Të rinj dhe të kalbëzuar Botuar tek gazeta Shqip www.adrinurellari.com Në opinionin publik shqiptar ka mbizotëruar vazhdimisht mendimi se ardhja e të rinjve ka për të qenë çelësi i kthesës së përmirësimit të veprimtarisë të elitës politike. Mirëpo të qenurit i ri nuk është garanci por thjeshtë mundësi. Është mundësi që një i ri të mësojë prej gabimeve të më të vjetërve e të mos i përsërisë, mundësi që të eci pëprara pa qenë i shantazhuar prej veprimeve të pandershme apo të paligjshme që mund t’i jetë dashur të bëj në të kaluarën. Kjo është një përparësi thelbësore e krahasuar përkundrejt shumë politikanëve të vjetër të cilët në një mënyrë apo tjetër kanë njolla të së kaluarës, mbase edhe jo plotësisht për faj të tyre. Prandaj publiku shpreson se duke mos qenë asnjëhere në pushtet këta të rinj janë ende jo të korruptuar edhe do i rrezistojnë tundimit. Mirëpo kohëve të fundit është manifestuar një valë zhgënjimi përkundrejt performancës së politikanëve të rinj që tregon se iluzioni i publikut shqiptar për rininë si garanci ka qenë i tepruar. Megjithatë për një pakicë individësh, përfshi këtu mua, kjo gjë nuk përbën një surprizë por një dëshmi të mungesës të një sistemi meritokratik të karrierës brenda partive politike. Është pikërisht kjo mungesë që nxjerr në pah jo më të zotët dhe më të papërlyerit, por servilët e liderëve, ata që me zellin më të madh rendin të marrin bekimin dhe stafetën e shefave. Për ta parë të ilustruar se si rinia jo vetëm që nuk është garanci por po rresht së qenuri edhe mundësi në Shqipëri, do ishte me interes që të shihet se çfarë aspiratash karriere kanë vetë të rinjtë. Në fakt po t’i hidhet një sy mënyrës se si kultivohet apo farkëtohet rinia jonë me të vërtetë të kap pikëllimi. Duket qartë që rinia është duke ndjekur modele të shtrembëra, shëmbuj të gabuar frymëzimi, dhe devijanca të shndërrura në normë. Një demonstrim flagrant i ndjekjes së modeleve të gabuar të suksesit është edhe përzgjedhja e degëve univërsitare të studimit. Po të shikohet më vëmendje se cilat janë degët më të preferuara për të rinjtë shqiptar për të studiuar dalin se janë shkencat politike, jurisprudenca dhe gazetaria sepse në opinionin publik janë modeluar si protagonistë të lakmueshëm politikanët, juristët dhe gazetarët e fuqishëm e të pasur. Për ti bërë një analizë domethënëse kësaj tendence do të hynte në punë libri Freakonomics. Ky është një ndër librat më të suksesshëm i viteve të fundit në botë shkruajtur nga Steven Levitt dhe Stephen Dubner. Në këtë libër flitet mes të tjerave me hollësi për financat e shpërndarësve të thjeshtë të drogës të cilët ndryshe nga sa hamendësohet masivisht, në fakt nuk janë të pasur. Madje të ardhurat e tyre janë shumë të ulëta. Përllogaritjet e tij Levitt i ka bërë duke përdorur hulumtimin në terren që ka bërë Vancatesh, një sociolog i të njëjtit universitet. Ky ia doli të fitonte besimin e të vëzhgonte nga afër veprimtarinë e një bande tipike që merrej me trafikun e drogës në Chicago, madje mund që të shtinte në dorë edhe librin e llogarive të kapos së bandës. Pagesat që secili shpërndarës merrte ishte qesharake madje shumë prej shpëndarësve të thjeshtë jetonin akoma në të njëjtën shtëpi me prindërit ose bënin një punë të dytë të ligjshme pasi përndryshe nuk mund të mbijetonin dot. Pjesën e luanit, e shtinte në dorë kryetari i bandës i cili jetonte në shtëpi marramendëse, bënte një jetë luksoze dhe kishte makina të bukura e femra të panumërta. Pjesa më të cilën paguheshin gjithë anëtarët e bandës ishte minimale dhe ishte vetëm një fraksion i totalit të të ardhurave që sigurohej nga banda. Sikur të mos mjaftonin të ardhurat e ulta, normalisht ushtarët e bandave duhet të dekurajoheshin edhe prej rrezikut të madh me të cilin përballeshin gjatë aktivitetit. Sipas studimit dilte se mesatarisht anëtarët e bandës ishin arrestuar 5.9 herë, ishin plagosur apo lënduar 2.4 herë dhe mesatarisht 1 në 4 vritej. Ishte me të vërtetë për t’u çuditur se përse gjithë ata anëtarë të bandës vazhdonin një aktivitet kriminal me kokën në rrezik jo vetëm prej policisë por edhe prej bandave rivale. I vetmi shpjegim është se këta individ nuk i mbante në këtë aktivitet rroga që merrnin si gangsterë të thjeshtë, por shpresa, lakmia dhe ambicia që ata vetë do mund të bëheshin kryetarë të bandës dhe të siguronin të ardhura të mëdha sikurse kryetari aktual. Probabiliteti i një gangsteri për t’u bërë kryegangster ishte jashtëzakonisht e ulët, shpërblimi nëse do të mund të avanconin në këtë lloj karriere ishte me të vertetë i lartë, mirëpo edhe rreziku me të cilin përballeshin gjatë kësaj veprimtarie ishte akoma më i lartë. Pra veprimi ishte irracional, i papërllogaritur, më shumë ishte emocional i motivuar nga grykësia e madhe dhe nga një model suksesi krejt pervers. Ky sistem i ngjan një lloj lotarie me premium të lartë dhe probabilitet të ulët fitimi. Të kthehemi tek domethënia për realitetin shqiptar. Pjesa dërrmuese e të rinjve duan të studiojnë juridik me shpresën se do të shndërrohen në një të ardhme të afërme prokuror apo gjykatës. Sepse është evidente në shoqërinë tonë sa të fuqishëm e të pasur janë prokurorët e gjykatësit. Janë të panumërt studentët që futen për të studiuar juridik mirëpo numri potencial i atyre që do punësohen në sistemin e drejtësisë është minimal. Po kështu mbizotërimi i realitetit mediatik ku gazetarë të veçantë duken qartë se zotërojnë shumë famë, pushtet e pasuri dhe janë aktor vendimtarë në zhvillimet e vendit ka bërë që të lulëzojnë degët e gazetarisë si në universitet publike dhe në ato private. Rekordin padyshim e mbajnë degët e shkencave politike ku lukunia e të rinjve rendin me shpresën se do të bëhen politikanë drejtues. Përfolja apo akuzimi i ministrave të ndryshëm për afera me shumë miliona euro ka bërë që shumë të rinjve t’iu jetë ndezur zilia. Janë mijëra të rinj që fillojnë të studiojnë shkenca politike çdo vit ndërkohë që parlamenti ka vetëm 140 vende e qeveria 14 ministri. Kuptohet që shumica dërrmuese e atyre që do mbarojnë këto degë do katandisen pa punë apo do merren me gjëra vulgare shumë ndryshe nga fusha për të cilën kanë shkuar në shkollë. Duhet marrë në konsideratë edhe fakti që një pjesë e mirë e studentëve vijnë me mangësi domethënëse prej arsimit parauniversitar dhe e kanë të vështirë të ndjekin degë të shkencave ekzakte apo shkencave të aplikuara. Prandaj edhe prirja e tyre drejt degëve shoqërore është e kushtëzuar nga fakti që këto degë japin njohuri që nisin nga një nivel bazik, dhe e mundësojnë suksesin në shkollë për studentë që kanë boshllëqe në matematike, fizikë apo biologji prej shkollës së mesme. Megjithatë motivi kryesor nuk është racional por është ambicia dhe lakmia për të ecur në hapat e modeleve të protagonistëve të prodhuar nga shoqëria shqiptare. Është krijuar përshtypja që në këtë vend je i realizuar vetëm nëse ndjek modelet dominues në shoqëri të kapobandës, që konkretish në shoqërinë tonë janë një gjykatës apo prokuror i majmur, një gazetar i pushtetshëm,i lidhur mirë me kulisat e politikës dhe i famshëm njëherazi si dhe ç’është më e rëndësishmja një politikan i korruptuar me imunitet. Përfolja apo akuzat e shumta jo vetëm që nuk kanë çuar në masa kundër këtyre protagonistëve të kalbur apo nuk ka çuar në revoltimin e shoqërisë ndaj tyre, por përkundrazi, e ka bërë sjelljen e tyre të pranueshme. Ka topitur ndjeshmërinë e publikut, duke e normuar pandershmërinë dhe ka arritur në nivelin që të mendohet se ky vend nuk bëhet që nuk bëhet e kështu që gjithkush të mund të rrjep sa më shumë prej tij kur ti jepet mundësia. Deh ai që mund të rrjep shumë është individi i suksesshëm që duhet imituar. Krejt ndryshe nga modeli i zhvillimit dhe i suksesit te perendimit ku hamendesohet qe paratë e suksesi bëhen gradualisht, me punë të ndershme, me mund, me përpjekje, me këmbëngulje, me përkushtim, me talent, me iniciativë dhe me kreativitet. Nga shkollimi, te lexuarit, të nxënit dhe jo nga shtënia në dorë e diplomave dhe titujve të rremë e të pamerituar. Fakti që janë duke u shtuar valët e individëv që kanë siguruar diplomën shkollore pa iu nënshtruar integritetit akademik në një degë për të cilën skanë pasur vokacion por e që është zgjedhur si rrugën më të mirë për tu bërë kapobandë duhet të na vërë në kushtrim për të ardhmen. Rinia jonë duke ndjekur modelet imorale të konsoliduara ka shumë gjasa të mos jetë as garanci, as mundësi, as aset por një barrë, një kërcënim për të ardhmen e vendit.