Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rrugët dhe votat

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Rrugët dhe votat

Ka ca kohë që shqiptarët po shpikin një lloj të ri proteste - bojkotin, apo e thënë me fjalët e vetë njerëzve "s‘do dalim të votojmë". Ca syresh zënë një rrugë dhe thonë se s‘shkojnë të votojnë po s‘u shtrua rruga, ca të tjerë dalin para kamerës e thonë se po s‘u bë ujësjellësi s‘shkojnë në votime, ca më tej po s‘u ndërtua ura, po s‘u ndreq çatia e shkollës, po s‘u bë prita e lumit, tregu i fshatit, spitali, e kështu me rradhë gjithë hallet e kësaj bote. S‘është nevoja të jap më shumë shpjegime, mjaft të shihni këtë banderolë të varur në një të ndarë rruge fshati në të dalë të Fierit.

Pas mëndjes sime, kjo është shprehja më e qartë e faktit që, për fat të keq, ende shumë shqiptarë e ndjejnë pushtetin dhe qeverisjen jo si punë të tyre, por si punë të cave që rrinë në Tiranë, pavarësisht nga vullneti i tyre dhe që e vetmja gjë që kanë në dorë njerëzia, është t‘i kërcënojnë se s‘do shkojnë në votime. Mender jush, u plasi e pasmja atyre të Tiranës, se nuk shkuat ju të votoni. Për të mos thënë, aq më mirë për ata të Tiranës, po s‘vajtët të hidhni votën juve. Se kështu është e sigurtë që ata do vazhdojnë punët e tyre në Tiranë të pashqetësuar prej sikletit të votës së njerëzve me halle.

Ka dy udhë për të ndërruar qeverinë. Udha e parë është të rrëmbesh pushkën e të dalësh malit me shokë. Si ta bësh këtë punë, të ndash pastaj nga një plumb për qeverinë, një për taksidarët, për policët, për bejlerët për zengjinët, për zyrtarët e për gjithë zuzarët e tjerë. Si tua dalësh këtyre, të zbresësh në Tiranë, të zësh kryeqytetin dhe të marrësh pushtetin. Është me bela kjo punë dhe, në historinë tonë, e kemi provuar më shumë se një herë dhe asnjëherë s‘na ka dalë për hajër.

Udha tjetër është vota. Edhe kjo është e vështirë e plot zhgënjime, por s‘ke ç‘i bën. Zgjidhja që po gjejnë shqiptarët nga halli, që "po s‘na bëtë rrugën s‘votojmë", s‘është zgjidhje po inat dhe që në fakt përkthehet në "ne po rrimë në mal nga inati juaj, ju rrini e qeverisni në Tiranë nga budallallëku jonë". Njerëz, shkoni të votoni, se nuk ndërrohet ndryshe qeverisja.


PRAPE ÇUDI TENDERËSH

Jep një lek e hyn në valle, jep njëqind e nuk del dot. Kjo po më gjen edhe mua me punën e tenderëve të rrugëve. I hyra kësaj valles të të kuptuarit se si bëheshin, ca për të qartuar veten e ca për të treguar se ç‘bëhet me këta tenderë që nuk janë pare xhepi po secili është me nga 4 a 5 milionë dollarë. Mirë i hyra, po s‘po dal dot, se ca s‘më le rehat vetja me ç‘po më del aty brënda, e ca s‘më lenë të tjerët, ata që jua dinë rradhën dhe kur lexuan shkrimin e javës që shkoi, më mbytën me mesazhe ku më shpjegonin të tjera hynere.

Si sot java, u shpjegova si bëhet kjo punë që, të gjithë tenderët e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, u fituakan të gjithë me mbi 99% të fondit limit, punë kjo që siç u thashë ka bërë vaki vetëm dy herë në histori: herën e parë në zgjedhjet e kohës së Komandantit dhe, herën e dytë, në tenderët e NASA-s.

Ndër mesazhet që mora për këtë artikull, qenë edhe zërat së brendi ministrisë sipas të cilave, çuditë e këtyre tenderëve nuk mbaruakan me kaq. Pasi më sqaruan ata mua, më lini t‘u sqaroj unë juve tani.

Sipas ligjit shqiptar, për tenderët me fond limit deri në 500 milionë lekë (5 milionë USD) nuk shpallet tender ndërkombëtar, ndërsa kur fondi e tejkalon këtë shumë, detyrimisht tenderi duhet bërë ndërkombëtar. Mirëpo që ta bësh tenderin ndërkombëtar, do të thotë që të vijnë e të marrin pjesë edhe firma të huaja, firma me të cilat është e vështirë të gjendet llafi siç duhet për t‘i thënë bukës bukë, firma që nuk e kuptojnë atë rregullin e 99,99%, e plot rregulla të tjera që vetëm në Shqipërinë e Olldashit me shokë egzistojnë. Atëhere, cila është zgjidhja? E thjeshtë. Fondet e rrugëve i ndajnë në tenderë ose "lote" siç quhen, me vlerë pak nën 500 milionë lekë (të reja), gjë që bën të mundur të mos shpallim tender ndërkombëtar, por të mbetemi për t‘u kaurdisur me firmat shqiptare, që ja dinë rradhën muhabetit dhe vihen kollaj në rresht. Kështu edhe paratë shkojnë atje ku duhet, edhe nuk i hyjmë belasë me të huajt.

Në rastin konkret, tabelës së javës që shkoi, i kam shtuar një kollonë të re në fund, në të cilën janë shënuar vlerat e tenderuara. Nuk do shumë shkollë për të shikuar se paratë e caktuara për gati të gjitha rrugët, janë afër 500 milionshit, por pa e arritur apo kapërcyer asnjëherë këtë shumë. Bën përjashtim nga ky rregull vetëm tenderi i fundit i tabelës, ai për Unazën e Fushë-Arrëzit, për të cilin, meqenëse vetë vepra kushton gjithsej 82 milionë lekë, nuk ka qenë e nevojshme t‘i nënshtrohet rregullit të 500 milionshit. Megjithatë, edhe ky rast, nuk i ka shpëtuar dot rregullit tjetër, atij të 99%.

Thua që të gjitha këto perversitete shifrash e tenderësh, të jenë pjellë e mendjeve të ca zyrtarucëve të Drejtorisë së Rrugëve që kanë frikë edhe nga hija e tyre dhe Ministri Olldashi nuk di gjë?! Demek siç thosh edhe Pal Vata në vaktit: "Mos ka bërë gjë Mehmeti me kokë të vet, se unë e Enveri s‘dimë gjë!". Mirëpo Pali hyri në historinë e gallatës me këtë batutë, ndërsa kjo gallata e tabelës së tenderëve, po na kushton me miliona dollarë. Sidoqoftë, mbetem në dispozicion të zotit Olldashi që, po pati në mënt të sqarojë, jo mua, po njerëzinë, rreth tymnajës që po i ngre unë, t‘i lë në dispozicion një kollonë në shkrimin e javës që vjen.


Emri Kontratës: Vlera e fituar: Vlera limit:
(lekë)

Rruga Kukës - Morinë Loti 5 99.97% 499,7 milionë
By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë Loti 2 99.29% 493,4 milionë
Rruga Milot - F/Krujë (dublimi i superstradës) Loti 8 99.10% 499,9 milionë
Rruga Milot - F/Krujë (dublimi i superstradës), Loti 1 99.39% 430,8 milionë
Rruga Milot - F/Krujë, (dublimi i superstradës) Loti 4 99.16% 497,5 milionë
Rruga Fushë Krujë - Milot (Dublimi i rrugës) Loti 6 99.55% 499,2 milionë
Rruga Dhërmi Vuno Loti 1 99.30% 460,8 milionë
Rruga Porto - Romano Loti 1 99.34% 471,9 milionë
Rruga Kukës - Morinë Loti 4 98.66% 497,9 milionë
Rruga By Pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë 92.21% 482,1 milionë
Rruga Fushë Krujë-Milot (Dublimi i rrugës) Loti 7 88.33% 499,8 milionë
Ndërtim By Pass Kukës Loti 1 98.04% 327,5 milionë
Ndërtim Unaza Fushë-Arrëz 98.71% 82,5 milionë

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama