Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptarët dhe psikologjia e nënshtrimit

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Shqiptarët dhe psikologjia e nënshtrimit

Shqiptarët janë rebelë që mund të qeverisen vetëm me anë të një "dore të fortë" apo shfaqen shumë të nënshtruar ndaj pushtetit dhe prandaj kanë nevojë për më shumë kurajë dhe liri? Jo pak shqiptarë të ditëve tona mendojnë se shqiptarët duhen nënshtruar. Po kështu edhe jo pak politikanë. Berisha ka dhënë pa fund prova praktike të kësaj "filozofie" autoritariste, të cilën, mjerisht, duket e ka përvetësuar edhe Edi Rama. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që bashkë me autokratin Berisha, ai i dha më shumë pushtet postit të Kryeministrit, i dha mundësi një shumice ta zgjedhë Presidentin me shumicë të thjeshtë, e bëri prokurorinë më pak të pavarur nga qeveria, ua bëri jetën më të vështirë partive më të vogla, i bëri deputetë më të varur nga kreu i partisë.

Dhe jemi dakord me avokatët e Ramës si ai i bëri këto reforma me Berishën, jo për Berishën, por për vete. Por duhet pranuar se edhe Berisha (i cili ka deklaruar se nuk punon për Ramën) i bëri po ashtu këto "reforma" me ndihmën e Ramës, jo për Ramën, por për veten e tij. Avokatët e Edi Ramës duhet të na shpjegojnë se si bëhet e mundur që të njëjtat "reforma" mund të jenë mjet edhe i politikës së vjetër, por edhe i "politikës së re". Për ne, përgjigjja është e thjeshtë, por edhe tronditëse: vetëm nëse politika e vjetër dhe "politika e re" kanë një thelb të përbashkët, që është autoritarizmi apo ndjenja e fuqishme për nevojën e një dore të fortë që sjell stabilitetin. Por mos vallë opozitat, shoqëria civile, mediat "destabilizuan" gjithë këto vite autoritarizmin berishist që t‘i nënshtrohen një autoritarizmi tjetër?


***

Në fillim të viteve ‘90 shqiptarët përmbysën një diktaturë me parullën liri-demokraci. Por a besojnë më te liria dhe demokracia? A janë akoma të vendosur për të mbështetur, pavarësisht nga vështirësitë e kësaj pune, instalimin e një sistemi demokratik dhe njëherazi të lirë? Ka ardhur koha të shtrohet një problem i tillë, kur janë shfaqur reforma politike (tej së majtës dhe të djathtës) që po e shtyjnë vendin drejt instalimit të një formule autoritariste. Por jo vetëm për këtë. Sepse, pas 18 vitesh të një politike konfliktuale e të dështuar, është gjithnjë e më prezent edhe në thashethemnajën e përditshme, një zhgënjim dhe dëshpërim që këmbëngul ta gjejë shpëtimin te një "dorë e fortë" (rasti i Berishës nuk paska mjaftuar) te një qeverisje më autokratike.

Duket sikur shqiptarët kanë ndërruar mendje dhe po i kthejnë shpinën me zhgënjim asaj që e shpallën 19 vjet më parë si liri dhe demokraci. Ndërsa deri atëherë arratiseshin nga autokratizmi drejt lirisë, sot po arratisen nga "liria" drejt autokratizmit. Është provuar historikisht se në situata si këto nuk është aspak vështirë që të dalë një lider (madje është vështirë të mos dalë), që të premtojë "shpëtim" nga tmerret, ankthet, traumat e lirisë të shndërruar në kaos, duke risjellë stabilitetin e munguar, që t‘i premtojë një epokë të "re", një politikë të "re", një bashkim të "ri". Dhe masat do ta duartrokasin "shpëtimtarin", i cili ndërsa mallkon litarin e autoritarizmit të vjetër, po u hedh në qafë litarin e autoritarizmit të ri.


***

Eshtë jo vetëm kureshti, por edhe e dobishme politikisht, të testosh opinionin publik për të kuptuar shkencërisht si ndahen shpirtrat e shqiptarëve sot, sa prej tyre vazhdojnë të kenë për ideal lirinë dhe sa po zbythen, duke kërkuar një strehë autoritariste. Eshtë e dobishme të shihet se cilat prej agregateve të karaktereve sociale janë në dominancë (ata që i bashkëngjiten lirisë apo ata që duan nënshtrim?), gjë që do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të vazhdojë të eci drejt demokracisë liberale apo do të kemi një kthim prapa drejt një sistemi më autoritar, në një tip demokrature. Ajo që aspirojnë masat në këto momente do të luajë një rol vendimtar. Sepse lideri që del në ballë të tyre, duke u bërë shprehës jo i interesave të vërteta, por i dëshpërimit dhe iluzioneve të tyre, është pohimi se tranzicioni i vështirë i ka shtyrë masat në një gjendje që ka nevojë për iluzione.

Të ngjizur nga dëshpërimi dhe jo nga shpresa, nga urrejtja jo nga dashuria, nga nevoja jo nga interesi, nga frika dhe jo nga guximi, nga trallisja dhe jo nga qartësia, nga varfëria dhe jo pasuria, liderë të tillë shndërrohen në opium për masat. Ata marrin jetë nga iluzionet dhe u japin jetë iluzioneve. Masat i falin suksesin, sepse ai u premton shpëtimin. Dhe në momente si këto që kalojmë (të mos harrojmë krizën ekonomike si rrethanë e favorshme për tiraninë), një aliazh i tillë i liderit me masën bëhet i pathyeshëm, shkatërron të gjitha liritë në emër të lirisë, demokracinë në emër të demokracisë, pluralizmin në emër të stabilitetit. Bashkimi ri i liderit me "popullin" tej partive, tej së majtës dhe të djathtës, është si bashkimi i dy gjysmave të atomit që pasohet nga reaksioni zinxhir që sjell shkatërrimin. Forca shkatërruese e bashkimeve të tilla për lirinë është provuar me Musolinin, Hitlerin, Stalinin dhe shumë të tjerë. Shqiptarët e kanë provuar kur duartrokisnin në unitet Enverin. Por mos vallë kanë nevojë ta provojnë përsëri?


***

Në vitin 1931, pak vite para se Adolf Hitleri të vendoste diktaturën që tronditi botën, një grup shkencëtarësh (mes tyre edhe psikanalisti i shquar, Erich Fromm) bënë një testim (demoskopi) të opinionit publik gjerman. Dhe konstatuan se 10 për qind ishin karaktere autoritare (që do të thoshte se do të bëheshin mbështetës të flaktë të nazizmit dhe diktaturës), ndërsa 15 për qind ishin karaktere demokratike që do të thoshte se nuk do t‘i nënshtroheshin diktaturës. Ndërkaq, 75 për qind e gjermanëve rezultuan me një përzierje tiparesh të të dyja kategorive të mësipërme, që do të thoshte se mund ta mbështesin ose jo një diktaturë, por kurrë nuk do të konfrontoheshin me të, nuk do të bënin rezistencë në mbrojtje të lirisë. Sepse, sipas Fromm, vetëm karakteret demokratike që nuk e pranojnë sundimin e kujtdo, qoftë dhe për të cilat barazia dhe dinjiteti i njeriut përbën një domosdoshmëri të thellë, një bindje dhe jo thjesht një mendim, vetëm ata që kanë në vetvete një karakter joautoritar, do t‘i kundërvihen me rezistencë autoritarizmit në çdo formë dhe ngjyrë që të shfaqet. Kohët provuan drejtësinë e atij sondazhi. Ato provuan se fara e diktaturës që hodhi Hitleri nuk gjeti një truall shterpë në shoqërinë gjermane, ku ishte mjaft prezent karakteri çiklistik, tipi i njeriut që ul shpinën dhe u jep pedaleve pa bërë zë (a nuk janë edhe shumë shqiptarë kështu?). Në këto kushte, karakteret e vendosura për të mbrojtur lirinë kundër diktaturës ishin të dënuar të humbnin betejën. Nëse sondazhi do të ishte publikuar në vitin 1931, ndoshta do kish dhënë me kohë alarmin për të shmangur kobin që i erdhi më pas Gjermanisë e botës.


***

Po shqiptarët nga cilat karaktere dominohen sot? Cili është në këto momente bindja e tyre liria apo autoritarizmi? Sondazhet që po zhvillohen sot nuk japin përgjigje për këtë. Ironia është se deri më sot është luftuar shumë kundër autoritarizmit patriarkal të Berishës dhe pikërisht në momentin kur ai po bie, lideri i socialistëve, Edi Rama, po ofron si "shpëtim" një tjetër autoritarizëm populist. Dhe jo pak nga ta që kanë qenë deri sot në një llogore me opozitën dhe Ramën kundër berishizmit, janë shpallur heshturazi si të padëshirueshëm vetëm sepse nuk janë dakord që ta gjejnë shpëtimin nga autoritarizmi tek autoritarizmi, nga autoritarizmi blu tek autoritarizmi rozë, nga autoritarizmi patriarkal i Berishës tek autoritarizmi urban i Ramës.

Kuptimi i prirjes politike e popullatës, të dhënat e karakterologjisë së saj, janë një gjë shumë e rëndësishme për të kuptuar se cilat do të jenë pasojat e një lidershipi, të një lideri dhe reformave që imponon ai si për shembull, të asaj lidhur me kompetencat apo fuqitë e një Kryeministri. Është evidente se amendimet e Kushtetutës e kanë fuqizuar edhe më tej Kryeministrin në raport me shumë institucione. Pse u bë kjo kur gjithnjë kryeministrat kanë qenë figurat më të fuqishme të shtetit? Përse duhej fuqizuar edhe më Kryeministri kur dihej që sistemi vuante pikërisht nga mbifuqia e Kryeministrit prej nga gjeneron edhe autoritarizmi? Dhe në këtë rast nuk mund të bëhen as paralelizma me shtete të tjera me demokraci më të zhvilluara. Sepse prirja e popullsisë për t‘u konformuar me pushtetin nuk mund të jetë e njëjtë. Ka shtete ku një qeverisje e lirë mund të ketë nevojë për më shumë fuqi për të siguruar stabilitet përballë hoveve jo konformiste të masave apo politikës.

Shqipëria dukshëm nuk është një rast i tillë. Ajo vuan nga mbifuqia e qeverisë, liderit partisë në pushtet dhe nga pafuqia e reagimit publik dhe e institucioneve publike, kundër abuzimit me këtë mbi fuqi. Një vend si Shqipëria, pa institucione të lira e të pavarura, pa drejtësi të pavarur, të dalë nga një diktaturë 45-vjeçare, që ka kaluar nëpër një tranzicion traumatik, prirja e masës për t‘iu nënshtruar pushtetit është shumë e fortë. Madje, është pikërisht tendenca më e fortë dhe më masive e vetënënshtrimit, ajo që i bën edhe më të fuqishme, edhe më shkatërruese për lirinë disa atribute pushtetesh përfshi ato kryeministrore. Duke miratuar në konsensus me Berishën disa reforma që i kanë dhënë më shumë pushtet Kryeministrit, Edi Rama ngjason me një infermier që i ka dhënë pacientit ilaçin e gabuar duke ndjekur, ndoshta, jo vetëm këshillat e "doktor rrumpallës", por edhe instinktet e veta. Vërtet Rama betohet për liri mitingjeve, por reformat e tij me bashkautor Berishën urdhërojnë: Nënshtrohuni o të nënshtruar! Veprat e Ramës kundërshtojnë fjalët e Ramës, reformat-parullat.


***

A bëhen shqiptarët e qeverisshëm vetëm nën regjime autoritare? Nëse do të ishte kështu, kjo do të qe një justifikim për diktaturën komuniste që ata kaluan. Do të qe një përligjje edhe për lakmitë autoritariste që janë shfaqur sot dhe rikthimin te "dora e fortë". Por në fakt, shqiptarët janë lënë në këto 18 vjet pa qeverisje. Qeverisja ka qenë vetëm guaska e një kaosi që "qeveris" jetën e shqiptarëve të thjeshtë. Një kaos ku triumfon ligji i xhunglës dhe i më të fortit, një kaos që dhunon përditë të drejtat e punës, pronës deri edhe jetën e qytetarëve. Shqiptarët janë lënë pa qeverisje sepse qeverisja nënkupton drejtësi.

Dhe mund të mos ketë fare qeverisje edhe pse mund të ketë një qeveri apo edhe një Parlament. Sepse kur nuk ka drejtësi të pavarur nga qeveria, është kjo e fundit që e bën "drejtësinë" pra nuk qeveris, por sundon. Prandaj shqiptarët shfaqen sot të nënshtruar ndaj pushtetit. Dhe janë të paqeverisshëm pikërisht sepse janë të nënshtruar. Në një demokraci të vërtetë të qeverisesh do të thotë edhe që të qeverisësh. Qeveria i sundon shqiptarët, sepse ata nuk mund ta qeverisin qeverinë me anë të një drejtësie të pavarur dhe të tjerave mekanizmave institucionalë dhe civilë. Prandaj që të bëhen të qeverisshëm shqiptarët kanë nevojë për liri dhe drejtësi dhe jo për autoritarizëm. Autoritarizmi i bën shqiptarët më të nënshtruar, pra edhe të paqeverisshëm. Dhe shpëtimi do të vijë vetëm kur vetë shqiptarët ta detyrojnë politikën dhe liderët e saj, të mos guxojnë t‘u ofrojnë më nënshtrimin si shpëtim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama