Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fasada poshtëron përmbajtjen

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 16 vite më parë

Aleksandër Çipa
Fasada poshtëron përmbajtjen

Përmbajtja dhe parimet reale janë dy prej aspekteve kapitale të poshtëruara në këto ditë të kësaj fushate elektorale që po zhvillohet në Shqipëri. Principi është shndërruar në demagogji, prej së cilës pritet vetëm fryti i përdorimit të përkohshëm dhe njëkohësisht nuk merret prej askujt në konsideratë dëmi që po i shkakton kjo filozofi shoqërisë për të nesërmen e afërt.

Prej vitit 1992 e deri në mesjavën e tanishme nuk ka pasur shembull më vrasës për të ashtuquajturën demokraci partiake të periudhës postkomuniste në Shqipëri. Rasti i listave për kandidatë për deputetë, pavarësisht nga diskutimi për cilësinë konkurruese të tyre mes palëve politike, përbën në vetvete një formë reale të poshtërimit përfundimtar të kësaj demokracie dhe të rrënimit të parimeve për zgjedhje sipas meritave përfaqësuese, apo meritokracisë, pse jo edhe partiake(!).

Udhëheqësit e partive kryesore politike përfundimisht janë shndërruar në tutorë të partive të tyre dhe për më keq edhe të grupeve të ardhshme parlamentare, që do të sjellin zgjedhjet e pritshme. Rrënimi i demokracisë së brendshme partiake, i pranuar, por ende i paverifikuar se deri ku e sjell pasojën dhe reflekset ndikuese në këtë vend, është derivati parathënës i nivelit të demokracisë reale në Shqipërinë e pas 28 qershorit. Rrënimi i kësaj demokracie, e cila u inskenua pa rezistencë dhe pa reagime të segmenteve dhe faktorëve opinionbërëse të shoqërisë, ka për të cenuar realisht imazhin e Shqipërisë në raportimet e pritshme të pas datës zgjedhore. Për sa i përket demokracisë institucionale, kjo parathënie duhet lexuar me shqetësim, dhe pse jo edhe me ndjeshmëri të lartë.

Fituesit, pavarësisht se kush do të jenë ata, e kanë përdorur këtë proces parazgjedhor për ta shndërruar në infrastrukturë të dominimit dhe triumfit të autoritetit të tyre. Kjo strategji zë fill para kësaj parafushate. Dhe për këtë arsye, përgjegjësia e shndërrimit të saj në infrastrukturë për sundim dhe autoritarizëm del prej pozitës në detyrë dhe përfshin veçanërisht opozitën.

Rrënimi i demokracisë së brendshme partiake ka ulur përfundimisht valencën plurale të mendimit shoqëror dhe të dëgjueshmërisë shoqërore, si dhe ka për të dëmtuar rëndë arkitekturën e pluralizmit real në përditshmëritë e ardhme të mandatit të ri, të cilin presim si qytetarë në këtë vend dhe që jetojmë më idenë e shëmbëllimit arritës në BE.

Ky përdorim është mundësuar përmes shumë mekanizmash. Ndër më kryesorët është ai i uzurpimit të medias dhe i ndarjes së saj, duke e rikthyer në momentet e shumëkritikuara të përvojës së fazës së parë të pluralizmit (1991-1998). Gjatë kësaj periudhe spikaste jo vetëm militantizmi dhe dasia "pro dhe kundër" palëve partiake, por deri edhe vërtitja si mjet goditës për interesa të politikës dhe protagonistëve të saj. Kjo blerje e mediave, e cila është flagrante dhe zbuluese e qëllimit pse ajo lihet në pozitat më informale të funksionimit në raport me tre pushtetet e tjera klasike, kësaj here, ekskluzivisht ndëshkon lirinë e mendimit dhe lirinë për të vërtetat e kësaj shoqërie.

Ky përdorim i medias u bë i qëllimshëm, pikërisht në fazën selektuese dhe formuluese të listave për kandidatët për deputetë, duke ia arritur qëllimit të shmangin vëmendjen dhe përqendrimin e publikut te mënyra se si kryhet ky proces dhe duke e fokusuar atë naivisht, tek emrat faktikë dhe te verifikimi se deri ku shkojnë preferencat e kryetarëve të partive për mbështetësit e tyre. Kjo mënyrë selektimi, edhe nëse është më cilësore se në turet e mëparshme të zgjedhjeve, në përmbajtjen e saj ka fyer dhe cenuar rëndë ndërgjegjen institucionale. Kandidatët, si te forca kryesore e shumicës që kryeson zoti Berisha, si te forca kryesore e opozitës, e zotit Rama, në shumicën e tyre janë të panjohur për veprimtari brenda partisë, sikundër edhe nuk kanë një premisë lidhjeje dhe investimi me forcën ku janë inkuadruar befasisht dhe pa kryer procedurën formale të anëtarësimit. Një neglizhencë e tillë të shtyn të besosh se statutet e këtyre forcave janë dokumente që bashkëjetojnë me informalitetin dhe me ndërgjegjet informale të udhëheqësisë së tyre. Kjo procedurë është pjesë evidente e fasadës që ngrenë udhëheqësit për të çimentuar qeverisjen e tyre, së pari në parti dhe më pas, atë legjislative dhe ekzekutive të vendit.

Kjo fushatë elektorale, e udhëheqësve politikë (si prej atyre që kanë karrierën 20-vjeçare edhe prej atyre që kanë karrierën e 5 apo 7 vjetëve të fundit), spikat për faktin se po e shndërron në qëllim në vetvete filozofinë e fasadës. Pas kësaj, shumëkush konstaton edhe me më tepër skepticizëm, se mes pushteteve klasike të këtij vendi, pas 28 qershorit 2009, do të ketë asimetri dhe probleme të cilat i zgjasin jetën demokracisë hibride shqiptare.

Dy protagonistët kryesorë të politikës dhe të konkurrimit elektoral në këtë fushatë, pra zotërinjtë Berisha dhe Rama, janë rikthyer në një ofensivë, e cila dukshëm të shton imazhin risolidizues të bipolaritetit dhe të biprotagonizmit politik. Në funksion të këtij kahimi, po shërbejnë edhe mediat dhe sidomos ndarjet e grupeve opinionbërëse në mediumet e vendit. Prej kësaj shërbese, natyrisht që mund të përfitojnë protagonistët dhe pse jo edhe mbështetësit e tyre, kryesisht protagonistët e biznesit dhe të kamjes së sotme, por pashmangshmërisht do të dëmtohen interesat e qytetarëve në raport me veprimin dhe autoritetin real të (pa)varësisë së institucioneve, kryesisht atyre të drejtësisë dhe të legjitimimit të pronës.

Dimensioni tjetër i kërcënuar prej kësaj filozofie të fasadës, është ai i lirisë së mendimit brenda strukturës poliarkike dhe partiake të shoqërisë. Liria në partitë tona është vendosur nën ombrellën e frikës prej kryetarit. Kjo liri mund të krahasohet realisht me lirinë e pacilësishme të editorëve shqiptarë në mediat e zotëruara dhe të orientuara. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me PD-në apo me PS-në. Në mënyrën më të shëmtuar, madje më flagrante është si gjendje edhe brenda partive të dyta dhe që pretendojnë të jenë fatvendosëse në formulën e re qeverisëse. Disa prej politikanëve që u investuan gjatë këtij mandati të sapombyllur politik, u përjashtuan prej listave të kryetarëve pa u dhënë në asnjë rast shpjegime apo sqarime publike. Madje jo vetëm që ka munguar sqarimi dhe arsyet publike, por çuditërisht është ndjellakeqe edhe heshtja e karrierëndërprerëve. Pas kësaj heshtjeje, shumëkush duhet të lexojë frikën reale apo arsyet e fshehura për publikun. Një shoqëri që jeton me arsye të tilla të fshehura apo të vetëfshehura, gjithsesi vetëm autoritet demokracie dhe liri mendimi nuk mund të pretendojë!

Tinëzare të këtyre qëllimeve, në skenën e kësaj vere janë të dyja apo të katërta palët e këtij ansambli, që po luan në Shqipërinë e demokracisë së pacilësishme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama