Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Galeria e portreteve të njollosur

Shkruar nga: Kim Mehmeti  
Botuar më: 17 vite më parë

Kim Mehmeti
Galeria e portreteve të njollosur

Ambienti politik, kulturor, mediatik i shqiptarëve të Maqedonisë, i ngjan një pështymoreje të madhe. Shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë është një galeri e personaliteteve publike, ku nuk mund të gjesh asnjë portret të panjollosur, asnjë kornizë të pa shkarravitur me vlerësime negative nga më të skajshmet. Andaj, sikur njeriu të merrte lapsin, e të kompletonte listën e të gjithë emrave të këtushëm publikë, nga cilado lëmi, dhe të shënonte pranë tyre të gjitha thëniet publike për këta individë të njohur, do arrinte deri te një përfundim tronditës: nuk ka burrë mamaje me emër e mbiemër mes shqiptarëve të Maqedonisë, i cili ka mundur t‘i ikë pështymës ngjitëse, të dalë nga goja e atyre që me lehtësi marramendëse kompletojnë listat e spiunëve apo tradhtarëve të popullit. Pra, sikur njeriu të merrte kompletet e shtypit të këtushëm të "pavarur" ditor, që boton vetëm "fakte" dhe të ecte "një hap me kohën", do vinte në përfundimin se hapësira e këtushme publike është një arenë, në të cilën njollat e tjetrit i mbulojnë ato tonat, se në atë arenë mbisundojnë ata që nuk e kanë kuptuar se mendimi i shëndoshë kritik nuk është ai që i ngjall të vdekurit e i varros të gjallët, por ai që e kremton jetën duke i shpalosur mangësitë që ajo ka. Kështu që, pas kompletimit të këtyre listave, njeriu edhe mund të pyesë veten: vallë këta politikanë, komentues, krijues ... të shqiptarëve të Maqedonisë, posedojnë ndonjë dhunti tjetër, përpos asaj të spiunimit dhe të tradhtisë? Dinë këta njerëz me famë publike të bëjnë ndonjë punë të ndershme për veten dhe fëmijët e tyre? Si dhe të sjellë përfundimin e gabuar se shqiptarët e këtushëm edhe nuk janë gjithaq keq, nëse ke parasysh se të ardhmen e tyre e paskan në duar aq spiunë e tradhtarë të interesave të popullit.

Autori i këtij teksti është nga ata që kritikon djathtas e majtas, për të cilin janë thënë të gjitha epitetet e mundshme negative, të cilin e ka marrë malli të dëgjojë që dikush të thotë diçka të mirë për ndonjë personalitet të këtushëm. Autori i këtij teksti, qëmoti nuk shkon në varrime të personaliteteve publike të shqiptarëve të këtushëm, sepse nuk mund t‘ia dalë të kuptojë, se vallë i ndjeri është ai që dikur e pështynin si personazh negativ, apo i varrosuri të cilin pas vdekjes e ngrenë deri në qiell si atdhetarë dhe vlerë kombëtare. Si i tillë, autori i këtij teksti qëmoti e ka të qartë se shumë nga ata që shpalosnin mendimin e vet publik, bënë çmos që të përzienin listat e bardëve dhe të ndershmëve, me ato të pafytyrëve dhe matrapazëve. Se këto lista i përzien me qëllim që ta hutonim popullin, që rrëmuja të ishte e plotë, që opinioni publik të mos të mund të dallonte të keqin nga i miri, që të gjithë t‘i mbante si të njëjtë.

Mendimi publik kritik i shqiptarëve të Maqedonisë vuan nga një element i turpshëm: të gjithë dinë çdo gjë për tjetrin, e asgjë nuk thonë për vetveten! Ai mendim përmban në vetvete edhe naivitetin e atyre që nuk e kanë kuptuar se, duke shkruar për të tjerët, në të vërtetë ne kompletojmë rrëfimin për vetveten. Mendimit kritik të shqiptarëve të Maqedonisë, i prijnë edhe disa nga ata që një jetë të tërë e kaluan duke e shëtitur çantën nga Tetova në Shkup, disa nga ata që ndershëm dhe me përplot pasion realizuan vetëm një detyrë patriotike: i nxinë gishtërinjtë duke pirë cigare dhe i prishën dhëmbët duke gëlltitur me tonelata kafe nëpër kafenetë e kryeqendrës së Maqedonisë, e ku shpalosnin projektet kombëtare. Projekte që në thelb kishin vetëm një qëllim: t‘ua përcillnin krerëve partiakë porosinë se ata ende janë të aftë për të zënë vendin e ndonjë këshilltari, apo për të bërë punën e ambasadorit në cilindo shtet mbi rruzullin tokësor. Dhe sa herë që koncepti i tyre personal dështonte, ata mprihnin lapsin kritik dhe i tregonin popullit se cilët janë dështakët e ardhshëm në galerinë e portreteve të njollosura. Me çka, bënë një mëkat më të madh seç është pafytyrësia: ngufatën zërin e të rinjve të aftë, që e lexojnë drejt kalendarin në të cilin jetojnë.

Pështymjen e çdo gjëje të vlefshme që kanë shqiptarët e Maqedonisë, si vlerë të mendimit kritik, e promovuan disa udhëheqës të këtushëm partiakë. Pastaj, këtë veprimtari, e ngritën në profesion frutdhënës edhe disa nga ata që sot bëjnë analiza lidhur me ngritjen e aktpadive për të ashtuquajturat "Katër Lëndët e Hagës", e që kanë të bëjnë me konfliktin e 2001. Si dhe ata që tani komentojnë vonesën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë. Edhe autori i këtij teksti ka thënë dhe e përsërit, se vonimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, ishte absurd, se mosrespektimi i ëndrrës mbarëshqiptare ishte arrogancë e paparë e Kryeministrit aktual të Maqedonisë, Gruevskit. Autori i këtij teksti ka thënë dhe e përsërit, se ngritja e akuzave kundër pjesëtarëve të ish-UÇK-së, është betejë e fundit e Gruevskit për ta fituar luftën e 2001. Autori i këtij teksti ka thënë dhe e përsërit se, përderisa partitë e këtushme shqiptare janë "agjenci për punësim" të anëtarësisë së vet, ato nuk ka si mos të jenë vasale të partisë pushtetmbajtëse maqedonase. Mirëpo, të thuash se pavarësinë e Kosovës, ndonjë udhëheqës partiak shqiptar nuk e ka ëndërruar aq sa edhe cilido shqiptar tjetër, të thuash se kryesuesi i BDI-së i ka nxjerrë në tregun e "tradhtisë" ish-bashkëluftëtarët e vet, se ai tani ka shpallur tender për ata që duan të blejnë ndonjë paragraf nga Marrëveshja e Ohrit, do të thotë të jesh aq i ngulfatur nga ambiciet vetjake, sa mos t‘ia dalësh të veçosh ç‘është mendimi kritik e ç‘është vjellja e të dehurit nga frustrimet personale. Pra, të mos dish t‘i gëzohesh edhe pranimit të vonuar të pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë, të mos dish ta pranosh se sikur mos ishin partitë shqiptare dhe presioni amerikan, Gruevski me vite nuk do ta pranonte Kosovën, do të thotë të mos e kesh kuptuar të vërtetën, se partitë e këtushme shqiptare, kanë aq mangësi, sa nuk është e nevojshme t‘u trillosh të meta dhe ta zmadhosh paaftësinë e tyre në përballjen me partitë më mirë të etabluara të etnitetit maqedonas. Pra, të mos e thuash të vërtetën se me njohjen e Kosovës, kjo qeveri u dha edhe një mundësi shqiptarëve të këtushëm dhe maqedonasve etnikë që të arrijnë baraspeshën e besimit të ndërsjellë, do të thotë të kesh humbur ekuilibrin mes asaj që quhet kritikë qëllimmirë dhe pështymje e pakontrolluar. Kjo do të thotë se u je hidhëruar partive, jo pse nuk bëjnë gjë për popullin, por pse nuk kanë bërë asgjë për ty.

Kur bëhet fjalë për partitë e këtushme shqiptare, është e vërtetë se ato nuk merren gjithaq me hallin e popullit, por me atë si të mirëmbajnë armatën e madhe të anëtarëve kryesisht të papunësuar, e të cilët aktivitetin partiak e shohin si mundësi të vetme të punësohen e të sigurojnë ekzistencë. Për dallim nga partitë e etnitetit maqedonas, të cilat marrin donacione të majme nga biznesmenët e këtushëm, partitë shqiptare i mbushin arkat e tyre me shitjen e vendeve të punës. Andaj atyre, e jo qarqeve politike të etnitetit maqedonas, u konvenon që punësimi i shqiptarëve të bëhet vetëm nëpërmjet partive shqiptare në pushtet. Gjë që më në fund, ato i shpalos si "agjenci për punësim", që nuk kanë koncepte politike, po lista të kandidatëve të papunë partiakë që duhen punësuar.

Andaj, duke e parë se partitë e këtushme shqiptare janë të hendikepuara nga anëtarësia që kërkon punësime të menjëhershme, dhe nga kritikët që duan me çdo kusht të bëhen funksionarë shtetërorë, Gruevski vepron ashtu siç i ka hije një politikani që të jep kripë, por ta largon ujin. Si i tillë, ai i mbetet besnik vetëm një parimi: nuk ka kështjellë që nuk mund ta pushtosh, po ka ushtarë që dorëzohen. E ai është i sigurt se mund t‘i pushtojë të gjitha kështjellat politike shqiptare, sepse ato kështjella në të vërtetë as që bëjnë politikë, por vrapojnë pas ngjarjeve që ua imponon Gruevski. E ndërkohë, ka diçka që mbase nuk e ka kuptuar mirë as vetë Gruevski: se Maqedonia është shtet i formulës me dy të panjohura. Pra Gruevski nuk e ka kuptuar se për të zgjidhur të panjohurën e dytë të formulës së Maqedonisë - atë shqiptare, nuk është e udhës që njohjen e Kosovës ta bësh duke u fshehur pas shpinës së guximshme të Malit të Zi. Por, kjo ende nuk do të thotë se politikanët shqiptarë janë tradhtarë, se Ali Ahmeti ka shitur gjakun e dëshmorëve, apo se nuk ka bërë asgjë për njohjen e Kosovës. Kjo mund të ketë vetëm domethënie tjetër: se partitë e këtushme shqiptare nuk ndërtuan struktura partiake që suksesshëm do t‘u kundërviheshin kundërshtarëve të tyre partiakë të etnitetit maqedonas. Kjo do të thotë se shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë u shndërrua në një pështymore, në një galeri ku nuk mbeti portret publik i panjollosur nga kritikët e sotëm, e të cilët janë po ata që mbajnë pjesë të fajit për të djeshmen e errët të shqiptarëve të këtushëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama