Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pushteti i analisteve dhe mllefi ndaj tyre

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Pushteti i analisteve dhe mllefi ndaj tyre

Nuk është e zorshme të vësh re një zemërim të madh të ca shqiptarëve, që derdhet pa pushim mbi komentatorët e shtypit shqiptar; apo me fjalë të tjera, mbi ata gazetarë që rreken të krijojnë opinion në këtë shoqërinë tonë; apo me fjalë të tjera akoma, mbi ata që prej kohësh ushtrojnë profesionin e "analistit". Madje, ky term i fundit është bërë objekt përqeshjesh e vetpërqeshjesh. Më kujtohet që vite më parë, në një shkrim të vetin, Ardian Klosi zbrazte gjithë cinizmin dhe ironinë e tij djegëse mbi këtë profesion të ri, dhe e bënte këtë gjë pavarësisht nga fakti - ose ndoshta pikërisht nga fakti - që për shumë të tjerë ai ishte dhe është gjithashtu një analist (duhet thënë se Klosi e kish me emërtimin, e jo me ushtruesit e zejes së opinion-bërjes). Po kështu, nuk kanë munguar të tallen me zejen e tyre edhe analistë të tjerë, një pjesë e të cilëve e kanë bërë këtë ose për të distancuar vetveten nga skota e analistëve namzinj, ose për të denoncuar përmasën diletanteske të dhjetëra të tjerëve, që marrin poza analisti nga lartësia e të përditshmeve me ndikim periferik.

Por vreri masiv kundër analistëve nuk ka të bëjë me aradhën e amatorëve, të cilët - të rrimë shtrembër e të flasim drejt - nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përmbushin nevojën e gazetave të reja për të pasur gardën e tyre të opinionistëve. Vreri më i madh derdhet në radhë të parë mbi "kuajt e racës", mbi ata që kanë pushtuar skenat e foltoret po aq sa dhe - në mos, më shumë se sa - politikanët e rëndësishëm të këtij vendi, mbi ata që, jo vetëm kanë pushtet "spiritual" mbi zgjedhësit, por dhe akses të jashtëzakonshëm te pushteti "temporal", mbi ata që përgojohen e përfliten me po atë pasion, me të cilin përfliten e përgojohen të zgjedhurit nga populli.

Ç‘është ky vrer? Si shpjegohet? Ku e ka burimin? Në radhë të parë duhet thënë se, ky goxhá vrer vjen për të balancuar e rivalizuar popullaritetin e këtyre analistëve, që u bë evident në harkun e një periudhe disavjeçare; dhe e gjithë kjo ndodhi në një masë të madhe, për shkak të zhvillimit të vrullshëm të televizioneve. Të gjithë duhet t‘i paguajnë një taksë suksesit, popullaritetit, vizibilitetit, pushtetit. Gati-gati, analistët u bënë një autoritet shtypës e bezdisës, gjë që në fakt ndodh gjithmonë me autoritetet, qofshin këto të fundit edhe të virgjëra apo të shenjta. Sigurisht, në të shumtën e kohës, analistët kanë kryer edhe funksionin e "watch-dog"-ut, dhe ky shërbim u është njohur kohë pas kohe prej opinionit publik; por kjo nuk i ka penguar segmente të këtij opinioni të shfryjnë kundër përmasës okupatore të këtij autoriteti. Madje, nuk kanë nguruar që këtë qasje okupatore ta shohin edhe si një qasje uzurpatore, e në këtë pikë duhet thënë se e kanë gabim gjithë ditën e ditës.

Gazetarët, intelektualët, artistët, e në përgjithësi të gjithë ushtruesit e profesioneve të lira, nuk janë kurrsesi uzurpatorë; suksesi i tyre individual dhe ndikimi e autoriteti i tyre publik janë produkt i forcës së tyre në një botë të iniciativës së lirë e të garës me rregulla. Po, është e vërtetë që gara në Shqipëri bëhet pa rregulla të qarta, por edhe në këto rrethana nuk mund të ndodhë që ndonjë çetë analistësh të ketë fuqi për të uzurpuar foltoret televizive apo kolonat e gazetave. Kush është në treg nuk i ka zënë vendin askujt tjetër. Kush nuk është, duhet të bëjë përpjekje të jetë. E nëse s‘ia del dot, duhet ta kërkojë fajin te vetja, e jo te ndonjë bandë uzurpatorësh të hamendësuar.

Por le t‘i lëmë qaramanët e le të vijojmë të merremi me dukurinë e fillimit, d.m.th. me mllefin kundër analistëve. E gjen këtë mllef në rrugë, nëpër faqe gazetash, nëpër web-site, nëpër blog-je; e gjen te denigrimet en bloc, por e gjen dhe te "kryqëzimet" individuale që u bëhen analistëve. Ndonjëherë të krijohet përshtypja se ca e ca, më shumë se sa ata që administrojnë punët e paratë tona publike për qëllime private, kanë zët sojin e analistëve. E teprojnë? Sigurisht që e teprojnë, dhe në këtë mes mund të jenë të motivuar në mënyrat më të ndryshme. Por pasi të heqim teprimin, aty me siguri do të mbetet diçka. Dhe kjo diçka ka nevojë të shpjegohet.

Nami i mirë i analistëve është lënduar më së pari e më së shumti nga spërdredhjet politike të një numri syresh. Kjo ka ardhur, ngaqë qëndrimet e tyre i ngrenë mbi marrëdhëniet sezonale me udhëheqës të caktuar apo me qendra të caktuara pushteti, prej të cilave vjelin dhe frytet, por nga ana tjetër ka ardhur edhe prej një qasjeje amorale në gjithë jetën e tyre, aq sa mund t‘u jenë bërë barrë edhe vetë padronëve të tyre politikë (gjithashtu amoralë).

Së dyti, një numër analistësh zënë bajagi vend në skenën publike. Sigurisht, nuk ka një matës të vendit që duhet të zërë secili në këtë skenë, por merret vesh se shfaqja e përditshme në ekranet e TV-ve dhe ligjërimi prej kompetenti për të gjitha çështjet e kësaj bote janë një teprim. Kemi rënë të gjithë në grackën e tundimit për të folur çdo ditë e - sidomos - për të folur për gjithçka, por janë ca që nuk arrijnë fare të shquajnë se në këtë mes ka një grackë të ngritur.

Së treti, është sjellja prepotente. Kjo vjen natyrshëm edhe prej reagimit të fortë ndaj një politike gjithë ditën prepotente, por me sa duket, publiku nuk ta fal një sjellje të tillë, gjë që e kam provuar mbi shpinën time. Kur ka qëlluar që të demonstroj arrogancë në punën që bëj nuk është se jam gjendur vetëm nën sulmet e pamëshirshme të atyre që më shohin me antipati; përkundrazi, më kanë shprehur mosmiratimin e tyre edhe miq të mi, apo njerëz që janë afër (me mua) në ide e qëndrime.

Së katërti, ngaqë janë pjesë e një sistemi që funksionon keq, apo që nuk funksionon fare. Mendimi që ekziston për analistët është pak a shumë ky: "Ata e kritikojnë establishment-in drejtues (në fakt, sundues), por e bëjnë këtë duke dhënë e duke marrë me këtë establishment. Ata e denoncojnë këtë rend gjërash, por janë aty, jo vetëm pjesë e rendit në fjalë, por edhe gjeneratorë e parzmore të tij. Ata kritikojnë tyccon-ët mass-media-tikë, por marrin rroga të majme prej tyre; ata kritikojnë botën e biznesit informal, por janë të lidhur me këtë biznes me dhjetëra fije e për dhjetëra qëllime; ata kritikojnë një numër politikanësh, por u shërbejnë ca politikanëve të tjerë; e kështu me radhë. Kritika që ata bëjnë është thjesht maska e mëkateve të tyre, të cilat janë po ato të establishment-it në komandë të gjërave, d.m.th. korrupsioni, arroganca, mentalitetet hëm tribale, hëm bolshevike etj., etj".

Së pesti, soji i analistëve është i komprometuar nga nënsoji i shkarrashkruesve vulgarë, të cilët nuk heqin fare për të gjetur hapësirë në shtypin e përditshëm shqiptar. Një pjesë syresh ia dalin mbanë të zënë herë pas here ndonjë qoshe në studiot e sallonet televizive, e për rrjedhojë qëllon që ky nënsoj zë e përfaqëson në një mënyrë a në një masë të caktuar edhe vetë sojin.

Duhet të pajtohemi me këto xanxa lexuesish? Pjesërisht po, por duke mos ua vënë veshin atyre lexuesve talebanë, të cilët i bashkohen korit të mësipërm veç për një arsye: ata nuk e kanë me analistët; ata e kanë me mendjet e pavarura e me shpirtrat e lirë. Ky soj lexuesish urren pjesën e mirë të botës së analistëve.

Ndërsa pjesa tjetër e lexuesve, edhe pse ka të drejtë në një numër "objections", bën mirë të mos harrojë - sipas meje - dy gjëra: Së pari, nëse e besojnë atë shprehjen që thotë se "çdo popull ka atë qeveri që meriton", nuk kanë arsye të presin që gazetarët të mundin xanxat e shoqërisë së tyre e të dalin mbi këtë shoqëri. Së dyti, sëmundjet e opinionistëve shqiptarë janë identike - në një shkallë të ndryshme, kuptohet - me ato të opinionistëve të vendeve të tjera, të cilët po ashtu demonstrojnë arrogancë, praní kabá në skenën publike, qasje kongjeniale ndaj establishment-it drejtues, qëndrime servile ndaj politikës e politikanëve etj., etj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama