Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nuk qenkemi hajdute

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Nuk qenkemi hajdute

Kam muaj e muaj me radhë që dëgjoj LSI-në të rëndojë dorën dhe gojën kundër PS-së. E filloi me kunja e batuta dhe erdhi duke e trashur zënë, derisa arriti në akuza direkte me zërin ngritur e gishtin drejtuar mbi kryetarin e PS-së. Nuk vlen të rreshtoj këtu llafet që u thanë për të e për përqindjet e pallateve, për grupin e të korruptuarve në PS e për hajdutët e buxheteve vendore, buxhete që po i shpëtonte LSI-ja.

Aq u trash kjo punë sa edhe unë po zinja inat me Kryetarin tim që nuk kthente llaf dhe fillova të dyshoj, ore mos dinë ndonjë gjë vërtet këta të LSI-së që s‘e dimë as vetë ne dhe mos qënkemi hajdutë pa e ditur që jemi. Falë Zotit, deklaratat e LSI-së të këtyre ditëve të fundit, që ishin 180 gradë në krah të kundërt me ç‘kish thënë deri atëherë, më qetuan. Brenda natës LSI-ja na bëri burra të mirë dhe shpalli se do pranonte të bënte koalicion me PS-në. Më nj‘anë u lehtësova që nuk qënkemi më hajdutë, po m‘anë tjatër u rëndova, se pashë që LSI-a nuk paskësh marrë vesh hiç se çfarë ka ndryshuar në mëndjen e shqiptarëve. Se mirë ne po e hamë turpin me bukë dhe po harrojmë ç‘na thanë deri dje, po njerëzve kush ua mbush mëndjen të harrojë? A thua t‘u hiqet nga goja njerëzve shija e tharët që u kanë lënë pazaret e vjetra të partive, duke u dhënë të përtypin një thartirë më të fortë, atë të pazareve të reja?

Unë e kuptoj që politika ka nevojë për konsensus, unë e kuptoj që politika bashkon edhe ata që mendojnë ndryshe nga njëri-tjetri. Unë them që ti je i shëmtuar, ti thua që unë jam i shëmtuar, po meqenëse kjo është çështje syri, ne prapë mund të bashkohemi për të mundur një kundërshtar më të fortë. Mirëpo si mund të bashkohemi, pasi ti më ke thënë që jam hajdut? Kur më the që jam i shëmtuar, nuk më mbetet hatri, se nuk të çon njeri në burg se je i shëmtuar, ndërsa kur më thua që jam hajdut, dale një minutë, ndryshon puna se vëndi i hajdutit është në burg. Nuk është puna këtu të kënaqem unë, duke më thënë "më fal që të qojtëm hajdut", është puna të kuptojnë populli që përballë Saliut qëndrojnë ca njerëz ndryshe nga ai, ndryshe nga ata që i sollën në këtë ditë, ndryshe nga pocaqia ku jemi zhytur të tërë.

Që do ish mirë që LSI-ja të bashkohej me PS-në për hir të të keqes "Sali", kjo s‘do mënt që është gjë e mirë. Mirëpo roli i partive është që duke dalë nga populli, t‘i shërbejnë edhe moralit, jo vetëm vetes dhe, për t‘i shërbyer moralit publik të shqiptarëve, para se krerët të shtrëngojnë duart, LSI-ja duhet që faqe botës, ose të kërkojë ndjesë për gjithë bateritë që i ka zbrazur në kokë PS-së, ose të japë faktet se pse kish të drejtë kur na quante hajdutë. Ndryshe, njerëzit do thonë "aha, prapë këta e gjetën llafin, prapë u mblodhën bashkë të gatuajnë çorbën e tyre sot që të hanë byrekun tonë nesër". Kësaj djema, i thonë politikë e vjetër dhe, edhe Rama me të tijën si Kryetar, edhe ne shumë të tjerë që po flasim, kemi aq respekt për veten sa, pasi kemi folur për politikë të re, të mos biem në çorbën e vjetër që me radhën e parë.

S‘ka dy javë që LSI-a pranoi në gjirin e saj disa të larguar të dikurshëm të PS-së në Durrës. Duket si punë e paqtë, se më mirë që u bashkuan me LSI-në sesa të bashkoheshin me Salinë. Mirëpo edhe aq e paqtë nuk është, se katër vjet më parë, kur ishin në PS këta burrat, LSI-ja nuk la llaf pa u thënë, duke i bërë mafiozë e hajdutë. Si qënka kjo punë kështu, po qeve kundër meje je hajdut, hajde bëhu me mua që të gdhihesh burrë i mirë?!

Që të jemi realistë, ka një autoritet në botë që t‘i lan gjynahet dhe të bën shënjtor kur i qasesh pranë, dhe ky është Papa në Romë. Shkon atje, i ulesh më gjunjë, ai, plaku i shenjtë me pelerinë të bardhë të vë dorën në kokë dhe ti hop, i ke larë të gjitha, je gdhirë mavri me bojë, por ngrysesh i qashtër ama. Mirëpo ky që të bën këtë punë, është Papa që i ka hesapet direkt me Perëndinë në qiell dhe, do goxha fantazi që këtë punë të kërkojë ta bëjë edhe LSI-ja në tokë.

Ç‘TE BEJ?

Ndërsa ne bëjmë filozofira për të rinjtë e politikë për të vjetrit, skeletit të Shqipërisë vazhdojnë t‘i bien edhe copërat e fundit të suvasë që i kanë mbetur.

Në mes të Tiranës, 200 metra nga Skënderbeu, 100 metra nga Ministria e Brendshme dhe 50 metra nga Ministria e Punëve Publike dhe 10 metra nga selia e partisë në pushtet po shkatërrohet një prej godinave më të bukura të trashëgimisë së qytetit: godina e dikurshme e Institutit të Monumenteve që vitet e fundit pas kthimit tek ish-pronarët përdorej si restorant me emrin Saraji. Tirana ka qenë një qendër që udhëtarët e vjetër e përshkruajnë si një qytet të hijshëm plot arkitekturë të shkëlqyer otomane, ndërsa brenda një shekulli ia doli ta zhdukë të gjithën këtë trashëgimi dhe sot nuk i kanë mbetur më shumë se nja dhjetë gjurmë që dëshmojnë se këtu kanë rrojtur njerëz edhe para vitit 1900 dhe jo ujqër e arinj të pyllit. Ndër këto gjurmë, ndër më të fismet dhe të hijshmet është edhe ky monumenti që ju thashë. I groposur midis shumëkatësheve prej betoni që e kanë rrethuar dhe që po vazhdojnë t‘i ngrihen përreth sidoqoftë kishte mbetur elegante mes tyre si për t‘u dëshmuar se madhësia nuk është domosdoshmërisht madhështi.

Ka ditë që kjo godinë po masakrohet dhe transformohet në mënyrë të pamëshirshme. Po shkulen dritaret dhe veshjet origjinale, po mbushet me hekur e beton, po bëhet e ç‘nuk bëhet se edhe ata që po i bëjnë varrin nuk të lënë as të afrohesh e jo më t‘u kërkosh llogari. U fol nëpër gazeta u bënë dhe nja dy kronika dhe kaq. Si gjithmonë asgjë, asnjë nga institucionet që janë aty përreth pak metra larg nuk lojti vëndit.

Me kë të flas? Kujt t‘i qahem? Kujt t‘i thërres në vrimë të veshit? Inspektorati i Ndërtimit që varet nga Ministria e Punëve Publike, as që bëhet llaf ta bëjë qejfin qeder. Pyes më tej dhe marr vesh se Inspektorati i Bashkisë paska shkuar të bëjë kontroll, por ndërtuesi është në rregull se u thotë që ka marrë leje nga Instituti. Se po e shkel lejen pastaj, këtë nuk është Inspektorati që mund ta thotë, por vetëm Instituti si organ i specializuar. Kësaj radhe ndodhi edhe një çudi. Pasi interesohem, më thonë se Instituti i Monumenteve, ky i vdekur i pakallur, paska bërë nja 4 a 5 letra për t‘u ankuar për shkatërrimin e monumentit. Natyrisht që është vonë, pasi në Shqipëri mezi u dëgjohet zëri institucioneve kur janë gjallë e shëndoshë, e jo më kur zëri u del si frymë kufome.

Nuk besoj se do më thoni pse nuk u përpoqa të ndërhyj drejt e te ministri i Kulturës, ai që ish, se e pamë se me çfarë e kish të zënë kohën ai. Përpiqem të lidhem në telefon me ministrin e ri taze, po nuk ia dola dot. Ç‘të bëj, ku të shkoj më lart, te Berisha? Për hir të monumentit, edhe atij do t‘i bëja telefon, po s‘ka vlerë, se më thonë që nuk i lexuaka më ankesat se qenkan bërë lumë.

Para disa ditësh desha të merrem me muret e kalasë së Tiranës që po mbushin vitin që qëndrojnë si varr i hapur midis qytetit. I lashë muret, se presin edhe ca ditë dhe u vura të shkruaj për këto sarajet që po shkatërrohen. Ndërsa po shkruaj më arrin një fotografi e bërë vetëm një ditë më parë, ku shihet ekskavatori që gërmon në Kishën e Mesopotamit si pa gjë të keq.

Ç‘të bëj më parë mes këtij shkatërrimi që na ka hipur në kokë t‘ia bëjmë vendit tonë, shkatërrim i cili do i bëjë arkeologët pas njëqind jetësh të thonë për ne: "keq, se qëmoti këtu paskan rrojtur njerëz të egjër, por ca më keq paskan qenë brezat mes shekujve XX dhe XXI, që ishin jo vetëm të egjër, por edhe të pangopur".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama