Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

O sa mir me qen pa shtet

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
O sa mir me qen pa shtet

Nuk kam ndër mend ta fsheh se u gëzova sa më s‘ka me atë fundin e turpshëm të të paturpit, por po e them që në fillim se nuk kam ndër mend të bëj edhe unë analizën e mbërtheckave që nuk hapeshin apo të pizhameve që nuk uleshin. Halli im është tjetërkund.

Ajo çka bëri vaki ishte prova e njëmijë e njëtë e asaj se këtu, në vendin e shqiptarëve, shteti nuk funksionon.

Doli se kot e paskemi Komisionin e Kontrollit të Pasurive, me gjithë komisionerë e me gjithë ligj të tyre. Se, me ç‘pamë në kamera e me ç‘tha edhe vetë, pasuritë e ministrit zinin njëra-tjetrën po nëpër karta s‘u dukej as maja e gjilpërës.

Doli se kot e paskemi miratuar ligjin e konfliktit të interesit, qëkurse ministri vazhdonte të milte Institutin e tij, duke bëtë atë akrobacinë se demek ja kishte lënë institutin mbesës.

Doli se kot e paskemi miratuar ligjin e shërbimit civil dhe kot e mbajmë edhe një goxha Komision të Shërbimit Civil, qëkurse me ç‘pamë, rekrutimet bëheshin në linjë direkte, nga rruga drejt e në krevatin e ministrit.

Doli se kot prishim pará për të paguar gazetat që publikojnë vendet e lira të punës, kur me ç‘pamë këto lajmërime shërbejnë vetëm për të identifikuar viktimën e radhës.

Doli se kot e paskemi edhe numrin e celularit që na ka lënë Berisha në dispozicion për denoncime, pasi me ç‘u fol në media, në këtë numër qenkan regjistruar nja 160 denoncime për ngacmime seksuale dhe Kryeministri i Bjeshkëve nuk paska ndjekur asnjërin.

Doli se kot i paskemi Drejtoritë e Auditit nëpër Ministrira e Kryeministrira, kur asnjëherë asnjë syresh nuk futi hundën të shihte se ç‘bëhej në strofullën e Ministrisë së Kulturës.

Të gjitha dolën kot, madje kot doli edhe ajo që menduam të gjithë, se ministri do fshihej e se s‘do dilte më në dritë. Pa kaluar as 24 orë, ai na u shfaq në televizor, duke na kallur krupën më keq se na i kish kallur deri atëherë.

Pra, asgjë nuk funksionoi. Siç nuk funksionoi asgjë në Gërdec, ku të gjithë dinin gjithçka, por askush nuk bëri detyrën, derisa u bë kiameti. Ashtu si në Liqenin e Farkës, ku prapë të gjithë dinin që gjithçka ishte pa leje, po që prapë asnjë levë e shtetit nuk funksionoi, derisa uji u mbush me fëmijë të mbytur. Ashtu si në Gjirokastër, ku prapë të gjithë ishin bërë pjesë e mekanizmit "e di, po s‘luaj as gishtin" dhe u desh që prapë të rrënohej fund e krye një pallat i tërë, pa të vraponin të gjithë. Apo mos funksionuan gjë levat e shtetit më ‘97-ën, në daç për të paralajmëruar furtunën që po vinte, a në daç për të mbajtur themelitë e shtetit, që ja shkulëm deri te guri i fundit.

Po meqë punët qenkan kështu, mos na del më mirë hesapi që të mos kemi shtet fare? Në mos për tjetër, të paktën s‘do harxhojmë për të mbajtur mbi zverk gjithë këtë ushtri rrogëtarësh. Mor po, do isha dakord edhe t‘ua japim rrogat e të rrijnë në shtëpi, se edhe kështu do bënin më pak dëm sesa bëjnë duke u kapardisur zyrave.

Ka dy rrugë. O të marrim malet si stërgjyshërit, duke thirrur "O sa mir me qen pa shet, oe oe", o përndryshe t‘u kthehemi zyrave të këtij shteti e t‘i ribëjmë nga themeli.

MBERTHECKAT

Atë që nuk e bëra dot unë me dhjetëra artikuj të shkruar për tretjen e trashëgimisë sonë kombëtare;

Atë që nuk e bëri dot përfundimi në prush, hi e tym, i 12 shtëpive monument kulture në Shkodër, Tiranë, Elbasan e Gjirokastër, që u dogjën nën hundën e ministrit për t‘i hapur vend ndërtimit;

Atë që nuk e bëri dot Lorenc Bejko, që dha edhe dorëheqjen nga drejtorllëku i Institutit të Monumenteve të Kulturës, për të treguar se në ç‘katastrofë kish hyrë kjo punë me atë ministër në krye;

Atë që nuk e bëri dot hapja e dhjetëra plagëve të reja në nëntokën e Durrësit, duke shkëmbyer mermerin e nëntokës me betonin që ngrihet drejt qiellit;

Atë që nuk e bëri dot vazhdimi i rrënimit të mureve e çative të Gjirokastrës sa herë që Perëndia hedh shi mbi atë qytet; jo se ministrat e mëparshëm kanë bërë çudira atje, po të paktën janë justifikuar me mungesën e parave, ndërsa ky i fundit dogji 2 milionë euro, duke u bërë provë e asaj se, po mungoi vullneti politik, nuk bëjnë fajde as tërë paratë e botës;

Atë që nuk e bëri dot Igli Tare, që u përpoq ta bënte me turp ministër-zinë për plaçkitjen që po i ndodhte deri edhe statujave, duke paguar nga xhepi harxhet që duhet të paguante ministria për t‘i kthyer ato në atdhe;

Atë që nuk e arritën dot nervat e tendosura të Tan Shkrelit që, sapo merrte vesh gjëmën e radhës, nxitonte të më telefononte e të më thoshte me dëshpërim: "Tano, si do ta ndalojmë sa pa i prishur të gjitha";

Atë që nuk e bëri dot denoncimi publik, me emër e mbiemër, i atij zotërisë nga Durrësi, se ministri më kërkoi kaq para për të më rinovuar kontratën e kullës;

Atë që nuk e bëri dot Ardian Klosi që, kur pa se nuk i dilej me të keq, u përpoq me ironi e me finesë të shponte pandjeshmërinë e ministrit;

Atë që nuk e bëri dot federata jonë e sportit dhe, bashkë me të, edhe ajo evropiane, që kanë tre vjet që i vetmi sport që bëjnë është sherri me ministrin;

Atë që nuk e bëri dot peticioni i njëzet e ca të urtëve për shpëtimin nga gijotina të sallës elegante të Shtëpisë së Oficerëve në Tiranë, që shkoi e vate, u shkatërrua e na la shëndenë;

Atë që nuk e bëri dot tretja e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe kthimi i tij në një i vdekur i pakallur;

Atë që nuk e bëra dot unë, duke ju ulur edhe në gjunjë atij njeriu për të shpëtuar muret e Kalasë së Tiranës; (ore, me që ra llafi, kushedi sa qesharak do jem dukur unë, kur harxhoja kohë e bëja debate me ministrin për strategjira të turizmit e të monumenteve, ndërsa ministri e kish hallin te të tjera monumente. Ehu, ku i bija unë e ku ai!);

Atë që nuk e bëri dot ofshama e dhjetëra studentëve e studenteve, që nuk e kaluan dot klasën pa mbushur ose xhepin, ose krevatin e tij;

Atë që nuk e bënë të gjitha këto, e bënë dy copka teli që s‘ua dinte emrin njeri, por që, nga sot e tutje do të quhen mbërthecka.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama