Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur ndotet pastrimi

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Kur ndotet pastrimi

Katarsisi është përdorur si mashtrim radhe prej politikës shqiptare. Në harkun kohor të këtij tranzicioni, disa herë ka pasur angazhime politike, të cilat kanë devijuar në lojëra përfitimesh. Lëvizje të ashtuquajtura për katarsis ka pasur dhe janë iniciuar, por proces katarsisi ende nuk kemi përjetuar. Diferenca mes asaj që duhet dhe asaj që përdoret, pikërisht në këtë thelb qëndron. Përdorimi i kësaj nevoje për lëvizje radhe, ka bërë të mundur që trishtimi qytetar dhe zhgënjimi prej nismave të ricikluara politike, të mbetet vijueshmërisht në fuqi.

Pse nuk mund të kryejë katarsis kjo klasë politike?

Prej vitit 1998 e deri më sot, koha që ka rrjedhur mbetet një kohë provuese për këtë zhgënjim dhe mision të pakryer. Pas vitit anarkik të 1997, krejt shoqëria e plagosur dhe e masakruar shpirtërisht, dëshiroi një kthesë, një kohë të re për raportet shtet-qytetar dhe politikë-shtet-qytetar. Politikanët e vendit e lexuan këtë nevojë, e njohën deri në thellësi të shpirtit të çdo qytetari këtë dëshirim dhe sërish ricikluan përdorimin e saj për llogari vetjake apo grupi. Koha që rrodhi ishte prova që rrënoi besimin publik tek ish e majta qeverisëse. Pushteti i socialistëve u dekompozua, së pari për shkak të rrënimit të besimit dhe të shpërdorimit të vlerave morale. Fjala e politikanëve u shndërrua në kontrast i së vërtetës reale. Tetë vite të asaj qeverisjeje (1997-2005) u shndërruan në një kohë kur mes së thënës dhe së bërës, lartësohej sa mashtrimi, aq edhe humbja e besimit qytetar. Ky rrënim la për gjurmë disa ndodhi dhe natyrisht vetë së majtës i shkaktoi ndarjen e cila, u mbart edhe në kohën më pas, si një problem i pazgjidhur, si një proces i pakufizuar në kohë dhe që ende nuk i është gjetur "ilaçi" i ndaljes dhe i qetimit. Matanë dhe përballë pushtet-humburve të 2005-ës, pra socialistëve dhe spektrit të majtistëve të këtij vendi, erdhi me një devizë elektorale dhe platformë të përkrahshme PD e kryesuar prej zotit Berisha.

Tashmë PD dhe lidershipi i kësaj së djathte gjenden në ditët elektorale në pretendimin për një mandat të ri, por me një ngarkesë të madhe akuzash, denoncimesh, përgojimesh dhe kritikash sa politike aq edhe qytetare. Në këtë tur të tanishëm elektoral, palët në përballje, kanë shpalosur sërish gjithë librin e akuzave dhe denoncimeve të ndërsjella. Secila palë ka krijuar një axhendë të vetën akuzash dhe denoncimesh. Të ndara në një pozicion pushtetpasëse, të dyja forcat kryesore, (njëra në pushtetin qendror dhe tjetra në atë lokal), nuk po rreshtin edhe në këtë kohë së akuzuari dhe denoncuari me shifra e projekte njëra-tjetrën.

Kjo armë e vjetër elektorale po rikthehet përmes "mprehjes" së re, në përdorimin e radhës.

Të gjitha gjasat janë që kësi përballjesh të mos rikthehen aty ku besohej si edhe herë të tjera, se do të niste katarsisi. Katarsis nuk do të ketë e në kësi rrethanash e kësi protagonizmash, nuk mund të ketë.

Shoqëria qenka e thënë të bashkëjetojë me krimet e pandëshkuara dhe me mashtrimet e shtresëzuara. Në këtë gjendje dhe me këtë mbartje kjo shoqëri udhëton nëpër përditshmëritë e saj të tanishme dhe të ardhme.

Në muajt e parë të kësaj fushate, po shfaqet vetëm aktrimi politik i akuzimit dhe kundërakuzimit, ndërsa mbivendoset mbi një skandal të vjetër një lëvizje e re populiste, apo shpallet një skandal i ri, duke na lënë të besojmë se do të kemi të njëjtën fushatë fjalësh dhe mitingjesh. Në kësi klime, pushteti i drejtësisë dhe i institucioneve që kanë tagrin ligjor dhe kushtetues, nuk mund të dëshmohet dhe nuk mund të veprojë në pavarësinë e vet apo në mëvetësinë e tij të dyshuar. Në këtë pozicion, klasa politike e këtij vendi e ka mbajtur dhe e mban prej 18 vjetësh pushtetin e vet shumëformësh. Marrëveshja për këtë bashkëjetesë dhe këtë përdorim pushtetesh, mes palëve është sa e heshtur, aq edhe pragmatiste. Fushatat vetëm sjellin lëvizje dhe shumojnë populizëm, oratori partiakësh dhe udhëheqësish që kanë vetëm qëllimin e të mbeturit në qeverisje apo të fituarit të qeverisjes. Pas kësaj fushate, shteti i "demokracisë së vobektë" apo "demokracisë hibride", do të vijojë të konsiderohet lodhësi, munduesi dhe pse jo edhe vrasësi i qytetarëve të vet.

Në këtë ritual të ricikluar kaq e kaq herë, shqiptarët vijojnë të mbesin qytetarët që ndoten në ëndërrimin e tyre, duke shpresuar, përmes premtimeve për pastrim dhe ndryshim prej udhëheqësve dhe prijësve të tyre. Kjo ndotje mbetet ende në fuqi edhe në këtë tur të tanishëm zgjedhor, përderisa qëllim të parë palët kanë rikthimin e turmave dhe mitingjeve dhe jo afirmimin e imazhit të ri në projektet dhe veprat që bindin për kohë të re dhe Shqipëri evropiane.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama