Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kostoja e heshtjes

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Nazarko
Kostoja e heshtjes

Shkrimi im i mëparshëm mbi marrëveshjen e firmosur nga dy ministrat e Jashtëm, Basha dhe Bakojanis, dhe në përgjithësi tema e marrëveshjes për “kufizimin e shelfit kontinental” vazhdon të ketë një jehonë të gjerë,por mjerisht jo aq shumë me natyrë publike sesa private. Me marrëveshjen apo shkrimin rreth saj, vazhdojnë të lidhen një numër i madh keqkuptimesh. Apo reagimesh të arsyeshme dhe të paarsyeshme, si për shembull, dikush që më drejtohej me fjalët pse “e quan të parëndësishme marrëveshjen e detit, ndërsa merresh me  një çështje të parëndësishme si ajo e Himarës”. Mbërritën reagime të thëna me gojë, me shkrim nëpër forume apo gazeta të ndryshme, komente profesionalë, mes të cilëve do shquaja si më profesionalin atë të Agron Alibalit dhe Viola Trebickës. E gjitha kjo duket diçka plotësisht e merituar. Ashtu siç është e merituar dhe rimarrja e temës.

Kjo marrëveshje ka merituar dhe meriton vëmendje të madhe për shumë arsye. Ka implikime strategjike, ekonomike, që lidhen jo thjesht me detin territorial, por me nëntokën dhe me hapësirën ajrore. Është e treta në radhë me fqinjët tanë detarë (me Malin e Zi mbetet të jetë në fuqi marrëveshja e vjetër me Jugosllavinë) dhe logjikisht e fundit, me fqinjin më problematik tonin. U nënshkrua në kohë fushate elektorale në të dy vendet, në një kontekst të caktuar ndërkombëtar të Shqipërisë, në mungesë të plotë të transparencës. Nuk u arrit të shpjegohej me konferencat e shtypit plot nervozitet, sulme të padenja ndaj gazetarëve, apo pohimeve të ekspertëve shtetërorë që në vend të sqarojnë, shtojnë konfuzionin. Për më shumë kjo marrëveshje nuk u kalua në Parlament - dhe as nuk dihet se kur do të kalojë, etj., etj., prandaj mesa duket ajo do të vazhdojë të diskutohet gjatë. Duke prodhuar një zinxhir të pafundmë keqkuptimesh, posaqë ajo mbetet në errësirë, pra jotransparente për shumë elementë.

Paqartësia më e madhe lidhet me atë se cila ka qenë vija bazë apo kufiri bregdetar i secilit prej vendeve prej nga janë bërë matjet. Si janë llogaritur shkëmbinjtë detarë, gjinjtë e vegjël apo të mëdhenj, mjaft të rëndësishëm për përcaktimin e vijës së mesme kufitare të dy vendeve fqinjë? Këto elementë kanë qenë përcaktues në marrëveshje, posa që vetë drejtoresha juridike e Ministrisë së Jashtme iu referua neneve të Konventës së të drejtës së detit që flasin për to (neni 7, 10, 15). Dhe kjo mungesë transparence ka prodhuar dyshime, mes të cilit më i madhi është ai se ne i kemi falur Greqisë 225 kilometër katrorë që kanë jo thjesht rëndësi strategjike, por dhe rëndësi ekonomike. Ndaj artikulli im i parë për këtë temë quhet “kostoja e mostransparencës”: qeveria e sotme akuzohet drejtësisht apo padrejtësisht se i shiti apo i dhuroi Greqisë 225 kilometër katrorë sipërfaqe detare (dhe ajrore) sa kohë që ajo nuk është transparente për një marrëveshje kaq të rëndësishme. Por, ndërsa shpjegojmë mungesën e transparencës së atyre që janë në qeveri, me frikën nga impakti elektoral i një marrëveshje të tillë, apo me një lloj rezervimi të imagjinueshëm për çështje të tilla në marrëdhëniet ndërkombëtare, është heshtja e disa të tjerëve, disa subjekteve që të bën të mendosh gjatë. Aq sa të bën të mendosh ligjshmërisht se ashtu siç mostransparenca ka kosto, mund të flasim dhe për koston e heshtjes.

Ku është opozita jonë, hiq zëra të veçantë si ai i Pëllumb Xhufit, pjesë e LSI-së? Opozita më e madhe, Partia Socialiste? Pa asnjë qëndrim për çështjet kryesore të politikës sonë të jashtme, edhe për këtë marrëveshje ajo heshti, veç ndonjë zëri jopërfaqësues, që foli më shumë i detyruar nga insistimi i gazetarëve dhe jo në formën institucionale të përcaktuar, para një podiumi me siglën e partisë. E çuditshme dhe e frikshme heshtja e opozitës, mungesa e artikulimit të saj për një çështje kaq madhore, por ky defekt është pjesë e një defekti të përgjithshëm: opozita jonë që aspiron të vijë në pushtet, thuajse nuk ka politikë të jashtme, hiq udhëtimet në internacionalen socialiste apo pjesëmarrjen nëpër konventa demokratësh.

Por ka dhe një heshtje tjetër që gjithashtu është problematike. Heshtja e një pjese të medias, që e nisi trajtimin e çështjes dhe pastaj u tërhoq, për të mos u dukur si e induktuar prej një gazete që mbajti flamurin e zbulimit në fjalë. Disa as nuk folën fare. Duket se mediat shqiptare, i referohem të pavarurave, nuk donin të njihnin meritën e kësaj gazete, apo të polemizonin me të. Pra të krijohej ai efekt zinxhir që zbulon të vërtetat e mëdha në shoqëritë demokratike dhe të emancipuara. Që krijon sferën e opinionit publik për të cilin flet Habermasi.

Dhe mbi të gjithë, në ansamblin e heshtjes që karakterizoi marrëveshjen në fjalë, më të spikaturit me memecërinë e tyre janë ekspertët. Veçanërisht të vjetrit. Në punën për shkrimin e parë m’u desh të komunikoja me shumë njerëz, por një pjesë e tyre u bënë të gjallë pas shkrimit. M’u tha për shembull se nuk isha i saktë ndërsa shkruaja se “Enver Hoxha e kishte vendosur në mënyrë të njëanshme kufirin detar prej 15 miljesh, ndaj çdo hesap për “shitje të detit”, bërë duke patur parasysh këtë marrëveshje, ishte “jorealist”. Më saktësuan se kishte patur kontakte informale, sekrete midis dy vendeve dhe ishte fiksuar diçka në hapësirën ujore mes dy vendeve. Dikush tjetër më tha se në vitin 1990, nën ndikimin e Konventës së Montego Bay-t, gjerësia e detit territorial ishte vendosur po njëanshmërisht nga 15 në 12 milje (kuptohet atje ku gjerësia e detit e lejon). E pra, pse ekspertët nuk përfshihen me artikuj, pse nuk afrohen pranë mediave për të thënë mendimet e tyre rreth marrëveshjes në fjalë, debateve historike rreth saj, por në rastin më të mirë preferojnë të mos dalin hapur? Nëse në korin e kundërshtarëve të marrëveshjes kemi vetëm gazetarët, dhe vetëm një ekspert, atëherë mostransparenca vazhdon të dominojë dhe politika do të vazhdojë të paragjykojë gazetarët. Ky shkrim është kështu një ftesë që dhe ekspertët të përfshihen në debat, me autoritetin që i karakterizon në një temë kaq të komplikuar si kjo. Dakord, disa prej tyre kanë frikë se mos i heqin nga puna, por më të vjetrit duhet të flasin. Kjo është një temë për të cilën nesër do të jetë vonë, të hapësh gojën.
Heshtja paska pra gjithashtu koston e vet. Kanë faj ata që i bëjnë punët fshehurazi, por ndonjëherë dhe shpesh, edhe ata që heshtin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama