Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dosjet, Berisha, Rama, Topi dhe SHBA!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 16 vite më parë

Blendi Fevziu
Dosjet, Berisha, Rama, Topi dhe SHBA!

Vështirë që një ligj tjetër i  Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 2005-ës të ketë pasur komentet, kundërshtitë, debatin mediatik dhe vëmendjen që ka pasur ligji i Lustracionit Nga ana tjetër, nuk kishte asnjë dyshim se një ligj i tillë do të ngrinte pikërisht një furi si kjo. Ndër dhjetëra arsyet që mund të gjenden, ka një që është thelbësorja: çdo raport i gjykimit të së shkuarës e ndan shoqërinë dhe i rihap asaj debatet, problemet dhe ndjesitë me të cilën është përballur për një kohë të gjatë, në rastin konkret për thuajse 46 vjet të shoqërisë komuniste. Fatkeqësisht, ajo që nuk pritej në këtë rast është grupi apo targeti nga i cili dhe për të cilin erdhi reagimi. Në vend të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit, të penalizuar, ose "spiunët" siç quhen rëndom, (në disa raste viktima të vetë sistemit kriminal dhe të detyruar të bashkëpunojnë në kushte nga më të pabesueshmet), ata që e ngritën zërin dhe u bënë në këtë rast motoja e kundërshtisë qenë ish-prokurorët dhe gjykatësit e regjimit komunist.

 Madje jo të gjithë, por ata prokurorë dhe gjykatës që kishin marrë pjesë në procese dhe dënime politike. Fatkeqësisht, debati duhej të ishte fokusuar në këtë pikë dhe kjo nuk ndodhi. Nëse për ish-spiunët, mund të ketë një diskutim që lidhet me shumë momente konkrete; nëse për ta ka mjaft raste që mund të shihen me keqardhje, kjo nuk mund të ndodhte me ata që kanë qenë pjesa e dukshme, e dhunshme dhe e zellshme e një regjimi ndër më kriminalët në botë.

Duke iu rikthyer më vonë këtij argumenti, i gjithë debati mbi ligjin duhet filluar nga një pyetje e vetme dhe thelbësore: A duhen dënuar krimet e komunizmit në Shqipëri dhe a ka nevojë ky vend për një akt moral që ta ndajë nga e shkuara? Përgjigja duhej të ishte e menjëhershme dhe e padiskutueshme, PO.

Po - ja e parë, sepse ky është një problem moral i pazgjidhur. Po - ja e dytë sepse askush prej atyre që kanë pasur përgjegjësi për të shkuarën, nuk ka kërkuar qoftë edhe një herë falje për dramën që i ka shkaktuar shoqërisë. Me përjashtim të një falje të Liri Belishovës, për vuajtjen dhe dramën që komunizmi represiv i shkaktoi shqiptarëve (edhe ajo e dënuar më pas në vitin 1960), askush tjetër nuk e ka shqiptuar fjalën më të thjeshtë dhe normale në botë, NA FALNI! Askush nuk ka shprehur pendesë dhe nuk është larguar vullnetarisht, siç ndodhi me shumë ish-funksionarë komunistë të Europës Lindore. Përkundrazi, shumë prej ish-funksionarëve komunistë të dënuar në fillim të viteve '90-të u shpallën të pafajshëm në vitet 1997-2000, iu paguan paratë e burgut, një gjë që nuk ka ndodhur me asnjë prej 20 mijë viktimave të pafajshme komuniste që kanë punuar si skllevër në minierat e burgjeve. Shumë të tjerë u mbrojtën pas frazës magjike: ashtu ka qenë ligji, duke dëshmuar jo reflektim, por një mungesë të fortë vrasjeje ndërgjegje për atë që kanë bërë.

Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria ishte vendi më i shtypur, më i izoluar dhe më i masakruar i ish-Lindjes komuniste. Në këtë përfundim të pranuar nga të gjithë nuk dua t'u kthehem as statistikave, as të përmend numrin e të pushkatuarve, të vrarëve, të internuarve, shifra të frikshme krahasuar madje edhe me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Po ndalem vetëm në pak ngjarje që nuk i takojnë të shkuarës së largët, por asaj të viteve të fundit të regjimit.

Në 1988 disa nga vendet e Europës Lindore e kishin nisur tashmë divorcin zyrtar me ideologjinë komuniste. Hungaria, Polonia etj., po hynin në zgjedhjet e lira të një viti më pas. Ato ishin ndarë me kohë me filozofinë respresive të regjimeve që kishin në fuqi dhe tashmë po ndaheshin edhe zyrtarisht me sundimin e tyre. Po atë vit, një poet shqiptar i quajtur Avzi Nela u var në mes të qytetit të Kukësit, në stacionin e autobusit, për krimin e vetëm se shkruante poezi dhe sepse po shkonte të takonte nënën e tij të sëmurë pa lejen e policisë.
Në maj 1990, kur Leh Valesa ishte zgjedhur President i Polonisë, kur Hungaria, Çekia kishin kryer zgjedhje të lira dhe Çaushesku ishte pushkatuar nga një gjykatë ushtarake, ata qindra të rinj që tentuan të kalojnë kufirin shqiptar pas heqjes së nenit që e konsideronte atë tradhti të lartë ndaj atdheut u qëlluan, u vranë dhe më e keqja u tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qyteteve. Ka plot dëshmitarë që kujtojnë sot ritualin makabër të tërheqjes së trupave pa jetë të disa djemve 18-20-vjeçarë në Sarandë, Shkodër e Kolonjë për krimin e vetëm se ëndërronin një jetë më të mirë. Ka ende sot plot nëna që nuk e kuptojnë ende se përse i humbën fëmijët e tyre, kur kjo gjë nuk ishte më diçka e ndaluar. Ka ende ushtarë që kanë marrë leje dhe 100 lekë shpërblim nga shefat e degëve, sepse kanë qëlluar mbi fëmijë që kishin ndaluar sipas urdhrit të tyre disa qindra metra nga kloni i kufirit. Të gjitha këto raste mjaftojnë për të dëshmuar se komunizmi shqiptar ishte dhjetëra herë më represiv, më ortodoks dhe më i dhunshëm se sa i simotrave të tjera në Europën Lindore. Për hir të kësaj dhe për mungesën e pendesës që përfaqësuesit e asaj shoqërie kanë shprehur gjithnjë, një ligj i tillë ishte më se i nevojshëm.

Ligji dhe Berisha

Eshtë vështirë të thuash se veç argumentit moral, cila qe arsyeja që e shtyu Berishën dhe maxhorancën e djathtë të kërkonte me ngut, në vitin e fundit të mandatit kalimin e këtij ligji. Ndër shumë hamendje dhe analiza, ajo që mund të thuhet është vetëm një: PD ka qenë e vonuar, e padrejtë dhe jo e ndershme në realizimin e këtij ligji. Duke e marrë në konsideratë procesin e anëtarësimit në NATO dhe konsensusin që duhej për të, PD-ja duhej të bënte ç'është e mundur për ta aprovuar më parë ligjin; për të gjetur konsensus me opozitën dhe për të bërë një ndarje të prerë dhe dinjitoze me të shkuarën. Ajo u vonua 3 vjet, duke vendosur hyrjen në NATO mbi një detyrim moral ndaj një shoqërie të tërë dhe elektoratit të saj. E dyta, ligji u zbut ndjeshëm, ai preku disa prokurorë dhe gjyqtarë të së shkuarës, por la jashtë figura politike që kanë po atë përgjegjësi dhe që konsiderohen ende aktivë. Së fundi, ligji flet për një përgjegjësi morale, por jo penale për ata që shkelën ligjet e kohës, që montuan procese të falsifikuar, që torturuan të burgosurit kur ligji e ndalonte dhe vranë e tërhoqën zvarrë të rinjtë e pafajshëm në kufi. Së bashku me neglizhencën ndaj ish-pronarëve, e djathta dhe kryesisht PD-ja ka firmosur një marrëveshje të vështirë me elektoratin bazë të saj dhe i ka munguar një dimension moral shumë i rëndësishëm. Tre vjet janë shumë për t'u justifikuar dhe ky ligj duhej të ishte i pari në axhendën e Parlamentit të drejtuar nga Jozefina Topalli.

Ligji dhe Rama

Nuk ka asnjë dyshim se lideri i ri i PS-së është ndër të paktët persona të asaj partie që nuk ka asnjë lidhje personale dhe besoj asnjë afeksion me atë kohë. Profesor i ri me një dimension rebel në vitin 1990, ai ishte ndër të parët që ngriti zërin për ish të përndjekurit, të persekutuarit dhe për katarsisin që do vinte nga vetë reflektimi i shoqërisë. Ai i kushtoi kësaj një seri seancash që u quajtën refleksione dhe që kanë ecur në këtë drejtim. Eshtë e papranueshme që Rama doli kundër një ligji të tillë. Nëse ligji kishte probleme juridike, ai duhej të ulej me Berishën për t'i shmangur ato; nëse ligji cenon Kushtetutën, ai duhej të ishte palë për të mos e lejuar atë. Ai duhej t'i qëndronte parimit të dënimit të së shkuarës, parim për të cilin ishte investuar personalisht në vitin 1990-1991 dhe nuk duhej të binte pre e kalkulimeve politike të partisë së tij, që e ka konsideruar këtë ligj si cenim të elektoratit të saj dhe sensibilitetit të tij. E drejta është e drejtë dhe ajo nuk ndryshon sipas ngjyrës së partisë ku aderon, por sipas një bindje që çdo njeri, në këtë rast Rama, ka krijuar që 20 vjet më parë. Duke zgjedhur elektoratin mbi një të drejtë, Rama ka bërë një hap më shumë në rrënimin e moralit të qeverisjes që pretendon.

Ligji dhe Topi!

Ka një person të vetëm në Shqipëri që s'duhej t'i dilte kundër këtij ligji, me gjithë koston institucionale që mund t'i krijonte ai. Bamir Topi ka hyrë në politikë me kredon e një njeriu që vjen nga e djathta tradicionale dhe ish të persekutuarit. Ai ka ngritur staturën e tij politike mbi këto dy dimensione dhe në kontrast me shumë të tjerë në PD. Ngjitja e tij në Presidencë u pa si triumfi i një grupimi të mënjanuar dhe të nëpërkëmbur pa të drejtë për një kohë të gjatë dhe në rastin e parë që Presidenti i ri u përball me këtë grup dhe problemet e tij, nuk pati as kurajon t'i dilte në krah.

Ligji dhe SHBA

Ambasadori i SHBA në Tiranë dhe Departamenti i Shtetit kanë shprehur jo pak shqetësim për ligjin e aprovuar dhe implementimin e tij. Argumentimi i ambasadorit, si edhe ai i disa kolegëve të tij europianë, qëndron në kontradiktën e disa neneve të ligjit me Kushtetutën. Nuk ka asnjë dyshim se çdo kontradiktë me Kushtetutën duhet shmangur, sepse ai është ligji themelor i shtetit. Nuk ka asnjë dyshim po ashtu se SHBA janë për dënimin moral të krimeve të komunizmit dhe të krimeve në përgjithësi. Nuk ka asnjë dyshim që ambasadori i SHBA në Tiranë do të ishte i lumtur të vendoste një tufë me lule në varrin e Xhelal Koprenckës, një antikomunist që u pushkatua, për krimin e vetëm se i kërkoi me një letër Enver Hoxhës të lidhte marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe të mbështetej tek ajo. "Amerika është aleati ynë natyral, shkruante ai në letrën e tij, ajo na ka mbrojtur dhe duhet t'i jemi mirënjohës. Ajo është dhe do jetë shembull për gjithë botën". Ndëshkimi që mori ishte një plumb në ballë dhe fotot e trupit të tij të pajetë që u afishuan në stendën e kampit të Spaçit. Jam i sigurt se ambasadori dhe çdo zyrtar amerikan do vendosnin një tufë me lule mbi varrin e tij. Fatkeqësisht ata s'mund ta bëjnë këtë. Ai, Fadil Komomani dhe Vangjel Lezho, të pushkatuar në një ditë nuk kanë varr. Janë groposur diku dhe familjet kërkojnë më kot eshtrat e tyre. Kërkojnë më kot të kenë një varr për t'i vendosur një tufë me lule. Prokurori që kërkoi pushkatimin e tyre dhe që padyshim ka asistuar në ekzekutim, jo vetëm që nuk e ka treguar vendvarrosjen; jo vetëm që nuk ka shprehur asnjë lloj pendimi, por u dënua për punë të mirë në sistemin e drejtësisë!!! Ndaj, Xhelal Koprenca vijon të jetë pa një gur mbi varr, sepse guxoi, kur nuk guxonte askush, t'i propozonte Enver Hoxhës miqësinë me SHBA.

Ligji

Nuk ka asnjë dyshim që ligji i lustracionit duhet të kalojë. Qoftë edhe sikur të mos dënohet askush, ai duhet të jetë një akt moral i nevojshëm për të ndarë Shqipërinë nga e kaluara dhe për t'i qetësuar shpirtërisht të gjithë ata që vuajtën apo u masakruan në atë kohë. Politika duhet të gjejë një konsensus, duhet të shmangë kontradiktat ligjore dhe duhet të tregojë se di të vlerësojë një parim moral, më shumë se sa kalkulimet politike për zgjedhjet që vijnë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama