinë gjeopolitike që Gjeorgjia ka në planet amerikane për të rrethuar Rusinë. Edhe pse kur Bashkimi Sovjetik ra, amerikanët ju zotuan rusëve që ish-republikat sovjetike do ti linin të pa-angazhuara në koalicionet perëndimore – siç janë NATO dhe Bashkimi Evropjan – në vitet e fundit amerikanët po rrethojnë në mënyrë agresive Rusinë. Armatimi i Polonisë me raketa, futja e vendeve balltike dhe ish-komuniste në NATO, “revolucionet” portokalli dhe të trëndafilta të organizuara nga CIA në Ukrainë dhe Gjeorgji, pushtimi i Afganistanit dhe Irakut nga amerikanët ka vetëm një synim; rrethimin dhe shkatërrimin e Rusisë. Në lojën gjeo-strategjike të amerikanëve kundër Rusisë, Gjeorgjia është një nga gurët më të rëndësishëm të lojës. Kjo është edhe arsyeja pse amerikanët mbështesin një diktator si Mikheil Saakashvilli, i cili, duke përdorur konfliktin me republikat e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, e ka kthyer Gjeorgjinë në një gropë të zezë prodhuese parashë për kompanitë amerikane dhe izraelite të armëve të cilat kanë nxjerrë fitime kolosale nga armatimi i egër që republika kaukaziane ka bërë në këto vitet e fundit.
Edhe pse abkazët dhe osetët nuk janë gjeorgjianë dhe janë shkëptur nga Gjeorgjia që në vitin 1992, amerikanët shtynë deri në çmenduri presidentin Saakashvilli që të sulmojë republikat kaukaziane dhe kërkojë që ti inkorporojë ato me dhunë në shtetin gjeorgjian. Çmenduria e Saakshavillit për luftë e ktheu Gjeorgjinë, e cila është më e varfër sesa Shqipëria, në një parajsë paradhënëse për industrialistët e mëdhenjë izraelitë dhe amerikanë. Gjeorgjia e cila ka një popullatë prej 4 milion banorësh, ku të ardhurat ditore të një personi nuk shkojnë më shumë sesa 4 dollarë në ditë, ka shpenzuar në këto vitet e fundit 40% të të ardhurave kombëtare në armatime. Në një kohë që shumë gjeorgjianë vuajnë për bukën e gojës – ashtu si në Shqipëri – presidenti i tyre arriti që në vitin 2008 – të shpenzojë mbi 950 milion dollarë taksapaguesish gjeorgjianë për të armatosur vendin me armë që presidenti i Gjeorgjisë i bleu nga kompanitë amerikane dhe izraelite.
Tamam siç ndodhi edhe në Shqipëri me Gërdecin e Berishës, edhe në Gjeorgji, Gërdeci politik i presidentit Saakashvilli shpërtheu jashtë kontrollit kur ai, me nxitjen e CIA-s lëshoi makinën ushtarake gjeorgjiane kundër Republikës së Osetisë, banorët e të cilës janë në të njëjtën kohë nënshtetas rusë. Kundërpërgjigja ruse për të mbrojtur qytetarët e saj ishte diçka e papritur nga amerikanët dhe Saakashvilli. Megjithatë ajo ishte shumë herë më e matur sesa kundërpërgjigja amerikane pas 11 shtatorit 2001, kur amerikanët për “të mbrojtur” qytetarët e tyre pushtuan vende sovrane si Afganistani dhe Iraku duke vrarë, zhdukur, mbytur dhe burgosur me miliona njerëz. Në konfliktin gjeorgjian, rusët nuk u sollën si amerikanët. Ata dërguan forcat e tyre ushtarake në Oseti, çliruan republikën Osete, por në Gjeorgji nuk bënë “ndryshim regjimi” siç bënë amerikanët në Irak dhe në Afganistan, as nuk vranë popullata civile siç bëjnë përditë amerikanët në Irak dhe në Afganistan, dhe as nuk vranë udhëheqësit gjeorgjianë siç bënë amerikanët me Sadam Huseinin në Irak dhe me udhëheqësit afganë. Rusët u mjaftuan vetëm duke shkatërruar bazat agresore ushtarake gjeorgjiano – amerikane, çliruar Osetinë e Jugut dhe ju treguan amerikanëve që ata janë ende të fortë për tu provokuar nga një palo-republikë bananesh si ajo e Saakashvillit.
Por edhe pse sjellja e Rusisë ka qënë shumë herë më e matur sesa ajo e amerikanëve kundër popujve të botës së tretë në këto dhjetë vitet e fundit, sekretarja amerikane e shtetit, Kondoleza Rice apo Kondoleza Pilafi, i ka krahasuar paturpësisht rusët me sovjetët dhe Gjeorgjinë me Çekosllovakinë. Znj. Pilafi e cila ka deklaruar që “ne nuk jetojmë në vitin 1968 me pushtimin e Çekosllovakisë,” duket sikur ka harruar në mënyrë të turpshme deklaratat që ajo vetë lëshonte nga SHBA-ja dhe Jeruzalemi gjatë agresionit izraelit në Liban në qershor të vitit 2006, kur ajo justifikonte agresionin dhe krimet izraelite në Liban dhe fliste “për Lindjen e Mesme të re.” Tamam si Kondoleza Pilafi, edhe presidenti Bush i është drejtuar paturpësisht rusëve duke ju thënë se “kërcënimi dhe frikësimi nuk janë mjete të pranueshme për të bërë politikën e jashtme në shekullin e 21të.” Sikur këto deklarata ti bënte ndonjë udhëheqës tjetër botëror që nuk i ka duart e lyera me gjak, ato edhe mund të gëlltiteshin. Por kur kësi deklaratash bëhen nga administrata e z. Bush dhe znj. Pilafi, dhe ambasada e tyre në Tiranë, të cilët që nga viti 2001 kanë çuar tanket, raketat dhe aeroplanët e tyre në një seri vendesh, duke vrarë, mbytur, shkatërruar regjime, terrorizuar dhe varfëruar një sërë vendesh të botës së tretë, çdo lexues i qetë nuk mundet të ruajë dot nervin dhe të mos reagojë. Si mundet vallë ambasada e shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që ndërhyrjen e Rusisë në Gjeorgji ta krahasojë me atë të “Bashkimit Sovjetik” dhe “skena të vitit 1968”, kur çdo njeri në këtë planet ku ne jetojmë ka parë “live” në Top Channel dhe në televizionet e tjera filoamerikane të Tiranës, krimet që amerikanët kanë bërë në këtë tokë këto 18 vitet e fundit që nga Iraku, Afganistani, Somalia, East Timori, Mindanao, Nikaragua, Panamaja, Haiti etj? Si mundet vallë që ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë të flasë për “Skenat e agresionit rus” me “kujtime të frikshme të vendeve që dikur kanë qenë të robëruara dhe që tani kanë zgjedhur një model perëndimor të lirisë dhe demokracisë” kur vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këto vitet e fundit kanë zhdukur, vrarë, robëruar, rrëzuar regjime dhe përndjekur një sërë udhëheqësish dhe popujsh të botës së tretë? A mendojnë amerikanët e Tiranës që shqiptarët janë kaq leshko sa të harrojnë masakrat amerikane në Falluxha, Bagram, Guantanamo, Bagdad, Haiti dhe Panama? Apo mos mendojnë ata se populli shqiptar ka të njëjtin kapacitet me “analistët” e gazetave të Tiranës, si puna e Kastriot Islamit, të cilët për të përfituar ndonjë “scholarship” apo punësim nga ambasada amerikane në Tiranë, apo për të mos i prishur qejfin pronarëve të gazetave që mafia ka ngritur për të ruajtur bizneset – janë të gatshëm ti thonë derrit dajë?
Deklarata e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë është hipokrite kur ajo thotë që “bota në të cilën jetojmë sot është e ndryshme nga viti 1968 … pse.. që atëherë Evropa, komuniteti transatlantik dhe bota kanë ecur përpara.” Kjo deklaratë është hipokrite pse në fakt veprimet amerikane në vitet e fundit kanë treguar të kundërtën. Që nga pushtimi i Afganistanit dhe Irakut, te e ashtuquajtura “luftë kundër terrorizmit”, te vrasjet e civilëve në Filipine, Somali, Etiopi dhe Shqipëri; te diskriminimi dhe shtypja globale e muslimanëve, te grushtet e shteteve tip “revolucione portokalli” që amerikanët kanë bërë që nga Ukraina në Gjeorgji, te sponsorizimi i palaçove të tipit MJAFT në Shqipëri, amerikanët i kanë treguar botës; që bota që ata kanë ndërtuar në këto vitet e fundit është në fakt një botë e dhunshme, diktatoriale, dhe më kriminale dhe prapanike sesa ajo që sovjetët kërkonin të ndërtojnë në Çekosllovakinë e vitit 1968.
Ndërsa sovjetët në vitet 1968 rrëzonin regjimet e pabindura ndaj Traktatit të Varshavës dhe këto i zëvendësonin me regjimet e tyre kliente, sovjetët nuk kanë prodhuar republika si ato të Shqipërisë, Irakut apo edhe Afganistanit qe ne shohim sot, ku njerëzit vdesin si qenër rrugëve për copën e bukës dhe kllounët e ambasadave amerikane flasin për demokraci dhe emancipime euro-atlantike ndërsa vetë kontrollojnë tregëtinë e armëve dhe të drogës. Ndërsa sovjetët në vitet 1968 rrëzonin regjimet e pabindura të bllokut lindor, ata nuk vrisnin njerëzit kaq shqeto sa ç’bëjnë amerikanët sot me avionët e tyre që nga Iraku, Somalia dhe Afganistani. Sovjetët nuk rrëzonin regjime si në Haiti dhe Somali apo edhe në Shqipëri në 1997, dhe ti linin njerëzit të vdesin për bukë. Në kohën e Bashkimit Sovjetik, vendet që hynin nën sferën sovjetike ndërtoheshin dhe ushqeheshin. Ne në Shqipëri, sovjetët na ndërtuan uzina, fabrika, kombinate, shkolla, rrugë e ndërmarrje ku populli punësohej dhe shkollohej. Sovjetët me të vërtetë ishin brutalë, por ata nuk i lanë shqiptarët që të flenë dhe vdesin nëpër semafore siç ata po vuajnë sot nëpër rrugët e Perëndimit.
Vetëm kur vendet e bllokut ish-komunist ranë nën sundimin e amerikanëve, siç është rasti i Shqipërisë, ne kemi parë që fabrikat, uzinat dhe shteti ynë u shkatërrua. Njerëzit që më parë ishin mësues, oficerë dhe zyrtarë sot kanë përfunduar në rrugë dhe ose u bënë drogëshitës, ose klandestinë nëpër rrugët e Evropës dhe fëmitë e tyre janë bërë njerëz pa të ardhme. Bota post-sovjetike që amerikanët ndërtuan në Shqipëri dhe në vendet e botës lindore është shumë herë më e poshtër sesa bota në kohën e Bashkimit Sovjetik. Nëse në kohë të komunizmit, njerëzit në Shqipëri kishin një shtëpi ku të fusnin kokën, dhe një punë sa për tu ushqyer, dhe edhe pse të varfër, rronin e vdisnin me bijtë dhe bijat e tyre pranë. Por sot shqiptarët janë bërë syrgjynë të perëndimit që flenë rrugëve të Evropës, pa letra, pa dokumente, ndërsa pastrojnë haletë e kaurëve perëndimorë. Ambasada Amerikane në Tiranë dhe znj. Pilafi nuk duhet ti kujtojë botës dhe Rusisë, Bashkimin Sovjetik të 1968-ës kur sot vende të saja aleate siç është Shqipëria, e cila çon mercenarë për të luftuar për Amerikën që nga Iraku e deri në Afganistan dhe pret krahëhapur presidentin Bush, është kthyer në një vend vuajtjesh dhe urije ku papunësia ka arritur shifrën 30%. Në Çekosllovakinë e Bashkimit Sovjetik nuk ka patur kronika të zeza si ato që ne lexojmë nëpër gazetat e Shqipërisë ku shqiptarët e mjerë vrasin përditë veten, kërcejnë nga ballkonet e shtëpive, shesin nderin e grave të tyre, dhe janë kthyer në skllevër dhe hale-larës të perëndimit për të nxjerrë bukën e gojës. Në Çekosllovakinë e Bashkimit Sovjetik nuk kishte njerëz si ata mijëra fukarenjë shqiptarë që flenë rrugëve të Evropës pasi nuk kanë punë për të paguar qiratë.
Ambasada e shteteve të Bashkuara në Tiranë kur deklaron se “bota në të cilën jetojmë sot është e ndryshme nga viti 1968, kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Çekosllovakinë. Që atëherë Evropa, komuniteti transatlantik dhe bota kanë ecur përpara,” duhet të definojë më qartë se çfarë nënkupton ajo me këtë hecje përpara. Nëse me këtë hecje përpara amerikanët nënkuptojnë situatën politike që ekziston sot nëpër vende si Gjeorgjia apo Shqipëria, ku qendrat e pushtetit janë përqëndruar në duart e disa klikave hajdute, të cilat shtypin, vjedhin dhe mjerojnë popujt e tyre, zhysin popujt nëpër luftëra civile, siç janë rastet e Shqipërisë në 1997, apo ato të Gjeorgjisë sot, kjo nuk është hecje përpara. Ky është një regres drejt barbarizmit dhe mjerimit.
Edhe pse ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, mund të jetë e lumtur me mbështetjen e tipit “Yes Mam!” që ajo merr nga politikanët tanë ish-Enveristë dhe shumë gazetarë fukarenjë që punojnë sot në Tiranë për klikën që kontrollon mediat e Shqipërisë, ajo e di shumë mirë që Pax-Americana në të cilën ne jetojmë sot është shumë herë më mizore sesa bota në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Për më tepër, amerikanët nuk duhet të tërbohen me ndërhyrjen e Rusisë në Gjeorgji për të ndaluar gjenocidin ushtarak që qeveria e Saakashvillit kreu në republikën e Osetisë së Jugut në 8 gusht 2008. Ndërhyrja ruse në Osetinë e Jugut ishte një ndërhyrje humanitare, në të njëjtën mënyrë siç edhe NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar popullin e Kosovës nga masakrat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Ndërhyrja ruse në Oseti u bë për të shpëtuar një popullatë civile nga masakra që regjimi i Saakashvillit ndërmorri në Oseti, duke kthyer kryeqytetin e saj, Tskhinvali në gërmadhë dhe masakruar rreth 2000 qytetarë. Në të njejtën mënyrë siç edhe NATO ndërhyri në Kosovë për të shpëtuar popullin kosovar, edhe rusët kanë të drejtë të mbrojnë bashkëqytetarët e tyre sot në botë. Tek e fundit fare, përplasjet e fuqive të mëdha, siç është rasti i tanishëm i Rusisë me SHBA, përveç të këqijave kanë edhe të mirat e saj. E mira në rastin tonë është se rusët ndërhynë në Gjeorgji për të shpëtuar popullin osetian nga gjenocidi dhe për hir të interesave të tyre gjeostrategjike, tamam siç ndërhyri edhe NATO në Kosovë disa vite më parë për interesat gjeostrategjike të perëndimit në Ballkan. Nga përplasja e të mëdhenjëve shpesh përfitojnë popujt e dobët dhe të vegjël.
Për sa më lartë jam i mendimit që Ambasada Amerikane në Tiranë në vend që të demonizojë rusët si agresorë, duhet të pranojë faktin që bota jonë, deri në datën 8 gusht 2008 ishte kthyer në një botë të rrezikshme dhe të frikshme. Amerikanët e kishin kthyer NATO-n në një Traktat të ri të Varshës; ku vendet e vogla si Shqipëria dhe Gjeorgjia futen me pahir, ju merren paratë dhe ushtarë, për të shtypur, kolonizuar dhe luftuar luftërat e SHBA-ve kundër popujve të lirë të botës sonë. Por dalja e ariut rus në skenën ndërkombëtare sot, ashtu si në vitet 1945, duket se do të ketë mirësitë e saja. Nësë në vitet 1945 vende si Shqipëria, Egjipti, Algjeria, Tunizia, Indonezia, Nigeria, Zimbavea etj fituan pavarësinë si pasojë e proçesit dhe presionit dekolonizues të nxitur nga sovjetët, edhe sot si pasojë e përplasjes së të mëdhenjëve, popujt osetian, abkazian, kosovar por edhe afrikanë kanë më shumë shanse dhe shpresa për të jetuar të lirë dhe fituar pavarësinë e tyre sesa kishin përpara datës 8 gusht 2008. Historia e njerëzimit ka treguar që kur bota sundohet nga një fuqi e vetme, fuqia sunduese nuk mban përgjegjësi për krimet e saj. Por në një botë dypolare apo shumëpolare vendet e vogla kanë më shumë shanse për të jetuar të lira. Sikur të mos ekzistonte përplasja SHBA – Rusi, Fuqitë e Mëdha të krishtera të perëndimit të cilat copëtuan tokat shqiptare 100 vite më parë, edhe sot, ndoshta nuk do të kishin ndërhyrë për të mbrojtur kosovarët nga makina ushtarake serbe.
Konfikti i sotëm amerikano – rus mbi gjeorgjinë, është një ogur i mirë edhe për politikanët e vendeve botës së tretë, dhe popujt e vegjël siç janë shqiptarët, të cilët që pas rënies së komunizmit nuk kanë guxuar që të bëjnë as gëk dhe as mëk kundër NATO-s dhe amerikanëve por i kanë thënë vetëm “lepe e peqe” diktateve të perëndimit. Me fuqizimin e ariut rus, shpresohet që edhe shqiptarët të fitojnë shansin për tu bërë sërisht njerëz dhe ndërruar kursin e tyre politik sipas interesit dhe jo sipas frikës. Bota pas ndërhyrjes ruse në Gjeorgji ka shanse që të bëhet një botë më e mirë. Amerikanët dhe perëndimorët këtej e tutje, do të duhet ti trajtojnë më me temena popujt e vegjël, dhe të mos i trajtojnë si lecka siç perëndimi sillet sot me shqiptarët. Pse në rast se ata do të vazhdojnë ti trajtojnë shqiptarët si lecka dhe mercenarë, koha do të prodhojë shqiptarë që do të hidhen në krahun e kundërt; në anën e “vëllait rus”, “kinez” apo cilitdo vëllai që të dali në treg, për sa kohë që ai do të jetë i gatshëm për të gjetur dezertorë në kampin e NATO-s. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë me shkrimin që i ka nisur mediave shqiptare në datë 22 gusht 2008 dhe begenisjen që po i bën publikut të papërfillshëm dhe të injoruar deri më tani shqiptar, duket se ka nisur të kuptojë pikërisht këtë fakt. Në gjeopolitikën globale është ngritur pazari.