Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Festë

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 16 vite më parë

Andrea Stefani
Festë

Që nga rënia e komunizmit në politikën shqiptare ka pasur zakonisht dy kryeliderë. Njëri i ka përkitur Partisë Demokratike dhe tjetri Partisë Socialiste. Por, ndërsa kryelideri i PS, Fatos Nano, është rivalizuar edhe nga zëra të tjerë për t‘u larguar nga kreu i partisë pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005, krejt e kundërta ka ndodhur me kreun e kampit të demokratëve, Sali Berisha. Një komunist (që nuk është bërë dot një ish-komunist) me profesion kardiolog, është shndërruar për Partinë Demokratike si zemra për një organizëm të gjallë. Tashmë, 20 vjet pas krijimit, Partia Demokratike nuk mund të konceptohet dot pa Berishën. Lidhja është kaq organike, sa atë e pranojnë hapur edhe në PD. Berisha është partia dhe partia është Berisha. Ky raport i betonuar i liderit me partinë ka qenë historikisht, sikundër ka treguar edhe Robert Michels, tipik për partitë e majta socialiste që në shekullin XIX. Sipas Michels, nuk ishin të pakët ata që habiteshin kur dëgjonin se edhe pasi kishin kaluar 30 vjet, lideri i Partisë Socialdemokrate gjermane ishte po prapë Karl Libkneht. Sot, rreth një shekull pasi publikua ky konstatim, e njëjta gjë ndodh me atë që u vetëquajt Partia Demokratike në raportet me liderin e saj.

Askush nuk do ta besonte se partia "e djathtë" që udhëhoqi përmbysjen e kultit të diktatorit komunist, do të krijonte brenda pak vitesh një kult po aq absolut, po aq të pakundërshtueshëm, po aq robërues brenda gjirit të saj të krahasueshëm vetëm me atë të Enver Hoxhës për Partinë e Punës. Por, ky është një raport që shpreh thelbin e një partie, prandaj nuk mund të neglizhohet sikundër edhe mjerisht po ndodh me segmente të politikës dhe diplomacisë perëndimore. Të flasësh sot për largimin e Berishës nga kreu i PD tingëllon si donkishotizëm. Kulti Berisha arriti t‘i imponohet edhe Perëndimit, si një realitet kokëfortë thuajse shkëmbor. Tashmë Perëndimi dhe diplomatët e tij në Tiranë nuk janë të fokusuar më në emancipimin e situatës partiake mes demokratëve, por e marrin Berishën si një faktor konstant. E vetmja gjë që bëjnë kur bie fjala për një anomali të tillë, që s‘bie aspak erë demokraci, është ta justifikojnë me mendësinë e prapambetur dhe patriarkale të shqiptarëve, Berisha është festja që meritojnë shqiptarët.

Kështu, fenomeni Berisha, një zhvillim krejtësisht jo demokratik dhe i realizuar në sajë të mungesës së demokracisë në PD, ia ka arritur të imponohet si një pashmangësi. Shumë shkaqe qëndrojnë në rrënjët e këtij zhvillimi ogurzi për lirinë dhe demokracinë, por njëri ka të bëjë me "kalorësinë" e habitshme të kundërshtarëve kryesorë të Berishës në momentet më kritike për liderin e ashpër "demokrat", që po të kish qenë në vendin e tyre do t‘i kish rrasur, pa as edhe më të voglën mëdyshje, 7 pash nën dhe. Natyrisht ka të bëjë edhe me sistemin e drejtësisë, që nuk ka pasur kurrë një axhendë të pavarur nga politika, prandaj u është bindur edhe gjesteve "kalorësiake" të politikës, duke sakrifikuar ligjin dhe lirinë e vet.

Kulti i Berishës është në konflikt me rrethanën apo stinën e demokracisë ku ai është rritur dhe po reziston. Krejt ndryshe kulti i Enver Hoxhës ka "justifikimin" e vet historik. Ai u krijua në një epokë kur partia shtet me superliderin e saj ishte modë politike në thuajse gjysmën e botës. Prandaj është pak si e komplikuar (ndonëse nuk duhet lënë pa bërë) t‘i fajësosh shqiptarët për krijimin e një kulti të tmerrshëm si ai i diktatorit Hoxha. Sa më e prapambetur të ketë qenë e kaluara e tyre dhe sa më e fortë stina e totalitarizmit komunist, aq më të shfajësuar janë ata. Por ndryshon puna sot, kur totalitarizmi nuk është më një modë e përhapur politike, kur moda politike nuk kërkon që lideri të jetë partia dhe partia të jetë lideri, kur kërkohet që liderët dhe elitat të ndërrohen sa më shpesh në sajë të konkurrencës, kur epërsia e sistemit qëndron jo te lideri i përjetshëm dhe kasta rreth tij, por pikërisht te ndërrimi i lidershipëve dhe rifreskimi i vizioneve. Asgjë nuk i justifikon shqiptarët dhe në radhë të parë "demokratët", për kultivimin në rrethanat e postkomunizmit të kultit alla bolshevik dhe antidemokratik të Sali Berishës, asgjë përveç prapambetjes së mentalitetit të tyre politik që këmbëngul si një atavizëm i totalitarizmit në epokën e demokracisë.

Kjo prapambetje vërehet jo vetëm në masat e rëndomta apo fanatike të partisë, por edhe në zëra intelektualësh që vazhdojnë ta cilësojnë fenomenin Berisha si "një dukuri normale shqiptare". Me "normale" ata kuptojnë atë që mund të shprehet lakonikisht në një thënie të vetë shqiptarëve "sipas kokës festen". Me një fjalë Berisha është festja që meritojnë shqiptarët për "kokën" apo mendësinë që kanë. Të tjerë e cilësojnë të gabuar fokusimin e kritikës te kulti i Berishës, duke nënvizuar "se më shumë se individi rëndësi ka sistemi". Ata e kritikojnë Berishën me aksioma oksidentale, ndërkohë që ai vë në zbatim praktika dhe struktura orientale në themel të të cilave është sundimi i liderit mbi sistemin, ose më saktë, ku lideri është vetë sistemi. Ata e shohin diktatorin e ri që marshon lakuriq para tyre, por kanë frikë ta denoncojnë, vetëm sepse Ai thotë që ka veshur rrobe "demokratike". Ata ose janë verbuar, ose bëjnë sikur nuk shikojnë se kulti i Berishës është një lungë kancerogjene autoritariste brenda organizmit foshnjor demokratik dhe se Berisha po zhvillon një luftë konstante kundër sistemit të demokracisë.

Ai nuk rivalizon thjesht për kapjen apo mbajtjen e pushtetit, por për kapjen e gëlltitjen e shtetit dhe tjetërsimin e sistemit të demokracisë nën maskën e demokracisë. Ka qenë pikërisht kjo orvatje konstante uzurpuese e Berishës që e ka nxjerrë PS, që në momentet e para pas rënies së komunizmit, në një pozicion politik shumë më demokratik se ç‘pritej prej traditave të saj totalitare. Partia Socialiste gjeti te demokracia të vetmen mburojë për të ruajtur ekzistencën nga sulmet asgjësuese të berishizmit. Ishte strategjia autoritariste e Berishës ajo që i shndërroi socialistët në "demokratë" dhe demokratët në "socialistë". Por, në të dyja rastet, metamorfoza nuk qe thelbësore. Demokracia ishte vetëm goma e shpëtimit dhe socialistët e flakën atë sapo dolën në breg. Në luftë me kultin e Berishës ata krijuan kultin e Fatos Nanos, që me papërgjegjshmërinë e vet jo vetëm e mbajti në skenë Berishën, por edhe i dha shans për t‘u rikthyer në pushtet. Tani së fundi po ngrenë kultin e Edi Ramës. Kohët po provojnë se mendësitë dhe pasionet autoritariste gurgullojnë në kazanët e lidershipëve të të dy partive. Janë pikërisht këto pasione që i bënë të bashkohen te reformimi tiranik i Kushtetutës.

Historia njeh disa organizime politike të tipit lindor, ku kryelideri është gjithkush, kurse gjithkush është asgjë. Në fakt kjo e dallon Lindjen nga Perëndimi. Në Lindje lideri është gjithçka, ndërsa sistemi asgjë, kurse në Perëndim sistemi është gjithçka, ndërsa lideri asgjë. Nëse do t‘u shkaktosh disfatë këtyre organizimeve, qoftë në fushën ushtarake dhe qoftë në atë politike, duhet t‘i shkaktosh disfatë kokës së organizimit që është kryelideri, faraoni, mbreti, shahu, kryetari i partisë. Aleksandri i Maqedonisë e mposhti perandorinë persiane me shumë më pak ushtarë se Dari, sepse nxori jashtë loje Darin. Konkuistadori spanjoll, Francisko Pizarro, me vetëm 168 ushtarë vuri nën këmbët e tij një perandor si Atahuallpa, që kishte një ushtri prej 80 mijë ushtarësh. Si u bë e mundur një gjë e tillë? Sepse arrestoi që në fillim Atahuallpën dhe bashkë me të edhe shtetin inkas. Sepse shteti ishte perandori dhe perandori ishte shteti.

Kundërshtarët e Berishës kanë vepruar krejt në kundërshtim me këtë përvojë. Ata nuk i kanë dhënë Berishës goditjen përfundimtare politike kur ai ndodhej i kërrusur nga barra e një disfate apo një katastrofe. Kështu ka ndodhur në mars ‘97, kur atij iu shkërmoq shteti, sepse kish refuzuar (dinakërisht dhe për qëllime pushteti) të ndërhynte për të bllokuar në kohë piramidat financiare, në shtator ‘98, kur ai dështoi pasi frymëzoi një grusht shteti të tipit nazist, apo në 2008 pas tragjedisë së Gërdecit ku korrupsioni qeverisës varrosi jetë qytetarësh të pafajshëm. Gjithnjë në këto raste, kundërshtarët në vend që t‘i jepnin grushtin dërrmues Berishës, i kanë rënë shpatullave ose i kanë rregulluar thilenë e xhaketës. Dhe Berisha është ringritur duke u bërë një precedent i kultit që qëndron mbi çdo ligj apo rrethanë historike, mbi çdo mëkat tragjik. Edhe kur bën korrupsion, dhe kur bën kontrabandë, dhe kur shpërfill drejtësinë, thuhet se ai e bën "për të mirën e Atdheut". Ajo që për këdo tjetër do të qe një krim i rëndë, për Berishën kthehet si me magji në një akt lavdie. Si monarkët e dikurshëm ai qëndron tani mbi ligjin, mbi sistemin.

Por e keqja e të gjitha të këqijave, rrënja e tyre, është se nuk ka qenë në gjendje të japë një goditje kundër fajeve të Berishës as sistemi i institucioneve të drejtësisë, që deri më sot ka qëndruar në pritje të asaj që do të diktojë politika, si ajo që zhvillohet në Tiranë ashtu edhe ajo e Brukselit apo e Uashingtonit. Në fakt, te kjo vartësi e sistemit të drejtësisë edhe nga direktivat e Brukselit apo Uashingtonit, "ndërkombëtarët" duhet të perceptonin dështimin e tyre në Shqipëri, dështimin e "sistemit" të demokracisë që ata përpiqen ta importojnë prej rreth 20 vjetësh. Vetëm kohët e fundit, po i dëgjojmë të flasin gjithnjë e më me theks për pavarësinë e gjyqësorit. Por më mirë vonë se kurrë. Sepse pavarësia e gjyqësorit është sot jetike për sistemin e demokracisë. Drejtësia është sot përballë disa superskandaleve korruptive (Gërdec, Rrëshen-Kalimash, Fazliç) të qeverisjes Berisha, hetimin dhe gjykimin e të cilave kulti i Berishës, presionet, shantazhet, intrigat, sistemi berishist, po përpiqet t‘i bllokojë. Dhe deri tani jo pa sukses. Por nëse punët do të vazhdojnë kështu, atëherë Berisha do të triumfojë mbi sistemin, padrejtësia dhe korrupsioni mbi drejtësinë. Dhe vetëm kur të mbeten përballë arrogancës së kultit të Berishës në praninë e sistemit tashmë të ngordhur, disa intelektualë ndoshta do ta kuptojnë se sa e rëndësishme është për "sistemin" që t‘i shtypë, në kohën e duhur, kokën bollës që e mbështjell ngadalë dhe për vdekje, ndërsa rritet në gjirin e tij.

Vite më parë, shqiptarët lexonin ilegalisht "Princin e Vogël" të Exyperi-së. Regjimi komunist nuk e kish ndaluar rastësisht këtë "përrallë" që depërton në zemër të dukurive të njerëzimit të mbetur pa zemër. Në këtë novelë të mrekullueshme ka një vizatim që shoqëron edhe këtë artikull (vizatimi nr. 1) ndaj dhe lexuesi mund ta shohë dhe t‘i përgjigjet pyetjes: Çfarë tregon ky vizatim? Exyperi vetë shkruan se shumica e njerëzve kanë thënë pa ngurrim, shpejt e shpejt, se kemi të bëjmë me një kapelë. Kam përshtypjen se edhe shumë shqiptarëve ashtu do t‘u duket, si një kapelë, si një "feste". Por, në fakt, kemi të bëjmë me një gjarpër boa që ka gëlltitur një elefant (vizatimi 2 lehtëson kuptimin) kemi të bëjmë me "individin" që ka gëlltitur "sistemin".

Duket si e pabesueshme, por ka ndodhur, madje, na ka ndodhur edhe ne shqiptarëve që nuk dimë të mësojmë nga pësimi. Boa e Enverit gëlltiti gjithë Shqipërinë dhe e treti në bark dhe izolim të plotë për mbi 40 vjet. Tani është boa e Berishës që tenton ta gëlltisë. Pas saj është rreshtuar me gojë hapur boa e Edi Ramës. E megjithatë, na duket përsëri e pamundur që një boa të gëlltisë një elefant, që individi të gëlltisë sistemin. Prandaj sa e shohim vizatimin e Exyperi-së nxitojmë të përgjigjemi: është një kapele! Edhe nëse Exyperi do të na pyeste a jemi të frikësuar nga vizatimi do t‘i thoshim siç kanë bërë shumë të tjerë para nesh: Të frikësuar? E përse duhet të frikësohet njeriu nga një kapele? Sepse boa që po mbyt sistemin do të mbetet përfundimisht për ne një "kapele". Edhe Berisha është veçse një individ, një "kapele". Është, jo për fat të keq, por për "meritë", festja që prej shumë shekujsh i rri më mirë kokës së pandreqshme të shqiptarëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama