Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Festa për NATO-n, pse?

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Festa për NATO-n, pse?

Brenda një viti 26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan të gjithë protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, diçka jo e zakonshme në historinë e Aleancës për nga shpejtësia e kryerjes së këtyre hapave.

Kush di ritmet epunës së parlamenteve kombëtare, burokracitë standarde, krizat eventuale politike, zgjedhjet që kanë koinciduarbrenda kësaj  periudhe kohe në 26 vende, arrin ta kuptojë se ka qenë një forcë madhore, që i ka bërë të gjithë bashkë pro pranimit të Shqipërisë në NATO. Kjo forcë madhore sigurisht nuk ka qenë Shqipëria. Dhe kështu zumë t’i japim përgjigjen komplekse që meriton zgjidhja e dilemës: plotësoi qeveria kushtet, apo deshën ata që të na anëtarësonin kaq shpejt? Thënë ndryshe, pse vallë hymë kaq lehtë në klubin e NATO-s? Nëse hymë kaq lehtë, a ja vlente ta festonim kaq shumë?

Le të vijojmë shtjellimin e përgjigjes me dhënien e disa argumenteve shtesë pse ata që na mirëpritën donin, që ne të hynim në prill 2009, në klubin e shteteve serioze të globit. Shqipëria, Kroacia, dhe Maqedonia, bëjnë pjesë në një zonë ku bashkohen tre kontinente të rëndësishme të botës, Afrika, Evropa dhe Azia dhe ku përplasen interesat energjetike të Rusisë dhe Perëndimit, pra ku duhet të kalojnë korridoret më të rëndësishme të gazit dhe të naftës; (kujtoni polemikat për naftësjellësit dhe gazsjellësit alternativë që duhet të kalojnë nga Greqia apo Serbia pas përplasjes energjetike Rusi-Ukrainë dhe pasojat e saj për Evropën!)këtu kalojnë rrugët më të rëndësishme të trafiqeve të drogës, klandestinëve dhe pse jo dhe të përdorshme nga flukse të caktuar të terrorizmit. Këto duken argumente të mjafta për të kuptuar arsyet e pranimit kaq të shpejtë të Shqipërisë, e që janë bërë më të rëndësishme në kontekstin aktual dhe që më parë ndoshta nuk kishin të njëjtën rëndësi.

 Ka një sërë argumentesh të tjerë që lidhen me ne, por që na bëjnë interesantë për miqtë që na ftuan brenda klubit të tyre. Shqipëria është vendi më properëndimor i këtij rajoni, por dhe më gjerë se kaq. Në këtë zonë që u ngjyros me blunë e NATO-s, Shqipëria nuk ka luajtur asnjëherë midis Rusisë dhe Perëndimit siç ka bërë Greqia dhe Serbia. Ajo është treguar luajale ndaj perëndimit në disa momente të rëndësishëm si kriza e Kosovës, apo ka dërguar misione domethënëse për popullsinë e vet në të gjithë vatrat e krizës globale. Shqipëria ishte vendi i vetëm me shumicë myslimane në rajon, dhe  bashkë me Turqinë, janë shtetet e vetme me këtë popullsi dominante.  Jo pa shkak Obama nisi vizitat e tij shtetërore evropiane në Turqi. Prej andej duket se zë fill afrimi i Amerikës me botën myslimane, ku shembulli i Shqipërisë së vogël ka një lloj rëndësie.

Mjafton vetëm renditja e këtyre arsyeve, pesha e tyre, për të kuptuar se nga anon peshorja: na futën në NATO si shpërblim për kombin shqiptar në këtë pikë të globit, apo ishte shpërblim për politikën. Klasa politike shqiptare e të gjithë krahëve vërtet i ka shërbyer anëtarësimit, megjithëse jo në mënyrë lineare, por ama ka respektuar frymën properëndimore të kombit. I ka shërbyer me politikë paqësore rajonale dhe nëpërmjet ndryshimeve apo të ashtuquajturave reforma konsensuale në modernizimin e shtetit. Por këto faktorë janë pak në krahasim me rëndësinë gjeopolitike aktuale të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dhe mbi të gjitha, edhe sikur të pranonim se politika i kishte bërë të gjitha mirë detyrat e shtëpisë, shpërthimi i Gërdecit apo afera e tregtisë së armëve e lidhur me të, ishin në rastin më të mirë njëlloj derdhje e kovës së qumështit, pikërisht kur ajo sapo ishte mbushur. Ato përfaqësojnë nisur nga akuzat e prokurorisë, dëshmi të përgjegjësisë së kupolës politike dhe ushtarake, korrupsionin në të gjithë nivelet e qeverisjes siç akuzon media ndërkombëtare serioze, mashtrim të partnerëve me llojin e municioneve të tregtuara atyre, etj, etj. Por vullneti amerikan ishte aq i vendosur pro anëtarësimit, sa dhe kjo ngjarje tragjike u kapërcye.
Vërtet kaq i lehtë anëtarësimi?

Kaq i fortë ishte vullneti perëndimor në përgjithësi për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë, sa ky anëtarësim u duk mjaft i lehtë për sytë e një kategorie vëzhguesish të ngjarjeve politike. Madje për shkak se ky anëtarësim u duk i lehtë, në sytë e disa prej tyre nuk u perceptua në tërë rëndësinë e vet dhe anëtarësimi. Logjikisht nëse anëtarësimi ishte i parëndësishëm, e tepërt dukej dhe festa e shqiptarëve përballë indiferencës së kroatëve. Por ka një optikë tjetër, për rëndësinë e anëtarësimit dhe festën.

Festa për hyrjen në NATO, e këtyre përmasave ishte plotësisht e justifikuar dhe veprim që do ta bënte njëlloj çdo parti që do të ishte në pushtet. Festa në vetvete ishte një operacion i shkëlqyer imazhi kombëtar. Ajo ka tërhequr në një farë mase reflektorët e medias botërore, që kanë përcjellë kështu një Shqipëri properëndimore, një vend normal që i gëzohet sinqerisht afrimit me perëndimin. Kroacia është vend normal në sytë e perëndimit, kështu që nuk i duhej festa as si operacion imazhi.

Me shumë gjasa, skeptikët e konsiderojnë si të tepruar festën edhe duke u nisur nga ai që organizoi festën. Festbërësi është me të vërtetë një element jo domethënës për atë që vjen pas 4 prillit për kombin dhe shtetin shqiptar. Shqipëria dhe kombi shqiptar fitojnë tjetër rëndësi në rrafsh botëror, pavarësisht kush është në pushtet. Pas 4 prillit ata fillojnë apo duhet të fillojnë të shikojnë si të barabartë fqinjët e tyre, veçanërisht Serbinë dhe Greqinë, diçka e pazakontë në të gjithë udhëkryqet më të rëndësishme të historisë sonë. Në këtë forum të nivelit të lartë do të trajtohemi njëlloj me më të rëndësishmit e botës. U duk dhe në 4 prill kur sjellja e Shqipërisë myslimane krijoi njëlloj kurioziteti nisur nga kundërshtitë turke për kandidaturën e Razmusenit si sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Po Shqipëria ç’mendonte vallë?

Pas 4 prillit Shqipëria do të gjendet në një tunel kushtëzimesh për modernizimin e mëtejshëm të shtetit të vet dhe nga kjo përfitojnë të gjithë. Rastësisht ose jo, edhe Marrëveshja e Asocim Stabilizimit me BE-në, hyri në fuqi thuajse njëlloj me anëtarësimin në NATO. Si pasojë e tyre, mbi klasën tonë politike rëndon një peshë më e rëndë përgjegjësie që ajo ka filluar ta ndjejë siç u duk me ngritjen e flamurit shqiptar në selinë e NATO-s në Bruksel. Edhe pse kaq shumë dëshironin të na fusnin shpejt në NATO, sa disave iu duk mjaft e lehtë hyrja brenda saj...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama