Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Administrata e sëmurë shqiptare




Qoftë për shkak të traditës komuniste ku shteti ishte punëdhënësi më i madh, por edhe për vijimësinë e këtij nocioni edhe në këta 19 vjet, shqiptarët janë të prirur për “të punuar në shtet”. Kështu e quajmë ne atë që gjithë bota tashmë ka dekada që e quan shërbim publik, dhe që konsiderohet vërtet si një shërbim, një punë e nderuar dhe jo e paguar mirë si sektori privat.
Një prej politikanëve të rinj do të thonte që “sot ai që është në pushtet ka një as më tepër në dorë” pasi ka numrin më të madh të vendeve të punës për të joshur ata që e votojnë. Pra punësimi në shtet në Shqipëri, shihet si një mundësi për të fituar bukën e përditshme, por mbi të gjitha edhe si një mundësi e mirë punësimi ku nuk punohet thuajse fare dhe ku zgjidhen fare mirë hallet personale.

Mosha e mesme e ka thuajse të detyruar “punën në shtet”. Përgatitja nën komunizëm, gjuhët e huaja dhe dijet kompjuterike të munguara s’bëjnë tjetër veçse u mbyllin dyert këtyre prindërve tanë dhe i çojnë ata në zyrat shtetërore ku kurrkush ende s’t’i kërkon ato. Ky element bëhet alarmant kur politika i vërtit njerëzit bazuar në ndërrimin të pushtetarëve në Tiranë.

Por në këta 19 vjet, me një ekonomi tregtarësh dhe importuesish krejt inekzistente, edhe të rinjtë e shkolluar në këta vite s’bënë gjë tjetër veçse kërkuan udhën e mënyrën më të lehtë për të hyrë në administratë. Gjendja e tmerrshme e shkollave në këta vjet, mungesa e një boshti përgatitës për këta njerëz, boshllëqet e mëdha në përgatitjen e tyre ndikuan dhe vazhdojnë të ndikojnë në gjendjen e administratës së sotme.
E para nuk ka një sistem serioz të punëmarrjes së punonjësve të rinj. Një shtet që po hyn në NATO dhe synon BE-në ende nuk e njeh nocionin e burimeve njerëzore.

Ato janë zëvendësuar nga “miku” i cili është referenti për shumëkush që hyn në administratë. Dhe miku nuk mjafton vetëm të të futë, por edhe të të mbajë në valle... askush nuk i kontrollon diplomat, listën e notave, gjuhët e huaja, dijet kompjuterike...

E dyta, shumë drejtuesve u intereson të kenë “nën vete” punonjës sa më të paaftë. Me këtë ata janë të qetë dhe pa frikën se dikush do t’i rrëzojë nga karrigia e tyre.

E treta, elementët e shkolluar në këta vite vazhdojnë “punën e kafesë” që e kanë mësuar tashmë në “shkollat e kafesë”. Gjithkush e di krizën e arsimit të lartë shqiptar në këta 19 vite, krizë që vazhdon ende edhe sot me sisteme që provohen e ndërrohen në auditore ku ende s’ka botime për të qenë por ka profesorë gjobaxhinj dhe abuzues seksualë. Ajo që ndodh aty, në ato auditore përsëritet edhe në zyrat shtetërore apo vilat e zyrtarëve, ashtu siç ndodhi pak javë më parë...

Të tre këto pika bashkohen në një të katërt, ku politika e përbën dhe shpërbën administratën duke e bërë atë thuajse tërësisht politike. Edhe ai që aftësohet në 3-4 vjet, hiqet nga ai që vjen më pas në pushtet duke çuar dëm paratë, trainimet, kohën që e shumta ndërkombëtarët shpenzuan.
Qeveria është munduar të tërheqë edhe të rinjtë e shkolluar jashtë. Por deri tani asgjë nuk është bërë. Të rrallë janë ata që kanë penetruar në administratë (bazuar në efektin “mik”) pasi në Tiranë s’kanë pasur njohjet apo nuk janë ambientuar dot më natyrën mesjetare dhe thashethemore-bizantine që ekziston në zyrat e shtetit.

Ata përzgjedhin më shumë sektorin privat, sepse atje gjejnë një standard tjetër, atë të meritokracisë dhe mirëpagimit. Por ndërsa kompanitë dhe korporatat serioze (shumica tashmë të huaja) po sjellin standarde të tjera, “shteti” vazhdon të qëndrojë aty ku ka qenë duke shtuar disnivelin. Dhe problemi nuk i ndodh shtetit, por sektorit privat sepse asnjë punë nuk të zgjidhet siç duhet apo në kohë. Dhe problemi i ndodh qytetarit... në vend t’i shërbehet atij, po ndodh e kundërta: qytetari i shërben administratës!

Të gjithë ja hedhin fajin politikës. Ajo ka mëkatet e saj. Por pas politikës qëndron kjo administratë. Dhe kjo administratë është në pikën e kalbur të saj, ku edhe një tekst i thjeshtë i një shkrese normale shkruhet më qindra gabime drejtshkrimore, një injorancë që arkivohet përditë në protokollin e çdo zyre.

Injoranca shkon edhe më tej kur punonjësit e rinj mezi hapin një adresë të postës elektronike ndërsa ende gjen shumë vetë që nuk dinë të flasin gjuhët e përdorura ndërkombëtare, por vetëm copëza nga gjuhët e fqinjëve që i kanë mësuar nga televizorët. (Kujtoni policët në zonat turistike!)
Si përfundim kjo e shtyn edhe më tej integrimin, zvogëlon shpejtësinë e zhvillimit ekonomik dhe ndonëse në fund të dekadës së parë në shekullit të XXI, na mban sërish në 1992, pra aty ku ishim. Vetëm se jemi bërë më të ditur në artin e thashethemeve, bërrylave dhe djallëzisë! Dhe fatkeqësisht, ne jemi edhe modeli që jepet për shtetin e ri të Kosovës...!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama