Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Demokracia me dele dhe me dash

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Demokracia me dele dhe me dash

E kanë kot berishistët dhe qeveria e tyre që përpiqen të justifikohen. Sepse amerikanët thonë një të vërtetë kur deklarojnë në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), se gjatë vitit 2008 "qeveria u përpoq të ushtrojë kontroll më të madh mbi institucionet e pavarura si drejtësia, zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe mbi median". Por përsëri, edhe pas deklaratës së DASH-it, mbetet një problem serioz. Ai ka të bëjë me faktin se përpjekja për të kontrolluar madje kapur institucionet e pavarura, nuk është një dukuri e re për Sali Berishën dhe qeverisjet e tij. Kryeministri Berisha është përpjekur të kontrollojë institucionet e pavarura që në korrik 2005 kur u ringjit në pushtet. Që në atë kohë, opozita politike, disa segmente të shoqërisë civile dhe medias, ngritën alarmin për strategjinë autoritariste të Kryeministrit. Por Ambasada Amerikane në Tiranë nuk deshi t‘i dëgjojë këto alarme që po konfirmohen nga ajo vetë, tre vjet më pas. Dhe duket prandaj këto alarme e opozitës politike dhe shoqërisë civile shqiptare nuk figurojnë në raportet vjetore të DASH-it para vitit 2008. Për të vërtetën ka vlerë thënia, më mirë vonë se kurrë. E megjithatë, shqetësimi për një demokraci të qëndrueshme në Shqipëri mbetet. Sepse mund të ndodhë që të vijë një koniunkturë politike që amerikanëve t‘u leverdisë përsëri të heshtin, pavarësisht se një pushtet tjetër, tashmë jo më i Berishës, mund të praktikojë një politikë "të re" autoritariste apo populiste. Shqiptarët duhet të arrijnë një stad të tillë që edhe nëse hesht DASH-i, të mos heshtin vetë qytetarët në mbrojtje të saj. Kjo do të thotë që demokracia shqiptare të ketë, sikundër theksoi ambasadori amerikan Withers pak ditë më parë, vullnetin e vet autentik dhe qytetar që i jep jetë. Kjo do të që shqiptarët të mos jenë "dele" që heshtin vetëm për faktin se edhe "dashi" hesht.

***

Sikur amerikanët, por edhe ndërkombëtarët në përgjithësi, t‘i kishin vënë më shumë veshin alarmeve më të hershme kundër rrezikut që paraqiste këmbëngulja autoritariste e Berishës, sot punët me demokracinë do të ishin më mirë. Sepse vërtet as ndërkombëtarët dhe, sikundër thotë po ambasadori Withers, as amerikanët nuk mund të krijojnë dot vullnetin politik për demokraci, por të paktën, pritet që ta mbështesin fort atë, edhe kur ai është në minorancë. Mjerisht nuk ka ndodhur kështu. Dhe për këtë ka shumë fakte. Ja vetëm njeri: Që në vitin 2006, Kryeministri Berisha ndërmori një fushatë të tërbuar për të shkarkuar me çdo kusht kryeprokurorin Sollaku. Ai e justifikonte gjithçka me nevojën e luftës kundër korrupsionit. Opozita politike, por akoma edhe më shumë segmente të shoqërisë civile që në fakt kishte rezerva për punën e prokurorisë, e denoncuan këtë si një strategji që synonte kapjen e institucioneve të prokurorisë nga Berisha për ta keqpërdorur edhe si armë ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe si vegël për të maskuar korrupsionin e qeverisë së tij. Ndonëse Berisha ishte i njohur edhe si ish-president për përdorimin e recetave të tilla autoritariste, ndërkombëtarët dhe me sa duket edhe "amerikanët" mbivlerësuan premtimet dhe betimet e Berishës për "tolerancë zero" në luftën ndaj korrupsionit. Ata i panë me skepticizëm jo vetëm kundërshtimet e opozitës socialiste (ndoshta për faktin që vinte nga një pushtet i korruptuar?) por edhe të shoqërisë civile si lëvizja "Mjaft" dhe "Aksioni Civil" që u krijua pikërisht për të mbrojtur institucionet e pavarura nga Berisha që donte t‘i kontrollonte. Në një takim të atyre ditëve, të disa drejtuesve të "Aksionit Civil" me komunitetin e ambasadorëve të Perëndimit, alarmet e këtij segmenti të shoqërisë civile nuk u peshuan si duhet. Madje pati edhe ndonjë ambasador që hodhi dyshime se mos "Aksioni Civil" ishte i nxitur nga opozita, pra thjesht produkt i një manipulimi politik. Ndërkaq, ambasadorja e SHBA, Marsi Ris, nuk denjoi të merrte pjesë fare në atë takim. Ishte shumë shqetësuese në atë kohë të shihje se "ndërkombëtarëve" nuk u bënin përshtypje as protestat e shoqërisë civile që denonconin presione të tipit nazist të pushtetit dhe njerëzve të tij edhe mbi ish-presidentin Moisiu, vetëm e vetëm që ta detyronin të firmoste shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku. Fatmirësisht, një gjë e tillë nuk ndodhi ndryshe, punët e demokracisë në Shqipëri do ishin përkeqësuar në mënyrë të pakurueshme këtu e dy vjet më parë.

***

Lavi Zotit (!) ka më pak se një vit që amerikanët, dhe jo vetëm ata, po flasin kundër autoritarizmit të pushtetit berishist. Më saktë që nga dita e zezë e shpërthimit në Gërdec. Duket sikur bashkë me fshatrat dhe jetët e shumë njerëzve, u hodh në erë edhe një koniunkturë e heshtje ndaj bëmave ilegale të një qeverie që premtonte luftë me duar të pastra kundër korrupsionit. Duket se Gërdeci u tregoi amerikanëve dhe ndërkombëtarëve, sesa të zhyera me korrupsion dhe trafiqe ishin duart qeverisë dhe Kryeministrit që premtonte luftë kundër korrupsionit. Në fakt, ju tregoi atë që nuk kishin dashur ta dëgjonin nga zëra të shoqërisë civile shqiptare, të vërtetën e hidhur se pushteti absolut jo vetëm nuk mund ta luftojë korrupsionin, por korruptohet në mënyrë absolute. Kupola e Gërdecit ishte kupola e korrupsionit absolut të një pushteti absolut. Amerikanët dhe ndërkombëtarët më në fund po flasin. Kjo jep shpresë. Por do të kish qenë edhe më mirë të kishin folur me kohë, para se autoritarizmit t‘i bëheshin deri edhe lëshime "kushtetuese". Amendimet e Kushtetutës, të realizuara në kompromis me po këtë Kryeministër dhe pushtet që sot denoncohen nga DASH-I si të etur për të kontrolluar institucionet e pavarura, përfaqësojnë një disfatë jo pa pasoja për demokracinë shqiptare. Sepse janë lëshime që demokracia e brishtë shqiptare është e dënuar t‘i vuajë në ditët, muajt dhe vitet që vijnë.

***

Por më në fund amerikanët po flasin. Madje, DASH-i shfaqet aq kritik në raportin e tij ndaj tentativave të pushtetit për kapjen e institucioneve, sa nuk përmend fare si një eveniment të spikatur të vitit 2008 as marrjen nga Shqipëria të ftesës për në NATO. Në të vërtetë një pikë disi delikate për t‘u përmendur, sepse ftesa për në NATO u argumentua, ndër të tjera, edhe me reformat e thella demokratike dhe të shtetit ligjor që ajo paskësh ndërmarrë. Por tragjedia e Gërdecit dhe këto që ndodhën e po ndodhin pas ftesës, hedhin dyshime të forta për vërtetësinë e pohimeve të tilla. Sepse edhe sikur për një moment të pranojmë se është Berisha që ndryshoi befas natyrë duke shfaqur kthetrat autoritariste pas marrjes së ftesës për në NATO, do të duhet të ishin "reformat e thella" demokratike dhe institucionet që ato pjellin (të propaganduara si premisë e ftesës për në NATO), që duhet të neutralizonin përpjekjet e tij. Por kohët po provojnë se ftesa për në NATO iu dha Shqipërisë jo aq për "arritjet demokratike" dhe përparimin sistemit të lirisë brenda saj, sesa për nevoja të stabilitetit të rajonit të Ballkanit. Koha po provon se institucionet e pavarura, nuk janë ende të pavarura, se drejtësia nuk u ka shpëtuar presioneve politike dhe nuk është në gjendje të ushtrojë presion ligjor dhe të drejtë mbi oligarkët e politikës shqiptare. Koha po provon se drejtësisë, prokurorisë dhe mbarë institucioneve i duhet ende mbështetja nga jashtë për të bërë misionin e tyre, i duhet mbështetja nga DASH-I për të përballur sulmet autoritariste të pushteteve autoritariste dhe botës së korrupsionit nga i cili, edhe ato vetë perceptohen gjerësisht si të paimunizuara. Koha po provon se pa DASH-in shqiptarët do ta kenë të vështirë të mos heshtin jo vetëm para ujkut të autoritarizmit berishist, por edhe çdolloj autoritarizmi që mund të shfaqet pas Berishës. Se ata e ruajnë ende në shumicë zakonin për të ndjekur pas liderin autoritar dhe pushtetin e ri, ashtu sikundër delet ndjekin dashin për në kullotën e re. Sepse tani që po ikën Berisha jo pak nga kjo bagëti politike, po kthehet nga lideri socialist, Rama. Dhe kjo nuk ndodh për faktin se në gjuhën e amerikanëve dashit i thonë "Ram".

Është ekonomia, budalla! Spiralet e integrimit evropian


Kosta Barjaba

1.

Tashmë në pallatin e Evropës kanë vërshuar përmbytjet, paralajmëroi një ndër vendimmarrësit evropianë të radhës. Kjo na shtrëngon t‘i japim një përgjigje më të rezervuar pyetjes "Kur do të pranohet Shqipëria në BE?" Prej gati dy dekadash,shtetarë, opozitarë, aktivistë, akademikë, personalitete të të gjithë fushave apo njerëz të thjeshtë, që pasi ngrenë tezgën apo ulin qepenat e dyqaneve modeste, ëndërrojnë Evropën. Në vitin e largët 1991, për herë të parë, nëpërmjet teknikave të sondazheve u përpoqëm të tatonim pulsin e shqiptarëve për afatet integruese të Shqipërisë. Ne, një grupi i vogël studiuesish vendas, debatuam gjatë me sondazhistët e huaj. Ne nuk ishim dakord që të pyesnim shqiptarët nëse shpresonin që Shqipëria do të integrohej për dhjetë vjet. Një dekadë na duket si kalendat greke, pretenduam ne. Hëm, mos u ngutni, u përgjigjën ata. Mjeshtra të industrisë së sondazheve, por edhe njohës të thellë të proceseve integruese të Evropës, rezultoi se ata kishin të drejtë. Sot, pas gati dy dekadash, mbi të gjithë shqiptarët rri pezull e njëjta pyetje.

Ecja e Shqipërisë drejt Evropës është një proces kapërcimi të disa cikleve të zhvillimit, të cilët në mënyrë figurative mund të përfytyrohen në formë spiralesh. Spiralja e parë është demokratizimi, pra arritja e standardeve demokratike. E dyta është ekonomia, pra arritja e treguesve makro-ekonomikë. Spiralja e tretë është përbëhet nga tregjet, thënë ndryshe sinergjia midis tregjeve shqiptare dhe atyre evropiane. Spiralja e katërt janë veçoritë lokale të problematikave etniko-fetare. Problemi është se spiralet e integrimit nuk janë të ndërtuara e vendosura në mënyrë kronologjike dhe të njëpasnjëshme. Spiralet shkëmbejnë herë pas here pozicionet, duke ia lënë vendin njëra-tjetrës. Kjo vjen si nga ndërlikimi i zhvillimit lokal, ashtu edhe nga problematikat e dinamikat e zhvillimit në metropolet evropiane, përthyerja dhe kërkesat që shtrojnë para banorëve të lagjes më të varfër, Evropës Juglindore. Ajo që ndodh në zonën e ekonomisë, në një mënyrë ose në një tjetër, përcakton dhe tendencën e spiraleve të tjera. Lehtëson ose vështirëson, përshpejton ose ngadalëson ritmet e procesit.


2.

Pesëdhjetë vjet më parë, sociologu i njohur, Lipset, prezantoi një argument që i shkon shumë për shtat fenomenologjisë së sotme të integrimit evropian: "Sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më shpejt mund të demokratizohet ai". Silogjizmi është i thjeshtë: Sa më i demokratizuar të jetë një vend, aq më shpejt mund të integrohet ai. Dhjetë vjet më parë, politologët e njohur Przeworski dhe Limongi, analizuan në mënyrë statistikore ecjen e mundimshme të zonave të ndryshme të globit drejt demokracisë. Thelbi i analizës së tyre mbështetet në rolin vendimtar të të ardhurave kombëtare për frymë (GDP per capita) në mbijetesën dhe suksesin e demokracisë. Ky tregues llogaritet duke pjesëtuar fuqinë blerëse me numrin e popullsisë më 1 korrik të çdo viti. Një vend arrin në zonën e tranzicionit demokratik, kur të ardhurat kombëtare për frymë janë nga 3 mijë deri në 6 mijë dollarë. Pragu i poshtëm i zonës së tranzicionit e mban demokracinë vulnerable dhe të kërcënuar, ndërsa pragu i sipërm i saj e bën demokracinë të qëndrueshme. Në këtë perspektivë, mund të themi se Shqipëria ka hyrë në zonën e tranzicionit demokratik vetëm në vitin 2001, kur GDP për frymë arriti në 3000 dollarë. (Burimi: CIA Wordl Factbook; www.indexmundi.com). Tranzicioni shqiptar merr në këtë perspektivë dy pamje ose dy faza: faza e parë përfundoi me hyrjen në tranzicionin demokratik, ndërsa faza e dytë përfundon me hyrjen në demokraci. Faza e parë u realizua gjatë një dekade, ndërkohë që faza e dytë është ende në proces. Shqipëria ende nuk ka arritur në kufirin e sipërm të tranzicionit demokratik. Sipas të njëjtit burim, në vitin 2008 të ardhurat kombëtare për frymë ishin 5 500 dollarë, duke shënuar gjatë periudhës 2002-2004 një stanjacion në 4500 dollarë dhe gjatë periudhës 2004-2008 një rritje vjetore prej 200-300 dollarë. Nëse ritmet e rritjes se GDP për frymë do të mbeten po ato, Shqipëria fillon tranzicionin drejt demokracisë liberale të qëndrueshme në fillim të dekadës së dytë të mijëvjeçarit. Mundësia e falimentimit të demokracisë në vendet me GDP për frymë mbi 6000 dollarë, nënvizon analisti i njohur, Fareed Zakaria, është 1 në 500. Ndërkohë që mundësia e falimentimit të demokracive të varfra është shumë e lartë, rreth 56%, çka do të thotë se në 69 demokracitë e varfra, 39 e tyre kanë dështuar. Edhe Shqipëria ka qenë disa herë në prag të dështimit. Vendi është kërcënuar disa herë nga rreziku i falimentimit demokratik, për shkak të treguesve modestë të GDP për frymë dhe paqëndrueshmërisë dhe krizave ciklike politike e sociale.

Përvoja e tri vendeve të fundit perëndimore që iu bashkuan BE-së para vitit 1999, tregon se Spanja, Greqia dhe Portugalia hynë në komunitet kur arritën kufirin e sipërm të tranzicionit demokratik dhe niveli e kërkuar të GDP-së për frymë. Në këtë perspektivë, integrimi evropian i vendeve të Evropës Lindore e Qendrore po realizohet si një proces me tri shpejtësi: në shpejtësinë e parë bëjnë pjesë vendet e Evropës Qendrore dhe Balltike, në shpejtësinë e dytë Rumania dhe Bullgaria, ndërsa në shpejtësinë e tretë vendet e Evropës Juglindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Sado problematike të ishte ekonomia e tyre, Bullgaria dhe Rumania kishin në vitin 2001 GDP për frymë dy herë më të madhe se Shqipëria. Ndërkohë që në vitin 2006 ky tregues për secilin prej të dy vendeve tentoi drejt shifrës 10 mijë dollarë.

Ky lloj determinizmi ekonomik qëndron, pra, në thelb të procesit të integrimit evropian. Shprehja e famshme "Eshtë ekonomia, budalla" që studentët mësojnë që në klasat e para të manualeve të ekonomisë, vlen edhe në përcaktimin dhe parashikimin e ritmeve të integrimit. Hezitimi në Pallatin e Evropës për të pranuar vendet që janë në fazën e tranzicionit demokratik nuk ka të bëjë thjesht me burokratët evropianë dhe paragjykimet e tyre për lagjen problematike ballkanase. Hezitimi buron nga ligjësia natyrore e pamundësisë së bashkëjetesës së ekonomisë dhe tregjeve me tregues dramatikisht të mospërputhshëm.

3.

Ç‘bëhet atëherë me spiralet e tjera të integrimit? Spiralja e dytë problematike për Shqipërinë, shqiptarët e shteteve të Ballkanit, madje edhe vetë Ballkanin, kanë qenë problematikat etnike dhe fetare. Evropa për një kohë të gjatë është perceptuar si një Evropë hantingtoniane, qytetërimi perëndimor i së cilës u vendos në gjendje alarmi nga rreziku i qytetërimit islamik dhe sllav. Faktikisht, asnjë prej gjashtë-shtatë qytetërimeve joperëndimore, nuk është përjetuar prej qytetërimit perëndimor si një rrezik në atë masë që janë përjetuar qytetërimet e mësipërme. Janë konsideruar thjesht qytetërime rivale. Në këtë lloj Evrope virtuale, ekonomia nuk dukej se ishte spiralja kryesore që duhej kapërcyer. Ndrojtja më e madhe evropiane, e cila shndërrohej periodikisht në një panik të poleve vendimmarrëse në kontinentin e vjetër e të lakmuar, ishte rreziku i transferimit në "Europa down town" të mërive, zënkave, kapardisjeve, delireve, konflikteve dhe potencialeve ndërluftuese ballkanase. Ballkani i përthyer nga malet e thepisur dhe lumenjtë e rrëmbyer, është po aq i tillë për shkak të rrëpirave perandorake, etnike, fetare e territoriale. Moderimi i elitave politike ballkanase dhe çlirimi i tyre gradual nga demonët nacionalistë mund të shërbejë si një relaks për Evropën. Ndërsa rrethana që lidhet me ndikimin e tregjeve ballkanase në tregjet evropiane, nuk është përjashtuese. Ndikimi i pritshëm i tregjeve shqiptare, kroate, malazeze, maqedone, boshnjake ose edhe serbe, të marra bashkë, është një përkëdhelje ledhatuese për tregjet evropiane, në krahasim me tronditjet që mund të shkaktonte tregu ukrainas apo turk.

4.

Në këto rrethana, pra, kur ballkanasit dhanë shenja se dëshirojnë t‘i venë nën kontroll demonët e vjetër perandorakë e nacionalistë, dhe paralel me këtë Evropa vetë dha shenja se po çlirohej nga paragjykimet, ia behu kriza ekonomike. Kërkesës thuajse natyrore për nivel të caktuar të GDP për frymë, iu shtua përmbytja në shtëpinë e Evropës. Dhe kur shtëpia përmbytet, paralajmëroi një ndër të zotët e rinj të saj, askujt nuk i shkon mendja të presë mysafirë. Aq më pak mysafirë të varfër. Në këto kushte, integrimit të Shqipërisë i duhen, më tepër se kurrë, rritje ekonomike reale dhe programues e strategjistë inteligjentë të zhvillimit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama