Kosta Trebicka, biznesmeni që dha i pari alarmin për trafikun e fishekëve me Afganistanin dhe që humbi jetën tragjikisht në një aksident misterioz, vazhdon të denoncojë përtej varrit aferën e pisët të fishekëve. Gazeta "Tema" ka publikuar, para pak ditësh, dëshminë që thuhet se Trebicka ka dhënë para një komisioni të Kongresit të SHBA, i cili po hetonte çështjen e mbetur ende në mister. Nëse publikimi është korrekt, ato që ka pohuar biznesmeni shqiptar flasin shumë qartë për dhunim të ligjeve të SHBA dhe ligjeve të Shqipërisë në favor të tregtimit të fishekëve të vjetër kinezë, si dhe për të vjelë fitime të paligjshme prej milionash, me anë të ndërfutjes në transaksionin e shitjes së fishekëve të një kompanie të tretë fantazmë të quajtur "EVDIN". Të gjitha janë bërë para syve të zyrtarëve dhe qeveritarëve të lartë shqiptarë, janë bërë brenda ambienteve ushtarake të rëndësisë së veçantë, pra janë toleruar. Përse? E përse përveç fitimeve të paligjshme?!
"Larja" e fishekëve kinezë
Kur biznesmenit Trebicka iu ofrua mundësia të ripaketonte miliona fishekë kallashi të prodhimit kinez në kuti prej kartoni, ai nuk po arrinte të kuptonte se përse duhej bërë gjithë ky ripaketim. Nuk e kuptonte ngaqë nuk e dinte se një ligj amerikan ua u ndalonte kompanive amerikane blerjen dhe shitjen e municioneve të prodhimit kinez. Prandaj në fillim iu duk i mjaftueshëm shpjegimi i dhënë nga përfaqësuesi i kompanisë amerikane ‘AEY‘, se me kalimin e fishekëve nga kutitë e drurit dhe ato metalike, ulej pesha e mallit, pra edhe kostoja e transportit. Por më vonë, Trebicka konstaton se porositësi i ripaketimit (kompania ‘AEY‘) ishte shumë e kujdesshme që në paketimin e ri prej kartoni të mos mbetej asnjë shenjë, asnjë hieroglif i origjinës kineze të fishekëve.
Biznesmeni shqiptar pohon se përsëri ka kërkuar shpjegime për një gjë të tillë, por përsëri nuk ia thanë të vërtetën. Tani shkak nuk është më pesha, por shmangia e vonesave të panevojshme për shkak të dyshimeve që mund të ngjallin faturat shqiptare, që shoqërojnë fishekët kinezë. E gjithë dëshmia e Trebickës (sipas asaj që ka botuar "Tema"), flet qartë se ‘AEY‘ dhe ushtarakë e zyrtarë të lartë shqiptarë kërkonin t‘i bënin bisht ligjit amerikan, që ndalonte shit-blerjen nga kompanitë amerikane të fishekëve kinezë. Mjaft komprometues është pohimi i Trebickës se ka informuar për ripaketimin e fishekëve kinezë deri edhe atasheun ekonomik pranë ambasadës amerikane, por edhe ai ka pohuar "se gjithçka ishte në rregull"!
Megjithatë, asgjë nuk ishte në rregull. Zyrtarë të lartë shqiptarë të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me një kompani amerikane, të quajtur ‘AEY‘ e të drejtuar nga një 20-vjeçar me emrin Efraim Diveroli, po përdornin 300 milionë USD të taksapaguesve amerikanë për të blerë fishekë kinezë që dergjeshin prej dekadash në depot e ushtrisë shqiptare. Ripaketimi kishte për qëllim pikërisht pastrimin e origjinës kineze të fishekëve. Duket se kjo "larje" fishekësh ka qenë një operacion shumë i ngjashëm me larjen e parave të pista. Dhe si çdo larje e një natyre të tillë, është e vështirë të mos ta klasifikosh si aktivitet mafioz të krimit të organizuar.
"Fantazma" dyfishon çmimin
Skandali tjetër, që ka denoncuar Trebicka në dëshminë e tij, është rritja artificiale e çmimit të shitjes së fishekëve nëpërmjet ndërfutjes në transaksion të një kompanie të tretë të quajtur "EVDIN". Në vend që fishekët t‘i shiteshin prej palës shqiptare drejtpërdrejt kompanisë amerikane "AEY", me një çmim 22 USD për çdo 1 mijë fishekë (çmim, që sipas Trebickës ishte më i larti edhe në tregjet e Evropës Lindore), ato i shiteshin një kompanie ndërmjetëse me emrin "EVDIN", me çmim 22 USD për 1 mijë fishekë dhe më pas ishte "EVDIN", që ia rishiste kompanisë "AEY" me thuajse dyfishin e çmimit, 40 USD për 1 mijë fishekë. Tashmë është bërë e ditur se "EVDIN" ishte një kompani fantazmë e krijuar nga një trafikant me emrin Henry Tomey.
Po si u fut kjo kompani në mes të "AEY" dhe palës shqiptare (ose më saktë MEICO-s), kjo ende nuk është sqaruar publikisht. Te qipriotja "EVDIN" fshihet ganglioni, nyja që lidh mafien me pushtetin në gjithë këtë aferë. Prandaj është mëkat ndaj drejtësisë të mbetet pa u sqaruar. Por dëshmia e Trebickës shfaqet mjaft komprometuese për Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO-n dhe vetë ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sepse, Trebicka ka deponuar që Diveroli, pronari i "AEY" i ka kërkuar të ndërmjetësojë te ministri Mediu "... që ai të flakë tej këtë sekser (‘EVDIN‘-in) dhe të na ndihmojë të kemi një marrëveshje të drejtpërdrejtë me MEICO-n", mesa duket për të ulur çmimin nga 40 në 22 USD.
Dhe Trebicka rrëfen se shkoi te ministri Mediu dhe i foli "atij për historinë e kompanisë ndërmjetëse, që po e rëndonte dyfish kompaninë amerikane". Përgjigjja që i ka dhënë ministri është nga më të habitshmet dhe tregon qartë mungesën e përgjegjshmërisë e të vullnetit për t‘i rregulluar gjërat. Mësohet të ketë thënë se "kjo ishte një kontratë civile, por ai do të thërriste në zyrën e tij të ngarkuarin me punë të Ambasadës Amerikane dhe do ta diskutonte me të". Ende nuk dihet akoma se ç‘ka diskutuar Mediu me "të ngarkuarin me punë të Ambasadës Amerikane", por kjo nuk e shpëton atë nga përgjegjësia se ai ishte i ngarkuari me punë nga publiku shqiptar, që të mos lejonte që dhjetëra milionë USD të përfundonin në xhepat e një kompanie fantazmë, për një punë të pakryer dhe jo në buxhetin e varfër të shtetit të shqiptarëve, që edhe sot e kësaj dite nuk kanë shtëpi, shkolla e spitale për të qenë.
Edhe më komprometues është fakti që, pas takimit me Mediun, biznesmeni Trebicka dhe biznesi i tij i ripaketimit u bojkotuan tërësisht nga vartësit e Mediut në kompaninë ‘MEICO‘. Gjithçka flet qartazi për hakmarrje dhe heqje qafe të një personi që zbulon sekretin e një biznesi të pisët. Kontrata me të u dhunua dhe ripaketimi iu dha kompanisë së Delijorgjit, i cili sot mbahet në qeli, për shkak të tragjedisë së përgjakshme dhe rrënimtare të Gërdecit. Ndërkaq, kompania fantazmë ‘EVDIN‘ vazhdoi të vjelë qyl 18 USD për çdo 1 mijë fishekë kinezë të nisur nga Shqipëria drejt Afganistanit? Enigmat janë pa fund: Përse nuk u eliminua nga mesi ‘EVDIN‘, pasi Trebicka informoi Mediun? Mos vallë nga që ‘EVDIN‘-i e ndante qylin me zyrtarët shqiptarë? Si ia ka paraqitur Mediu çështjen "të ngarkuarit me punë" të Ambasadës së SHBA-së? Apo nuk e ka informuar fare? Këto dhe shumë të tjera janë misteret që rrethojnë politikanë si Mediu e Berisha, të cilët kërkojnë një mandat të dytë. Po përse, për të abuzuar përsëri me postet, paratë dhe fatet e shqiptarëve?