Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ra kjo festë e u ndamë

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Ra kjo festë e u ndamë

Kemi shkelur derën e NATO-s e megjithatë duket se e kemi bërë këtë duke mbajtur kokën pas. Menjëherë pas Samitit të Bukureshtit në prill të vitit të shkuar, kur tymi mbi rrënojat e Gërdecit nuk ishte zhdukur ende, kryeministri deklaroi se tashmë Shqipëria dhe klasa e saj politike duhej të zbatonin një “standard NATO-je”. Pra, një mënyrë të re komunikimi, bashkëpunimi dhe përjetimi të politikës, si art i të mundshmes, por edhe si respekt i kundërshtarit dhe i publikut. Berisha ndodhej në një pozicion mjaft delikat në atë kohë, me skandalin e Gërdecit në njërën dorë, por edhe me ftesën për në NATO në tjetrën Sot, pas një viti, është histori e njohur fakti që ai vetë e shkeli i pari “standardin NATO”. Politika shqiptare nuk u bë më e butë, as më bashkëpunuese dhe konstruktive, ndërkohë që ndezja e motorëve të fushatës e çoi shpejt klimën politike në standarde të tjera, thellësisht “shqiptare”.

Hyrja në NATO do të mbahet mend gjatë për mënyrën sesi po festohet. Pozita shpejtoi të mbushë vendet në avionin për Strasburg (Topalli praktikisht e zuri me dhunë vendin e saj në delegacion, pa ditur se ç’do të bëjë në Samit), kurse opozita shpejtoi të bëjë koncert në mes të sheshit “Skënderbej”, para se Berisha dhe shpura e tij të kthehen të dielën nga Rinasi në mes të lumenjve të njerëzve që hedhin lule në dy anët e rrugës. Kjo tablo patetike s’na thotë asgjë më të re nga ato që i dimë tashmë. Pra që palët politike, sot e tutje partnerë formalë të SHBA. Britanisë së Madhe e vendeve të tjera anëtare në tryezën e NATO-s, janë po ata politikanë inatçinj e hileqarë “që rërën ta shesin për farë”, siç thoshte dikur Fan Noli në të tjera rrethana.

Hyrja në NATO është një objektiv madhor i arritur për Shqipërinë. Por ajo vështirë se do të na bëjë më të mirë, më të rregullt e më të pasur. Jo tani të paktën, siç po shihet, natyra njerëzore avancon shumë ngadalë dhe përgjithësisht nuk preket nga ngjarje të tilla. Klasa jonë politike po tregon këto orë se nuk di të kuptojë momentin dhe dimensionin e ri ku në fakt ka hyrë Shqipëria. Ajo nuk po arrin madje as të barazojë disi nivelin e përgjegjshmërisë së kolegëve të saj në vendin fqinj, Maqedoninë, të cilët në kushte dukshëm më komplekse kanë treguar se dinë të sillen. Pranvera e vitit 2001 ka qenë mjaft e nxehtë në fqinjin tonë lindor. Incidentet e armatosura në Tetovë dhe rreth saj e futën në krizën më të thellë Maqedoninë, që nga krijimi i saj. Megjithatë, kujtohet edhe sot fakti që klasa politike shqiptaro-maqedonase, e armiqësuar natyrshëm nga të vrarët (shqiptarë) rrugëve, gjeti fuqinë që të hipte e gjitha në avionin që e çoi në Luksemburg, për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian. Pikërisht atë fuqi që sot, në një kontekst krejt tjetër paqeje dhe kohezioni etnik e kombëtar, nuk po munden ta gjejnë njëzet a tridhjetë përfaqësues politikë të Shqipërisë. Tingëllon absurde që kreu i opozitës Rama nuk bën pjesë në delegacionin zyrtar drejt Luksemburgut. Presidenti Topi, i cili ka përgjegjësinë e respektimit të protokollit dhe të kriterit të gjithëpërfshirjes së spektrit politik në raste të tilla, duket se ka çeduar përballë presionit të maxhorancës për t’i dhënë përfaqësimit në Samitin e Luksemburgut një ngjyrim partiak më shumë sesa shtetëror.
Nga ana tjetër, vetë opozita duket se është ndjerë mirë që të festojë veçmas, si të thuash në vathën e saj, a thua se në NATO po hyjmë me parcela e jo të gjithë së bashku.

Hyrja në NATO në vitin 2009 është vërtet një sukses, por një sukses i vonuar. Do të kishte qenë një arritje kombëtare, por edhe politike (për ata që e kanë për zemër marrjen e medaljeve dhe dafinave) nëse do ta kishim kaluar atë portë vite më parë, kur edhe kishim nevojën më të madhe për siguri dhe mbrojtje. Si shtet dhe si komb. Të hysh sot, 17 vjet pasi ke bërë kërkesën zyrtare për aderim në Aleancën Atlantike, do të thotë më shumë të të shtyjnë brenda, sesa ta meritosh vërtet statusin e anëtarit. Mund të tingëllojë cinike dhe paradoksale e thënë në këtë moment, por këta që festojnë sot tribunave, majtas dhe djathtas, me pak përjashtime, janë ata që me sherret dhe bëmat e tyre na kanë mbajtur larg NATO-s dhe BE-së për vite me radhë. Duhet ta shohim të vërtetën në sy, përtej tymit të fishekzjarrëve e dritave të reklamave me të cilat u vesh këto orë Tirana. Nëse ka një mesazh që do të duhej dhënë në këtë atmosferë surreale plot hare të shtirur dhe luftë elektorale të egër, do të ishte ai i afrimit përreth një ngjarjeje që vjen një herë në jetë dhe që s´duhet përzier kurrsesi me llogaritë e ndyra të momentit, ashtu siç po ndodh në sytë e të gjithë shqiptarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama