Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa punë për Gjykatën Kushtetuese

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Sa punë për Gjykatën Kushtetuese

Institucioni që duket se ka më shumë punë pas qeverisë mbetet të jetë Gjykata Kushtetuese. Qeveria propozon ligje, Parlamenti i miraton dhe Gjykata Kushtetuese i rrëzon. Thuajse të gjithë ligjet më të rëndësishme të kësaj shumice që kanë synuar të prekin sistemin shtetëror në pushtetet kryesore, d.m.th të gjithë ligjet që politikisht janë shpallur si ligje reformuese të sistemit janë rrëzuar ose pjesërisht, ose integralisht. Shumë prej vendimeve të shpallur me bujë si shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm, shkatërrimi i mbikalimit të "Zogut të Zi", gjithashtu janë konsideruar si antikushtetuese. Pritet të diskutohen në këtë Gjykatë ligji i lustracionit, vendime të ndryshme të qeverisë për tregun e hidrokarbureve etj., etj. Janë disa mesazhe që dalin prej kësaj që ndodhi me të ashtuquajturin ligj për legalizimet, ndoshta dështimi më i rëndë i kësaj qeverie në përplasjen e saj me Gjykatën Kushtetuese.

E para, që kësaj shumice praktikisht i mungon vetëdija kushtetuese. Të rrëzohesh për ligje, vendime shkarkimi të krerëve të institucioneve kushtetuese, kaq shpesh nga Gjykata, nga Presidenti për motive kushtetuese, dy institucione që nuk mund të konsiderohen si të rrjedhur nga opozita, tregon që në momentet e hartimit të këtyre ligjeve dhe vendimeve, ka munguar konsultimi me ekspertët ligjorë, me grupet e interesit, një lloj kontrolli preventiv që do të kursente shumë energji politike të derdhur në procesin e miratimit. Dihet se kjo shumicë dikur opozitë nuk e miratoi Kushtetutën aktualisht në fuqi, por ama kjo nuk do të thotë se mund ta injorojë me kaq lehtësi siç po bën sot.

Së dyti, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese shënon praktikisht goditje për njërën nga reformat kryesore të kësaj qeverie, atë të vendosjes së rregullit në kontrollin e territorit apo pronësinë e tokës. E ashtuquajtura reformë në këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë, e shpallur me bujë, praktikisht goditet në disa prej shtyllave kryesore të saj, ku më e rëndësishmja është ajo mbi kompetencat e ALUIZNI-t, që sipas vendimit duhet t'i mbeten pushtetit vendor. Efektet në rast të zbatimit të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese do të jenë praktikisht fatale jo thjesht për ligjin, por për institucionin kryesor përgjegjës për reformën, ALUIZNI-n, njëlloj enti mastodontik të shtrirë në territor, i cili ka shërbyer veç të tjerash për të punësuar militantë të ndryshëm të Partisë Demokratike. E pra të goditesh për një reformë kaq themelore nuk ka efekte thjesht elektorale, sepse prek një numër të madh votuesish. Ajo tregon kapacitete të kufizuara hartuese të ligjeve në një pjesë të rëndësishme të elitës politike. Është shkruar më parë se 8 vitet e qëndrimit në opozitë nuk kanë shërbyer për të mësuar artin e qeverisjes, por thjesht për protestuar apo rrëzuar qeveri, por ky rast është dëshmi shembullore e kësaj paaftësie shtetformuese apo shtetndërtuese.

 E gjitha kjo bëhet më e qartë po të analizosh historikun e miratimit të këtij ligji. U njoftua me bujë asistenca e një figure me rëndësi ndërkombëtare si Hernando De Soto, por ai as u duk më në viset tona për të shpallur sukseset e reformës, e cila modifikoi shumë prej parimeve të tij. Ndërkohë u sakrifikuan dhe figurat pranë kryeministrit që i dhanë formën e parë projektit të ndryshuar ndjeshëm më vonë. Nëse shikon dhe afatet e premtuara në programin e qeverisë apo në promovimet e ndryshme me tapi në dorë si në vitin 1946, atëherë kupton se është dështuar me shumëçka dhe se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ishte thjesht goditja e radhës.

Së treti: akti i fundit i kësaj Gjykate, në fakt, legjitimon praktikisht të gjithë ankesat e një kategorie të rëndësishme shoqërore në Shqipëri, siç janë ish-pronarët. Ajo i jep krahë opozitës, e cila kishte nisur të zbatonte një ligj tjetër në fushën e pronësisë së tokës në qytet dhe fshat, ligj që gjithashtu ishte i kontestuar prej ish-pronarëve, të cilët ndihen të papërfaqësuar praktikisht dhe kjo mund t'i japë hapësirë një force të re politike që mund të shpallet si e djathtë dhe mbrojtësja e interesave të tyre. PD-ja duhet të harxhojë shumë energji për të riafruar këtë kategori votuesish.

Së katërti. Ka ardhur koha që ligje të kësaj natyre të miratohen me konsensus. Reforma e territorit që pritet të miratohet në Parlament me një ligj tjetër në fakt, ai i pronësisë së tokës kërkojnë domosdoshmërisht një shumicë me natyrë kushtetuese. Mund të jetë e drejtë se institucionet e pushtetit lokal janë treguar të pafuqishme të kontrollojnë abuzimet me territorin, ndaj ishte e nevojshme të krijohej një agjenci qendrore përgjegjëse për të korrigjuar sadopak abuzimet shumëvjeçare të toleruara prej dy palëve. Por nuk mund të cenosh një parim kushtetues apo të fiksuar në dokumentet ndërkombëtare si Karta e Autonomisë vendore nëpërmjet një ligji të zakonshëm. Ky konstatim qëndronte në themel të vendimit të fundit të Gjykatës dhe praktikisht ilustron thelbin e të gjithë ndërmarrjeve shtetrrënuese të kësaj shumice: kapërcimin e parimeve kushtetuese nëpërmjet ligjeve të miratuara me shumicë të zakonshme. Ndërkohë kushtetutat ndërrohen vetëm me shumica kushtetuese!

Së pesti. Arritja e një shumice kushtetuese për reformat duhet të jetë pjesë e një procesi të madh pajtimi midis palëve politike në Shqipëri. Deri më sot palët politike kanë rënë dakord për kode zgjedhore, ndryshime të pjesshme kompetencash të institucioneve, por jo për reforma të kësaj natyre, siç është pronësia mbi tokën, legalizimi i ndërtimeve pa leje etj., etj. Deri në qershor kur janë zgjedhjet partiake mbetet pak kohë. Palët do të lëkunden midis dëshirës për t'u dukur të mbarë ditën e pranimit të Shqipërisë në NATO, dhe nxjerrjes së thikave ndaj njëri-tjetrit në një fushatë jetike për krerët më të lartë të politikës. Pra, ka pak gjasa që të kërkohen apo arrihen konsensuse. Ndaj Gjykata, me gjithë presionin e qeverisë do të ketë përsëri punë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama