Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Gjaku i ri ne politike

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Nazarko
Gjaku i ri ne politike

Cilët janë kanalet e futjes së gjakut të ri në politikë? Në kushtet kur politika shqiptare është dominuar dhe dominohet nga një numër i kufizuar personash, madje nga dy persona, Nano dhe Berisha, në mënyrë më të shënjuar dhe për një kohë më të gjatë, kjo pyetje ka një farë sensi të bëhet. Ashtu siç ka sens të analizohen kanalet e futjes së këtij gjaku: a ekzistojnë apo janë bllokuar. Dhe si duhen zhbllokuar nëse mundet!

Nga këndvështrimi i qarkullimit të gjakut të ri në politikë, situata shqiptare në një shikim përmbledhës nuk duket shumë shpresëdhënëse. Në raport me shumë vende të tjera të ish-bllokut komunist, politika shqiptare përgjithësisht duket në stanjacion. Gjetkë, jo vetëm liderët e vjetër janë ndërruar, por në lojë janë futur subjekte të rinj politikë, që madje kanë arritur të shndërrohen në shumica parlamentare, siç është rasti i Hungarisë, Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë, në njëlloj kuptimi, rasti i Maqedonisë etj., etj. Situata nuk është premtuese, megjithëse shoqëria jonë duket shoqëri me lëvizshmëri sociale të lartë, apo mobilitet social të lartë, siç thonë studiuesit; me një fluks të madh emigracioni, që njeh dhe kthimin e një numri të jashtëzakonshëm individësh që studiojnë jashtë apo që kanë mbaruar studimet jashtë - premisa të mira për futjen në lojën publike të aktorëve të rinj. Politika nuk duket e vjetër vetëm për shkak të personazheve që dominojnë atë; si pasojë e protagonistëve të vjetër dhe cilësia e akteve të tyre duket e vjetër, e prapambetur, ndërsa gjerësisht pranohet teza se politika është mbrapa shoqërisë në nivelin e saj të zhvillimit. Apo se gjithë zhvillimi kombëtar në 18 vjet nuk i detyrohet aq reformave politike se sa iniciativës së individit shqiptar, ambicies së tij! Politika madje ka frenuar!

Sigurisht ka përjashtime pozitive. KOP-i ishte njëri syresh. Një grup intelektualësh të formuar jashtë, që nuk kishin bërë jetë partiake të rregullt, madje disa nuk kishin bërë fare, u katapultuan në nivelet e larta të qeverisjes. Pjesa më e mirë e tyre u përshtatën mirë në këto role të reja, duke çmitizuar besimin publik se ministra duhet të bëhen ata që kanë kontribute partiake në të gjitha nivelet, apo që kanë kaluar prej të gjitha niveleve të drejtimit partiak. Rasti i KOP-it, asaj "pikës që bëri të derdhet vazoja", pra i elementit cilësor që rriti suksesin elektoral të PD-së, tregon se afrimi i gjakut të ri është një orientim pragmatik: populli e voton gjakun e ri. Diku PS-ja, diku LSI-ja tentojnë të ofrojnë gjak të ri. G99, me gjithë kompleksin për t‘u quajtur subjekt politik, është njëlloj gjaku i ri.

Por cilat janë kanalet e thithjes së gjakut të ri? Dhe pse ai nuk thithet?

Në një shikim të parë duket se janë dy drejtimet. Nga nivelet e ulëta të organizimeve partiake, nga periferia e tyre drejt qendrës - është drejtimi apo kanali i parë. Dhe nga shoqëria civile drejt politikës - është kanali apo drejtimi i dytë. Për shkak të mungesës së demokracisë nëpër partitë tradicionale në të gjitha nivelet, për shkak të klanizimit të tyre historik, nuk ka, apo ka fare pak shanse që periferia t‘i ofrojë qendrës gjak të ri. "Krerët e partisë" në rrethe, duken njerëz që dinë të bëjnë vetëm "krerë partie", shumë rrallë ata përfaqësojnë figura të shquara në nivel lokal që tërhiqen suksesshëm në drejtimin e partisë. Sistemi mazhoritar i votimit nuk i ka favorizuar: janë preferuar figura me rrethe të gjerë familjarë dhe mbështetësish, qofshin dhe me "muskuj", që të mbrojnë votat. Sistemi proporcional rajonal mund të afrojë shpresë për thithjen e tyre, pra të individëve të spikatur në rrafsh lokal, që mund të sjellin progres në nivel kombëtar. Por kjo është një temë tjetër.

Por le të shikojmë kanalin e rrjedhjes së "gjakut të ri", nga shoqëria civile te politika. Nëse me shoqëri civile kuptojmë organizimet e saj, shoqatat, universitetet, në shumë raste kahja e lëvizjes së flukseve njerëzorë është e anasjella: shoqëria civile e organizatave është mbështetur apo themeluar kryesisht prej njerëzish që vijnë prej politikës, në momente tipike si ato të ndryshimit të shumicave. Këto lloj organizimesh përfaqësojnë kështu, në shumicën e rasteve, kohëpushime 4-vjeçare të disave prej këtyre individëve për t‘u përfshirë sërish në politikë, por siç kuptohet ky nuk është gjak i ri. Gjak i ri është ai i të rinjve apo intelektualëve shqiptarë që të formuar në Perëndim me mijëra çdo vit që prej 1991-shit, e që vendosin të kthehen, apo dëshirojnë të jenë aktivë në jetën publike të vendit. Duke i shërbyer zhvillimit.

Fjala kyçe është "publike". Nëse politika do të zgjidhte prej këtyre individëve, në rastin kur ka vullnetin e mirë për ta bërë këtë, do të preferonte të zgjidhte ata që janë "publikë". Por sa mundësi ka sot dikush me mend në kokë, i panjohur prej kësaj kategorie, që të bëhet publik? Sa mundësi kanë organizimet e shoqërisë civile të prodhojnë figura publike, apo të shndërrohen në subjekte publike? Për to ka një rreth vicioz: që të bëhen publike duhet të kenë projekte të mëdha. Që të kenë projekte të mëdha, pra të marrin mbështetje të madhe prej donatorëve, duhet të jenë publike. Shumë prej këtyre organizimeve nga ana e tyre nuk thithin gjak të ri dhe kur e bëjnë e bëjnë veçse në pozicione teknike dhe jo lidershipi. Të vetmit subjekte të shoqërisë civile që sot po afirmohen me forcë, falë skemës së veçantë të financimit, prej vetë studentëve janë universitetet private. Për shkak të konkurrencës, mënyrës së administrimit, ata po thithin gjak të ri në atë kuptim që i dhamë fjalës pak më parë. Pra, brenda tyre po fillojnë të militojnë me statusin e pedagogëve, diku dhe të kërkuesve, figura mjaft interesante, me shkollime të shkëlqyera, që mjerisht mbeten pak të njohura veçse mes njerëzve të fushës. Kanalet e shndërrimit të tyre në "publikë" janë mbyllur. Dhe këtu pengesën kryesore e kanë mediat. Gazetat dhe televizionet. Nuk mund të arrish sot të futësh në emisionet e njohura televizive me natyrë informative apo debati figura të tilla, veçse me përpjekje titanike. Nuk mund të botojnë asnjë editorial, hiq tek letrat nga populli. Janë të panjohur, nuk dinë të komunikojnë, nuk dinë rregullat e shkrimit të komenteve - është ky arsyetimi i parë bllokues i njerëzve të medias, në role kyçe brenda tyre. Prej tyre shumë rrallë ka iniciativa kërkimi figurash të reja, hiq emisione të veçanta, apo gazeta të veçanta. Në rastet kur ata arrijnë të përfshihen në kanale të tilla mediatike, prej mediave nuk përmenden emrat e universiteteve ku punojnë, me pretekstin se "universitetet janë subjekte komerciale", dhe përmendja e emrit të tyre është publicitet, që duhet paguar. Të thuash se i përket partisë idiote x nuk duket komerciale, ndërsa se i përket universitetit y është. Vetë njerëzit e roleve kyçe që bllokojnë afirmimin e të rinjve janë të palëvizshëm falë përsosjes së tyre në zanatçillëk, d.m.th. zotërimit shkëlqyeshëm prej tyre i shumë elementëve profesionalë, apo konformizmit të tyre në relacion me pronarët.

Edhe sikur bartësit e këtij gjaku të ri, studiues të shkencave politike, të komunikimit, të së drejtës, inxhinierë, arkitektë, të krijonin organizime të tyre të mëvetshme, si parti, organizata shoqërore, përsëri mediat do të ishin konservatore: ata me veprimtarinë e tyre, idetë e tyre nuk përbëjnë lajm nëse nuk janë të njohur. Konservatorë ndaj tyre janë institucionet që i njohin diplomat, administrata e vjetër. Biznesi që nuk mbështet subjekte të rinj, por të vjetrit e sigurt. Asnjë subjekt i ri nuk mund të depërtojë në kanalet e informacionit, nëse "nuk është parti e njohur, organizatë e njohur", apo nëse nuk e vetëfinancon përfshirjen në këto kanale informimi. Si pasojë, me të njëjtit njerëz, temat e diskutimit publik janë po ato, vetëm skenografitë ndryshojnë. Të gjithë simulojnë: simulojnë debat, simulojnë kundërshti, konformizëm dhe uji shoqëror nuk lëviz. Politika nuk ka ku e gjen gjakun e ri: bartësit e tij nuk arrijnë të bëhen "publikë". Ndonjë zbulim i ri si KOP-i do jetë spontan, asgjë e planifikuar.

Ishte kjo një sprovë modeste për të nxitur debatin rreth kanaleve të depërtimit të gjakut të ri në politikë. Larg inkuadrimit teorik të qarkullimit të elitave në një vend në tranzicion. Por që meriton njëfarë vëmendje, sa kohë flasim për vend ku politika dominohet nga njerëz që ranë "nga kati i njëzetë dhe prapë mbijetuan politikisht", apo kur prapë kjo media, për pasojë kjo shoqëri, pret se mos ai që vetësyrgjynoset në mërgime të gjata të kadifenjta rikthehet për ta gjallëruar jetën tonë politike me lojërat e tij. Çfarë kënete!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama