Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zogby dhe klima e dyshimit ne politiken Shqiptare

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 16 vite më parë

Mustafa Nano
Zogby dhe klima e dyshimit ne politiken Shqiptare

-Pse nuk i ndërtuat komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve me njerëz ekspertë e teknikë? - pyeta para ca kohësh një prej deputetëve, që u morën drejtpërdrejt me hartimin e kodit të ri zgjedhor.

-Njeh ti ndonjë person, i cili të jetë emëruar në një post institucional për shkak të kompetencave prej eksperti, e të mos jetë etiketuar e sulmuar (në mos, sjellë) më pas si militant? - iu përgjigj ai pyetjes me pyetje. E pas kësaj vijoi të më bënte listën e të gjithë personave apo personaliteteve me karrierë institucionale, të cilët janë emëruar diku ose/edhe për shkak të ‘know how‘-ut, ose/edhe për shkak të asnjanësisë apo korrektesës politike, e të cilët janë larguar nga postet e tyre me një damkë blu të vënë nga rozët, apo me një damkë rozë të vënë nga blutë. Dukuria ilustrohej në mënyrë edhe më dramatike me rastet më të freskëta, të cilat na risjellin në mendje faktin, që emra e persona të caktuar janë sulmuar egërsisht nga po ajo palë politike, që në ndonjë rrethanë i ka zgjedhur për inat të palës tjetër (fjala vjen, Bamir Topin), e në ndonjë rrethanë tjetër është bërë tok me palën kundërshtare për t‘i dhënë një mbështetje entuziaste (fjala vjen, Ina Ramës).

Nuk është se më kish dalë nga mendja lista e gjatë e personave fillimisht të zgjedhur plot hare në krye të institucioneve të ndryshme, e më pas të baltosur e të anatemuar. Kjo listë fillon me Zef Brozin e Maks Haxhiajn, vijon me Rexhep Meidanin, Fatos Klosin, Ilirjan Celibashin, Alfred Moisiun, Albert Rakipin, e përfundon me Theodhori Sollakun e me emrat që sapo u përmendën pak më sipër (janë të gjithë njerëz, të cilët kanë qenë në krye të institucioneve, e të cilët janë emëruar/ sulmuar nga të dy krahët). Nuk më kishte dalë gjithashtu nga mendja se të gjithë këta kanë qenë zgjedhur me besimin, që do të silleshin si shërbëtorë të njërës apo tjetrës palë politike, e se janë sulmuar më pas, ngaqë e kanë tradhtuar këtë besim.

Por nga njëra anë përvojat e suksesshme të vendeve të ndryshme, e nga ana tjetër një dëshirë naive për ta hequr nga duart e politikës grindavece timonin e procesit delikat zgjedhor, më mbanin të lidhur pas idesë fikse, se shpëtimi gjendet te komisionerët jopartiakë. Mirëpo, e kam pasur gabim; nuk është tamam kështu. Nuk është thjesht çështje komisionerësh. Kudo gjetkë, zgjedhjet e lira e të ndershme bëhen të mundura në saj të tre parakushteve. Së pari, pushteti kërkohet për të qeverisur vendin, e jo për të plaçkitur. Rrjedhimisht, pushteti është përgjegjësi, e jo qejf o qejf. Është kjo rrethanë që e çdramatizon humbjen dhe e ngushëllon humbësin; është po kjo rrethanë, që e bën të pakuptimtë sublimimin e fitores apo heroizimin e fituesit. Së dyti, gjetkë ka një kulturë institucionale shembullore. Kjo do të thotë se kur flasin institucionet (edhe në thënçin gjëra të gabuara), gjithë të tjerët heshtin (edhe në paçin të drejtë). Dhe këto institucione mund të jenë dhe elektoralë (KQZ-ja, Kolegji Zgjedhor etj). Së treti, gjetkë ka një kulturë të besimit te sho-shoqi, apo tek agjentë të tjerë të jetës politike e extrapolitike.

Po të adoptonim formulimin cliché të teoremave të matematikës, do të mund të thoshim se kusht i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme është të plotësohen këto tre parakushte, të cilat në një formë më të shkurtuar janë: 1. lufta për pushtet nuk është një luftë për jetë a vdekje, 2. një ligj apo një institucion nuk mund të rivalizohet nga asnjë vullnet human, dhe 3. asgjë nuk ka kuptim dhe asgjë nuk është e mundur të realizohet në një klimë të dyshimit.

Po ndalem te kjo e treta, dhe për këtë po marr shkas nga medemek debati që po bëhet lidhur me sondazhin e kompanisë "Zogby". Është një histeri që na nxjerr qesharakë në sytë e botës, po aq - në mos ca më shumë se - sa histeria kundër librit "Skënderbeu" të historianit Olivier Jens Schmitt. Dhe është për të ardhur keq që këtë histeri e kanë ngritur njerëz të njohur të politikës e të shtypit, të cilët me këtë rast nuk po lënë idiotësi pa thënë. Ca e ca nuk marrin mundimin të komentojnë rezultatet e shpallura, por zënë e komentojnë kampionin e zgjedhur të të anketuarve, zënë e flasin mbi karakteristikat e shoqërisë së paanketueshme shqiptare, zënë e përqeshin pyetjet e bëra, zënë e zhvleftësojnë procedurat e anketimit etj., etj. Ja, më thoni ju, a nuk janë pak të marrë këta njerëz, që marrin guximin të vënë në diskutim profesionalizmin e "Zogby"-it? Ata nuk janë akoma më të marrë ata që vënë në dyshim integritetin moral të kësaj kompanie? A nuk janë krejt të marrë ata, të cilët janë të sigurt që "Zogby" në këtë mes po bën lojën e Edi Ramës? Po pse, kush është "Zogby", ndonjë torollak i mjerë që bën sondazhe për të fituar bukën e gojës?

Po t‘i vinin fre gjuhës e të mjaftoheshin duke thënë se "Zogby" ka gabuar, apo se "partia jonë" ka një mbështetje shumë më të lartë se sa ajo që na jep "Zogby", nuk do të kishte asgjë të keqe. Por të thuash se Zogby bën sondazhe për të prodhuar rezultate të porositura, ky është njimend një teprim.

Ja pra, kjo është ajo klima e dyshimit e çuar deri në skaj, mú aty ku banon budallallëku; dhe është e qartë se kur rrethohet me dyshim një kompani e tillë (vini re: rrethohet me dyshim kompania, e jo sondazhi i saj, gjë që do të kish pakëz kuptim), as që mund të flitet për ndërtimin e një infrastrukture elektorale jo partiake. Është e parakohshme për ta bërë këtë gjë. Është e pamundur, gjithashtu. Për pasojë, zgjedhjet dhe këtë herë do të jenë në duart e aradhës së militantëve, që në vend të numërojnë vota, do të hedhin karrige mbi kaptinat e njëri-tjetrit. Një ngjarje e vështirë na pret përpara.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama