Ata që e kanë vizituar, qoftë edhe një herë të vetme, bregdetin e Orikumit në Vlorë, do të jenë ndjerë padyshim të trishtuar, në rastin më të mirë, kur të mërkurën kanë parë nga ekrani i televizorit se si sipërfaqja e ujit ishte e mbuluar tërësisht me mbeturina të gjithëfarëllojshme. Shishe plastike, kanoçe, bidonë të përmasave të ndryshme, qese, e deri edhe goma makinash, lundronin në sipërfaqe të ujit. Ky imazh shtrihej përgjatë tërë sipërfaqes se ujit, nga bregu i Orikumit deri në Karaburun, në dhjetëra kilometra katrorë. E gjitha kjo sasi mbeturinash ishte sjellë në det nga vërshimi i përrenjve që vijnë nga fshatrat dhe derdhen në gji. Padyshim që deti, si një nikoqir i mirë, nuk do i mbajë për vete ato mbeturina, por dalëngadalë do të na i kthejë neve në breg, për të na i bërë peshqesh për sjelljen e pahijshme ndaj mjedisit tonë.
Reshjet e dy ditëve të fundit shkundën nga gjumi i gjatë lumenjtë e përrenjtë, të cilët vërshuan duke marrë me vete të gjithë sasinë e mbeturinave që ishin hedhur për muaj me radhë në fshatra e qytete, nga banorë e biznese, lokale e punishte. Në të gjitha grykëderdhjet e lumenjve ka qenë një situatë e rëndë mjedisore. Ata morën me vete dhe dërguan në det tonelata të tëra me mbeturina, që në zonat rurale as nuk përpunohen e as nuk grumbullohen, por thjesht hidhen ku të munden dhe destinacioni më i shpeshtë janë pikërisht shtretërit e lumenjve dhe përrenjve. E gjithë kjo sasi mbeturinash do të rikthehet sërish në brigje, në ato brigje ku ne do të duam të pushojmë në verë dhe madje të joshim edhe të huajt të vijnë këtu, për të bërë të njëjtën gjë.
Imazhet tronditëse të Orikumit tregojnë se kjo çështje nuk është më një çështje ambientalistësh, që qeveritë janë të prira t‘i neglizhojnë. Ajo është një çështje shumë serioze dhe me përmasa kombëtare.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk i përpunon mbeturinat dhe ndoshta ndër të paktët në botë që, në pjesën më të madhe të territorit, nuk i grumbullon fare ato. Edhe pse pa viktima, kjo çështje është më e rëndë se tragjeditë e tipit Gërdec, ndaj duhet në mënyrë urgjente të marrë vëmendjen e qeverisë. Nuk mund të flitet më për rritjen e nivelit të ndotjes, por për një vend që po qelbet në mënyrë masive. Me sjelljen barbare ndaj mjedisit dhe pasurisë kombëtare, me shkatërrimin e pyjeve dhe lumenjve, (pasojat e para të kësaj janë pikërisht përmbytjet masive që u dëshmuan edhe nga shirat e dy ditëve të fundit), me ndotjen masive të parqeve turistike dhe bregdetit, ne po vëmë seriozisht në dyshim mundësinë e jetesës normale në këtë vend, në një të ardhme jo shumë të largët. Një vëzhgim i thjeshtë i bregdetit, nga Velipoja deri në Sarandë, të tregon se si të gjitha zonat pyjore dhe brezi ranor janë mbushur me mbeturina, të hedhura aty në mënyrë sistematike nga njerëzit, të cilët i kanë shfrytëzuar për pushime ditore këto mjedise të natyrës.
Në këto kushte, ne mund të pyesim shumë seriozisht se çfarë po i bëjmë këtij vendi, i cili nuk është vetëm i yni, por edhe i atyre që do të lindin e jetojnë këtu pas nesh? Po kaq tragjike sa kjo situatë është edhe heshtja e autoriteteve qeveritare, qendrore e lokale. Partitë thuajse e kanë nisur garën për zgjedhjet e përgjithshme, por këto çështje deri tani nuk janë përfshirë në menynë e tyre elektorale. Pas një viti, ne do të jemi anëtarësuar në NATO, pas disa vitesh do ta kemi zgjidhur edhe ngërçin e KQZ-së, do të kemi plotësuar më shumë standarde të demokracisë dhe, pas dhjetë vjetësh mund të jemi edhe anëtare të BE-se. Pasi të kemi zgjidhur këto çështje politike, ne do të kthejmë kokën pas për të parë se ç‘kemi bërë. Dhe ajo që do të shikojmë do të jetë fatale për të ardhmen e këtij vendi. Ne nuk do të kemi më sipërfaqe pyjore të shfrytëzueshme (deri tani mendohet se është shkatërruar 80 për qind e saj), nuk do të kemi më parqe kombëtare (Lura është shkatërruar sikur të ishte pushtuar nga një ushtri barbare e Mesjetës). Ne do të kemi më pak tokë bujqësore, pasi çdo vit ajo pushtohet nga ndërtimet. Do të kemi një sistem lumor jashtë kontrollit nga dëmtimi i shtretërve dhe pasojat do të jenë katastrofike për mijëra familje, të cilat që sot përmbyten edhe nga vërshimi më i zakonshëm i ujërave. Bregdeti do të jetë pushtuar nga mbeturinat, duke i bërë shumë zona të pashfrytëzueshme për pushime.
Atëherë, ne të gjithë do të përpiqemi t‘i zgjidhim këto probleme. Do të kujtohemi të vendosim kontejnerë mbeturinash edhe në fshat, do të forcojmë ligjet dhe do ta gjobisim rëndë pronarin e një restoranti, që i shkarkon mbeturinat në kanalin pranë lokalit, do të ndëshkojmë shoqëritë që masakrojnë pyjet dhe të penalizojmë edhe qytetarët që hedhin mbeturina në lulishte apo në rrugë. Por të jemi të sigurt, do të jetë shumë vonë dhe nuk do të na mbetet gjë tjetër, veçse të presim mallkimin e gjeneratës së re që do ta ketë më të vështirë të ndërtojë këtu një jetë më të mirë dhe ta bëjë këtë vend më të begatë, i cili do të ketë shumë më pak pasuri.
Jemi bërë vërtet për të ardhur keq si komb. Në një kohë kur në Atdheun tonë lumenjtë e mbeturinave vërshojnë drejt deteve, në fqinjin tonë verior, një popull fare i vogël ia ka dalë të jetë më i edukuar e më i disiplinuar. Ata kanë rrugë të pastra, lëndina të pastra dhe bregdet të pastër. Ata janë më të qytetëruar, edhe pse nuk janë më të lashtë e më autoktonë se ne në këto brigje. Ata janë më qytetarë, sepse dinë të jetojnë në mënyrë më higjienike dhe dinë të ruajnë dheun ku u ka rënë për pjesë të jetojnë. Dhe kështu janë të gjithë popujt e Evropës, përveç nesh.