Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një fushatë e pabarabartë

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 16 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një fushatë e pabarabartë

Shpallja e listave të kandidatëve nga partitë politike, e futi fushatën elektorale në pjesën e saj më të ndezur. Pasi markuan njëra-tjetrën gjatë gjithë pasdites së 19 majit, PD e PS afishuan më në fund emrat që i kishin mbajtur sekret me xhelozi për javë dhe muaj. Tashmë gjithçka do të ndërtohet dhe vërtitet rreth këtij materiali njerëzor që doli në sytë e shqiptarëve dhe që do të përbëjë ushtritë politike të 28 qershorit. Lufta e emrave tashmë ia lë vendin luftës së argumenteve. Këtu situata po duket edhe më interesante sesa ajo e kandidaturave.

Katër vjet pasi ka marrë pushtetin PD-ja ka vendosur të sillet edhe një herë si opozitë. Ajo është kapur fort pas faktit se e majta kontrollon pjesë të rëndësishme të pushtetit vendor, para së gjithash Tiranën, duke e kthyer këtë rrethanë në një kalë të vërtetë beteje. Prej javësh Berisha po përdor një listë lejesh ndërtimi që Bashkia e Tiranës ka dhënë për ndërtues të ndryshëm në kryeqytet në mbledhjen e fundit të KRT. Konflikti hipotetik i interesit të disa anëtarëve të këtij organi me studiot fituese të lejeve ka marrë në propagandën e PD, sipas një skeme dinake, përmasat e një krimi të përbindshëm nga ata që bëjnë të ngjethen të mëdhenj e të vegjël kudo qofshin. Duket se pas mbledhjes “famëkeqe” të KRT (a nuk tingëllon ajo tashmë si njëri prej plenuimeve të Enver Hoxhës), asgjë s’është e s’do të jetë më si më parë në këtë vend.

Pa mbrojtur askënd të përfshirë në mekanizmin e lejeve të ndërtimit, mund të thuhet se nga pikëpamja e taktikës elektorale, kjo e maxhorancës është një fushatë minimaliste. Të përqendrosh thuajse të gjitha bateritë e goditjes tek lejet e ndërtimit brenda një qyteti të vetëm, qoftë kjo dhe Tirana, është disi e pamjaftueshme për një rrugë të gjatë 40 ditore ku do të shkelë fushata zgjedhore. Të sillesh si opozitë, ndërkohë që prej katër vjetësh ke në duar të gjitha mjetet për të bërë transparencë, ndërkohë që ke zgjedhur presidentin dhe prokurorin e Përgjithshëm dhe që kontrollon organet e tjera kryesore të vendit, kjo tregon se fushata ka të paktën një defekt të madh konceptual.

E megjithatë, edhe duke tundur po të njëjtat akuza, pra lejet e ndërtimit, Berisha po ia del të mbajë gjallë luftën elektorale me kundërshtarët e tij politikë. Dhe kjo e ka një shpjegim. Të paktën ashtu siç paraqiten tani raportet e forcave në fushatë. Maxhoranca e sotme ka plot probleme në këtë fund-mandati katërvjeçar. Katër ministra janë dorëhequr ose kanë lënë imunitetin parlamentar për shkak skandalesh korruptive, dhjetëra zyrtarë në të gjithë vendin kanë rezultuar të korruptuar me gjithfarë historish të pista, dosjet e mëdha të Gërdecit dhe rrugës Durrës-Kukës (për të mos folur për çështje të bujshme të së shkuarës si ajo e Remzi Hoxhës, ku vetëm tani mësojmë në detaje sesi shteti merrte peng njerëz, që i çonte me thes në kokë në kasollet e ishull-Lezhës) – të gjitha këto andralla të mbarsura me fakte, biseda telefonike familjarësh e gjithfarë detajesh të dyshimta, e venë në pozitë të vështirë qeverinë.

 E cila megjithatë vazhdon të bëjë një luftë të pabarabartë në argumente, por mëse të krahasueshme në patos elektoral dhe volum zëri.
Shpjegimi i kësaj balance virtuale dhe të pavërtetë është një dhe vetëm një: dobësia e të bërit fushatë e opozitës, më saktë e partisë së saj kryesore, Partisë Socialiste. Mënyra sesi PS e sotme po bën opozitën dhe fushatën zgjedhore, kodi i saj i përzgjedhjes së argumenteve dhe i tonalitetit të kumtimit të tyre, shpërfillja disa herë e tezave bazë që e venë në vështirësi kundërshtarin, duke mbipërdorur vetëm çështjen e Gërdecit, po e varfërojnë dhe po e dobësojnë mesazhin opozitar në këto zgjedhje. Justifikimi i kësaj gare me këmbën e hequr nga pedali i gazit, me togfjalëshin e “politikës së re” përbën një alibi të dobët dhe të pamjaftueshme për të bindur votuesit e opozitës se përse disa gjëra duhen thënë me gjysmë zëri dhe disa të tjera duhen vetëm anashkaluar. Nëse kësaj strategjie të moderacionit “me çdo kusht” i shton edhe vendimin e Ramës për të mos lënë bashkinë, apo edhe faktin se shumë prej figurave të sapo-lançuara do t’u duhet të kalojnë ende për disa kohë periudhën e aklimatizimit në mesin e një fushate që s’le vend dhe hapësirë për diçka të tillë, atëherë pozita e të majtës në këto zgjedhje rrezikon të bëhet thellësisht difensiviste në javët e ardhshme. Fjala e Edi Ramës në konferencën kombëtare të PS para pak ditësh, ndryshonte jo pak nga ajo çfarë kryetari i PS ka bërë deri më tash në fushatë. Nëse ajo do të ishte një pikënisje dhe jo një episod, socialistët kanë shansin që t’i rimarrin pikët e humbura pak a shumë në të gjitha sondazhet e fundit. Mjafton që të ulen e të bëjnë një listë të plotë të asaj që nuk ka shkuar mirë këto katër vjet. Me kusht që pasi ta bëjnë, të dalin e t’ua thonë edhe shqiptarëve!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama