Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kohe moratoriumesh, vella!

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 17 vite më parë

Agim Isaku
Kohe moratoriumesh, vella!

Kjo që do të tregoj, ka ndodhur jo më shumë se dy javë para lajmit për tragjedinë, që ndodhi në liqenin e Butrintit. Ngjarja zhvillohej në një prej brigjeve të Shqipërisë, jo dhe aq larg liqenit në fjalë. Ndërsa drekonim në një restorant të rëndomtë, dikush nga të pranishmit hodhi dyshimin karakteristik shqiptar, dhe jo vetëm shqiptar, në lidhje me freskinë e supozuar të peshkut që sapo na u servir.

-A është i freskët?

-Sapo ma sollën, u përgjigj pronari i lokalit hazërxhevap.

Ne u përpoqëm të shpjegonim se dyshimi ynë lidhej me faktin se para tre vjetësh ishte vendosur një moratorium nga qeveria, që e ndalonte lëvizjen në det të varkave me motor, gjë që kishte shkaktuar rrallimin e peshkut të freskët nëpër tavolina. Me këtë rast, madje, dikush kujtoi se në brigjet e Adriatikut kishte kohë që gjuetia e peshkut bëhej duke përdorur varkat plastike me pedale, që zakonisht përdoren për argëtim nga pushuesit.

Pronari i lokalit, ku po drekonim, nënqeshi djallëzisht.

-Shikojini vetë, tha duke treguar detin, sapo u nisën tre barkat për sot.

Dhe ishte e vërtetë: Nga gjiri po dilnin qetësisht tre peshkarexha me motorë për në det të hapur. Tymi i zi që linin pas turbullonte peizazhin që kishte filluar të ftohej në këtë pragdimri.

-Kjo është Shqipëria, vazhdoi sqarimin e tij pronari i lokalit me filozofinë e thjeshtë popullore: Të thotë shteti të mos bësh një gjë, mos e kundërshto, thuaj: "Si urdhëron!", pastaj kthe kurrizin dhe bëj siç ke bërë.

Biseda u soll rreth sa e sa "moratoriumeve" që na paskësh ndërmarrë qeveria "Berisha" ndërkohë. U kujtuan me radhë xhamat e zinj të makinave, bodiguardët e ministrave, "dietat", heqja e… shumëçkaje, posaçërisht pretendimi për një moratorium ndaj korrupsionit…


1.

Në të vërtetë moratoriumi si një instrument ligjor, i cili ndalon diçka që ligji vetë ta ka lejuar. Kjo ndodh zakonisht në momentin kur gjykohet se vetë aplikimi i ligjit në fjalë ka sjellë përkeqësim të situatës. Thënë ndryshe, moratoriumi është një mjet i ndërmjetëm, i përkohshëm, i cili synon përmirësimin e situatës së përkeqësuar përkohësisht nga tejkalimi i rasteve që sjellin një dëm shoqëror, prandaj edhe nuk aplikohet në këto situata anulimi i përhershëm i ligjit, apo ribërja e një ligji të ri të ndryshëm nga ai i pari. Është, thënë ndryshe, tepër i ngjashëm me "ngrirjen".

Rimarrja e pushtetit nga Berisha, tre vjet të shkuara, u shoqërua nga një frymë "revolucionare", e cila për shumëkënd nuk se ishte e paparashikuar. Në emër të parimit revolucionar komunist "Të shembim të vjetrën dhe në gërmadhat e saj të ndërtojmë të renë", Berisha zhbëri shumë gjëra, për ndërtimin e të cilave ishte harxhuar jo pak mund. E filloi me administratën publike. Njerëzit u flakën nga puna, jo vetëm sepse kishin qenë socialistë, por edhe sepse nëse kishin qenë "demokratë", paskeshin pranuar të punonin me socialistë dhe u zëvendësuan me militantë "të djathtë", pa asnjë kriter profesional. U shkatërrua kështu piramida e administratës publike, që nga themeli, dhe vetë autoriteti qendror i saj u zhvendos nga i pavarur pranë Kryeministrit, direkt nën "hyqmin" e ndihmësit të ministrit të Brendshëm. U rrënua shërbimi diplomatik. Projekte të rëndësishme zhvillimi për vendin, projekte për të cilët ishin harxhuar miliona, u bllokuan, u anatemuan si "vatra" korrupsioni dhe u deformuan deri në atë shkallë, saqë tani janë bërë thuajse të papërdorshëm. Zhvillimi i vendit, i cili kishte hyrë me shumë vështirësi në rrugën e përparimit harmonik, u ndërpre dhe emocioni i zuri vendin institucioneve. Komitetet ndërministrore që kishin prodhuar programe, u shkrinë duke u zëvendësuar nga një rreth miqsh të Berishës, më së shpeshti të afiluar pranë familjes së tij dhe, që në Tiranë thërriten "dream team", pasi, thonë gojët e liga, ç‘ëndërrojnë gjatë natës, e bëjnë realitet të nesërmen, pa përfillur as ligj, as rend.

"Epoka e moratoriumeve" kishte filluar.


2.

Shumëkush pat qeshur, me apo pa zë, kur Berisha "ngrinte" Filip Çakulin apo Spartak Ngjelën. Shumëkush e gjykonte se do të ishte e përkohshme kontradikta "ngrirëse" e marrëdhënieve me ish-Presidentin Moisiu. Pastaj me ish-kryeprokurorin Sollaku. Më tej me ish-ministrin e tij të Jashtëm, Mustafaj… e kështu me radhë. Konkluzioni: Të gjithë të ngrirët e dikurshëm, tani janë thjesht "ish"-apolitikë.

Madje, edhe Kushtetuta vetë, pas ndryshimeve, solli një disekuilibër, i cili ende ia vlen të analizohet, pasi është një disekulibër që ka prekur raportet mes institucioneve kryesore të shtetit. Zgjedhjet e ardhshme do të provojnë (Ajme!) se edhe ndryshimet e bëra në lidhje me të ashtuquajturën "reformë zgjedhore" në të vërtetë kanë ngrirë këtë proces demokratik, aq sa ishte, të kuptohemi. Dhe do të jetë shumë vonë atëherë, kur të dalë ambasadori i OSBE-së dhe, së bashku me të dërguarit e ODIHR-it, të na thotë se zgjedhjet sërish nuk i arritën standardet e lipsura…

Në një kuptim jo dhe aq figurativ, kjo është qeverisja e moratoriumeve dhe e ngrirjes së thellë. Institucionet janë ngrirë gjithandej. Shikoni rreth e qark: Instituti i Statistikave nuk guxon të prodhojë më asgjë dhe më së shumti është i zënë me përgënjeshtrime deklaratash politike. Po ashtu, është ai i mediave, ai i konkurrencës… Ambasadat kanë mbetur gjithandej pa ambasadorë, madje edhe ajo e Kosovës, për të cilën "qan" politika shqiptare. Korridoreve të ministrive fryn një erë e acartë spiunllëqesh dhe lojërash të fëlliqura. Ngrijnë e shkrijnë së bashku me projektligjet edhe vetë drejtorët, nëndrejtorët, mjekët e thjeshtë…

Syri i ciklonit, nga buron e kjo e ftohtë ngrirëse e autoritarizmit personal e klanor, ka sërish të njëjtin emër: Sali Berisha. Dhe rreth ftohmës që ai prodhon ringrijnë sërish Prokurorja e Përgjithshme, Presidenti që deri ndoca muaj më parë ka qenë vetëm vartësi i tij në po të tijën parti…


3.

Kjo "ftohmë moratoriumesh" nuk ka kursyer as opozitën. Vini re se si tingëllojnë deklaratat publike të kryebashkiakut Rama. Pasi "u ngri" në pranverë nga shpërthimi i Gërdecit dhe në prag të verës bëri ato ndryshime që bëri në Kushtetutë, përpiqet më kot të "shkrijë" tani, ca më shumë që jemi në prag të dimrit. Nuk është e vështirë të kuptohet se si fjalët që thonë nëpër tribuna janë krejtësisht të pamjaftueshme për të mbuluar "ftohmën" që ka marrë ky lidership nga bashkëjetesa aspak produktive - politikisht - me mazhorancën. Pretendimi se kjo marrëveshje bëhej në emër të realizimit të "reformave të mëdha" integruese, konkludoi thjesht dhe vetëm një broçkull, përderisa nuk u arrit as të bëhej regjistri zgjedhor, as reforma e titujve të pronësisë. Atëherë njeriu i ngratë me naivitet pyet: Përse kjo marrëveshje? Ku u bë? Kush përfitoi?

Shumëkush, por jo demokracia. Sigurisht, Shqipëria ca më pak.


4.

E, ndërsa anijet nisen për peshkim, le të shpresojmë që dikush nga ndonjë ambasadë t‘i shohë (mundësisht ambasada amerikane) dhe të bëjë ndonjë deklaratë, ku të mund të mbështetet opozita që i merren këmbët. Ca më shumë tani, pas asaj që ndodhi në Butrint dhe që sigurisht s‘mund të krahasohet me Gërdecin. Dhe të lutemi që ata që kthehen t‘i ndihmojë Zoti e të kthehen gjallë pranë vatrave familjare.

Dhe më kujtohet sërish fjala e të zotit të lokalit: Të thotë shteti të mos bësh një gjë, mos e kundërshto, thuaj: "Si urdhëron!", pastaj ktheji kurrizin dhe bëj siç ke bërë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama