Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ëndrra që vrau fort maturantët

Shkruar nga: Mimoza Hafizi  
Botuar më: 25 vite më parë

Mimoza Hafizi
Ëndrra që vrau fort maturantët

Këto copëra informacioni që treten në zhurmën shurdhuese të lajmeve të ditës, në fakt, janë kronika e zezë e një sistemi hyrjesh në universitete, që nuk arriti as të jepte preferencën e aq më pak të respektonte meritën, pavarësisht emrit të madh që i vuri vetes.

Përse një vajzë që ka fituar mbi 4500 pikë nuk arriti të regjistrohej? Është faji i saj, thotë Ministria e Arsimit,- ajo nuk diti t’i rendiste siç duhet preferencat e saj. Përse një djalosh me nota aq të mira, mbeti pa shkollë këtë vit? Është faji i tij, thotë ministri, ai nuk diti në moshën e tij “madhore” ta gjente fët e fët, se me çfarë do të merrej në 50 vitet vijuese të jetës.

Por ky është thjesht reaksioni i një institucioni që fshihet pas fajit të tij të sofistikuar. Që nuk e thotë troç se mundësia me 10 preferenca që i serviri 18-vjeçarëve të këtij viti, ishte krejt e pamjaftueshme. Se ka një listë prej 121 degësh shkollimi, e secila duhet shumëzuar me numrin e universiteteve që e ofrojnë, nga ku një maturanti i duhet të zgjedhë vetëm 10!

Epo në epokën e brezit tuaj, ju linin të zgjidhnit vetëm tre degë, thotë një politikan. Nuk e shihni ç’progres kemi bërë në 20 vjet, nga treshi te dhjeta!?

Është tepër pak, zotëri! Sepse në listën e preferencave të një të riu, në radhët e para ndodhet ëndrra. Që s’do t’ia humbë rastin vetes ta tentojë e ta kapë. Ai dëshiron shumë të bëhet mjek, ndonëse e di që ka shumë pak vende të mundshme. Por qoshja e errët mistike e trurit e ngacmon të mos e humbasë këtë shans, s’i dihet, mbase në ditën e provimit i vjen ideja qiellore dhe ëndrra bëhet realitet! Por te Mjekësia ka edhe Stomatologji, edhe Farmaci… Fundja biolog, i ngjan sadopak, ka shumë universitete që e ofrojnë këtë diplomë, shansi rritet… Pastaj ka dhe kimist, disa drejtimesh… Pa dale, dikur më ka pëlqyer shumë të bëhem ekonomist, pse jo, planet e zhvillimit, shifrat… Ahu s’paska më vend te formulari?! Epo, ta lëmë me kaq!

Dhe kështu u mbyllën 10 preferencat e tij. Po informaticien, po matematikan, fizikan, inxhinier? Pa thënë pastaj gazetar, jurist, historian, letrar, gjeograf, psikolog…

Në epilogun e kësaj historie, ndonëse me rezultate mjaft të mira, ish-maturanti nuk arrin të hyjë në shkollën e lartë. Ai endet me revoltën në shpirt dhe zemëratën në sy përpara dyerve të shtetit. S’e kam unë fajin, thotë ministria. A thua vallë nuk e di se është treguar shumë e ngurtë në lirinë e kërkesave? Se mjafton t’i kishte lënë edhe 2 gisht letër zgjedhje më tepër, pse jo ta linte numrin të lirë, djaloshi ynë nuk do të përlotej sot para ëndrrës së tij dhe nuk do të zemërohej para padrejtësisë fshehur nëpër formularë.

Breza pas brezash, të gjithë kemi qenë 18-vjeçarë. Ca ëndërruan dhe besuan se do të bëheshin si Ajnshtajni, dhe sigurisht nuk ia dolën, ca si Frojdi e ca si Pikaso. Megjithatë u bënë diçka në jetë, duke ndjekur atë ëndërr 18-vjeçare. Atë ëndërr, që sot e vunë të vriste fort gjithë ato 18-vjeçarë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama