Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

NATO dhe sfidat për sigurinë

Shkruar nga: Jaap de Hoop Scheffer  
Botuar më: 16 vite më parë

Jaap de Hoop Scheffer
NATO dhe sfidat për sigurinë

Me të drejtë, kriza globale ekonomike ka qenë për muaj të tërë lajm i faqeve të para. Qeveritë po hedhin qindra miliarda në tregje, ato po intensifikojnë nivelin e rregullimit dhe mbikëqyrjen e tregut. Gjithashtu ato po punojnë për bashkërendimin e veprimeve të tyre, duke përfshirë dhe Takimet e G20, që sapo ka përfunduar në Londër, pasi është e qartë si kristali, se ky problem i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kërkon zgjidhje shumëpalëshe. Shumë prej këtyre liderëve kanë ardhur në Samitin e NATO-s në Strasburg dhe Kehl për të folur mbi sigurinë. Por këtu nuk bëhet fjalë për ndryshim tërësor të tematikës.

Përfytyroni se ç’mund të ndodhte me sistemin financiar ndërkombëtar, i brishtë siç është ai sot, sikur të bëhej një sulm tjetër terrorist në njërin prej qyteteve tona. Ç’do të ndodhte me investimet dhe rritjen ekonomike, në rast se do të kërcënohej tranzitimi i lirë i energjisë? Dhe, a do të ishin në gjendje ekonomitë që po luftojnë për të mbajtur ingranazhet e tyre në lëvizje të shmangnin dëmet serioze nëse do të bëheshin objekt i ndonjë sulmi kibernetik nga i cili Estonia e pësoi dy vjet më parë?

Këto janë shqetësime reale. Siguria nuk është një çështje fakultative, pra diçka pa të cilin ju mund të jetoni kur ka shtrëngesë parash. Siguria është themeli mbi të cilën ngrihet begatia jonë. Dhe, ashtu si ekonomia, sot më shumë se kurrë, siguria mund të ndërtohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit shumëkombësh. Kjo është arsyeja pse Samiti i NATO-s është më shumë se një festë. Ai është një takim ku udhëheqësit e Aleancës duhet t’i kryejnë gjërat.

Para së gjithash, ata do të duhet të përcaktojnë një rrugë të përbashkët për të ardhmen e Afganistanit. Kanë kaluar 8 vjet nga koha kur talibanët u hoqën nga pushteti dhe kur një numër grupesh terroriste, nga të cilët më famëkeqi, Al Kaeda humbën strehën e tyre të sigurt. Qysh nga ajo kohë ka mjaft përparime; po rikthehet jeta normale në vendet ku më parë nuk kishte diçka të tillë, gratë kanë liri që nuk i kanë patur më parë si dhe kanë zënë vendin e tyre në jetën publike, ndërkohë që për terroristët në Afganistan nuk ka paqe.

Por, një vlerësim i ndershëm do të vinte gjithashtu edhe në përfundimin se ne nuk jemi ende aty ku do të kishim dashur të ishim tani. Rebelimi në Afganistan dhe përgjatë kufirit me Pakistanin vazhdon; korrupsioni dhe trafiku i narkotikëve janë bërë sëmundje kronike, ndërsa përpjekjet në kuadrin e ndihmës ndërkombëtare janë mjaft të copëzuara. Ne duhet të punojmë për rezultate më të mira, përpara se durimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe i popullit afgan të venitet.

Muajt e kaluar, Presidenti Obama ka zhvilluar konsultime të gjera me aleatët, ndërsa SHBA ka rishikuar qasjen e saj tërësore ndaj kësaj sfide, duke e përfshirë atë në doktrinën amerikane. Samiti ynë na jep mundësinë për një shkëmbim të plotë idesh, por dhe, siç shpresoj unë, për arritjen e një konsensusi mbi një kurs të përbashkët të Aleancës për të ardhmen, duke mbajtur parasysh qasjen e re amerikane – më shumë mbështetje për Pakistanin, përpjekje shumë më të mëdha për fuqizimin e policisë, bashkërendim më të mirë të ndihmës dhe hapa transparente nga ana e qeverisë afgane në luftën ndaj korrupsionit.

Liderët e NATO-s do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi një mënyrë të përbashkët veprimi në të ardhmen lidhur me një element tjetër kritik të sigurisë gjatë Shekullit të XXI: krijimin e një partneriteti të vërtetë me Rusinë. Ndërmjet ka shumë më tepër gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe me përfitime të përbashkëta, duke përfshirë Afganistanin, mbrojtjen raketore dhe terrorizmin.

Edhe në këto fusha ka shumë vend për përmirësime nga të dyja palët. Nuk përbën sekret fakti që kur vjen puna për Rusinë, brenda NATO-s ka një gamë të gjerë pikëpamjesh, që fillojnë nga mendimi për të qenë të kujdesshëm deri tek prirja për përulje. Deri sa të mos kemi ngushtuar këtë hendek, do të jetë gjithnjë e vështirë për të angazhuar efektivisht Rusinë, si kur merremi, ashtu dhe kur nuk merremi vesh me të. Duke thënë këtë, është e nevojshme që edhe Rusia të vendosë nëse e njeh dëshirën e NATO-s për partneritet, apo do të vazhdojë ta shohë NATO-n përmes prizmit të Luftës së Ftohtë, të cilën e kemi lënë pas me kohë.

Një sfidë tjetër e vërtetë e Samitit do të jetë edhe fillimi i përgatitjeve të sotme për sfidat me të cilat mund të ndeshemi nesër. Liderët e Aleancës do të miratojnë Deklaratën e Aleancës mbi Sigurinë, e cila jo vetëm që do të afirmojë detyrën thelbësore të NATO-s, por dhe do të përcaktojë në vija të përgjithshme se çfarë duhet të bëjë NATO në të ardhmen. Unë shpresoj se ajo do të lançojë gjithashtu edhe procesin e rishikimit thelbësor të Konceptit Strategjik të NATO-s, një prej dokumenteve më të rëndësishëm udhërrëfyes të Aleancës, me synim arritjen e një marrëveshje ndërmjet aleatëve mbi atë që NATO duhet të bëjë në shekullin e XXI, duke përfshirë dhe mbrojtjen tonë kibernetike apo sigurinë energjetike – fusha këto ku besoj se NATO duhet të bëjë më shumë për të shtuar vlerën e saj unikale.

Eshtë e qartë se për 28 liderët e NATO-s do ketë shumë punë për të bërë gjatë këtij takimi relativisht të shkurtër. Megjithatë, kjo nuk do t’i shkëpusë ata nga disa festime të rëndësishme. Aleatët do të mirëpresin me ngrohtësi vendimin e Presidentit Sarkozi, që Franca të zërë sërish plotësisht vendin e saj në NATO. Shqipëria dhe Kroacia do të zënë vendet, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si anëtarët e 27 dhe 28 të familjes së NATO-s. Gjatë Samitit do të bëhet edhe festimi i 60-vjetorit të themelimit të NATO-s. Një gazetar kolumnist ka shkruar se “Kur Aleancat fitojnë, ato vdesin”. Por NATO është gjallë dhe vitale, sepse asaj i duhet të kryejë detyrën e saj unike: të jetë vendi ku Europa dhe Amerika e Veriut qëndrojnë së bashku, konsultohen së bashku dhe të veprojnë së bashku për të garantuar sigurinë e tyre të përbashkët. Pikërisht ky rol do të riafirmohet dhe forcohet edhe më tej në Samitin e kësaj fundjave.

Artikull i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer me rastin e Samitit të 60-vjetorit të themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama