"Ju kërkoj ndjesë, por m‘u desh të vija rrotull për të gjetur një vend parkimi" - ja, ky është një shfajësim cliché tanimë për të gjithë ata, të cilëve të qenit vonë në një pikëpjekje u është bërë një huq. "Më falni, por ngeca në trafik" - është një formë tjetër e të njëjtit shfajësim. Trafiku në Tiranë ka kohë që është çmendur, dhe kjo ka bërë, që llogaritja e kohës për të arritur diku të bëhet me një "formulë" të ndryshme nga formula që kemi shtënë në punë deri më sot; d.m.th. tani duhen futur në punë një numër koeficentësh e korrektorësh, madhësinë e të cilëve askush nuk mund ta njohë. Ndonjë radio ka zënë të japë informacion mbi trafikun e rënduar në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, por duket që kemi të bëjmë thjesht me një tentativë për të shkërbyer modele të Perëndimit "lozonjar e nazik". Nevoja pra për një informacion të kësaj natyre ende nuk është kuptuar (si nga agjencitë e informacionit, ashtu dhe nga qytetarët), si një nevojë jetike.
Trafiku nëpër rrugët e Tiranës është një nga pak simptomat e modernitetit në Shqipëri. Dua të them, se në këtë drejtim ne nuk i lëmë asgjë mangët Parisit, Londrës, Romës e qendrave të tjera metropolitane të Europës e të botës. Rrugët e kryeqytetit tonë janë të mbushura dingas e në çdo orë të ditës me makina. Veçse në ndryshim nga metropolet e tjera, për të njëjtin densitet makinash në të njëjtën sipërfaqe rruge, kaosi urban në Tiranë është shumë më i madh, gjë që shkaktohet nga mungesa e një sistemi të shtrirë semaforësh e sinjalesh, nga mungesa e vendeve për të parkuar, gjë që sjell parkime të pafundme paralele me korsitë e parkimit, nga punimet e zgjatura në kohë, që bëhen qoftë për të ndrequr rrugë të amortizuara, qoftë për të rindërtuar nga e para rrugë të prishura, nga ngecjet në rrugët e brendshme, ku rrugët luajnë rolin e trotuareve e ku trotuaret luajnë rolin e rrugëve, nga edukata e keqe në grahjen (në vozitjen, do të thoshin kosovarët) e makinave, nga edukata e keqe e këmbësorëve, të cilët u bien rrugëve mes përmes aty ku i zë hera, e nga ai lloj çrregullimi që shoqëron në mënyrë fiziologjike të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një rend funksional gjërash.
Një miku im po më thosh këto ditë, se "mendohem një copë herë përpara se të nxjerr makinën; shpesh herë nuk e vlen barra qiranë; është më mirë të dalësh pa makinë". Këtë gjë bëj dhe unë. Sapo del nga garazhi i kateve nëntokësore të duhet të ndeshesh me një varg makinash që mezi lëvizin në ato rrugicat që të nxjerrin në akset kryesore, trotuaret e të cilave (të rrugicave) janë ngrënë në mënyrën më të zellshme e sistematike në harkun e viteve të fundit prej ndërtimeve kuturú. Gjithçka ka ndodhur, jo vetëm nën vështrimin e pafuqishëm të institucioneve legale të pushtetit lokal e qendror, por edhe me lejen e këtyre të fundit. Dhe kështu, pothuaj të gjitha rrugicat me vetëm një kalim të Tiranës janë pa trotuare. Aty ecin njerëzit, aty luajnë fëmijët, aty shiten perime, fruta, plaçka për t‘u veshur e çikërrima të tjera, aty janë kazanët e plehrave, aty parkojnë dhe aty shkojnë e vijnë në të dy drejtimet makina, të cilat një dreq e di se si gjejnë shteg për të çarë përpara apo për t‘u këmbyer me njëra-tjetrën. Është një situatë që të nervozon e të stress-on, e për këtë arsye, ne shqiptarëve kot na mbajnë për njerëz gjaknxehtë, durimpakët e aspak mirëkuptues; nuk duhet të jetë kështu, përderisa ia dalim të presim plot durim t‘u dalë ngeja të tjerëve, të mirëkuptojmë furacakët e trasgresivët, e të bëjmë negociata vështrimesh me këdo që hasim në këto dhiare urbane.
Me të dalë në rrugët kryesore, trafiku duket më i rregulluar. Por vetëm duket, amá, pasi praktikisht edhe aty mbretëron kaosi. Në gjithë gjatësinë e rrugëve zatetesh me makina të parkuara njëra pas tjetrës në një korsi të dytë ilegale, të cilat, për të ngushëlluar të tjerët me idenë e një parkimi emergjent apo të përkohshëm, lënë të ndezura në të dyja anët dritat e bllokazhit. Kjo sjellje (ky zanat, do të thosh gjyshja ime) e ngushton sa s‘ka ku të shkojë grykën e shkarkimit të trafikut, gjë që ta bën daljen me makinë nëpër rrugët e Tiranës hëm të kushtueshme, hëm të mundimshme, hëm të mërzitshme.
Dikush mund të dalë me idenë, se "hajt mo, do bëj si do bëj", por problemi më i madh mbetet parkimi gjatë atij intervali, në harkun e të cilit ty të duhet të dalësh nga makina. Nuk ke nga t‘ia mbash. Është e vështirë të gjesh hapësirë edhe në vendet e parkimit me pagesë (magazinat e mëdha, qendrat tregtare, hotelet me shumë yje, bar-restorantet në periferi të qytetit), të cilat kanë filluar të gjuhen edhe nga njerëz që duan t‘i gjejnë vend makinës, e jo të blejnë gjësend. Është e qartë për të gjithë se ndërtimi i parking-jeve të mëdha përbën një përparësi të rëndësishme të jetës metropolitane. Në mos, trafiku do të bëhet gjithnjë e më i rënduar, për të ardhur te dita, në të cilën trafiku do të jetë i pamundur. Përfytyroni se ç‘mund të ndodhë pas - le të themi - dhjetë vitesh, kur numri i makinave do të trefishohet apo katërfishohet (sot për sot, vetëm një në dhjetë qytetarë ka makinë)! Edhe pse strukturat shtetërore të kontrollit të trafikut mund të marrin masa për ndalimin e përdorimit të makinës sipas qejfit (kjo nuk do të jetë një zgjidhje fort e pranueshme në kushtet, kur shërbimi i transportit urban është e do të jetë për faqe të zezë), asgjë nuk do të ndryshojë në pamjen e metropolit me rrugë të mbyllura nga të gjitha anët. Kjo të shërbejë për t‘i bërë njerëzit të kthejnë sytë nga biçikletat? Si zor të ndodhë kështu me ne shqiptarët, që na i ka ënda shumë të ngrefosemi nëpër makina. Ajo që mund të ndodhë do të jetë një gjë tjetër: Tirana do të shndërrohet në një qytet krejt të pabanueshëm, dhe është pikërisht kjo situatë e pritshme, me të cilën ne duhet t‘i bëjmë hesapet qysh tani.