Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse kjo vonesë e jona ndaj krizës globale!?

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 16 vite më parë

Rexhep Meidani
Pse kjo vonesë e jona ndaj krizës globale!?

Edhe Shqipëria, në fazën e  parë si shumë vende me të ardhura relativisht të ulëta, nuk u prek në mënyrë të dukshme nga kriza financiare. Kjo dhe në sajë të nivelit të dobët të integrimit të saj me tregjet financiare ndërkombëtare. Por me kalimin e muajve, kjo krizë ka filluar të prekë të gjitha vendet, pra dhe Shqipërinë. Në fakt, në kushte globalizimi, çdo vend rezulton i integruar me pjesën tjetër të botës, nëpërmjet lidhjeve tregtare, eksportit e importit, investimeve të huaja të drejtpërdrejta, remitancave etj. Prandaj, me shfaqjen e recensionit global në fund të 2008-ës e fillimit të 2009-ës, kriza ka filluar të prekë në mënyrë horizontale dhe ekonomi të tilla të dobëta apo modeste si ajo e Shqipërisë. Për çudi, ky fakt ende nuk pranohet vetëm nga qeveria shqiptare!...

* * *

Aktualisht, po vihet re se remitancat janë duke u zvogëluar në vazhdimësi, eksportet po bien më tej, kurse investimet e huaja e drejtpërdrejta, sipas vlerësimeve, pritet të ulen me afro 20% gjatë të këtij viti, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në shkallë globale. Ndërkohë, çmimet e mjaft lëndëve të para, që eksportohen prej vendeve në zhvillim, mund të reduktohen më tej duke reflektuar rënien e tyre në kërkesën globale. Ndërsa, me gjithë abuzimet e spekulimet në tregjet e pakicës dhe të shumicës, ka përfitime në importe të tilla si karburanti apo drithërat (pas goditjeve nga çmimet astronomike të pjesës së parë të vitit 2008), paralelisht me rënien e eksporteve të lëndëve të para, si p.sh., të eksportit të kromit. Bazuar në mjaft analiza të FMN-së probleme serioze do të shfaqen në të gjitha vendet në zhvillim, me të ardhura të ulëta apo me një pjesë të popullsisë në kushte varfërie. Pra, kërkohet një ndihmë më e madhe financiare për të mbështetur këto vende, të paktën për të ruajtur shpenzimet prioritare. Pa ndonjë veprim të qartë në nivel global duhet të pritet një rritje në vazhdimësi e varfërisë, e cila, nga ana saj, mund të shoqërohet me paqëndrueshmëri politike, tensione e konflikte sociale. Bile, sipas një vlerësimi modest, kërkohet një shumë urgjente financimi, të paktën prej $25 miliardë dollarë, për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta në përballimin e thellimit të mëtejshëm të krizës globale. Ndryshe mund të thuhet se, krahas rritjes së papunësisë, pritet të rritet numri i njerëzve të zhytur në varfëri ekstreme. Prandaj, për këto vende, është tepër e rëndësishme që të rritet sasia e kontributeve donatore, ndërkohë që shfaqen hezitime dhe për aq sa derdhet aktualisht. Në mënyrë të ngjashme, krahas ndihmës së jashtme, duhet të rritet dhe paketa sociale nga rezervat e brendshme të çdo vendi... 

* * *

Në fakt, pothuajse 40% e vendeve në zhvillim janë tepër të ekspozuara ndaj efekteve të varfërisë, të lidhura me këtë krizë. Po ashtu, afro 56% e vendeve janë të ekspozuara në mënyrë të moderuar (duke përballuar rënie ekonomike ose nivele të larta varfërie), ndërsa tek pjesa e mbetur besohet se do të shfaqet një rrezik shumë më minimal. Duke konsideruar si linjë ndërkombëtare për varfërinë atë që i afrohet vlerës $1.25 në ditë (të përcaktuar për vitin 2005), vendet që klasifikohen si të varfërisë së lartë janë mbi 20%. Ata ndodhen nën linjën mesatare të varfërisë. Bile, sipas kësaj linje, bazuar në çmime të korrigjuara (me referencë ato të vitit 2005), nga matja e varfërisë në muajin gusht 2008 rezultojnë ende nën nivel të lartë varfërie afro 1.4 miliardë njerëz apo një në katër vetë, ndryshe nga 1.9 miliardë njerëz, një në dy, në vitin 1981. Ndërkohë, vlerësimet e fundit për vitin 2009 vazhdojnë të flasin për një rënie ekonomike dhe rritje papunësie, që do të rrisin “kurthin” e varfërisë për një shtesë prej afro 46-50 milionë njerëzish me të ardhura ditore me më pak se $1.25 në ditë, ndryshe nga ajo që parashikohej para shpërthimit të krizës globale. Kurse numri i atyre me $2 në ditë mund të arrijë në një shtesë tjetër mbi 53 milionë njerëzish. Pra, parë në këtë optikë, duket tejet zhgënjyes pretendimi qeveritar mbi ndikimin e krizës globale, sidomos duke pasur parasysh nivelin minimal të ndërhyrjes sociale në Shqipëri...

* * *

Përgjithësisht, kriza globale është duke shtrënguar buxhetet në shumë vende me të ardhura të vogla. Madje, një gjë e tillë po shoqërohet me një rënie mbështetje e donacionesh, paralelisht me nevojën shumë më të madhe për shpenzime sociale. Padyshim, kjo lidhet dhe me specifika të veçanta të çdo vendi të tillë. P.sh., një rrethanë e pranueshme për një vend është ajo kur mund të krijohet një tip “baferi” (buffer): ose me akumulim rezervash nëpërmjet rritjes së disa eksporteve të kërkuara, ose duke konsideruar nivelin e borxhit të atij vendi. Në këtë mënyrë një vend i tillë e ka hapësirën e nevojshme fiskale për të mbrojtur shpenzimet e domosdoshme në fushën e shëndetit, edukimit, mjedisit e infrastrukturës. Dhe ata janë tepër të rekomandueshme dhe të domosdoshme në kushte krize. Për më tepër, në pamundësi të brendshme kërkohet dhe një asistencë e jashtme. Nga ana tjetër, nëse këto vende kanë arritur më parë që të përfshihen në tregjet financiare ndërkombëtare për të financuar buxhetet e tyre, tani po ndeshin goditjen e drejtpërdrejtë të këtyre tregjeve. I tillë është dhe rasti i Shqipërisë. Me borxhin e saj, sidomos me deficitin buxhetor, ajo e ka mjaft të kufizuar hapësirën e vet fiskale për të shtuar apo realizuar shpenzime të programuara në fushën e shëndetit, mjedisit, edukimit etj. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të hasur vonesa në huadhënie nga banka jashtë Shqipërisë për mbështetje të disa projekteve infrastrukturore. Dhe, po ashtu, për të mbrojtur aq sa mund të mbrohet, për të arritur aq sa mund të arrihet, në goditjet aktuale që po merr monedha kombëtare. Pra, nuk përjashtohet që dhe kriza globale të përkeqësojë situatën e borxhit, sidomos me reduktimin e të ardhurave nga eksportet apo, në përgjithësi, të ardhurave tatimore. Nga ana tjetër, një gjë e tillë mund të ndikojë apo të nxisë deri largimin e investitorëve nga tregu i brendshëm i letrave me vlerë. Kështu mund të “thahen” edhe rrugët e financimit të buxhetit, pikërisht kur kjo kërkohet e nevojitet më shumë se kurrë...

* * *

Në një stad të mëtejshëm, nëse kriza globale do të shtrihet më shumë nga ç’po mendohet deri tani, një shqetësim të ri për vendet me ekonomi të brishta mund të sjellin edhe bankat apo institucione të tjera financiare, sidomos ato që pësojnë goditje serioze tek qendrat e tyre në vendet e zhvilluara. Përgjithësisht, këto sektorë financiarë në vendet në zhvillim mbeten në pozita relativisht të favorshme, në krahasim me qendrat e tyre në vendet më të zhvilluara. Aq më tepër që tregjet e tyre të produkteve të dyta dhe ato ndërbankare janë tepër të kufizuara. Aty, bankat apo degët e tyre shfrytëzojnë më tepër fonde vendore (bone thesari, depozita, kredi) për huadhënie apo kreditim ekonomie, në krahasim me ato të jashtme, qendrore. Po ashtu, në këto vende bankat shfaqen si aktivitete biznesi me përfitim të pranueshëm, dhe kjo përfitueshmëri është shoqëruar me një nivel relativisht të lartë likuiditeti. Në këtë kuptim, një sistem i tillë financiar nuk ka pësuar deri tani dhe mund të mos pësojë strese të mëdha, por jo që nuk është pa rreziqe. Aq më tepër që në vende të tilla si Shqipëria apo vende të tjera të Ballkanit në sistemin bankar kontributin më të madh e kanë pronësitë e jashtme (të huaja). E njëjta gjë gradualisht po shfaqet dhe në kompanitë e sigurimeve. Por, nuk përjashtohet rasti që nën trysninë e krizës këto banka mëma të shfaqin shqetësime e kufizime serioze kapitali, duke e bërë krejtësisht potencial rrezikun e largimit apo të tërheqjes së kapitaleve nga degët e tyre drejt vendeve në zhvillim. Qoftë dhe kur legjislacionet vendore nuk e lejojnë një gjë të tillë! Po ashtu, kur kreditorët e këtyre bankave fillojnë të shfaqin vështirësi në pagesën e borxheve të tyre, atëherë me rritjen e vështirësive të tilla, vlera e agregatit, niveli i plotë i aseteve bankare pësojnë çrregullime serioze, bile sa të provokojnë deri rreziqe të konsiderueshme. Këto, në kushtet e Shqipërisë, janë arsye të mjaftueshme për të rritur vigjilencën bankare, për të ngritur detyrimin ligjor mbi përqindjen e kthyeshme të depozitave, për të rritur besimin e klientit, apo për të fuqizuar mbikëqyrjen mbi institucione të tjera financiare.

* * *

Krahas nevojës për një sistem rregullator e ndërhyrje të shtetit, apo për fuqizim të sistemit ndërkombëtar të konsulencës, ndihmës e kontrollit, po ekspozohet në zhvillimin e krizës dhe një prirje krejt e kundërt. Ajo është proteksionizmi, që po shfaqet jo vetëm në ekonomitë më të zhvilluara, por dhe në ato me të ardhura minimale. Presioni politik për proteksionizëm po bëhet gjithnjë dhe më i fortë me uljen në vazhdimësi të vendeve të punës apo rritjen e shkallës së papunësisë. Por ky proteksionozëm, i ushqyer dhe nga nevoja e ruajtjes së votës elektorale, mund të dëmtojë të gjitha llojet e ekonomive, deri duke riprodhuar situata të ngjashme me ato të dikurshme gjatë Depresionit të Madh. Kjo mund të theksohet edhe më shumë nëse alarmet e sotme potenciale do të bëhen reale nesër për vendet me ekonomi modeste apo me të ardhura të ulëta. Në këtë kuptim dhe për ta, në një shtrirje afatmesme, impakti i krizës pritet të jetë po aq i ashpër si ai i vendeve të zhvilluara apo emergjente, edhe pse në mënyra të ndryshme. Kjo, edhe pse ata nuk janë drejtpërsëdrejti gjeneruesit e krizës. Bile, ata mund të shfaqen si lojtarë pa peshë në kapërcimin e dëmeve dhe vështirësive sociale të recensionit. Pa ndonjë mbështetje të jashtme vende të tilla, përfshirë Shqipërinë dhe fqinjët e saj, mund të arrijnë deri atje sa të shkurtojnë shpenzimet prioritare, qoftë dhe në mungesë recensioni apo në raste vonese rritjeje ekonomike. Por, nga ana tjetër, kjo mund të shtojë numrin e njerëzve me të ardhura krejtësisht minimale dhe më të varfër, gjë që mund të dëmtojë rëndë stabilitetin politik. Dhe kjo nuk është as në interesin e askujt, prandaj ajo kërkon një përgjigje politike të gjithanshme, konsensuale e bipartizane.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama