Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E djathta hesht, ne pakenaqesi

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 17 vite më parë

Aleksandër Çipa
E djathta hesht, ne pakenaqesi

Gjatë gjithë këtyre ditëve të futjes së qeverisë dhe personalisht të Kryeministrit Berisha, në qendër të shënjestrës opozitare, shumica e djathtë manifeston një heshtje kompromentuese. Prej më tepër se 10 ditësh, ndër udhëheqësit e së djathtës në qeverisje, janë jo më tepër se pesë emra që janë vënë në përballje me sulmet e rënda të opozitës.

Akuzat opozitare të pasuara nga atakimet institucionale të Kryeministrit, në fakt kanë shumëfishuar reagimet ndërinstitucionale, por kanë shtuar edhe sensibilizimin publik. Mediatikisht, qeveria dhe Kryeministri janë sot nën akuzë. Kjo akuzë ka një formulim ciklor, pasi nuk lidhet vetëm me një aferë të thjeshtë individi, por me një zinxhir dyshimesh që opozita duket se po e ftillon suksesshëm, në raport me propagandën dhe besueshmërinë qytetare. Në këtë sulm, kjo opozitë po shfrytëzon energjikisht edhe kontekstet e tjera, siç është ai i shpërthimit tragjik të Gërdecit shtatë muaj më parë apo edhe situata kërcënuese, ende e pavlerësuar sa dhe si duhet, e krizës financiare globale.

Akuza e fokusuar e opozitës dhe shprehjet e para të organit të akuzës për nisjen e procesit hetimor për "Fazliç", e ka futur përplasjen pozitë-opozitë në një terren jofavorizues për Kryeministrin. Kjo përplasje ka hyrë në pistën e konflikteve ndërinstitucionale. Nuk është vetëm konflikti i shprehur qeveri-prokurori. Jo. Marrëdhënia institucionale mes organit qendror të akuzës dhe dy ministrive të rëndësishme, siç është ajo e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë, kanë dëmtuar imazhin luftarak të qeverisë kundër krimit dhe korrupsionit, por kanë përcjellë edhe një dëmtim me pasoja, për frytet e dëshiruara të mësymjes antikrim apo antikorrupsion. Ky objektiv dhe ky aksion konsiderohet si binari kryesor i suksesit qeverisës së zotit Berisha.

Këtë konflikt të shpallur ndërinstitucional e kanë bërë edhe më të ekspozuar deklarimet e menjëhershme, të drejtpërdrejta të ambasadorëve kryesorë të SHBA-së dhe BE-së në Tiranë.

E para ishte Ambasada Amerikane, e cila si kurrë ndonjëherë më parë ishte e drejtpërdrejtë në paralajmërimin dhe apelin tërheqës të qeverisë nga ky antagonizëm. Zëdhënësi i kësaj ambasade u shpreh: "Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore, dhe të pavarur, pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme". I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ambasadorëve të BE-së në Tiranë, në deklaratën e të cilëve ndër të tjera u tha: "Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend. Ne u bëjmë një thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është edhe llogaridhënia përballë ligjit".

Në fjalinë e fundit të citimit prej deklaratës së ambasadorëve të BE-së, theksohet detyrimi për respektimin e parimeve të mirëqeverisjes dhe nënvizohet se pjesë e tyre është "edhe llogaridhënia përballë ligjit".

Fjala e ambasadorëve, e artikuluar si kurrë ndonjëherë në një gjatësi vale, të shtyn të besosh se pista e konfliktit qeveri-prokurori nuk ka për të qenë e gjatë. Nuk ka arsye për të qenë apo për t‘u zgjatur si e tillë, pasi ajo ndëshkon së pari protagonistët dhe autoritetin e Kryeministrit Berisha. Këtë kosto të paralajmëruar, nga politikanët e pozitës deri tani, duket se, si rrezik potencial e vlerëson, së pari, oponenti i shfaqur brenda grupit parlamentar të PD-së, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Shqetësimi i tij dje, përmes mediave, iu adresua zgjuarsisht, sugjerimit të një piste tjetër ndërhyrëse. Zoti Mustafaj iu referua një autoriteti tjetër kushtetues, i cili mund të ndërhyjë, në këtë konflikt institucional. Mustafaj iu drejtua Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, për të ndërhyrë dhe për të "sheshuar" situatën e krijuar".

Për herë të parë, Mustafaj sugjeroi kujdesin që duhet të dëshmojë e djathta për ruajtjen e integritetit moral të së saj dhe për moseklipsimin e saj prej qeverisë e problemeve që ka qeverisja e kabinetit. Zërat e tjerë brenda shumicës qeverisëse janë ose të pamjaftueshëm, ose në një qëndrim oportun me vullnetin emotiv të Kryeministrit, ose, janë larg së qeni në një kontribut këshillimi të urtë. Madje, politikanët e tjerë të së djathtës që janë të përfshirë në koalicionin qeverisës, çuditërisht kanë heshtur dhe po shfaqin një lloj hezitimi, i cili favorizon më së tepërmi opozitën për vijim të mësymjes. Kjo heshtje ose mungesa e patosit për të qenë en-bloc me Kryeministrin, lexohet si pakënaqësi brenda llojit, si e mirëqenë afera e qeveritarëve dhe të afërmve të Kryeministrit me shtetasin e huaj "Fazliç", apo edhe si mentalitet i shprehur përmes shprehjes "prit të shohim një herë ç‘ka aty brenda"!

Eshtë bërë zakon që kur flasin në një gjuhë ambasadat në këtë vend, atëherë triumfon mendimi se qeverisësi nuk i ka mirë punët. Vendosmëria e Kryeministrit për thirrjen e hetuesve ndërkombëtarë për "çështjen Fazliç", është e ndërprerë prej disa itinerarëve diplomatikë të tij. Kjo do të thotë se në ditët e afërta, Kryeministri mund të improvizojë edhe versione të tjera kontestimi apo shmangieje me Kryeprokuroren Ina Rama. Sidoqoftë, në këto pauza, ai gjithmonë ka ditur të gjejë shmangie ndihmuese. Këtë gjë po ia përcjell për ta lexuar edhe e djathta, që ai zyrtarizon dhe që deri më sot jeton në respektimin e patronditur të vullnetit dhe vendimmarrjeve të tij. Udhëheqësia e kësaj së djathte, prej kohësh nuk e ka shijuar takimin në një tryezë bisedimesh me kryetarin e saj qeverisës.

Kryeministri e ka shmangur këtë, ndoshta për arsyen e mos-hapjes së orekseve për ndryshime në kabinet apo për të mos shpejtuar në kohë shantazhet dhe fjalët për skemën e re elektorale. Në ditët e afërta, kur sipas gjasave procesi "Fazliç" dhe hetimi i Gërdecit është i destinuar pashmangshmërisht të marrë dimensione të tjera akuzash, kundërakuzash dhe debatimesh, krerët e koalicionit të djathtë do të riulen përballë Kryeministrit me zëra e kërkesa të tjera. Ndërkohë që këto përplasje dhe deformime, që kanë ndodhur në komunikimin dhe bashkëveprimin institucional, këto akuza të bujshme që i drejtohen Kryeministrit dhe prishja e imazhit të investuar deri tani prej qeverisë së tij, do të pasohen me mbërritjen e raporteve kritike dhe me deklarimet ndërkombëtare, të cilat, më shumë se Kryemniistrin, kanë për të inkurajuar opozitarizmin dhe oponentët për ndryshim të qeverisë.

Nuk dihet se, si dhe sa, do t‘i mirëadministrojë zoti Berisha këta zëra. Ditët e vështira për të, kanë për kallauzë së pari të vetët. Sepse Kryeministri deri më sot nuk ka pasur nge për të lexuar dhe vlerësuar pakënaqësitë në familjen e tij politike, por ka shijuar vetëm bindjen nështruese, e cila sipas Havelit, e ka "betimin jetëshkurtër".


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama