Në këtë situatë të koklavitur preçedentesh ndërkombëtare ku perëndimi me në krye amerikanët kërkojnë të krijojnë Kosovën si shtet satelit të tyre në Ballkan, por refuzojnë preçedentin rus, ndërsa rusët kërkojnë pavarësinë e Osetisë dhe Abkhazisë por refuzojnë njohjen e Kosovës, kanë krijuar një situatë shumë delikate për të ardhmen e shtetit të ri kosovar. Sot Kosova rrezikon të përfundojë në grupin e atyre shtetesh surrogate të arenës ndërkombëtare si Taivani, Saharaja Perëndimore, Nagorni Karabaku, Qiproja Veriore, Abkhazia, Osetia e Jugut, Transnistria, Somalilandi dhe Republika Demokratike Arabe e Sahravisë të cilat vuajnë për njohje ndërkombëtare dhe statusi i tyre ndërkombëtar mund të krahasohet me murin simbolik të Arafit, që Allahu përmend në Kuran, ku njerëzit nuk janë as në xhenet dhe as në xhehenem. Njohja e Kosovës vetëm prej 46 vendesh ku përveç Turqisë dhe disa vendesh perëndimore, shumë të tjera janë republika bananesh, ka krijuar një krizë të madhe për të ardhmen e Kosovës. Shteti i ri kosovar sot rrezikon të përfundojë në një izolim të njëjtë me atë që përballet Qiproja Veriore prej disa vitesh apo edhe Taivani.
Por pasojat e izolimin ndërkombëtar të Kosovës, sot duken edhe më të forta pas konfliktit ruso – amerikan që ka lindur në lidhje me preçedentet e Kosovës dhe Osetisë së Jugut. Ndërsa perëndimi refuzon njohjen e pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, Rusia në anën tjetër refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Siç u pa në deklaratat e Konstantin Kosaçovit presidentit të Komitetit të Politikës së Jashtme të Dumës Ruse, Rusia, kërkon që të luaj shah me perëndimin, ku humbjen e Kosovës ndaj Serbisë, Rusia kërkon ta kompensojë me marrjen e Abkhazisë dhe Osetisë. Konstantin Kosaçovi deklaroi se Rusia do të jetë e gatshme të njoh pavarësinë e Kosovës nëse perëndimi njeh pavarësinë e Osetisë dhe Abkhazisë. Që Rusia po përdor kartën abkhaze dhe osete kundër Kosovës, u pa qartë edhe në ofertën që ministri i jashtëm abkhaz, Sergej Basma i bëri qeverisë së Kosovës kur deklaroi që:
"Nëse Kosova pajtohet të pranoj pavarësinë e Abkhazisë, atëherë edhe ne do ta pranojnë këtë republikë."
Ama siç shefi i diplomacisë së Abkhazisë deklaroi më të drejtë, Kosova sot nuk mund të pranojë dot një ofertë të këtillë pasi sipas tij "autoritet kosovare varen nga SHBA-të dhe NATO".
Edhe pse autoritetet kosovare dhe shqiptare nuk duan ta pranojnë këtë fakt publikisht, pra që sot autoritetet kosovare nuk janë përfaqësues të interesave të popullit kosovar, por vasalë të lojës së madhe të shahut ndërmjet SHBA-së dhe NATO-s kundër Rusisë, faktet që ne lexojmë nga Kosova vërtetojnë këtë. Për fatin e keq të shqiptarëve, politikanët e Tiranës dhe Prishtinës, sot, në konfliktin e ri botëror që ka lindur ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, po tregohen aq të dobët dhe naive intelektualisht saqë mua më ngjasojnë me Mehdi Frashërin dhe Xhaferr Devën të cilët u bënë kuislingë dhe vegla të bindura të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, pa arritur që të kuptojnë politikën globale dhe pasojat që ajo do të kishte më pas për Kosovën dhe Shqipërinë. Lidhja vasaliste e politikanëve shqiptarë me amerikanët dhe NATO-n sot, është aq tragjike saqë çdo lexues i lirë e ka shumë të qartë që të dalloj që ministri i jashtëm abkhaz i cili i ofroi Kosovës njohje të anasjelltë të pavarësisë, duket që të jetë më i pavarur nga Moska për të ndjekur politikën e jashtme të vendit të tij, sesa politikanët kosovarë janë nga Uashingtoni dhe Brukseli.
Varësia e politikanëve por edhe e shumicës dërrmuese të gazetarëve shqiptarë dhe kosovarë sot ndaj Perëndimit mund të lexohet edhe në fjalimet dhe sjelljen e udhëheqësisë kosovare me në krye, kryeministrin Hashim Thaçi. Ky i fundit gjatë vizitës që bëri në Uashington këtë korrik 2008, pas takimit me presidentin Bush u zotua publikisht përpara Bushit dhe mediave botërore që do të luftojë fondamentalistët islamikë në Kosovë (dmth hoxhallarët dhe fenë e popullit të tij) dhe deklaroi se: "I kemi dëshmuar presidentit amerikan se ne kemi qenë aktorë dhe faktorë aktiv në luftën kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit islamik...." Seç lidhje ka fondamentalizmi islamik me Kosovën e lirë, e cila sot kërcënohet nga rreziku i fondamentalizmit serbo-ortodoks në veri dhe ai katolik që po shfaqet kohëve të fundit në vend, këtë mund ta shpjegojë vetëm kryeministri Thaçi dhe presidenti Bush. Por ky i fundit ka shumë mundësi ta ketë ngatërruar Hashimin me Hamit Karzain e Afganistanit, siç gafoi edhe përpara disa vitesh kur nuk dinte se cili është kryeministri i Pakistanit. Ndërsa Hashimi ynë do të jetë lumturuar kur ka parë që Bushi nga një Hashim e ka kthyer në Hamit.
Servilizmi dhe idhujtaria e politikës kosovare ndaj Perëndimit arrin pozicione edhe më shpifarake kur dikush lexon veglat mediatike të perëndimit në Kosovë, si i vetëshpalluri analist, Beton Haxhiu i cili këtë shtator 2008 ju bën thirrje qytetarëve kosovarë në gazetën e tij Express që të tregojnë tashmë nëse Kosova duhet të rrijë me Islamin apo Amerikën, thua se Islami është hasmi i Amerikës në Kosovë. Llogjika e malësorit kosovar Haxhiu i ngjan pak a shumë llogjikës së kaubojsit Bush, i cili pas 11 shtatorit 2001 nisi të kërcënojë me pushkë në dorë të gjithë vendet e botës dhe ju thoshte "me ne – apo kundër nesh".
Servilizmi i kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi ndaj perëndimit po shihet në veçanti edhe në komunikimin që politika dhe gazetaria kosovare ka zgjedhur kundër botës arabe dhe islame, sidomos pas 11 shtator 2001. Kosovarët e vegjël që nuk shohin dot më larg sesa Kampi i Bondstillit, lojën e madhe globale ruso – amerikane të shahut dhe nuk e kuptojnë që këta janë thjeshtë gurë shahu në këtë lojë që mund të shiten në çdo moment, kanë rënë në një idhujtari të atillë ndaj mikut të fortë amerikan, sa kishin rënë edhe gjyshërit e miqve tanë kosovarë në kohën e Divizionit SS Skënderbej kur bënin be e rrufe për Hitlerin dhe kujtonin si Hitleri do të jepte jetën për Kosovën dhe Shqipërinë. Në këtë gusht 2008 psh. kur shoqëria civile kosovare organizoi konferencën "Kosova dhe Bota Arabe", politikanët kosovarë, përveç përfaqësimit shumë të ulët që bënë në këtë konferencë ku as që denjuan që ti falenderojnë dhe të ju kërkojnë arabëve njohje të shtetit të tyre; bënë gafa edhe më të mëdha me sjelljen fëminore të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kur ky i fundit ishte pyetur nga gazetarët për kritikat e Veton Surroit në adresë të politikës së jashtme kosovare e cila po neglizhon dhe injoron vendet arabe dhe myslimane, nga të cilat Kosova ka nevojë që të njihet - ky i quajti vendet arabe dhe myslimane si "adresa të dyshimta".
Por arroganca e kosovarevë dhe shqiptarëve ndaj popujve arabë dhe islamikë dhe adhurimi i tyre servil ndaj perëndimit lexohet edhe në shumë shkrime që botohen në Tiranë. Prifti katolik Ardian Ndreca psh. në Gazetën 55 të datës 8 shtator 2008 arabët i fyente me terma aq racistë dhe të turpshëm për një prift katolik, saqë ai të kujtonte fjalimet e Hitlerit kundër popujve semitë. Ardian Ndreca i cili në Universitetin Pontifik Urbaniana në Vatikan duket se është bërë ekspert i racave shumëngjyrëshe që studiojnë në këtë universitet, thoshte ndër të tjera:
"Kah na dolën "vëllezën" arabët? Cila shkencë na nxjerr ne vëllezën me ta? As gjuha, as raca, as etnia nuk na bashkojnë me ta... Rezultati i gjithë kësaj historie asht se nuk mund të ecim ma si pula pa krye tue kërkue aleanca boshe, të cilat vetëm na damtojmë – siç na kanë damtue, pse ndihmë prej tyne s\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\'na ka ardhë kurrë. Kemi nevojë për nji frymë të re në politikë, për ndryshime ma rranjë."
Ndërsa gazetari i së përditshmes italiane, Gazeta Shqiptare, Gert Shella sulmonte deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu i cili ju kërkon kosovarëve që ti mbushin mendjen botës arabe dhe islame se ata janë muslimanë duke thënë që:
"Pohime të tilla të diplomatit islamik, të sjellin në mendje dikotominë Dar al Islam, Dar al Hrab (Tokë paqeje ose Tokë lufte). Dhe, për të jetuar në paqe në shtetin e tyre të ri, kosovarët duhet të afirmojnë muslimanizmin e tyre. Në të kundërt, ata fare mirë mund të vijojnë të mbeten të ekspozuar ndaj rrezikut të luftës dhe urrejtjes që gjithmonë iu ka ardhur nga kufijtë e tyre verilindorë. Me hizitimin e tyre, që me sa duket ka prapavijë religjoze, vendet islamike po i spastrojnë terrenin diplomacisë Ruso-Serbe në përpjekjet e veta të etshshme për të penguar, madje kthyer mbrapsht, procesin e njohjes së Kosovës."
Arroganca kosovare dhe shqiptare kundër botës arabe dhe islame është aq e dhimbshme saqë emisari amerikan pranë Organizatës së Konferencës Islamike, Sada Cumber ka vënë në pah që: "Që nga viti 1990, përveç ndonjë vizite në Turqi, liderët kosovarë nuk kanë qenë të interesuar të krijojnë kontakte me shtetet me popullata myslimane. Përfaqësuesit e institucioneve kosovare nuk kanë bërë asnjë vizitë zyrtare në shtetet myslimane në Azi dhe në Afrikë, përveç një pjesëmarrje në Konferencën e Shteteve Islamike që është mbajtur para disa muajsh në Senegal, ku ka qenë i pranishëm ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj."
Këtë varësi dhe shkurtmendësi të lidershipit kosovarët e vë në pah edhe kryetari i Organizatës së Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu i cili në intervistën më të fundme dhënë BBC-së vë në pah pazotësinë politike kosovare dhe ju kujton atyre që nëse këta duan që të njihen nga bota myslimane: "Ata duhet t\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\'u thonë botës myslimane se janë myslimanë dhe jo vetëm të thonë se jemi kosovarë."
Edhe pse në arenën kosovare të këtyrë muajve të fundit përveç krahut primitiv të politikës kosovare, është shfaqur një krah pragmatist me në krye Veton Surroin, Muhamet Mustafën e Qemajl Morinën dhe "Forumit – 2015", politika kosovare po dëshmon që nuk është e aftë për të udhëhequr Kosovën dhe siç ministri i jashtëm abkhaz i ka sfiduar, ata, për fatin e keq të popullit të Kosovës "varen nga SHBA-të dhe NATO". Kjo varësi e cila në rastin konkret duket më shumë mentale sesa fizike kërcënon që të izolojë Kosovën nga njohja ndërkombëtare dhe kthimin e vendit në një shtet surrogat si Nagorni Karabaku.
Por edhe pse nga pala shqiptare dhe kosovare në këto vitet e fundit, politika amerikanofile e Tiranës dhe e Prishtinës i ka sjellë sa e sa dëme dhe ofendime popujve arabë dhe muslimanë, shkruesin e këtij shkrimin e habisin disa shkrues islamofobë në shtypin e Tiranës dhe të Prishtinës të cilët në këto muajt e fundit kanë nisur të kuptojnë rëndësinë e botës arabe dhe islame dhe pyesin muslimanët shqiptarë "pse vendet arabe nuk po e njohin Kosovën?" Kur lexoj pyetje dhe shkrime të këtilla idiote nga disa gazetarë dhe politikanë në Tiranë, Prishtinë apo edhe Uashington mua më duhet ti pyes politikanët kosovarë dhe shefat e tyre perëndimorë: se çfarë keni bërë ju që bota arabe të njohë Kosovën të pavarur? Arabët nga Kosova dhe Shqipëria përveç dhënies së ndihmave prej disa miliona dollarësh në këto vitet e fundit; si shpërblim kanë marrë vetëm ofendime, dëbime, vrasje dhe injorim. Gazetarët e Gazetës Shqiptare të Karlo Bolinos në Tiranë, që në një seri numrash pyesin se përse arabët nuk po e njohin Kosovën e pavarur, janë vetë dëshmimtarë të atyre qindra shkrimeve fyese që ata kanë botuar kundër myslimanëve dhe arabëve në këto 15 vitet e fundit. Janë dëshmimtarë të brohoritjeve që ata i kanë bërë vrasjeve, persekutimeve, dëbimeve ilegale të arabëve, që këta vetë i kanë akuzuar në bashkëpunim me SHIK-un si terroristë. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi i quan vendet arabe "adresa të dyshimta", në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit me dhjetëra biznesmenë dhe qytetarë arabë kanë patur pasuritë e tyre të konfiskuara dhe grabitura sa nga organet shtetërore shqiptare aq edhe nga politikanët vendas. Arabët në Shqipërinë e këtyre viteve të fundit janë persekutuar me keq sesa çifutët nga Hitleri gjatë Rajhut të III-të. Më qindra arabë janë dëbuar pa asnjë justifikim nga Shqipëria dhe abuzuar me të gjitha mënyrat, ndërsa mediat, si kosovare ashtu edhe shqiptare kanë lehur pa mbarim me terma racistë kundër popujve arabë dhe muslimanë. Shembulli më i fundëm i këtij diskriminimi është ai i vetëm përpara disa javëve, kur Shqipëria dëboi pa asnjë arsye dhe në mënyrë ilegale nga vendi bamirësin sudanez Ibrahim el-Meki i cili sëbashku me ambasadorin kuvajtian në Bullgari, Ahmet Buzaber ishin duke lobizuar qeveritë e Gjirit Persik; Omanin, Katarin etj që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shqiptarët dhe kosovarët siç edhe Sada Cumber tregon, kanë ndjekur politikën e injorimit total të vendeve arabe dhe myslimane në Azi dhe në Afrikë, dhe kanë trajtuar me përbuzje anëtarësimin e vendeve të tyre në Konferencën Islamike. Të zhytur në adhurim ndaj fuqisë ushtarake dhe ekonomike të perëndimit, shqiptarët që i ngjajnë asaj dhisë së zgjebosur me bishtin përpjetë, kanë brohoritur agresionet amerikane dhe perëndimore kundër botës arabe dhe islame në këto vitet e fundit që nga Iraku, Afganistani, Somalia, Sudani, Palestina, Libani dhe kështu me radhë. Arabvrasësin më të madh të historisë moderne, Xhorxh Bushin, shqiptarët e pritën me brohorima të turpshme që edhe vetë Hitleri nuk ka gëzuar në kohën e tij.
Unë po të isha arab dhe të shihja gjithë këtë adhurim që media dhe politika kosovare dhe shqiptare ka ndaj SHBA-ve dhe Perëndimit i cili ju ka shkaktuar arabëve sa e sa jetë dhe tragjedi në këto vitet e fundit, do të bëja pyetjen e thjeshtë: çfarë interesi kemi ne si arabë që të njohim këtë ish-provincë jugosllave që amerikanët duan të na e shesin si shtet mysliman? E vetmja gjë që i lidh arabët me shqiptarët është Islami. Ama mediat e Prishtinës dhe të Tiranës dhe mendimtarët e "mëdhenjë" shqipfolës që nga Kadareja e deri te Rugova thonë që ne nuk jemi myslimanë. Nëpër rrugët e Prishtinës dhe të Tiranës, arabët nuk shohin asnjë shenjë që atyre mund t\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\\'iu kujtoj islamin, por vetëm se posterat e Bill Klintonit, Bushit, Nënë Terezës, Papë Gjon Palit II dhe katedralet katolike dhe ortodokse që ngrihen, ndërsa myslimanët falen nëpër rrugë sikur të jenë refugjatë nga Maroku. Nëse unë do të isha përfaqësues i ndonjë vendi arab dhe mysliman, do ti thoja politikanëve kosovarë, që ju me këtë sjellje që keni duhet të kërkoni që të ju njohi më parë Vatikani dhe jo ne "të dyshimtët". Që kosovarët të prekin botën arabe dhe islame që ti njohi si shtet sovran, dhe projekti i krijimit të shtetit kosovar të mos përfundojnë si rasti i Taivanit, Saharasë Perëndimore, Nagorni Karabakut, Qipros Veriore, Abkhazisë, Osetisë, Transnistrias, Somalilandit dhe Republikës Demokratike Arabe të Sahravisë, duhet ti lënë komplekset e tyre të frikës dhe inferioritetit përballë perëndimit të krishterë dhe ti tregojnë myslimanëve dhe arabëve që janë myslimanë, që janë zotër të të ardhmes së tyre dhe nuk janë thjeshtë një satelit apo bazë amerikane më shumë: kështu që edhe këta më pas të mund të bëjmë një sy qorr përballë lojës së shahut që amerikanët luajnë sot me Rusinë, dhe të vënë dorën në zemër për të njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Përndryshe në një vend ku sheshin kryesor të kryeqytetit të tij e zë Nënë Tereza dhe jo Shejh Albani apo Dervish Hatixheja, në një vend ku heroi kombëtar i tij është Skënderbeu, atleti i Krishtit dhe jo sulltan Murati – atleti i Islamit; arabët e kanë shumë të vështirë që të kuptojnë se cili është ndryshimi ndërmjet një Kosove nën kryqin ortodoks me memorialin e Gazimestanit, nga Kosova nën kryqin katolik me bustet e Nënë Terezës.
Nëse kosovarët nuk i tregojnë botës së Islamit se ata janë përnjëmend myslimanë dhe Kosovën e duan si shtet për veten e tyre dhe jo vetëm për të satelitizuar për Amerikën, dhe se emrat Hashim e Rexhep i kanë përnjëmend islam, ata duhet të tregojnë origjinën e tyre. Përndryshe nëse vazhdojnë që të hedhin vickla kundër arabëve dhe islamit, kosovarët do të duhet që të kënaqen me izolimin e tyre nga bota islame, afrikane dhe aziatike, dhe ndoshta do të kenë shanse që ti kërkojnë njohje në të ardhmen vetëm Indisë së Terezës dhe jo më Arabisë së Shejh Nasirudin Albanit. Nëse kosovarët vazhdojnë të hedhin vickla kundër arabëve dhe muslimanëve siç kanë bërë deri tani, duhet ta dinë që herët apo vonë ka për ti gjetur fati i Taivanit, i cili nga përfaqësues i Republikës së Kinës në OKB shumë vite më parë, sot është shndërruar në një ishull të cilin nuk e njeh më as Madagaskari.