Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Jetojmë në të shkuarën

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 17 vite më parë

Skënder Minxhozi
Jetojmë në të shkuarën

Në harkun e 48 orëve, dy ngjarje (pa ndonjë lidhje direkte mes tyre), na kanë kthyer në disa kujtime fort të trazuara. Vdekja e ish-kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede dhe rikthimi i Pollos në PD, lenë në ajër aromën e njohur të pluhurit që ngrihet pasi ke goditur fort me pëllëmbë mbi një rrobë a mobilie të vjetër që qëndron në një cep të errët prej vitesh. Të flasësh për Gazideden deri nga mesi i viteve ’90, do të thoshte të rrotulloje kokën për t’u siguruar nëse kishte apo jo njeri afër teje ...Ky gjest, më shumë pjellë e një hipnoze kolektive, sesa e ndonjë frike konkrete, lidhej me famën përgjithësisht negative e të diskutueshme që emri në fjalë pati fituar, pas shumë e shumë bëmash që shërbimet sekrete të kohës morën mbi vete. Kurse rasti i Genc Pollos, një ish-ndihmësi të Berishës, që në një moment të caktuar filloi të reklamojë publikisht se shefi i tij ishte njeriu më i keq e i pabesë i klasës tonë politike - ky rast pra, ka të bëjë jo edhe aq me frikën apo makthin e viteve ’90, sesa me paqëndrueshmërinë dhe pragmatizmin shpesh të neveritshëm të klasës politike shqiptare. E kjo, në të kundërt, është një sëmundje që vazhdon të mbijetojë e fuqishme dhe mbizotëruese edhe sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit.

Megjithatë, ajo që bën përshtypje dhe që i lidh dy rastet e mësipërme, të cilat nuk kanë në vetvete ndonjë afërsi me njëra-tjetrën, është ai përjetim në kufijtë e bezdisë, që vihet re në publik, teksa hasesh me këto dy lajme të lëshuara në ajër nga mediat elektronike dhe gazetat. Dhjetë vjet të shkuara, shërbimet sekrete shqiptare ishin delja e zezë e shoqërisë shqiptare. Përtej asociacionit të pashmangshëm me ish-Sigurimin e Shtetit dhe kujtimet e hidhura të policisë sekrete komuniste ndër shqiptarët, SHIK krijoi shpejt e shpejt famën e tij të keqe, me rolin thellësisht të manipuluar dhe të njëanshëm politik që luajti në favor të një pale. Një ceremonial i spikatur, që s’dihet në çfarë rregullash dhe manualesh protokollare bazohej, u organizua për të përcjellë Gazideden në banesën e fundit. I gjithë shteti u shkund për të marrë pjesë në mort. Pa u shprehur negativisht rreth kësaj teprie e pompoziteti të papritur, mjafton të kujtohet se ky lloj trajtimi nuk iu rezervua asfare, tre vjet të shkuara, një tjetër shefi të shërbimeve sekrete, Kujtim Hysenajt, një njeriu korrekt, profesionist dhe të ekuilibruar në detyrën që mbajti dhe në atë që bëri në jetë. Ky disproporcion, i shoqëruar me një gjuhë të vjetër e të ngarkuar me togfjalësha të tipit “rebelimi komunist”, zbuloi për një çast në mënyrën më dëshpëruese, se poshtë cipës së hollë të kohës që ka rrjedhur, ky shtet vazhdon të ruajë disa reflekse të vjetra që nuk nderojnë askënd. Të bësh fushatë politike në varrim nuk është diçka elegante, por ta bësh këtë fushatë me argumente si ai i mësipërmi, nuk është as elegante dhe as e mençur. Nderimi për njeriun që ikën nga kjo botë është gjëja më normale dhe humane. Por nderimi i vdekjes, si moment përfitimi politik, është një gjest jo fort i gjetur. Sidomos këto ditë, kur po flitet shumë për “kodin e vdekjes”, duke nënkuptuar atë që ndodhi me Kosta Trebickën.

Nga ana tjetër, paralel me këtë procesion mortor të çuditshëm, në vitrinën e politikës, tokja e duarve të dy ish-armiqve të dikurshëm Berisha-Pollo, vendos edhe një gur mbi pirgun e rëndë që i ka prerë rrugën çdo mundësie reformimi të të djathtës. Bashkimi i kauzave me Doktorin, sipas tezës së vjetër se Berisha është i vetmi “gjenerator” votash i së djathtës në Shqipëri, është një kontribut i keq për emancipimin e këtij krahu politik dhe për mbajtjen gjallë të alternativave politike e njerëzore, për momentin kur Berisha nuk do të jetë më protagonist në jetën tonë politike. Një ngjarje e tillë politike na thotë edhe një herë me kokëfortësi se Shqipëria, ose më mirë një pjesë e saj, vazhdon të jetojë e ngulur fort në të shkuarën e afërt. Atëherë kur nuk dinim të përdornim as lirinë, as shtetin, as ligjet dhe as shanset që na ofroheshin. Gazidede gjeti prehjen, Pollo gjeti partinë, kurse ne na u duk se pamë edhe një herë një film të vjetër bardh e zi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama