Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ndal fabrikes se shenjtoreve

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 17 vite më parë

Besnik Mustafaj
Ndal fabrikes se shenjtoreve

Diku nga fillimi i verës së shkuar, nga Vatikani doli një lajm i pazakonshëm, i cili ngjalli edhe kureshtje, edhe vëmendje në shtypin serioz të mbarë botës. Madje, gjeti një farë vendi edhe në mediat tona kryesore të shkruara dhe ato elektronike. Titulli i lajmit pothuajse ngado, në Evropë dhe në Amerikë, ishte "Ndal fabrikës së shenjtorëve". Aty njoftohej se Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë i kishte kërkuar kongregacionit t‘i kushtonte më shumë vëmendje vlerësimit të dokumenteve, që mbështesin pretendimet për shenjtërim. Me këtë kërkesë, Papa Benedikti synonte të vinte në një kontroll të ri, më rigoroz, proceset e shenjtërimit të shërbyesve të devotshëm të kishës. Siç sqarohej, shqetësimi i Papa Benediktit buronte nga shqyrtimi i kujdesshëm i trashëgimisë së paraardhësit të tij në këtë fushë, Papa Gjon Palit të Dytë.


Gjithnjë sipas njoftimit, rezultonte se brenda papatit të Gjon Palit të Dytë ishin krijuar më shumë shenjtorë se në 17 papatet e fundit të mbledhur së bashku. Për një sy të zakonshëm ngjan shumë. Tepër, madje, sipas gjykimit të vetë Papa Benediktit. Ky fakt, që ndoshta nuk i kishte rënë askujt tjetër në sy, nuk i shpëtoi vëmendjes së Papa Benediktit. Ai mori masat që i takonin. Dhe mandej ndërhyrja e tij u bë lajm për mbarë opinionin publik botëror. Duket krejt e natyrshme të shtrohet pyetja se ç‘të keqe ka, apo, kush ka të keqe nga shtimi i shenjtorëve? Së pari, ndoshta do sqaruar se nga lajmi në fjalë nuk më duket se buron ndonjë përshtypje se Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë synon ndërprerjen e procesit të shenjtërimit. Pa këtë mision, është e qartë se vetë Kisha Katolike nuk do të ishte më ajo që është prej njëzet shekujsh. Duke i kërkuar kongregacionit më shumë vëmendje në vlerësimin e dokumenteve, që mbështesin pretendimet për shenjtërim, Papa Benedikti synon vetëm t‘i verë fre teprimit, i bindur me të drejtë së teprimi, edhe të mirën më të madhe, mund ta kthejë në të kundërtën e vet.


Nevojitet mençuri e madhe, mençuri e thellë për t‘u mbrojtur nga teprimi. Historia e veprimit njerëzor, ku përfshihet veprimi në fushën e spiritualizmit, edhe veprimi politik, na mëson se teprimi është nga ato të këqija, prej të cilave nuk të mbron dot askush. Pra, duhet ta mbrosh veten, ose të vuash pasojat. Më shpesh ka ndodhur kjo e dyta. Ndaj edhe nevojitet mençuria. Mjerë kush nuk e ka! Papa Benedikti përpiqet kështu me dinjitet ta mbrojë kishën, me të cilën ai ka lidhur gjithë jetën dhe shpirtin e vet të lartë.

Duke synuar të mënjanojë shpërdorimin e shenjtërimit, akti më sublim që kryen kisha për shërbëtorët e vet më të zellshëm, Papa nxjerr në plan të parë përpara njerëzimit kishën si shtëpi e Zotit, pa nënçmuar aspak vlerën e shërbëtorëve të kësaj shtëpie. Ama, ka nevojë të theksohet se Kisha, si institucion është e para, institucioni është i qëndrueshëm, njerëzit që i shërbejnë asaj vijnë më pas, ja shtojnë institucionit rëndësinë me veprën e tyre, pa e vënë institucionin nën këmbët e veta, për t‘u ngjitur më lart, në hapësira që nuk u takojnë dhe ku nuk mund të qëndrojnë gjatë për shkak të mënyrave të reja që ka shoqëria moderne për ta vlerësuar individin, kushdo qoftë ai. Veprimi i Papa Benediktit, ashtu i thjeshtë dhe i qartë, në të vërtetë është një shembull me vlerë për mbarë shoqërinë, e cila merr kështu një mësim për radhën e gjërave atje lart, ku qëndron, siç i takon, udhëheqësia.

Institucioni, sado që është në shërbim të njeriut si individ dhe po ashtu të komunitetit, nuk lejon të shpërdorohet. Dhe, po ta çonim arsyetimin pak më në skaj, mund të thoshim edhe se një institucion i përdorur për të kënaqur egon e individit, është një institucion në rrugën e venitjes, sado fort t‘u bjerë kambanave në një çast të caktuar. Nuk mbytet me oshtima venitja. Jo vetëm besimtarët e Kishës Katolike, por në përgjithësi pjesëtarët e një shoqërie të ndërgjegjshme për nevojën e vetëkorrigjimit, ka vend ta shohin me vëmendje veprimin e Papa Benediktit në këtë rast. Në një koncept më të gjerë, ky veprim i jep arsye morale edhe çdo individi të pyesë të zgjedhurit e vet se çfarë po bëjnë për t‘i mbrojtur institucionet e larta nga shpërdorimi.

Edhe një aspekt tjetër: Mediat, që komentonin lajmin në fjalë, nuk harronin gjithandej të theksonin se "bujaria" e djeshme e Papa Gjon Palit të Dytë po kthehej në një farë mënyre, befas, tani kundër atij vetë. Ngadalësimi i procesit mund të prekte vetë shenjtërimin e tij, ta vononte atë, ta shtynte në kohë, çka dëshmon qartë se një ditë a një ditë, në një mënyrë a një tjetër, të gjithë vdekatarët e kësaj toke do t‘i nënshtrohen një gjykimi të rreptë për teprimet e tyre në funksionet eprore që kanë kryer. Mjerë kush e harron edhe këtë të vërtetë universale!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama