Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mangësitë e sondazhit të Zogby

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Mangësitë e sondazhit të Zogby

Hyrja për herë të parë në tregun shqiptar të sondazheve, që më shumë se i zhvilluar është i abuzuar këto vite nga politika, dha shpresë se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Besuam se tashmë politika do të kishte një armë më pak në dorë për të manipuluar mendjen dhe vendimmarrjen e masave, se nuk do të ishin më sondazhet e telekomanduara nga partitë që do të formësonin vendimmarrjen e votuesve, por se sondazhet, duke shfaqur objektivisht përjetimet e elektorateve, do të detyronin partitë të modifikonin qëndrimet, politikat, premtimet për t‘iu përshtatur elektorateve. Mjerisht, kjo nuk u arrit, ose të paktën nuk është arritur deri tani, edhe pas investimit të "Zogby" në Shqipëri. Përse? Sepse sondazhi "Zogby" ofron, si të përbashkët me një traditë të keqe sondazhesh të zhvilluara deri më sot në vend, një transparencë jo të plotë mbi atë se si është realizuar sondazhi. Pra, dështon pikërisht në atë që duhet ta korrigjonte, duke qenë edhe thelbi i risisë.

Vërtet "Zogby" është një markë prestigjioze, por është bërë një markë e tillë pikërisht në sajë të profesionalizmit dhe transparencës. Por aty, ku këto parametra nuk ruhen me rigorozitet, nuk mund të çash me sukses, edhe në një treg të humbur si Shqipëria, duke shpresuar se mangësitë e standardit do të kompensohen nga miti i prestigjit. Miti nuk e kompenson dot kurrë besimin që lind nga transparenca. Sepse është pikërisht abuzimi me sondazhet që e ka bërë të nevojshme një investim si ai i "Zogby" në Shqipëri, është ajo nevoja urgjente që vendin e falsitetit dhe gënjeshtrës, edhe në këtë rrafsh, ta zërë e vërteta.


***

Por për çfarë mungese të transparencës mund të flitet në rastin e sondazheve "Zogby"? Para së gjithash, në mbajtjen çuditërisht sekret të aktorëve lokalë, që kanë asistuar "Zogby"-n në realizimin e intervistave ballë për ballë. Ky lloj sekreti i habitshëm dhe i papërligjur, është kritikuar edhe më përpara në të tjera sondazhe. Kujtojmë se kjo ka qenë një nga kritikat e formuluara nga disa faktorë të opozitës së djeshme, por ende edhe të sotme, lidhur me një sondazh të organizuar nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI) në prag të zgjedhjeve lokale. Përse nuk deklarohet se kush ka qenë partneri lokal? - pyesnin me shumë të drejtë, në atë kohë, aktorë të opozitës dhe shoqërisë civile. Por sot, disa nga këta aktorë, që duket se janë të kënaqur me rezultatet e sondazheve "Zogby", nuk e shtrojnë më këtë problem.

Është në fakt qëndrimi që mbanin në vitin 2007 ata aktorë politikë (kryesisht afër pushtetit), që ishin të kënaqur me rezultatet e sondazhit të NDI. Veç nuk na lejohet që t‘i gjykojmë dukuritë sipas interesave tona, që janë tepër të ndryshueshme në raport me dukuritë që na rrethojnë. Pra, nuk na lejohet që ta denoncojmë mospublikimin e partnerit lokal si mungesë transparence kur s‘na pëlqen rezultati i sondazhit, dhe të mos e konsiderojmë problem kur rezultati është i pëlqyeshëm për ne. Ky është një standard i dyfishtë dhe nuk na shpie tek ato standarde që e bëjnë sondazhin një mjet të mirinformimit publik për parandalimin e manipulimit të zgjedhjeve nga politika.

Ndërkaq, ato çka thuhen për gjoja rrezikimin e aktorëve lokalë të një sondazhi, nëse bëhen publikë, janë broçkulla që nuk e fashitin shqetësimin se prapa çdo mungese transparence fshihet një hile. Edhe mendimi se, duke mos shpallur aktorët lokalë, sondazhi do të paragjykohet, është i gabuar. Paragjykimi dhe mungesa e besimit është më e madhe, dyshimi më gërryes për prestigjin e sondazhit kur gjërat lihen në errësirë. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm, "Zogby" do ta kapërcejë këtë mangësi që nuk e lejon të ngrihet mbi shumë nga sondazhet e mëparshme shqiptare dhe joshqiptare që janë zhvilluar në vend.


***

Ka edhe një tjetër mangësi dhe po lidhur me një transparencë jo të plotë. Dihet se sot në politikën shqiptare ka një përplasje të ashpër mes dy tendencave: njërës që tenton ta reduktojë numrin e partive konkurruese në deri edhe dy parti (PS-PD) dhe tjetrës, që aspiron për një treg politik me më shumë parti, për një pluralizëm më të begatë. Por pikërisht treguesit e sondazhit që rreken t‘i japin përgjigje asaj që pritet të ndodhë me këtë konflikt mes "të mëdhenjve" e "të vegjëlve" të politikës, nuk serviren në transparencë të plotë. Nuk e kemi fjalën që të mëdhenjtë PS-PD jepen më të mëdhenj, siç dhe LSI më e vogël se ç‘është. Madje, parti të tjera, si LZHK, as nuk figurojnë të kenë elektorat. Është në formatin e kampionit të një sondazhi prej 1000 vetësh që të kapë më shumë nga ato që përfaqësojnë një bashkësi më të madhe votuesish, dhe më pak nga ajo që është më e vogël. Çdo gjahtar e di mirë se saçmet kanë shans të qëllojnë më shumë zogj, kur tufa, që fluturon para grykës së çiftes, është më e madhe dhe më e dendur. Prandaj, edhe organizatorët njohin një marzh gabimi prej + dhe - 3 për qind. Dhe është një marzh gabimi që priret (në vlera përqindjeje) të jetë negativ për të vegjlit dhe pozitiv për të mëdhenjtë. Që do të thotë se një situatë reale votimi do të tentonte ta korrektonte rezultatin "Zogby" duke i zbritur "të mëdhenjve" rreth 3 për qind nga vlerat e pasqyruara në sondazh, ndërsa të vegjlit do t‘i rriste me 3 për qind.

Por nuk është kjo që kritikohet. Mungesa e besimit në të dhënat e sondazhit "Zogby" lind kur sheh se janë publikuar vetëm ata formularë ku kategoritë e të intervistuarve ndahen në votues për PD, votues për PS, votues që do votojnë për parti "Të tjera" dhe votues "Të pavendosur". Ndërkaq nuk janë publikuar asnjëherë, as tani dhe as një muaj më parë, ata formularë që pyesin kategorinë e votuesve të grupuar në "Të tjera" se për kë nga partitë e tjera (LSI, LZHK, G99, PSD, PR etj.) do ta hidhnin votën. Është një mungesë transparence që me të drejtë ngjall dyshimin: Si ka arritur sondazhi të formatojë mbështetjen për partitë "e tjera" nëse në formular i tillë nuk ekziston? Sepse, nëse ekziston përse nuk publikohet edhe pse një mangësi e tillë ka ngjallur mjaft dyshime që në publikimin e sondazhit "Zogby" në janar?


***

Ndërkaq, sondazhi "Zogby" nuk duket shumë i saktë edhe në ndonjë përbërës tjetër. Për shembull në formularin që tenton të zbulojë përmasat e mbështetjes publike për Berishën dhe Ramën, konstatohet se të intervistuarit janë ftuar të japin vlerësim për "Kryeministrin Sali Berisha" dhe "kryetarin e bashkisë dhe liderin e opozitës Edi Rama". Ndërsa lihet jashtë gjykimi për Berishën si kryetar i mazhorancës (pra me të metë) kërkohet gjykim për Ramën edhe si lider i opozitës pra, me të tepërt. Kjo duket e gabuar. Dhe jo vetëm sepse tashmë dihet që Edi Rama nuk ka gjithë opozitën prapa (vetëm nëse "Zogby" pranon si të vërteta deklaratat e Mimi Kodhelit se Ilir Meta është në pushtet), por edhe sepse bashkon në një pohim vlerësime për dy gjëra që nuk janë e njëjta gjë. Sepse për jo pak njerëz, Rama mund të jetë i pëlqyeshëm vetëm si kryebashkiak dhe jo si kryetar i PS dhe anasjelltas. Mënyra sesi është shtruar pyetja në formularin e Zogby nuk duket shumë në lartësinë e markës "Zogby". Zhgënjyes është edhe fakti që në vlerësimin e Berishë dhe Ramës (midis të tjerash, përse vetëm për këta të dy kur ne kemi edhe shumë liderë të tjerë dhe nuk jemi ende sistem dypartiak?) "Zogby" ka kategorizuar si "negative" edhe ata të intervistuar që kanë dhënë vlerësimin "fair" qoftë për Ramën dhe qoftë për Berishën. Në anglisht kuptimet e fjalës "fair" janë të shumta, por asnjëra prej tyre nuk afron me negativitetin apo të keqen. Ndoshta "Zogby"-t i kanë thënë se kështu kategorizohet në shqip. Gjë që na kthen përsëri te besueshmëria e partnerëve lokalë të "Zogby"-t.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama