Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Anti-rasti Mustafaj!

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 16 vite më parë

Henri Çili
Anti-rasti Mustafaj!

Besnik Mustafaj u largua  përkohësisht nga politika me një deklaratë të thjeshtë, duke i lënë të hapur mundësinë për një “fillim të ri” në një moment tjetër. Kronika e ditës nuk e ka mendjen tek rasti Mustafaj, jo vetëm për arsye objektive pasi të gjithë presin listat për deputetë, presin vendin në listë, por edhe pse vetë Besnik Mustafaj kontribuoi që rasti i tij në fakt të ishte një anti–rast. Mustafaj u tërhoq pa zhurmë, pa sharë, pa kritikuar sipas standardeve të politikës shqiptare. La një derë të hapur në politikë nëpër rrugën nga ku u tërhoq, duke ironizuar me këtë gjest madje mënyrën se si Berisha dhe PD-ja u soll me rastin e tij, me kandidimin e tij për kreun e PD-së së Tiranës. Po pse Besnik Mustafaj nuk është një rast, por është një anti–rast në historinë politike të PD-së? 

Së pari, sepse gjatë kontestimit të tij ai për asnjë moment nuk gaboi të bënte gabimin e shumë paraardhësve të tij në PD, të cilët kanë përplasur derën, kanë bërë zhurmë, kanë shkuar në krahun tjetër dhe e kanë kthyer përmbys, jo thjeshtë të ardhmen, por dhe të shkuarën e historisë së marrëdhënieve të tyre me Partinë Demokratike. Për asnjë moment ai nuk revizionoi marrëdhënien e tij me PD-në, me elektoratin e saj, me simpatizantët dhe me të gjithë ato aktorë dhe faktorë që kanë parë te Partia Demokratike, edhe për shkak të pranisë së Mustafajt atje një forcë serioze për qeverisjen e fateve të Shqipërisë. Në këtë kuptim kjo e jo thjesht nuk e nxjerr Besnik Mustafajn nga PD-ja, por e fut atë më thellë tek ajo koshiencë e Partisë Demokratike që i kapërcen kohët, momentet dhe liderët.

Së dyti, Besnik Mustafaj me largimin e tij jep një mesazh për të refuzuar mënyrën se si PD-ja drejtohet nga Berisha dhe miratohet nga kolegët e tij në PD. Duke qenë i bindur se një zgjerim i sipërfaqes së përfaqësimit politik me figura është rruga më e mirë për të ardhmen e PD-së, se shtimi në podiumin e saj i figurinave, të cilët nuk i shtojnë asgjë përfaqësimit të PD-së, vetëm se sa i konsumojnë Berishës kapital politik që ai me vështirësi të madhe e fiton vetë përditë prej 20 vjetësh në politikë.

Nëse PD-së i del më mirë kështu si vepron, bravo i qoftë vërtet, por historia ka treguar se sa më shumë ajo e ngushton bazën përfaqësuese dhe sa më shumë e trukon përfaqësimin e saj me figura pa vlerë dhe pa kapital publik, aq më në rrezik e vë ajo shansin e demokratëve për pushtet. Demokratët shqiptarë mundet që për shumë kohë, madje asnjëherë, mundet të mos u duhet më profili i Mustafajt, por nëse po, ai është i pranishëm, i konservuar si një përfaqësues i pandërprerë i kësaj partie prej 19 vjetësh tashmë, me profilin e vet autentik, të pangatërrueshëm me të tjerët.

Së treti, Besnik Mustafaj duket se ironizon edhe me insistimin e shumëkujt në këtë periudhë paksa qesharake të listave për të ngulmuar të qëndrojnë në politikë me çdo çmim, kudo që t’i çojnë, kudo që t’i vendosin, kudo ku t’i shtyjnë dhe tërheqim. Duke u larguar vullnetarisht, duke refuzuar një garë jo-korrekte dhe jo- dinjtitoze për Tiranën dhe një vend jo-dinjtoz në listat e PD-së për të mos thënë më shumë Besnik Mustafaj nuk i lë kujt, përfshi Berishës, kënaqësinë e një trajtese jo-dinjtitoze të personalitetit dhe figurës së tij, nisur nga e drejta juridike që drejtimi i PD-së gëzon sot për të firmosur listën e deputetëve.

Ja pse për të gjitha këto arsye Besnik Mustafaj nuk ngjan me rastet e tjera. Ai është në këtë mënyrë një anti–rast, pra një rast i ri. Jo thjesht me të shkuar individuale në politikë, por dhe me të ardhme individuale me siguri në politikën shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama