Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Çudi tenderesh

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Çudi tenderesh

Të shpjegoj fillimisht me dy fjalë si funksionojnë tenderët. Qeveria, Ministria apo një kushdo institucion që ka paratë për të bërë një punë, shpall tenderin ku, si e dhënë kryesore, është shuma e parave që vë në dispozicion dhe që në terminologjinë zyrtare quhet "vlera limit". Ta zemë që shpallet tender për ndërtimin e një rruge dhe fondi limit është 100 lekë. Firmat e interesuara paraqesin ofertat e tyre për të marrë pjesë në tender, ku secila, në zarf të mbyllur, shënon edhe shifrën me të cilën ajo merr përsipër ta bëjë rrugën. Ditën e tenderit, hapen zarfat dhe shihet që njëra firmë është ofruar ta bëjë rrugën me 90 lekë, një tjetër me 70 dhe, një e tretë me 80 lekë. Tenderin e fiton ajo firmë që paraqet shifrën më të ulët. Zakonisht tenderët normalë fitohen me fonde që shkojnë në shifrat nga 70 deri në 90% të fondit limit, pasi nga një anë firma është e interesuar të fitojë sa më shumë, pra me shifra sa më pranë 100% të fondit limit, por nga ana tjetër, detyrohet ta ulë shifrën, që të konkurojë me firmat e tjera. E theksoj këtë punën e përqindjes, se është shumë e rëndësishme.

Emri i Kontratës: Datë: Firmat pjesëmarrëse: Vlera e fituar:
Rruga Kukës - Morinë Loti 5 19/05/2008 ANK 99,97%
By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë Loti 2 18/12/2008 ALBAVIA 99,29%
Rruga Milot - F/Krujë (dublimi i superstradës) Loti 8" 11/12/2008 Geci 99,10%
Rruga Milot - F/Krujë (dublimi i superstradës), Loti 1 13/12/2008 EUROTEOREMA PEQIN 99,39%
Rruga Milot - F/Krujë, (dublimi i superstradës) Loti 4 12/12/2008 FUSHA / GJOKA KONS. 99,16%
Rruga Fushë Krujë-Milot (Dublimi i rrugës ekzistuese) Loti 6 11/12/2008 ALBAVIA 99,55%
Rruga Dhërmi Vuno Loti 1 5/12/2008 Gjikuria / Fusha 99,30%
Rruga Porto-Romano Loti 1 18/12/2008 SIAC & ALBUILDING 99.34%
Rruga Kukës - Morinë Loti 4 15/05/2008 GECI 98,66%
Rruga By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë 12/12/2008 SALILLARI 92,21%
Rruga Fushë Krujë-Milot (Dublimi i rrugës ekzistuese) Loti 7 18/12/2008 Eeniku / AGBES / Arberia 88,33%
Ndërtim By Pass Kukës Loti 1 14/05/2008 ERNIKU / KASTRATI 98,04%
Ndërtim Unaza Fushë-Arrëz 27/11/2008 VELLAZERIA 98,71%

Kjo ishte teoria, shihni tani këta tenderë, të bërë, ca në mes të vitit që shkoi, e të tjerët në fund të tij, gati brenda një jave, në Ministrinë e Sokol Olldashit. Gati të gjithë janë fituar me mbi 99% të fondit limit, madje ka edhe me 99,97% të tij (!!!). Kjo më ngjan me zgjedhjet në kohë të Komandantit që dilnin 99,99%, se Komandanti e dinte që përpara se si do shkonin votimet. Është praktikisht e pamundur që një tender të fitohet me këto shifra, pa u marrë vesh më parë mes tyre ministri-firmë se kush do ta fitojë. Ose këtu Olldashi ka shirë si ka dashur me paratë e ministrisë, ose vartësit e tij ia kanë hedhur dhe i kanë bërë ata pazaret. Meqenëse nuk ia kam ngenë të më hedhë gjende gjyq Olldashi për prishje imazhi, nuk po ia vë gishtin unë se cili nga të dy variantet ka ndodhur, por po pres të ma shpjegojë ai vetë si e qysh e mejton këtë punë. Njërëz jemi, edhe mund të gabojmë.

Të më ndjejë ndonjë nga firmat nëse ia kam shkruar emrin shtrembër a gabim, se halli im nuk janë ato por ministria, e cila të vetmin sukses që arriti me çpikjen e prokurimin elektronik, ishte bërja e tenderëve pa zhurmë e bujë dhe me 99,99% të parave.

p.s. Nëse Olldashi nuk më sqaron, do përpiqem ta ndihmoj vetë të hënën që vjen.

FESTA E KUFIRIT

Nxinte Anila Basha teksa më fliste për punë të marrveshjes detare me Greqinë. Na i hodhën grekët, si s‘hapi gojë njeri, jo po na morrën detin këtu, jo po na zhvatën nëndetin atje. Dëgjova e dëgjova dhe i dhashë karar ta kthej punën së prapi.

Unë, Anila e më të shumtit e shqiptarëve, mund të mërzitemi sa të duam për këtë punë, por të siguroj Anilë dhe ju të tjerë që u mërzitët, se peshqit e detit, jo që s‘janë mërzitur hiç, por kur ta marrin vesh që ka lëvizur kufiri, do gëzohen pa masë. Do gëzohen se që sot e tutje nuk do t‘i gjuajë më njeri me korrent, me bomba apo me dinamit. Do kenë punë vetëm me rrjetat e peshkatarëve grekër, të cilat edhe ato duhet të jenë sipas normave të Komunitetit Europian dhe kaq. Edhe koralet, gaforet, flora dhe fauna e nëndetit, do kenë bërë festë, se shpëtoi nga shfrytëzimi deri në palcë. Edhe anijet e mbytura e të kthyera në relike, shpëtuan. Deri tani ishin ambjentuar me zhytës piratë që shkulnin prej tyre ç‘mundnin, duke shkatëruar ç‘mbetej pa marrë dhe që, edhe ajo që shkulnin, përfundonte hajduçe më ndonjë koleksion ilegal e s‘mund të kapardisej gjithë krenari në muze. Tani do vijnë ekspedita nënujore t‘i studiojnë, do t‘i nxjerrin me kujdes, pa do t‘i restaurojnë, do t‘i vendosin nëpër vitrina ku do vijë bota të çuditen gjithë admiratë para tyre.

A ma gjeni dot ku çalon ky arsyetim, se peshqit, gaforet e delfinët nuk njohin kufij shtetesh, por vetëm kufij mirësie. Ata dinë vetëm kaq: këtej të vrasin - andej të mbrojnë. I dinë mirë kafshët këto punë dhe ia trashëgojnë njëra-tjetrës brez pas brezi si legjenda instiktesh. Larg nga Saranda, në Shkodër, më thonë se kolonitë e zogjve janë përqëndruar të gjitha në anën malazeze të Bunës, pasi andej nuk u bie njeri në qafë dhe rrojnë e gëzojnë në paqë e në harmoni me njerëzit e natyrën, ndërsa këtej Bunës s‘pipëtin gjë prej gjëje, përveç ushëtimës së ndonjë çifteje që heq qafe ndonjë zog fatzi që ka ngatërruar udhën.

Po le të shkojmë sërisht në Jug, andej nga na cënuan mëmëdhenë. Ata ishujt e vegjël para Ksamilit ka vite që vuajnë në grahmat e fundit të mbijetesës së tyre. Çdo shenjë jete është zhdukur syresh. E dini që në më të madhin e tyre, që ishte i mbuluar cep më cep me pemë të harlisura, ka pasur edhe dhi të egra? Kafshë të gjora që, pas ‘90-ës, u zhdukën pa nam e nishan. Ishulli tjetër është ngrënë përgjysmë me eskavator dhe tani mbi ujë ka mbetur vetëm gjysma e tij, pasi në gjysmën tjetër të rrafshuar, herë pas here ndërtohen lokale, të cilat i prish pastaj policia ndërtimore, pastaj lokali ndërtohet prapë nga një tjetër person më i fortë se i pari, e kështu me radhë. Ndër ishuj më të shumtat e pemëve janë prerë dhe ç‘mbetet e shuan zjarri kohë pas kohe. Sikur më ‘13-ën, kur ndaheshin kufijtë, gjyshërit të kishin qenë më pak mëmëdhetarë, ishujt do t‘i kishin mbetur Greqisë dhe sot do gëlonin nga flora e fauna, nga lepujt e nga dhitë brigjata, nga pemët lulet e kaçubat.

Gjithë ç‘kam dëgjuar këto ditë për punë të marrveshjes që nënshkroi Lul Basha (ja futa kot më duket, se kush e pyet Bashën kur është Berisha. Prapë më ngjan se ja futa kot, se kush e pyet Berishën kur janë grekërit në mes!) nxitojnë të bëjnë paralelizma me Ahmet Zogun, kur i dha Shën Naumin Sërbisë. Mirëpo, ta zëmë se Ahmet beu do ish treguar patriot i pafrikur dhe s‘do e kish lëshuar manastirin, ç‘do ngjiste më pas? Më pas, do kish ardhur Enver Hoxha dhe më ‘67-ën do ia nxirrte manastirit themelitë në havadan, siç ua nxorri të gjitha kishave, manastireve, xhamive e teqeve të tjera dhe ne do ta kishim duartrokitur siç e duartrokitëm. Falë xhambazllëkut të Ahmet beut më ‘25-ën, manastiri i Shën Naumit lartohet mbi Liqer ende sot e kësaj dite, duke i bërë duva Perëndisë që e bëri Ahmet benë batakçi dhe jo patriot.

Lirinë e meritojnë vetëm popujt që lëftojnë e vriten për të. Eh more gjyshër të lartër ç‘na bëtë, ç‘barrë të madhe, që s‘është për këllqet e shprishura të kohëve tona, na latë. Konica, kur ja sollën shpirtin në majë të hundës shqipot, shkroi: "Shqipërinë e bënë idealistët, e rojti rasti, e prishnë politikanët". Të më ndjejë Faiku që po ja trazoj gjumin e përjetshëm, po kam ndër mënt t‘i shkoj mbi varr, t‘i trokas e t‘i them "Faik be, të doli llafi".

Eshtë praktikisht e pamundur që një tender të fitohet me 99% të fondit pa u marrë vesh më parë mes tyre ministrí-firmë se kush do e fitojë, ndaj Ministria e Olldashit të vetmin sukses që arriti me çpikjen e prokurimin elektronik, ishte bërja e tenderëve pa zhurmë e bujë, dhe me 99,99% të paráve.

Konica, kur ja sollën shpirtin në majë të hundës shqipot, shkroi se Shqipërinë e bënë idealistët, e rojti rasti dhe, e prishnë politikanët, ndaj, të më ndjejë Faiku që po ja trazoj gjumin e përjetshëm, po kam ndër mënt t‘i shkoj mbi varr, t‘i trokas e t‘i them "Faik be, të doli llafi".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama