Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

BE, Shqipëria dhe statusi i kandidatit!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 16 vite më parë

Blendi Fevziu
BE, Shqipëria dhe statusi i kandidatit!

Një debat që për shumë kohë ka qenë fare periferik në politikën shqiptare, ai i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, befas ka dalë në sipërfaqe. A duhet të kandidojë Shqipëria për këtë status apo duhet të presë për më vonë? Përgjigjja e pyetjes është dhënë në mënyra dhe forma të ndryshme në mediat shqiptare, ndërkohë që politika duket se ka qenë më e kujdesshme. Partia Socialiste ka një vit që e kërkon këtë kandidim përmes ish-ministres Arta Dade, Ditmir Bushatit dhe vetë kryetarit Rama, ndërkohë që Kryeministri Berisha ka deklaruar se Shqipëria është e gatshme ta bëjë këtë brenda Presidencës çeke, pra brenda 30 qershorit 2009.
 
Ai që ka qenë befasues në këtë rast është skepticizmi i mediave dhe frika e disa prej organeve se kjo gjë ndoshta nuk mund të mirëpritet nga vetë vendet e BE-së. Për t’u përfshirë në këtë debat dhe për të shprehur një opinion personal, unë do ta shtroja pyetjen ndryshe: përse jo?

Ka vetëm një argument që jepet për të justifikuar shtyrjen: situata e brendshme në BE, lodhja nga zgjerimi që ka përfshirë disa vende, ciganët rumunë që po terrorizojnë shumë nga bulevardet e Evropës, papunësia në rritje në kontinent, zgjedhjet e afërta në Gjermani e Francë, problemet në Irlandë, dështimi me eksperimentin rumun e bullgar dhe mbi të gjitha kriza ekonomike që po sfilit vendet e BE-së dhe që ka dalë krejt jashtë kontrollit.

Kundërargumenti është padyshim shumë më i fortë. Shqipëria i ka ndjekur të gjitha etapat normale drejt aplikimit. Ajo nuk e ka bërë këtë në mes të rrugës së ratifikimit të marrëveshjes së MSA-së nga parlamentet e vendeve anëtare siç e ka bërë Mali i Zi, që e ka depozituar kërkesën e tij, edhe pse shumë vende evropiane nuk e kanë votuar MSA-në e Podgoricës.

Shqipëria nuk ka pasur asnjë ankesë të qenësishme për standardet që duhet të plotësojë dhe mbi të gjitha, standardet politike janë të certifikuara dyfish për arsye të anëtarësimit të pritshëm në NATO.

Shqipëria po luan një rol kyç në Ballkan, në stabilitetin e Kosovës e Maqedonisë dhe është në sintoni të plotë me politikën e BE-së në rajon ndryshe nga Serbia, e preferuara e Spanjës dhe ndonjë vendi tjetër që vijon të hapë jo pak probleme.

Shqipëria duhet ta dorëzojë aplikimin e saj dhe të përmbushë një tjetër standard jetik për t’u marrë në konsideratë kjo kërkesë, zgjedhjet e lira, demokratike dhe të ndershme. Shqipëria nuk mund të presë dhe të hetojë se si do të lëvizë humori i vendeve anëtare të BE-së dhe si do të jetë trysnia e opinionit publik në disa vende anëtare ndaj qeverive të tyre. Shqipëria, edhe për shkak të gabimeve të saj fatale, ka qenë e vonuar në këtë proces dhe çdo vonesë tjetër është e papranueshme. Në pranverën e 1996 Shqipëria ishte fare pranë një procesi të suksesshëm. Komisioni Europian në “letrën e bardhë” të rekomandimit sugjeronte hapjen e negociatave të Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, negociata që për hir të zgjedhjeve të majit 1996 dhe ngjarjeve të 1997 ngelën pa u hapur. Më pas, jo për fajin tonë, pas luftës së Kosovës, Shqipëria u trajtua me vendet e ish-Jugosllavisë dhe u shkëput nga paketa e vendeve ish-komuniste që hynë më herët në BE. Negociatat u hapën në janar 2003 dhe marrëveshja u firmos në qershor 2006. Askush nuk mund të thotë sot në BE se përse Shqipëria duhet të presë disa vjet më shumë se Bullgaria dhe Rumania për të qenë anëtare e BE-së, kur starti ka qenë i njëjtë me to. Fatkeqësisht, për hir të një paragjykimi dhe të gabimeve tona, ne jemi trajtuar me ish-republikat jugosllave dhe nuk është çudi që BE-ja ta marrë në konsideratë kërkesën e Shqipërisë bashkë me Serbinë.Ne duhet të aplikojmë, me gjithë hezitimin e BE-së, që të na marrin më seriozisht dhe më në konsideratë për liberalizimin e vizave dhe përfshirjen më të qenësishme në fondet e BE-së.

Shqipëria duhet të aplikojë dhe të këmbëngulë. Historia e BE-së ka dëshmuar se asnjë vend nuk është ftuar me mirësjellje, por se të gjitha vendet, sidomos ato ish-komuniste, kanë këmbëngulur shumë për t’u bërë anëtare të familjes evropiane. Ne duhet të aplikojmë, paralel të ngremë dhe përmirësojmë standardet, të pajisemi me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, të zhvillojmë zgjedhje të lira, të dëshmojmë pjekuri politike dhe të këmbëngulim shumë, mbi të gjitha diplomacia, për t’u pranuar në atë destinacion për të cilin jemi nisur 18 vjet më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria ka bërë gabime fatale në këtë rrugë, por nuk ka po ashtu dyshim që për hir të vogëlsisë, peshës së reduktuar, izolimit të së shkuarës dhe varfërisë, ne kemi qenë të paragjykuar nga BE-ja në këtë rrugë.
Së fundi, politika shqiptare duhet të dëshmojë në këtë rast pjekurinë e saj, siç ka ndodhur në rastin e NATO–s dhe disa raste të tjera, për të qenë e unifikuar në këtë drejtim. Pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se kush e qeveris vendin, politika ndaj BE-së dhe integrimit nuk ndryshon. Ndaj, ne duhet të nisemi nga parimi, që nëse qëndron para një dere pa trokitur, askush nuk do të çohet ta hapë atë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama